Kulturë

Maestro Dylla me elegancë i rrëfen Mitrovicës nëpërmjet kitarës

Marcin Dylla nuk është thjesht interpretues. Ai shpalos rrëfime nëpërmjet instrumentit, dhe kitara në duart e tij duket e pamjaftueshme. Hapja e të pestit edicion të “Mitrovica Guitar Days” me maestron polak të kitarës klasike ka qenë një goditje në shenjë. Prestigjiozja amerikane “The Washington Post” e ka cilësuar si “ndër kitaristët më të talentuar në planet” dhe sapo nis interpretimin, një përshkrim i tillë nuk lë shumë vend për koment. Koncerti i së martës mbrëma në Muzeun e Qytetit ka qenë një udhëtim i ndjeshëm nëpërmjet tingujve

Me prekjen e parë të telave – pas një frymëmarrjeje të thellë si teknikë përqendrimi – magjia e tingujve të kitarës nis e shpërndahet valë-valë gjithandej në hapësirën e Muzeut të Qytetit të Mitrovicës. Emri i tij flet shumë: Marcin Dylla. Hapja e të pestit edicion të “Mitrovica Guitar Days” me maestron polak të kitarës klasike, ka qenë një goditje në shenjë. Prestigjiozja amerikane “The Washington Post” e ka cilësuar si “ndër kitaristët më të talentuar në planet” dhe sapo nis interpretimin, një përshkrim i tillë nuk lë shumë vend për koment. Para se të nisë interpretimin ka pasur një lutje për audiencën: askush të mos xhirojë dhe secili ta shijojë koncertin siç donte ta shijonte edhe vetë ai. Publiku i është bindur teksa ia ka mundësuar këtij fenomeni të rrallë, siç e quajnë kritikët, ta marrë me vete në një udhëtim të pakufishëm muzikor. Dritat ngjyrë rozë kanë ndriçuar hapësirën e shumëngjyrësh ka qenë udhëtimi muzikor me këtë muzikant skenash të njohura.

Dylla (47) e ka hapur koncertin me “Capricco Diabolico op. 85” të Mario Castelnuovo-Tedescos dhe ka qenë një hyrje e fuqishme në zbërthimin e stilit dhe teknikave të tij. Ai nuk është thjesht interpretues. Shpalos rrëfime nëpërmjet instrumentit, dhe kitara në duart e tij duket e pamjaftueshme. Para secilës vepër në repertor, e ka paralajmëruar publikun se çfarë e pret. Ka vazhduar me “Sonatën nr. 34” të Silvius Leopold Weiss e po ashtu “Sonatë op 23” ka zgjedhur edhe nga Wenzel Thomas Matiangas, që nis qetë por intensifikohet me një lloj harmonie melodish paralele ku secila notë kërkon precizitetin e vet. Loja me bas është si vepër e shkëputur por që thuret mjeshtërisht me pjesën solo. Me veprën e radhës ka kapërcyer një shekull në literaturën e muzikës.

“Cinco Piezas” e Astor Piazzolas, kompozitorit modern, i pashmangshëm në repertorin e kitaristëve, është një vepër e cila kërkon ndjeshmëri maksimale në interpretim. Loja e Dyllas në qafën e kitarës duket si një vallëzim gishtërinjsh në veprën pesëpjesëshe që kërkon teknika të ndryshme interpretimi. Njëri prej tyre edhe goditja e telave me dorën e djathtë. Dylla është mjeshtër në çfarëdo teknike e dëshmi për këtë jo vetëm një koncert si ky, por edhe biografia e tij.

Ka në sirtarë gati njëzet çmime në garat më prestigjioze në gjithë botën prej vitit 1997 deri më 2007, kur mori Medaljen e Artë në “Guitar Foundation of America International Competition” në Los Angeles i njohur si konkursi më prestigjioz i kitarës në botë.

Ka ardhur për herë të parë në Kosovë, e që përshtypje të madhe i ka lënë audienca e qetë e cila gjatë tërë kohës ka dëgjuar me vëmendje.

“Është hera e parë në Kosovë, edhe pse njoh kitaristë të mrekullueshëm nga Kosova, një prej tyre është edhe student i imi në Gjermani, dhe dija për njerëzit, e dija sa sensitivë janë edhe muzikalisht dhe e prisja çka do të ndodhte sonte. Shumë bukur, audiencë e qetë dhe duke dëgjuar me shumë vëmendje dhe gjithashtu duke më dhënë kënaqësi ta shijoj edhe tingullin më të butë të kitarës”, ka thënë Dylla, aktualisht profesor i kitarës në Akademinë e Muzikës Katowice në Poloni dhe Westfälische Wilhelms Universität Münster në Gjermani, ku njëri prej nxënësve të tij nga Kosova është edhe Ermal Kabashi.

