Kulturë

Lufta e Kosovës e Petrit Halilajt bëhet thirrje për paqe në Gjenevë

“Histori të papërfunduara”, është titulli i ekspozitës së Petrit Halilajt, e cila po qëndron e hapur në Muzeun e Kryqit të Kuq në Gjenevë, dhe të tilla histori janë kujtime lufte, por që nuk asociojnë me to në shikim të parë. Kjo është lufta e tij për paqe, zëri i një të mbijetuari të luftës në Kosovë, i cili i thërret botës në kohë luftërash që ndizen edhe sot, e aso të përhershme në dëm të planetit. “Tash kjo që po ndodh sot si ekspozitë përballë ndërtesës së Kombeve të Bashkuara në Kryqin e Kuq, të cilët janë afër viktimave si organizatë neutrale, do të thotë shumë për mua”, ka thënë Halilaj për KOHËN

Kur më 1988 Muzeu Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq kishte hapur dyert në Gjenevë, Petrit Halilaj si fëmijë dyvjeçar jetonte në fshatin e tij të lindjes, Kosterrc të Skenderajt. Muzeu sot e asaj dite synon që nëpërmjet aktiviteteve të tij t’i përgjigjet pyetjes se si ndikon veprimi humanitar te të gjithë, këtu dhe tani.

Me veprimet humanitare e me Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Halilaj do të njihej më 1999 si refugjat në Kukës. Kurse pas më shumë se dy dekadave, artistit nga Kosova me nam ndërkombëtar, i ka bërë vend edhe Muzeu i Kryqit të Kuq në Gjenevë. Në kohën kur lufta midis Rusisë dhe Ukrainës ka hyrë në vitin e dytë, kurse Evropa bashkë me krejt botën demokratike kanë shtuar fondet për ushtri e armë, Halilaj bën thirrje për paqe. Janë aso thirrjesh të sinqerta të një artisti që në moshën 13-vjeçare do të detyrohej të ikte nga plumbat bashkë me familjen e tij.

Historia e Halilajt shfaqet për vizitorët e Muzeut. Në një ekran që qëndron krahas punimeve të tij, del në pah fëmija që i do shpendët. Megjithëse lufta ia kishte marrë ata shpendë që i kishte përreth, në imagjinatën e tij qëndronin ende. E për pasojë edhe nëpër tablotë e refugjatit në kampin e Kukësit.

“Unfinished histories” (Historitë e papërfunduara) titullohet ekspozita e Halilajt në Gjenevë. Shpendët e tij kaplojnë krejt hapësirën që thërret për paqe. Kurse ekrani nxjerr dimensionet e luftës. Aty shihet se si bardhoshi Halilaj më 1999 po vizatonte si refugjat. Do të shfaqej kësisoj edhe në BBC. Ai rrëfen se nja dy a tri ditë para vizitës që kampit do t’i bënte Kofi Annan, dy agjentë të kësaj Organizate do ta gjenin tendën e familjes së tij. Do t’i thoshin nënës së Halilajt se Annan do të takohej edhe me 13-vjeçarin me talent në art.

Image
Petrit Halilaj: “Ekspozita është mundësi për ëndërrim të një të ardhmeje shumë të mirë. Konfliktet më duken diçka të vjetra, të paarsyeshme...” (Foto: Zoé Aubry)

“Unë po e krijoja një tablo me krejt storiet e luftës që i kam parë apo kam dëgjuar për to”, tregon tash ai. Me entuziazmin e një 13-vjeçari në një karton me dimensione të mëdha – ambalazh i ndonjë ndihme humanitare – kishte vizatuar një tank të madh, ushtarë e zjarr përreth.

“Isha duke e përgatitur vizatimin dhe gjyshi më ka thënë: ‘O zot politika është teatër dhe ti po mendon ta ndalësh luftën me një vizatim? Me dashtë Kofi Annan edhe fuqitë botërore, lufta kishte përfunduar pa u nisur hiç’”, kujton Halilaj. Gjatë vizitës Annan do ta takonte edhe Halilajn. Në pamje shihet se ia ledhaton kokën dhe përpiqet të lexojë mbishkrimin e punimit: “Çfarë po ndodh në Kosovë me fëmijët e pafajshëm?” Annan do ta luste Halilajn që t’ia japë punimin, por ai kishte refuzuar duke ia thënë fjalët e gjyshit të tij.

“Kam thënë se vizatimi është i vetmi send që e kam. I kam thënë edhe atë që më ka thënë gjyshi”, kujton tash Halilaj. Ajo vepër bashkë me afro 40 të tjera tash është në Lezhë në një galeri të vogël që mbahet nga Ymer Metalia. Në ato punime kishte vizatuar shumë edhe zogj, papagaj e ngjyra.

“Gjysma e vizatimeve të mia në kamp janë me peizazhe e shumë paqe. Është disi ai botëkuptimi i vendit ku kisha dëshirë të jem ose si kam qenë në Kostërrc para luftës. Gjysma tjetër janë me tregime nga masakra e Reçakut, zhvendosja në Shqipëri. Pra njëfarë realiteti i luftës nga një person që e ka parë luftën”, kujton Halilaj.

