Kulturë

Lumenjtë artistikë nga “Tulltorja” ujisin luledielli

“Autostrada Biennale” të dielën është zgjeruar në Prishtinë. Me “Kush flet nga pluhuri, kush sheh nga deltina” të Hera Büyüktaşcıyanc prej ish-Fabrikës së Tullave burojnë pesë lumenj. Dhe kjo ngjan në kryeqytetin pa lumë që jeton vetëm me imazhin e tij. Lumenjtë artistikë ujisin “Fushat e lulediellit” të Agnes Denes të cilat tashmë kanë mbirë. “Të gjitha imazhet do të zhduken një ditë”- është tema e edicionit të katërt të “Autostradës…” e cila tashmë nuk ndalet vetëm në Prizren. Po të dielën është ndalur edhe në Mitrovicë

Ndryshe prej Prizrenit ku “Autostrada Biennale” ka vënë shënjestrën në imazhet që do të zhduken, në Prishtinë i ka kthyer shenjat e zhdukura. E që mbase dhe ato do të zhduken. Në fakt i ka bërë të dyja.

Hera Büyüktaşcıyanc ka vazhduar kërkimet e saj për lumenjtë a ujërat e zhdukura të Kosovës. Ndryshe prej Prizrenit dy vjet më parë – kur me “Bebëza e syrit tim është foleja jote” lumenjtë i lëshonte teposhtë prej Kalasë – tash pesë sish dalin prej ish-Fabrikës së Tullave në Prishtinë e njohur si “Tulltorja”. Objekti i lënë pas dore për shumë vjet – i gjallëruar verën e vjetme me bienalen nomade të artit “Manifesta 14” – të dielën ka qenë stacion i “Autostradës…”, që sivjet ka për temë “Të gjitha imazhet do të zhduken një ditë”.

Për “rikthimin” e lumenjve në qytetin pa lumë, artistja nga Stambolli vjen me veprën e rikonceptuar me titullin “Kush flet nga pluhuri, kush sheh nga deltina”. Siç e zbërthen koncepti “uji përfaqëson njëkohësisht krijimin dhe gërryerjen, duke veshur çdo tullë me një narrativë të re dhe transformimin e vazhdueshëm të trajtës së saj me kalimin e kohës”. Vepra e huazon titullin përmes poemës së Kathleen Raine “Vetë” dhe në “Tulltore” nuk është e vetme. Aty mbijnë edhe “Fushat e lulediellit” e Agnes Denes që në shpalosjen e radhës për publikun vjen në koncept më ndryshe. Për herë të parë mbinë më 2021 në Prishtinë në platenë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve.

Të dyja bashkë vijnë si simbol i rezistencës ndaj ciklit të shkatërrimit aktual. Dhe kjo ndodh në “Tulltoren” e cila ende s’e ka mbushur vitin e transformuar në galeri arti nëpërmjet bienales nomade “Manifesta 14”. Derisa Bienalja evropiane synonte shërimin, “Autostrada...” jo vetëm e Prizrenit tashmë ia kthen jetën. Qoftë edhe përkohësisht.

Hera Büyüktaşcıyan ka ndjekur pothuajse të njëjtën metodë siç bëri edhe në Prizren. Kishte nisur hulumtimin për lumenjtë e Prishtinës. Në qytetin pa lumë natyrisht se do të duhej të improvizonte. Jo esenciale kjo, megjithatë konsiston me praktikën e saj të punës. Janë pikërisht ceradat me ngjyrë të kaltër që dalin prej njërit prej mureve të objektit të “Tulltores”. E bëjnë kryeqytetin pa lumë me pesë “lumenj”.

“Po mendoja të lidha vijat e padukshme të ujit me tullat. U lidh disi në mënyrë poetike me këtë material që nuk mund të formohet pa ujë, por kur shihni këto mure që janë shenjat e ‘Manifestas’ që janë lënë, mund të shihni etnicitete”, ka thënë ajo në inaugurimin e veprës së saj të dielën.

Kësisoj ka dhënë shembullin se edhe shenjat e veprës së saj do të mbesin në atë hapësirë. Ka veçuar dallimin prej lumenjve të vërtetë në Prizren.