Koncerti i tij në hapje të “Mitrovica Guitar Days” nuk është e vetmja arsye e ardhjes së tij në Kosovë. Do të takohet edhe me ata që synojnë rrugëtimin e tij. Prej të enjtes ka nisur edhe masterklasat.

“Janë diku dhjetë ose dymbëdhjetë kitaristë që do të luajnë për mua dhe është gjithmonë kënaqësi të takoj të rinj dhe të diskutojmë për gjëra që mund të bëhen më mirë, është vërtet specifike, nëse dikush nuk është kitarist nuk e shijon, por për ne të tjerët do të thotë shumë”, është shprehur Dylla.

Image
Para se të niste interpretimin ka pasur një lutje për audiencën: askush të mos xhirojë dhe secili ta shijojë koncertin siç donte ta shijonte edhe vetë ai. Publiku i është bindur, teksa ia ka mundësuar këtij fenomeni të rrallë, siç e quajnë kritikët, ta marrë me vete në një udhëtim të pakufishëm muzikor

Marcin Dylla, i lindur në Poloni, mori mësimet e para për kitarë në Konservatorin Muzikor Ruda Slaska në Poloni. Prej vitit 1995 deri në vitin 2000 studioi në Akademinë e Muzikës në Katowice me Adi Eanda Palacz dhe më vonë përfundoi studimet në Akademitë Muzikore në Zvicër, Gjermani dhe Holandë. Pas Mitrovicës, Dylla ka edhe një rrugëtim të gjatë nëpër festivale të tjera, në Evropë e SHBA, por ka thënë që do të kthehet në Kosovë.

“Është gjithmonë problem të kombinoj obligimet me festivalet e tjera, por gjithsesi që do të kthehem këtu. Do të shkoj në Itali do të luaj në Milano, në Verona, në Bullgari, kam disa koncerte në SHBA këtë vit dhe në Gjermani do të përfundoj para Krishtlindjeve dhe pastaj do të pushoj pak”, ka thënë ai.

Gjatë koncertit në Mitrovicë nuk la pa dhënë edhe këshilla për muzikantët e rinj që mos ta shohin muzikën si profesion që të fitojnë nga ajo.

“Të mos e shohin muzikën si profesion, sepse zakonisht kur dëshiron të kesh një profesion serioz nganjëherë je i zhgënjyer sepse edhe fitimi vjen shumë më vonë edhe më vonë se kur i përfundon studimet, në momentin kur vërtet e doni atë që bëni dhe e kombinoni me disa aktivitete profesionale që të fitoni para dhe të bëni muzikë atëherë, mund të bëhet profesioni juaj në të ardhmen. Pra, të jeni i durueshëm dhe t’ia dedikoni gjithë kohën muzikës”, është shprehur Dylla.

Në mesin e audiencës në koncertin e kitaristit të cilit në Konventën e Shtatë Ndërkombëtare të Kitarës në Alessandria iu dha çmimi i kritikës muzikore “Kitara e artë” kishte edhe të tillë që e konsideronin idhull.

“Jemi shumë të lumtur që Erhani e ka ftuar Marcin Dylla. Marcinin e dëgjoj qysh si fëmijë dhe gjithmonë e kemi pasur një lloj idoli dhe njëmend jemi gëzuar shumë që ka ardhur në Mitrovicë dhe së bashku do ta mbajmë edhe master-klasat”, ka thënë kitaristi Drilon Çoçaj.

E organizatorët e Festivalit të Kitarës në Mitrovicë janë tejet të kënaqur që çdo gjë ka shkuar siç ata kanë planifikuar,.

“Nata e sontme për ne si organizatorë është shumë e sikletshme, por duke parë kur po vjen publiku, njerëzit mezi po presin që të fillojë koncerti, artisti në skenë po e sheh se gjithçka ia vlen dhe po janë momente shtendosjeje edhe për neve kur shkon çdo gjë ashtu siç e kemi pritur ndoshta edhe më mirë. Jemi shumë të lumtur që edhe publiku ka ardhur, është edukuar ka ardhur në atë nivel që po i mirëpresin dhe po i respektojnë maksimalisht artistët e muzikës klasike, sepse e dimë që muzika klasike është mjaft specifike”, ka thënë koordinatorja e “KosovaArs” Anisa Sudoholli- Mujka.

Ka treguar edhe interesimin e publikut për tërë festivalin, por edhe për koncertin e italianit Aniellio Desiderio, i cili në Itali cilësohet si fenomen. “Interesimi është për tërë festivalin, me datë 21 do të jetë koncerti i artistit italian Aniellio Desiderio, publiku mezi po pret koncertin e tij”, ka thënë Sudoholli- Mujka për kitaristin i cili rikthehet në Mitrovicë.

Me katër koncerte vjen edicioni i pestë. Tingujt e kitarës në Mitrovicë do të mbizotërojnë deri me datë 24 shtator. Në program është edhe koncerti i trios së Agron Penit dhe dyshes nga Turqia, që i jep festivalit të tjera ngjyra.