24 mars 1999
Ora 19.00 – Sulmet ajrore kundër ushtrisë jugosllave kanë filluar kundër qeverisë dhe politikës kriminale të Millosheviqit.
Pritje. Tendosje e madhe, por së brendshmi qetë. Unë shqetësohem: a do të kthehen të sigurt pilotët? A i kemi shteruar vërtet të gjitha mundësitë? A do ta durojmë ne këtë në NATO, në Evropë? A do t’i realizojmë objektivat tona politike. Çka do të bëhet me njerëzit në Kosovë, çka me ushtarët e vënë në veprim? Në të vërtetë, dita ka rrjedhur normalisht: mbledhje në Komisionin për Mbrojtje dhe në Komisionin për Politikë të Jashtme, pastaj ndarje nga detyra dhe gradim gjeneralësh, brenda mbi komisionin e ardhshëm. Siguria e Përbashkët dhe Ardhmëria e Bundesverit, pastaj takim me përfaqësues udhëheqës të ndërmarrjeve më të rëndësishme me të cilët unë synoj bashkëpunim. Ndërkohë, telefonata të pandërprera: si zhvillohet gjendja? Si zhvillohet Samiti Evropian në Berlin? A ka ndonjë shenjë lëshimi pe nga Beogradi, apo ndonjë reagim nga Millosheviqi? A mund t´i stopojmë ende masat ushtarake?
Në orën 22:00 bashkëpunëtorët e mi kanë planifikuar një informim shtypi. Tendosja rritet. Meditim. Vrarje e mendjes. Mirëpo, unë jam i sigurt: të gjitha mundësitë politike janë shteruar; rrugën e kthimit te një politikë paqësore e gjejmë vetëm pas masave masive ushtarake. Televizori është i lëshuar, më së shumti CNN.
Samiti i BE-së i kishte drejtuar një “vërejtje të fundit të ashpër” Millosheviqit: Në prag të shekullit XXI, Evropa nuk duhet të tolerojë një katastrofë humanitare (...). Të bësh agresion nuk ia vlen. Një agresor duhet ta dijë se duhet ta paguajë një çmim të lartë. Ky është mësimi i shekullit të 20-të.
Përpjekja e fundit e Richard Holbrooke, më 22 e 23 mars në Beograd, për të biseduar me Milosheviqin, kishte rezultuar aq pa rezultat si edhe të gjitha përpjekjet e tjera të mëparshme. Për këtë arsye, Këshilli i NATO-s e kishte autorizuar Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për të realizuar operacione të shkallëzuara ajrore kundër Jugosllavisë. Se kur do të fillonin sulmet ajrore do të duhej të mbetej hapur, sidoqoftë kjo nuk guxonte të bëhej publike. Përndryshe, rreziku, ashtu e kështu i madh për ushtarët e vënë në veprim, do të rritej edhe një herë. Pra, në mbrëmjen e 24 marsit, në emisionin e lajmeve “Tagesthemen“ të kanalit ARD, unë kisha thënë se caku politik është i pandryshueshëm, për të mposhtur me sulm ajror spiralen e dhunës dhe për të evituar një katastrofë humanitare. Lidhur me fillimin (e mundshëm) të sulmeve ajrore, nuk fola asgjë. NATO-ja do ta kishte shtyrë edhe më tej sulmin ushtarak, në rast të një sinjali të qartë nga Beogradi. Por, ajo që kishte për të raportuar Holbrooke, i cili në kohën kur unë isha kryeministër i Landit Rajn Falcit (Rheinland-Pfälz) ishte ambasador i SHBA-së në Gjermani – e kam njohur mirë nga vizita e tij në Beograd – ishte e pashpresë: Millosheviqi ishte bunkerizuar në çdo pikëpamje.
Qysh më parë, ministri i Jashtëm, Joshka Fisher, kishte njoftuar për thëniet cinike të cilat ai ishte i detyruar t’i dëgjonte: “One village a day keeps NATO away”. “Po qe se ne për çdo ditë shfarosim nga një fshat në Kosovë, atëherë NATO-ja nuk do të sulmojë”. Ose: “Dallimi vendimtar është: unë (Millosheviq) mund të shkel mbi kufoma, ndërsa ju (shtetet perëndimore) nuk mund ta bëni këtë”.