“Në Prizren kishte një folklor shumë të bukur të ekzistencës së lumenjve që lidhen me emrat e njerëzve, sepse të gjithë kanë emra njerëzish. Është shumë interesante sesi i personalizojnë, gjë që e bën pjesë të disiplinës për të mos hedhur mbeturina në ujë, të kenë respekt si pjesë e jetës sonë, si pjesë e biologjisë dhe jetës sonë. Kur erdha këtu pyetja e parë ishte nëse është ndonjë lumë aktiv brenda qytetit. Po mundohesha ta nxirrja nga arkivat”, është shprehur Büyüktaşcıyan derisa ka shpjeguar veprën e saj.

Njëra prej organizatorëve të “Autostrada Biennale”, Vatra Abrashi, ka paralajmëruar se në atë hapësirë do të organizohet program i pasur publik me debate e shëtitje të organizuara deri më 9 shtator derisa zgjat Bienalja. Sipas saj “Kush flet nga pluhuri...”vjen me mesazh të fuqishëm.

“Sjell memorien e ujërave dhe trajton urgjencën tonë si shoqëri që të veprojmë sa më shumë në mbrojtjen e ujërave. Dihet se Fabrika e Tullave i ka pasur edhe lumenjtë, kështu që risjellja e kësaj vepre dhe e këtij instalacioni është shumë adekuat për kontekstin e Prishtinës, por edhe të vetë Fabrikës së Tullave”, ka thënë Abrashi.

Image
“Fushat e lulediellit” të Agnes Denes janë shtrirë edhe para “Tulltores”

Prej instalacionit të artistes turke vjen enigma për rrjedhën e kanaleve. Përshkojnë murin që kanë përballë dhe eksplorojnë një pjesë goxha të madhe të hapësirës jashtë. Sikur synojnë të kalojnë kufirin që i ndan prej “Fushave të lulediellit”. Dhe ia del. Rrjedha vjen si simbol që i mban në jetë bimët e mbjella në prill të këtij viti me rastin e Ditës së Tokës. Është vepra e artistes hungareze Agnes Denes. Jo e panjohur në Kosovë.

“Fushat e lulediellit” nga artistja e cila jeton e vepron në SHBA, pas pushtimit të platesë së “Pallatit të Rinisë” në Prishtinë në prillin e 2021-s, do të vazhdonte edhe në Lumëbardhin e Prizrenit e në Pejë. Në qershorin e vjetëm farat e “Fushave...” u mbollën edhe në hapësirën para “Autostrada Hangar”. Tashmë kanë çelur njësoj si te “Tulltorja”. Me mesazhin për mbrojtjen e mjedisit dhe thirrjen për të reflektuar e vepruar me urgjencë mbi çështjet globale. Vetë vizualja – qoftë edhe me lulëzimin minimal – flet për transformimin aty.

“Sigurisht që ngrohja globale ka ardhur shumë në shprehje sivjet ku kemi pasur reshje të jashtëzakonshme dhe kjo ka ndikuar që të mos rritet ashtu si është pritur. Ka sjellë vonesë dhe tani veçse ka nisur të çelë”, ka thënë Vatra Abrashi.

Lulediellit sjellin edhe njëlloj bukurie dhe energjie bashkë me mesazhin pozitiv. Dhe këtë e ka bërë Bienalja e Prizrenit për të tretën ditë rresht.

“Sapo e kemi hapur ‘Autostrada Biennale’ në Parkun për Inovacion dhe Trajnime dhe pastaj kemi vizituar hapësira të ndryshme qofshin publike, private dhe vende të ndryshme që kanë qenë përgjatë Parkut dhe qendrës së qytetit. Ishin dy ditë shumë të bukura dhe tani sot jemi në kryeqytetin tonë të bukur dhe me hapësirën ku kemi sjellë dy artiste të jashtëzakonshme”, ka thënë njëri prej organizatorëve të ngjarjes, Leutrim Fishekçiu, në hapje të ndërhyrjes në “Tulltore”.

