Kulturë

Luledielli mbijnë midis Prishtinës në konfrontim me ndotjen e historinë

Lulet e mbjella për veprën “Fushat e Lulediellit” të artistes hungareze që u lind në SHBA, Agnes Denes, tashmë kanë nisur të çelin. Instalacioni siç ka thënë artistja shërben për ta parë realitetin e për të ëndërruar. Po ashtu, është një konfrontim me urbanistikën, por edhe me historinë. Dikur Prishtina shquhej për fusha të tilla

Lulet e para në fushën e lulediellit të mbjella më 22 prill të këtij viti, për Ditën e Tokës, në platenë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë tashmë kanë çelur. Kanë hapur një kapitull të ri. Nëpërmjet tyre synohet që të kanalizohet domosdoshmëria për transformim shoqëror. Krijuesja e qindra veprave nëpërmjet të cilave synon të ndihmojë planetin, Agnes Denes, është ideatorja prapa tyre. Instalacioni “Fushat e Lulediellit” është vepra e radhës që ka zbuluar “Autostrada Biennale” për edicionin e saj të tretë që nisi të mërkurën me ekspozitën “Lule Mosmëharro” të artistëve Petrit Halilaj dhe Álvaro Urbano. Edhe një fushë tjetër me luledielli është mbjellë në Kosovë, saktësisht në Prizren, por ai mbetet një kapitull më vete.

Por “Lule Mosmëharro” dhe “Fushat e Lulediellit” i bën bashkë pikërisht kërkesa që ato kanë për ndryshime në shoqëri.

Image
Agnes Denes njihet si pioniere që me artin e saj trajtoi tema për ambientin (Në foto: Skenë nga dokumentari për një tjetër vepër të saj, “Fushë gruri – Ballafaqimi (1982))

“Dy instalacionet krijojnë shtigje për të formësuar mënyrat e ardhshme të mbijetesës shoqërore, artistike dhe politike brenda strukturave dhe infrastrukturës aktuale të qyteti dhe më tej”, është thënë në libërthin “Çka nëse një rrugëtim…” me synimet e vizionet e sivjetme të “Autostrada Biennale”.

Veprat e artistes Denes, për kohën e sotme konsiderohen shumë bashkëkohore, mirëpo në fakt 90-vjeçarja ka kohë që merret me këtë formë arti. Sipas një dokumentari të shkurtër që u prezantua gjatë diskutimit që u mbajt në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, të enjten, u bë e ditur se ajo ishte një nga pionieret në artin ambientalist dhe ekologjik, ndër të parat që me artin shtroi pyetje mbi ambientin, një temë që tash e disa vjet s’e humb aktualitetin.

“Ne dheun e marrim si të mirëqenë dhe nuk mendojmë shumë për ekzistencën e tij, e megjithatë e gjithë jeta varet nga kjo shtresë e hollë që e rrethon globin. Luledielli është bimë e lumtur dhe nënkupton shumë gjëra në kultura të ndryshme”, ka thënë Denes në fjalimin e saj dërguar “Autostrada Biennale”.

“Fushat e Lulediellit” është një riformatizim i veprës së saj emblematike “Fushë gruri – Ballafaqimi (1982). Në dy hektarë të mbjellë me grurë në një deponi rrënojash të shpërndara në Manhattan pranë Wall Street, interpretoi trashëgiminë e artit të tokës dhe e shndërroi atë në një ndërhyrje ekologjike urbane duke sugjeruar se ku do të zhvilloheshin betejat e ardhshme.

Image
Övül Ö. Durmusoglu (majtas) dhe Joanna Warsza, kuratoret e edicionit të sivjetmë të “Autostrada Biennale”, në diskutimin e së enjtes në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, ku kryetemë ishte vepra “Fushat e Lulediellit”

Luledielli fillimisht ishte kultivuar nga kulturat indigjene, e pastaj, përmes Rusisë, bëri rrugë për në Evropë dhe më pas erdhi në Ballkan duke u mbjellë edhe në Kosovë, por që pas kohës së Jugosllavisë pothuajse është zhdukur në tërësi. Kësaj radhe lulet që shfaqen në mes të qytetit, që përballen me ndotjen, siç ka thënë artistja, shërbejnë “për të parë realitetin dhe megjithatë për të qenë në gjendje për të ëndërruar”.

