Thesari i artit që ka lënë maestro Gjelosh Gjokaj – e që arrin deri në tre mijë vepra – është burim i pashtershëm frymëzimi e studimi. Monografia “Meastro Gjelosh Gjokaj” synon të shpalosë gjurmët e këtij emri të madh të artit shqiptar e botëror. Vepra me redaktor Sead Gjokajn, të martën është përuruar edhe në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës
Pas gati shtatë vjetësh prej vdekjes së tij, piktori e grafisti i njohur Gjelosh Gjokaj ka bashkuar edhe një herë miqtë e tij në Prishtinë. Ishte monografia e titulluar “Maestro Gjelosh Gjokaj” ajo e cila pas promovimit në Tuz e në Tiranë u promovua edhe në Prishtinë. Miqtë, studiuesit e njohësit e artit të Gjokajt kanë vlerësuar lart botimin e një monografie e cila sjell prurje të reja, teksa ofron dëshmi të artit e jetës së piktorit me nam.
Jo pak njerëz janë mbledhur të martën në përurimin e mbajtur në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve e Kosovës. Libri u botua nga Komuna e Tuzit, ku edhe është promovuar për herë të parë në gusht të vitit të kaluar. Në prill të këtij viti, së bashku edhe me një ekspozitë e cila përfshinte mbi 70 vepra të këtij mjeshtri të madh të pikturës e grafikës, libri u promovua edhe në Tiranë. Për hartimin e një monografie të tillë voluminoze, e cila numëron mbi 300 faqe, nuk ka qenë e lehtë.
Redaktori i saj, Sead Gjokaj, kishte bërë një punë pesëmbëdhjetëvjeçare, duke u endur nëpër vende të ndryshme e duke mbledhur detaje të krijimtarisë së piktorit. Veçmas, gjashtë vjetët e fundit kanë rezultuar me gjetjen e një numri të madh të njësive bibliografike. Për meastro Gjokajn, në pesëmbëdhjetë vjetët e fundit janë botuar edhe dy monografi: njëra me autor Halil Qikun më 2011 dhe tjetra më 2014, botuar prej ASHAK-ut, redaktore e së cilës është Suzana Varvarica-Kuka, sikurse edhe ajo e botuar prej Muzeut e Galerisë në Podgoricë, redaktor i së cilës është po ashtu Gjokaj.
Por monografia e fundit, sipas tij, vjen më e plotësuar me të dhëna e vepra të reja sikurse edhe në botim më kualitativ. Gjokaj ka thënë se për dallim prej monografive të mëparshme, kjo tash sjell mbi 300 vepra të reja që janë fotografuar dhe prezantuar në këtë monografi.
“Një numër i madh i këtyre veprave i prezantohen publikut për herë të parë, pikërisht për faktin se gjenden në muze, galeri e koleksione private, të paqasshëm për publikun”, ka thënë Gjokaj, teksa në fjalimin e tij ka rikthyer edhe të dhëna biografike të maestros.
“Vepra e tij e nivelit superior e ka renditur në mesin e artistëve me nam kosovarë, malazez e shqiptarë me renome ndërkombëtare që ia ka mundësuar bashkëpunimin me emra të shquar evropianë të artit modern e postmodern të shekullit XX, në mesin e të cilëve: Pablo Picasso, Renato Gutusso, José Ortega, Franco Gentilini e të tjerë”, ka thënë ai.
Siç përshkruhet, monografia “Maestro Gjelosh Gjokaj”, në anglisht dhe shqip, trajton lirikën dhe tragjiken e veprave të piktorit, për të kaluar pastaj te cikli romak, ekspozitat personale, kolektive, si dhe ese e kritika kushtuar krijimtarisë së Gjokajt.
Sead Gjokaj ka folur edhe për rëndësinë e ruajtjes së gjurmëve të piktorit Gjelosh Gjokaj. Ai ka thënë se monografia është një borxh ndaj piktorit të madh.
“Gjelosh Gjokaj ka lënë gjurmë të pashlyeshme në artin shqiptar, malazias, jugosllav dhe evropian të shekujve XX dhe XXI, apriori e ka merituar të prezantohet dhe të valorizohet veprimtaria e tij në mënyrë të dinjitetshme. Ky borxh ndaj maestros rezultoi me publikimin e Monografisë kushtuar jetës dhe veprës së tij. Me hulumtime të thelluara dhe përkushtim të madh është përmbledhur materiali bibliografik, një numër i madh i punimeve deri tani të papublikuara artistike (grafika, vizatime, akuarele, piktura), që gjenden në përmbledhjen rajonale muzeore dhe akademike, si dhe në koleksionet private nëpër Evropë dhe Amerikë”, ka thënë ai.
Sekretari shkencor i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Luan Mulliqi, ka kujtuar kohën kur Gjokaj i mblidhte miqtë e tij nëpër ekspozita personale a kolektive. Ai u shpreh se, pavarësisht vdekjes së tij, krijimtaria e Gjokajt ka vazhduar ta bëjë këtë.