Bisedat e shkurtra në këtë mbrëmje ndërprenë pritjen e tendosur në Ministrinë e Mbrojtjes. Unë kisha dhënë urdhër që përmes telefonit të më mbanin në rrjedhë të zhvillimeve me Qendrën drejtuese, para së gjithash të më jepnin menjëherë lajmin, porsa të merrej vesh diçka lidhur me rrjedhën e sulmeve dhe fatin e pilotëve tanë të avionëve “Tornado”.
Ndërkaq, pas orës 22:00, disa herë kundërshtova pyetjet e bashkëpunëtorëve të mi se a do të shkoja tash te gazetarët që po prisnin; unë dëshiroj të prononcohem vetëm atëherë kur të kem informacione të sigurta.
Ora 23:00 - arriti lajmi lehtësues: Të gjithë “Tornadot” të sigurt e kanë lëshuar rajonin e veprimit. Dua të pres aterrimin, të telefonoj me komandantët në Piaçenca, ta informoj kancelarin në Berlin, pastaj shtypin. Para kësaj: zemërimi i hapur kur u transmetua lajmi televiziv se është goditur një “Tornado”. Ta marrë djalli, si mund të mbështetesh vetëm në burimet jugosllave?
Pas këtij shpërthimi të parë të zemërimit m’u bë e qartë se javët e ardhshme do të sillnin gjithashtu sfida rreth mendimit publik. Në “gjendjen drejtuese” për diskutimin e situatës politike dhe ushtarake duhej të merrte pjesë edhe Ministria e Jashtme, në krijimin e një koordinimi intern qeveritar mundësisht sa më të ngushtë - dhe çdo ditë pas konferencës për shtyp të NATO-s do të ishte gjithmonë një njoftim shtypi në Hardthöhe, i domosdoshëm, kuptimplotë dhe me domosdoshmëri të lartë.
Ora 23:35 – Në sallën e Moltkes në Hardthöhe (këtu për javë të tëra do të mbahen konferencat e përditshme për shtyp të Ministrisë së Mbrojtjes); bëhen shënimet tepër të shkurtra. Përgjigjja në pyetje.
“1. Të katër avionët e Republikës Federale të Gjermanisë të angazhuar në këtë natë për fat të mirë janë kthyer përsëri në Piacenca. 2. Nuk ka konfirmime për atë se ndonjë avion tjetër është qëlluar. Kjo është gjendja e orës 23:40. Fundja, ju e dini se i tërë operacioni shërben për ta evituar një katastrofë humanitare. Përkitazi me ngarkesën e jashtëzakonshme, e cila si për ushtarët, natyrisht edhe për pjesëtarët e familjeve të tyre është lidhur në çdo pikëpamje, do të isha shumë mirënjohës, pasi që disa i kam parë atje në televizor, kur informacionet e ashpra i paraprijnë çdo shpjegimi spekulativ”.
Pas këtyre vërejtjeve fillestare, unë u përgjigja për efektshmërinë e sulmeve, për caqet në Mal të Zi (se ato duhej të mbaheshin jashtë luftës; por, atje kishte pozicione të ushtrisë jugosllave), pyetje për vlerësimin politik, për reaksionin e Moskës. Përgjigjja: “Ne kemi llogaritur në këtë se nga një pjesë në Moskë do të ketë fjalë të qarta dhe nga pjesa tjetër edhe reaksione të ashpra. Mbetemi në qëndrimin tonë se ne kemi një vullnet të pandryshueshëm për kooperativitet me Rusinë. Dhe (...) se me këndvështrim ndërmjetësues do të realizohet kjo pikëpamje për kooperim në interes të sigurisë së përbashkët evropiane”.
Serioz, i këputur, por disi i zgjuar plotësisht dhe i koncentruar, kthehem në zyrë. Bisedat me bashkëpunëtorët më të ngushtë; mes tyre një telefonatë e mllefosur me zë të lartë me redaksinë e kanalit ARD në Hamburg për shkak të “lajmit” të gjoja goditjes së “Tornados”.
Pas mesnatës kam shkuar në apartamentin tim në Bon. Bëja shënime, isha shumë i tensionuar që të mund të flija menjëherë. Prej kohësh unë s’dëshiroja të përfytyroja se “urrejtja e jashtëzakonshme, e nëndheshme dhe e padukshme” edhe një herë mund të shkarkohej në Evropë në “shtrëngatë të urrejtjes” (Ivo Andriq). Por, pikërisht kjo po ndodh tani në Kosovë, në Ballkan, në një pjesë të Evropës.
Fragmente nga “Wir dürfen nich wegsehen: Der Kosovo-Krieg und Europa”. Përgatiti: Sylë Ukshini