Si në krejt shëtitjet e organizuara, për konceptin e çka jo tjetër, kuratoret e këtij edicioni kanë qenë të gatshme për të informuar publikun për veprën. Turkja Övül Ö. Durmuşoğlu ka thënë se pas Prizrenit e kanë sfiduar veten edhe me shenjat në Prishtinë. Kujtimet janë kryefjalë në vlerësimin e saj për veprat.

“Disi memoriet janë shumë më shumë. Në një mënyrë të trajtimit të të menduarit, të kuptimit të anës së vështirës dhe gjenerimit të kësaj ane që bëhet një vegël zhvilluese. ‘Fushat e lulediellit’ bëhet shumë e rëndësishme ta kthejmë, të bisedojmë për këto shenja, të ecim rreth saj, të bisedojmë për të dhe të jemi të aftë të shohim sesi jemi të rrethuar prej saj. Është hapësirë me shumë kujtime”, ka vlerësuar Durmuşoğlu.

Ndërsa kuratorja polake Joanna Warsza e ka vlerësuar si “vepër mobile që nuk i takon veç Prizrenit, por është edhe më relevante.

“Ajo sjell kujtimet në lidhje me ujin, me njerëzit. Është sy i hapur ndaj diellit”, ka thënë ajo.

I pranishëm ka qenë edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili ka vlerësuar se intervenimi në “Tulltore” po vazhdon si shenjë e transformimit aty.

“Kjo është një hapësirë industriale që për dekada të tëra është përdorur si një vend ku hidhen mbeturinat. Ka pasur tonelata mbeturina të cilat i kemi pastruar dhe kemi krijuar hapësirën për qytetarë, për instalacione artistike nëpërmjet të të cilave i është kthyer shpirti këtij vendi dhe jo vetëm, edhe shpirti i kryeqytetit. Nëpërmjet intervenimeve në hapësira publike, kryeqyteti vetëm se po transformohet në një vend të artit dhe kulturës, të njohur jo vetëm në regjion, por edhe botërisht”, ka kujtuar Rama.

Kryetari Rama ka thënë se investimi në art kthehet shumëfish, jo veç për nga aspekti financiar, por edhe ai shpirtëror.

“Kryeqytetit i duhet ky ‘emocioni Prishtinë’. Çdokush që vjen të përjetojë një emocion që nuk mund ta gjejë askund pos këtu”, ka thënë Rama. Krejt në fund ka pasur një përgjigje për kuratoren Warsza e cila në fjalën e saj ka thënë se “ndoshta kjo hapësirë do të kthehet në një tjetër hangar”. Në fakt, “Autostrada Hangar” është një hapësirë e re e edukimit, prodhimit dhe ekspozitës në ish-kampin e KFOR-it gjerman tani i njohur si ITP (Parku i Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren). Janë edhe dy objekte si “Hangar 2” dhe “Hangar 3”.

“Ky nuk do të jetë një hangar, do të jetë ‘Tulltorja’”, ka thënë Rama.

Ish-Fabrika e Tullave është në një kompleks industrial afër qendrës së qytetit. Sipas shënimeve të “Autostradës” e ndërtuar “në vitin 1947, fabrika përpunoi argjilë dhe lëndë të tjera të para për të prodhuar tulla që do të përfundonin duke formuar shumë ndërtesa në të gjithë Prishtinën, veçanërisht gjatë periudhës jugosllave”.

Objekti i saj është një strukturë e njihet menjëherë prej fasadës së saj në ngjyrë të kuqe të ndezur dhe prej dritareve të mëdha e katrore. Konsiderohet si hapësira më e rëndësishme post-industriale e Prishtinës. Ishte pjesë themelore e organizimit të infrastrukturës në Kosovë, e cila kishte prodhuar materiale të pastra nga të cilat më pas u ndërtuan një seri ndërtesash në Prishtinë Pas ndërprerjes së saj si fabrikë, objekti i ishte lënë në menaxhim Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Pas Prishtinës, mbrëmjen e së dielës, “Autostrada…” ka vazhduar në Mitrovicë. Atje ka rikthyer veprën e viteve ’70, një skulpturë antifashiste e zhdukur nga sheshi qendror në vitin 2010, e që njihej si “Barazia, puna dhe arsimi” . Artisti Alban Muja e rikthen monumentin me “Monumenti në lëvizje–kthimi prapa, 2021-23”.