“Gjeloshi ishte një artist i veçantë në krijimtari. Ishte prej artistëve që gati tërë jetën e kaloi jashtë vendlindjes, por të tërë krijimtarinë ia kushtoi Malësisë së Madhe. Ishte i veçantë edhe në jetën e përditshme. Kishte një dëshirë shumë të madhe që t’i mblidhte miqtë dhe ne kolegët ose përmes ekspozitave individuale që ndonjëherë na organizonte atje ose kolektive. Pra, emri i tij na ka mbledhur edhe sot dhe shpresoj që krijimtaria e tij të na mbledhë edhe në të ardhmen. Për këtë jam i sigurt, sepse për artistët e mëdhenj thuhet se ata nuk vdesin kurrë, ata jetojnë aq sa jeton vepra e tyre”, ka thënë skulptori Mulliqi, anëtar korrespodent i ASHAK-ut.
Për idenë e librit dhe rrugëtimin deri në botimin e tij ka folur publicisti, njëherësh edhe ish-miku i piktorit, Shkëlzen Maliqi.
“Gjeloshin e kam pasur mik që nga vitet ’80, kur e kam njoftuar dhe kam pasur rastin t’i hap disa ekspozita dhe t’i shkruaj disa ese, që kanë qenë një vlerësim i përgjithshëm i veprës së tij. Fillimisht ideja ka qenë që libri të botohet në tri gjuhë, por ndoshta, fatmirësisht, botuesi i parë ka vendosur që për shkak të vëllimi të madh ta botojë vetëm në gjuhë malazeze dhe angleze. Kurse Seadi, si redaktor i botimit të parë dhe të dytë ka menduar se do të ishte mirë ta botonte edhe shqip, dhe nuk është dorëzuar. Ka mbledhur edhe shënime të tjera për vepra dhe për shkrime që janë bërë për artin e Gjeloshit ndër vite dhe ka gjetur mirëkuptimin e Komunës së Tuzit”, ka bërë të ditur Maliqi.
Në roli e kuratorit e njohësit të veprimtarisë artistike të Gjeloshit, Maliqi është shprehur se pavarësisht kësaj monografie tejet të nevojshme, krijimtaria e piktorit e grafistit të njohur ka ende hapësirë për studim. Ai përmendi mungesën e disa veprave që artisti i kishte punuar gjatë viteve ‘60 dhe ‘80.
“Gjeloshi është një subjekt që ende duhet të studiohet dhe kompletohet në njëfarë dore. Dihet për të, sidomos sa i përket vëllimit të veprës së tij. Ai ka qenë artist mjaft i suksesshëm dhe është mbështetur vetëm në fuqinë e vet. Nuk ka pasur agjent. Ka qenë artist i lirë dhe ka jetuar vetëm nga arti i vet. Tërësinë e veprës së tij e kemi pak a shumë, por ndoshta mungojnë disa vepra të rëndësishme sidomos disa cikle të viteve ‘80 që i ka punuar me shpendët grabitqarë, dhe këto gjëra duhet të hulumtohen. Sidomos në ato të periudhave të hershme, viteve ‘60, ka mungesë të informatave”, ka thënë ai.
Marina Camaj-Ujkaj, drejtoreshë e Kulturës në Komunën e Tuzit, ka përmendur një sërë aktivitetesh kulturore të cilat i organizon kjo komunë me qëllim kultivimin e gjuhës dhe kulturës shqipe. Në vazhdën e këtyre aktiviteteve, Komuna e Tuzit kishte paraparë edhe botimin e kësaj monografie, me ç’rast libri ishte paraqitur për herë të parë në Panairin e Tuzit, në gusht të vitit të kaluar.
“Për piktorin tonë malësor me renome botërore, por edhe të atij që ka bërë evidentimin e të mirave kulturore të Malësisë, material ky interesant për secilin. Ngjyrat në pikturën e Gjeloshit, të cilat ne i jetojmë atje, ku ai u frymëzua, i ndeshim çdo ditë. Ato i kemi të pashkruara edhe ne në peizazhin tonë, kurse piktori i ndau me të tjerët, të cilët nuk patën mundësi t’i shijonin ato. Ne dëshirojmë të japim mesazhin e qartë se Malësia është për t’u zbuluar, ndërsa ju mbetet ju ta hulumtoni”, ka thënë ai.
Akademik Gjelosh Gjokaj u lind në vitin 1933 në Milesh të Tuzit në Mal të Zi. Shkollën e Mesme të Artit dhe studimet e larta në Akademinë e Artit i kreu në Beograd. Diplomoi më 1963. Në vitet 1964-1969 themeloi Degën e Grafikës në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prishtinës. Në vitin 1970 Gjokaj kishte lënë Prishtinën për të shkuar në Romë, ku jetoi deri më 1983. Aty do ta takonte Ernest Koliqin, i cili i ndihmoi të hapte ekspozitën e parë grafike me vepra që kishte dërguar atje nga Prishtina. Në vitin 1983 shkoi në Augsburg, Gjermani, ku jetoi deri në ditën e fundit të jetës. Vdiq më 25 shtator 2016 në moshën 83-vjeçare.
Përurimi i Monografisë në Prishtinë vjen në kohën kur në Tiranë, në ambientet e Kryeministrisë është hapur ekspozita me veprat e maestros, pjesë e koleksionit më të madh të piktorit të jashtëzakonshëm shqiptar.