Në Muzeun Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq është po ashtu një videoreportazh i një televizioni suedez, ku Halilaj shihej gjatë vizitës së Annanit. Vizitorët do të kenë mundësi të shohin ekspozitën deri më 17 shtator, pas vernisazhit në maj. Në të futen në botën me shpendë të Halilajt.

Kuratorja e ekspozitës, Elisa Rusca, njëherësh drejtore e koleksioneve në Muze, në tekstin e saj ka sqaruar historinë e Halilajt gjatë luftës bashkë me veprat e tij e takimin me tashmë të ndjerin, sekretarin e Kombeve të Bashkuara, Annan.

Sipas saj, më shumë se 20 vjet më vonë, dhe tashmë një artist i kompletuar, Halilaj vendosi të rishikojë këtë histori të papërfunduar si një i mbijetuar i luftës.

“Ai zgjodhi të nxjerrë detaje nga vizatimet origjinale, të cilat i kishte ruajtur t'i zmadhojë ato dhe të krijojë elemente skulpturore që qëndrojnë pezull për të banuar në hapësirë”, ka shkruar Rusca. Halilaj të njëjtën gjë e kishte bërë më 2021 në galerinë “Tate St Ives” në Mbretërinë e Bashkuar. Asokohe kishte marrë vëmendjen e mediave botërore, gjë që Halilaj e bën shpesh.

“’Historitë e papërfunduara’ eksploron temën e qëndrueshmërisë, si dhe kufijtë e paqartë midis realitetit dhe imagjinatës. Projektuar posaçërisht për hapësirën tonë dhe pasuruar me re, me ngjyra e elemente të tjera, ky projekt u lind nga dëshira e Petrit Halilajt për t’u rimarrë me historinë dhe përvojat e tij në atë që është pjesë e një udhëtimi shërues”, ka shkruar kuratorja.

Halilaj thotë se tash ka bërë një rishikim të punimeve dhe ka vendosur se ku të shkojë ushtari, ku pëllumbat, lulet e qielli.

“Kur kam qenë i vogël m’u ka dukur që lufta e krejt çfarë kanë bërë të rriturit janë shumë të mëdha dhe unë vetë isha i vogël. Nuk kisha asnjë mundësi me zgjedhë për jetën e fatin. Tash kjo që po ndodh sot si ekspozitë përballë ndërtesës së Kombeve të Bashkuara në Kryqin e Kuq, të cilët janë afër viktimave si organizatë neutrale, do të thotë shumë për mua”, ka thënë Halilaj. Ka treguar se veprat e tij në këtë ngjarje flasin për paqe dhe tregojnë se duhet të vendoset nëse zgjedhjet botërore vijnë nëpërmjet zogjve apo nëpërmjet ushtarëve. Ngre pyetje për ngrohjen globale. Bashkë me partnerin e tij, Álvaro Urbano, në maj në Venecia kishin ndërtuar njëfarë universi paralel, ku specie të ndryshme, edhe pse bashkohen në një ambient kishtar, nuk ishin brenda folesë. Përkundrazi thërrisnin që qeniet të ndajnë hapësirat mes vete e t’u bëjnë vend botëkuptimeve që kanë. Dyshja Halilaj e Urbano së bashku me artisten libanezo-amerikane Simone Fattal nëpërmjet ekspozitës “Thus Waves Come in Pairs” (Kështu dallgët në dyshe vijnë) kishin “veshur” me skulptura ambientet e Kishës së Shën Lorencit në Venecie.

Petrit Halilaj i ishte kthyer Venecias pas vitit 2017 kur në kuadër të ekspozitës kolektive ishte paraqitur me dy instalacione: “Abetare” dhe “A e kuptoni se ekziston një ylber edhe nëse është natë?”. Asokohe kishte marrë edhe Mirënjohje Speciale nga organizatorët. E më 2013 kishte përfaqësuar Kosovën në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në këtë qytet. Pavijoni i Kosovës asokohe titullohej “Jam i untë me të pasë ngat. Po du me i gjetë fjalët që më ngopin, por në fund s’mbetet tjetër pos nji qark i mbyllun. Ironia asht që ti nuk je këtu, asni gja nuk asht këtu”.

Tash një copë të historisë së Kosovës e ka dërguar në Zvicër nëpërmjet fragmenteve. Pikërisht përvojën personale bashkë me atë të Kosovës i përdor për të bërë thirrje që të ndalen luftërat e njerëzit të mendojnë më shumë për veten e ambientin që i rrethon.

“Ekspozita është mundësi për ëndërrim të një të ardhmeje shumë të mirë. Konfliktet më duken diçka të vjetra, të paarsyeshme. Ne po e shkatërrojmë krejt planetin, po e humbim arsyen prej nga vijmë, pasi po humbim shumë nga ngrohja globale e pandemitë”, ka thënë Halilaj.