Ekspozita “Lulet në art” shfaq vepra të mrekullueshme të realizuara në dy shekujt e fundit nga artistë të njohur ndërkombëtarë duke nisur nga Claude Monet dhe Anna Syberg të Melanie Bonajo e artisti kosovar Petrit Halilaj. Lulet janë në fokus të veprave të artistëve që janë bërë bashkë në Muzeun e Artit Modern “ARKEN” në Kopenhagë
Ekspozita “Lulet në art”, e hapur në Muzeun e Artit Modern “ARKEN” në Kopenhagë, nëpërmjet veprave të artit tregon mahnitjen e njerëzve me botën e luleve. Ekzaminon sesi lulet pasqyrojnë ndryshimin e botëkuptimeve, pikëpamjet për natyrën dhe kushtet sociale që nga pikturat sensuale të shekullit 19 deri te rrymat e tashme eko-kritike të artit bashkëkohor.
Ekspozita përshkruhet si një buqetë diverse me eksperienca të ndjeshme që shfaqin vepra me lule në mediume të ndryshme si: piktura, skulptura, fotografi, film dhe instalacione. Bën bashkë artistë të së kaluarës si piktori francez Odilon Redon, kryeartisti i impresionizmit, francezi Claude Monet, dhe pionierja e abstraksionit, piktorja suedeze Hilma af Klint, me artistë bashkëkohorë si artistja vizuale nga Holanda, Melanie Bonajo, skulptori amerikan Tony Matelli dhe dyshja Petrit Halilaj dhe Alvaro Urbano. Sipas përshkrimit të ekspozitës, ajo krijon lidhje të reja midis rrënjëve historike të motiveve me lule dhe agjendave kritike të artit bashkëkohor. “Lulet në art” e hapur në “ARKEN” qysh në shtator po shënon ditët e fundit. Është në dispozicion të publikut deri të dielën.
“ARKEN”, Muzeu i Artit Modern njihet për një nga koleksionet me të bukura të artit bashkëkohor të Skandinavisë që bashkë me arkitekturën e frymëzuar nga deti ka bërë që ky muze të ketë renome ndërkombëtare. Ani pse ka një famë të madhe, është një nga muzetë më të rinj të artit bashkëkohor në Danimarkë, i inauguruar më 15 mars 1996.
“Lulet: me ta dekorojmë shtëpitë tona, i përdorim si lajmëtarë për të përcjellë ndjenjat më të thella dhe gjejmë shërim në aromat dhe vitalitetin e tyre. Lulet gjithmonë na kanë magjepsur dhe gjetën rrugën e tyre në art. Lulet kanë pushtuar edhe hapësirën në ‘ARKEN’ me ekspozitën që shqyrton marrëdhëniet e shumta dhe të ndryshme midis luleve dhe njerëzve e që shpërfaqen përmes artit në veprat e pesëdhjetë e dy artistëve ndërkombëtarë dhe danezë”, është shkruar në njoftimin e ekspozitës.
Aty tregohet se kuratorja Dea Antonsen ka thënë se lulet kanë qenë qendër e motiveve përgjatë gjithë historisë së artit, por në këto kohë kritike për klimën lulet marrin kuptim të ri dhe prekës pasi që ne duhet të rimendojmë lidhjen tonë me natyrën.
“Ekspozita bën bashkë vepra ikonike, historike dhe bashkëkohore duke sjellë perspektiva të reja për mënyrën se si ne njerëzit i ‘konsumojmë’ lulet, vendin që i japim vetes bazuar në lule dhe mënyrën se si i japim formë botës përmes lidhjeve tona me lule”, citohet të ketë thënë Antonsen.
Aty shkruan se si motiv lulet në art kanë pasur goxha disa periudha të arta. Një prej tyre ishte në shekullin 19, kur ato shfaqnin diçka të bukur dhe ishin pjesë e një pyetjeje të përgjithshme për të kuptuar esencën e natyrës dhe se si bota funksionon.
“Motivet me lule shfaqen në mënyra të reja në artin e sotëm, në një kohë kur shkencëtarët lëshojnë alarme për krizën e biodiversitetit dhe të rinjtë marrin rrugët në mbrojtje të mjedisit. Kuptimi romantik i natyrës së mbrojtur ka humbur dhe artistë bashkëkohorë rimendojnë lidhjen midis njerëzve dhe luleve në vepra që janë plot me ndjeshmëri, humor dhe kritikë”, është shkruar aty.
Halilaj paraqitet me lulet që për herë të parë i ekspozoi në “Pallatin e kristaltë” të Madridit. Për ekspozitën personale në Spanjë kishte krijuar një botë të re. Nëpërmjet skulpturave dhe intervenimit që kishte bërë hapësirën e kishte shndërruar në një fole gjigante që lidhte enterierin me ambientin e jashtëm. “Një korb dhe uraganet që nga vendet e panjohura rikthejnë erëra të njerëzve të dashuruar”, e kishte titulluar ekspozitën, bartëse e së cilës qe muzeu “Reina Sofia”, nja tri kilometra larg “Pallatit të kristaltë”, ku Halilaj shpalosi artin e tij.
Për realizimin e saj kishte përdorur një gamë të gjerë elementesh, përmes të cilave ka eksploruar temat, si: shtëpia, kombi, dashuria dhe identiteti kulturor. Ekspozita e hapur më 15 korrik të 2020-s qëndroi për publikun deri më 28 shkurt të vitit 2021. Lulet që atëherë udhëtuan në disa vende të botës. U shfaqën edhe në Kosovë. “Lule Mosmëharro” ishte titulli për ekspozitën e përbashkët me partnerin dhe bashkëpunëtorin artistik Alvaro Urbano, e hapur në qershorin e vitit të kaluar. Çifti vari lule nën kupolën e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës gjatë “Javës së krenarisë”. Lulet masive të bardha, luleqershi e aso të ftoit ishin kopje nga buqeta e fejesës së çiftit.
“Dhe në njëfarë mënyre ky udhëtim i bukur ka qenë një nga ndalesat më të mira”, do të thoshte në hapje të ekspozitës Urbano, artisti 38-vjeçar nga Madridi. “Lule për Kosovën, këtë herë”, do të thoshte Halilaj për KOHËN. Kishte shtuar se ai dhe Urbano këto lule po i sjellin në Prishtinë “për të festuar moskonformizmin, një nxitje për një vizion për ndryshim, një ftesë për të ëndërruar, një thirrje për diversitet”. Një mesazh i tillë jepet edhe në Kopenhagën.
Halilaj ishte artisti i cili e përfaqësoi Kosovën në debutimin e saj në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecia, në edicionin e 55-të më 2013. Po ashtu, ka marrë pjesë në Bienalen e 6-të të Berlinit (2010) dhe në Bienalen e 15-të të Lionit (2019). Ai ka paraqitur veprat e tij në ekspozita personale në muze dhe në qendra artistike të rëndësishme, sikur Hangar Bicocca (Milano, 2015), Bundeskunsthalle (Bon, 2015) dhe New Museum (New York, 2017).
Vitin e kaluar Halilaj pushtoi mediat botërore duke e rivendosur Kosovën në botën elitare të artit me “Very volcanic over this green feather”, e hapur në mestetor në “Tate St Ives” në St. Ives të Cornwallit. Aty ai shpalos rrëfimin e tij unik për luftën në Kosovë më 1998-1999 dhe këtë e bën mjeshtërisht duke iu rikthyer vizatimeve në kohën kur ishte refugjat. Ekspozita është në dispozicion të publikut deri më 16 janar.