Përderisa kanë mbetur edhe 19 ditë deri në inaugurim, ekipi i Pavijonit të Kosovës në edicionin e 19-të të Bienales Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecie, ka zbërthyer në detaje konceptin kuratorial. “Lulebora nuk çel më. Asamble në shpërfaqje” qëmton ndryshimet klimatike dhe këtë e bën nëpërmjet kontekstit lokal. “I bazuar në punë kërkimore me bujq në mbarë Kosovën, projekti gjurmon një peizazh në tranzicion...”, shkruhet ndër të tjera në koncept
“Lulebora nuk çel më. Asamble në shpërfaqje” është titulli i projektit që do ta përfaqësojë Kosovën në ngjarjen më të madhe të arkitekturës në botë, Bienalen Ndërkombëtare të Arkitekturës. Është një instalacion ndijor i arkitektes Erzë Dinarama, që shpërfaq një hulumtim kompleks, i cili ndër të tjera, mat pulsin e krizës klimatike. Por shpjegimi që i bëhet projektit, zbërthen edhe “dëshmi” se si po “zhduken” stinët. Ekipi i Pavijonit të Kosovës, të enjten nëpërmjet një komunikate për medie, teksa ka shpalosur konceptin kuratorial, ka zbërthyer detaje të tij dhe rrugën deri te rezultati final. Kanë mbetur edhe 19 ditë deri te inaugurimi i Pavijonit në edicionin e 19-të të Bienales.
“I bazuar në punë kërkimore me bujq në mbarë Kosovën, projekti gjurmon një peizazh në tranzicion, ku të mbjellat e kahershme si gruri dhe fasulet po hasin vështirësi, ndërsa kultura të reja si kivi dhe fiqtë po marrin jetë. Ky ndryshim bujqësor pasqyron zbehjen e shenjave ndijore dhe treguesve sezonalë, mbi të cilët bujqit janë mbështetur për dekada — duke zbuluar brishtësinë e formave të mishëruara të dijes, ndërsa njëkohësisht krijon hapësirë për rikalibrimin e tyre”, shkruhet në komunikatë. “Lulebora nuk çel më. Asamble në shpërfaqje”, siç shkruhet në shpjegim, materializon këto tensione ekologjike përmes dy elementeve kryesore, erës dhe dheut, për të treguar këtë histori në mënyrë ndijore. Jepen edhe shenjat, se çfarë pamje do të ketë Pavijoni i Kosovës.
Ndër të tjera, dyshemeja është e mbuluar me shtresa të ndryshme dheu të sjella nga Rrafshi i Dukagjinit dhe Rrafshi i Kosovës. E, në zemër të Pavijonit gjendet një kalendar relacional që shpreh këto ritme të reja bujqësore përmes erës – ndjesisë më intime dhe më të pamatshme. “Ky kalendar i bazuar në nuhatje nuk organizohet sipas datave, por përmes ngjarjeve kyçe ekologjike — momente që fermerët i identifikojnë si vendimtare për ciklet jetësore të kulturave me të cilat punojnë. Duke u mbështetur në rrëfimet e fermerëve, çdo erë bën të ndjeshme tregimet e të mbjellave që po zhduken, lulëzimeve të vonuara dhe ekologjive në shfaqje — duke afirmuar natyrën hiper-lokale të dijes së mishëruar, edhe kur ajo fillon të marrë forma të reja”, shkruhet në komunikatë.
Propozimi i Erzë Dinaramës ishte prezantuar si një vepër për ndryshimet klimatike e ndikimin në ekosisteme, qysh në janarin e sivjetmë kur u përzgjodh për ta përfaqësuar vendin në ngjarjen madhore, e cila është e hapur për publikun prej 10 majit deri më 13 nëntor. Tema e instalacionit të saj i shkon për shtati asaj të përgjithshme, Bienales, të caktuar nga kuratori Carlo Ratti: “Intelligens. Natural. Artificial. Collective”. Për përfaqësimin e Kosovës kishte vendosur juria prej pesë anëtarësh. Në raportin e Ministrisë së Kulturës bëhej e ditur se në konkurrencë kishin qenë 11 projekte përderisa përcaktimi për konceptin e Dinaramës shkruhej të jetë bërë duke u bazuar në qasjen inovative të projektit, thellësinë intelektuale, përputhshmërinë me temën e Bienales dhe angazhimin për të adresuar çështje kritike globale dhe lokale përmes hulumtimit arkitekturor.