Sipas dy kuratorëve të bienales, Joanna Warsza dhe Övül Ö. Durmusoglu​, Pallati i Rinisë dhe Sportit, një vend urbanistik në të cilin historitë e së kaluarës dhe të tashmes së trazuar jetojnë në arkitekturën e saj, ishte vend i përkryer për këtë instalacion.

“Kur fillimisht kemi arritur në Prizren dhe në Prishtinë ne e kemi pasur të qartë që toka ka nevojë që të vihet në fokus, pasi që në ditët e sotme të popullimit të qyteteve të mëdha me shumë sektorë të ndërtimit që rriten, ne harrojmë se më kë bashkëjetojmë dhe tentojmë të harrojmë se mbi çfarë dheu po ecim dhe si mund të bisedojmë më tutje me të dhe si mund të dëgjojmë nevojat e tokës”, ka thënë artistja turke Övül Ö. Durmusoglu​.

Sipas saj, vepra është një konfrontim me urbanistikën, me strukturën urbane se çfarë mund të ndodhë me ato parcela të zbrazëta dhe çfarë mund të rigjenerohet aty dhe çfarë qytetesh të reja mund të imagjinojmë për të jetuar.

Sipas saj, të dy veprat e zbuluara deri më tash janë një mënyrë për të konfrontuar dhe për të ndryshuar mënyrën se si ambienti përreth është ndërtuar.

Gjatë diskutimit është shfaqur edhe një dokumentar njëminutësh ku është treguar procesi i mbjelljes së fushës me luledielli në kryeqytet.

“Kur gjërat rriten, lulëzojnë dhe jeta po i shpreh transformimet dhe sekretet e saj, shiko, dëgjo, merr pjesë. Të gjithë mund të jemi si luledielli, të rritemi, të ushqehemi, të pajisim të tjerët me pasurinë tonë, të kthehemi kah dielli, e të reflektojmë për nxehtësinë e diellit, drejtuar të gjitha krijesave të gjalla”, dëgjohet zëri i Vatra Abrashit, drejtueses së programit të edukimit në “Autostrada Biennale”, e cila të enjten ka potencuar se vepra ka kërkuar edhe përfshirjen e komunitetit.

E artistja polake Joanna Warsza, për të bërë një lidhje në mes të “Fushave të Lulediellit” dhe “Lule Mosmëharro” të dyshes Halilaj-Urbano, ka cituar artisten amerikane Agnes Denes.

“Ajo deklaroi se donte që ta braktiste kullën e fildishtë të studios së saj dhe të hynte në botën e shqetësimeve të vërteta globale, ‘duke komunikuar të pakomunikueshmen, duke vizualizuar të padukshmen, duke mos i pranuar kufizimet që shoqëria i ka pranuar dhe duke këmbëngulur në kërkimin e përjetshëm’”, ka thënë Warsza. Ka shtuar se Denes, ani pse i konfronton gjërat nuk e bënte këtë në mënyrë të dhunshme.

“Pra, është një mësim i mirë sesi të mendojmë për ndryshime duke çliruar në një mënyrë veten tonë”, ka thënë ajo. Duke u kthyer te fakti se edhe në Prishtinë gjatë kohës së Jugosllavisë ka pasur fusha të shumta të mbjella me lule, ka shtuar se kështu krijohet edhe një lidhje tjetër me lulediellin.

“Prandaj një nga pyetjet tona ishte nëse mund një fushë me luledielli të adresojë pjesë traumatike, të komplikuara të historisë”, ka shtuar ajo.

Madje, sipas kuratorëve, lulet lidhen me tokën, ujin, dritën – të gjitha këto që nuk mund të merren si të mirëqena. “Ato bashkojnë perspektivat mikro dhe makro, kujtimet personale të çlirimit dhe transformimit ndërsa kremtohet jokonformiteti. “Lulet, po ashtu, u përgjigjen me dhembshuri shtresave të traumës dhe dhunës, me një thirrje për diversitet; për histori, specie dhe komunitete të ndryshme”, kanë shkruar ato në libërthin “Çka nëse një rrugëtim…”.

Rrugëtimi i edicionit të sivjetmë të “Autostrada Biennale”, që nisi nga qendra e Prishtinës, do të vazhdojë përgjatë rrjedhës së Lumbardhit në Prizren, për të përfunduar në një bar arti në Pejë.

“Autostrada Biennale” ishte krijuar nga dy artistë dhe një pedagog në vitin 2014. Edicioni i tretë i saj që nisi më 1 korrik do të përfundojë më 11 shtator.