Kërkesat e shqiptarëve të Kosovës u radikalizuan, sidomos pas Konferencës së Dejtonit, pasi kjo konferencë nuk përfshiu Kosovën.
Pasi UÇK-ja zgjeroi radhët, Beogradi vazhdoi fushatën e spastrimit etnik sipas modelit të Bosnjës dhe Kroacisë. Me këtë rast pati sulme brutale kundër popullatës shqiptare.
“Jo kundër UÇK-së, por para së gjithash terrorizmi dhe dëbimi i popullatës shqiptare ishin qëllimi i vërtetë i luftës. Ngase përbërja etnike në Kosovë duhej të ndryshohej përgjithmonë dhe kjo mund të bëhej vetëm me përdorimin e dhunës brutale dhe të terrorit. Ishin këto synime kriminale të luftës, por pikërisht këtë e parashihte programi serbomadh”, pohon ish-ministri i Jashtëm gjerman, Joshka Fisher, një nga politikanët më të angazhuar gjermanë në luftën e Kosovës.
Sjellja e Qeverisë gjermane në vjeshtën e vitit 1998 tregon se dëshira për të qëndruar së bashku me aleatët e saj ishte konsiderata e parë e Bonnit dhe më kryesorja.
“Kurrë më Auschwitz, kurrë më gjenocid”
Megjithatë, është e dyshimtë nëse solidariteti vetëm me anëtarët e tjerë të NATO-s do të kishte qenë i mjaftueshëm për të mbajtur koalicionin e luftës të bashkuar. Kjo ndodhi, në mënyrë kritike, nga një motivim i dytë i fuqishëm: objektivi humanitar i dhënies fund të thertores, terrorit, spastrimit etnik në Kosovë. Neveri, me një përzierje të ndjenjës së fajit, faji për të kaluarën më të largët naziste, si dhe dështimi perëndimor i fundit në Bosnjë, dhanë një arsye të fuqishme për të avokuar përdorimin e forcës.
Angazhimi gjerman fitoi profil veçanërisht gjatë Konferencës së Rambouillet (shkurt-mars 1999), kur Fisher i dha ton jo vetëm diplomacisë gjermane, por edhe koordinimit të diplomacisë gjermane dhe amerikane lidhur me zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Dueti Albright-Fischer ishte një simfoni që i jepte ton qëndrimeve për Kosovën brenda Grupit të Kontaktit, G-8 dhe vendeve të Quintit. Por, Gjermania qëllimisht nuk mori rol kryesues në Konferencën e Rambouillet për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, meqë në këtë mënyrë dëshirohej të evitohej keqpërdorimi i këtij roli nga propaganda nacionaliste në Serbi.
Pas dështimit paraprak shumëvjeçar të bashkësisë ndërkombëtare në Bosnjë, gjë që u kushtoi me jetë rreth 200 mijë njerëzve, SHBA-ja ishte e vendosur që të vepronte ushtarakisht kundër Milosheviqit, në rast nevoje edhe pa vendimin e Këshillit të Sigurimit, nëse ai nuk do të hiqte dorë nga fushat e vrasjeve dhe dëbimit të civilëve shqiptarë. Ky intervenim ushtarak duhej të ndërmerrej duke u bazuar në vendimin e Këshillit të NATO-s, pjesë e të cilit ishte edhe Gjermania. Në këtë mënyrë, shteti gjerman po përfshihej në marrjen e vendimit të mundshëm dhe në udhëheqjen e luftës nga NATO-ja në Kosovë pikërisht në kohën e ndërrimit të Qeverisë, të largimit të kancelarit Helmut Kohl dhe ardhjes në pushtet të qendrës së majtë, koalicionit kuq-gjelbër të Schröderit dhe Fischerit. Ishte e qartë se Gjermania nuk mund të qëndronte më anash dhe të rrezikonte përçarjen e aleancës. Angazhimi ushtarak në luftën e Kosovës më 24 mars 1999 ishte një vendim historik, ngase për herë të parë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, shteti gjerman merrte pjesë në një operacion ushtarak jashtë hapësirës së NATO-s. Në këtë fazë politikanët gjermanë, kancelari Gerhard Schröder, ministri i Jashtëm Joshka Fischer dhe ministri i Mbrojtjes, Rudolf Scharping, për angazhimin e Ushtrisë gjermane në luftën e Kosovës përdorën edhe argumentin moral. Është e njohur thënia lapidare e Fischerit: “Kurrë më Auschwitz, kurrë më gjenocid”. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)