“Projekti ka qasje eksperimentale, dinamike dhe diskursive dhe ofron një platformë për formësimin e ideve gjatë muajve te Bienales dhe ofron përfitime afatgjata për ekspertët e fushës”, shkruhet në raport. Aty bëhej e ditur se propozimi trajton njërën nga sfidat më urgjente globale – ndryshimet klimatike dhe ndikimin e tyre në ekosisteme, përmes lentës të migrimit të specieve.
Kur është drejt finalizimit, “Lulebora nuk çel më. Asamble në shpërfaqje” cilësohet si një ftesë për të dëgjuar, nuhatur dhe ndier ndryshimin përmes shqisave. “Është ftesë për të qëndruar me pasigurinë, jo për ta zbutur, por për ta kuptuar më thellë, dhe për të gjetur mënyra të reja për rikonfigurim”, shkruhet në komunikatën e së enjtes për veprën e Erzë Dinaramës, arkitekte, dizajnere ndërdisiplinare dhe hulumtuese. Puna e saj ndërthur planifikimin urban, dizajnin e peizazhit dhe ekologjinë për të adresuar sfidat mjedisore përmes qasjeve estetike dhe krijuese.
“Ajo ka ligjëruar në Politeknikun e Milanos, ETH Zürich dhe Universitetin Polis, dhe ka prezantuar kërkimet e saj në konferenca ndërkombëtare. Ka ekspozuar në Muzeun Pecci dhe ka bashkëpunuar me ‘Carlo Ratti Associati’, Studio Olafur Eliasson dhe Fondacionin Manifesta. Ajo është themeluese e Institutit SRD dhe aktualisht është artiste rezidente në projektin ‘S+T+ARTS4WaterII’ të Bashkimit Evropian”, shkruhet në biografinë e saj, bashkëngjitur komunikatës tok me imazhet e punës së saj kërkimore për “Lulebora nuk çel më”.
Kuratori i edicionit të sivjetmë të Bienales Ndërkombëtare të Arkitekturës, italiani Carlo Ratti, është emër i njohur edhe në Kosovë. Me “Carlo Ratti Associati” bëri një ndërhyrje jetëshkurtër në Prishtinë, në emër të bienales nomade “Manifesta” në Prishtinë më 2022 të cilën shteti e mbështeti me 4 milionë euro.
“Mjedisi i ndërtuar është një nga kontribuuesit më të mëdhenj në emetimet atmosferike, duke e vendosur arkitekturën ndër fajtorët kryesorë për degradimin e planetit tonë. Ndërsa kriza klimatike përshpejtohet, a duhet të heqim dorë nga ky rol, apo a jemi ende në gjendje të ofrojmë zgjidhje, thelbësore dhe jo kozmetike, efektive dhe të shpejta për t'u arritur?”, do të thoshte Ratti në majin e vjetëm kur e prezantoi kryetemën e Bienales Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecia, e cila mesatarisht në secilin edicion ka 800 mijë vizitorë.
Marrëdhënia e Kosovës me Bienalen ka nisur më 2012, kur debutoi me “Punuesi i filigranit”, të kuratorit Përparim Rama – tash kryetar i Prishtinës – dhe për komisionar ishte caktuar arkitekti Bekim Ramku. Instalacioni mëtonte të hidhte dritë mbi trashëgiminë kulturore të Kosovës. Më 2014, Gëzim Paçarizi kishte përfaqësuar Kosovën me “Visibility (imposed modernism)” (Dukshmëria - Modernizmi i imponuar). Kulla e punuar nga 720 stola përcillte historinë arkitekturore të Prizrenit. Dy vjet më vonë, sherri i Ministrisë së Kulturës që nuk ishte kujdesur për procedurat, Kosova s’u përfaqësua, për t’u rikthyer më 2018 me Eliza Hoxhën, me veprën “Qyteti është gjithandej”, që zhvendosi atje shtëpinë kosovare të viteve ’90. Në edicionin e 2020-ës, Maksut Vezgishi me “Containporary” zbërthente pyetjen se si mund të jetojmë së bashku. Kurse më 2023, Poliksen Qorri-Dragaj dhe Hamdi Qorri me temën “RKS2 Transcedent Locality” (RKS2 Lokaliteti Transcendent) kishin trajtuar fenomenin e migrimit dhe ndikimin e tij në arkitekturën e qyteteve.
Tash, “Lulebora nuk çel më” vjen si një lloj alarmi për ndryshimet klimatike.