Kulturë

Lufta dhe paqja në ish-Jugosllavi

Në vitin epokal 1989 ishin luftërat dezintegruese në Jugosllavi ato që shkaktuan ndërrimin e paradigmës sa i përket perceptimit juridik të evropianëve – të paktën të shumicës së këtyre. Ajo çka studiuesi italian i politikës, Daniele Conversi, e quajti me një logjikë paradoksale si “secesioni i qendrës”, pra shkelja shumëfishe e Kushtetutës Federale prej Republikës së Serbisë, e cila kontrollonte kryeqytetin federal Beogradin dhe Ushtrinë Popullore Jugosllave, shkaktoi një zinxhir spastrimesh etnike më 1991, duke e shtangur prej tmerrit dhe zhytur në paralizë politike Evropën e ndodhur ende në gjendje euforie e post-1989-s.

Para së gjithash, ishin kryesisht krimet serbe të luftës në Bosnjë 1992 deri 1995 që nisën si dëbime të “thjeshta” e përfunduan në masakra, të cilat tronditën konceptin deri atëkohë mbizotërues mbi të drejtën e shteteve për homogjenitet të zgjeruar si dhe miratimin e parimit për “kthimin në normalitet të rajoneve” nga ana etnike, fetare ose gjuhësore. Më shumë se gjysma e popullsisë fillestare prej 4.4 milionë banorësh e Bosnjë-Hercegovinës e humbi atdheun për shkak të arratisë ose dëbimit dhe rreth 240.000 prej tyre humbën jetën.

Jugosllavia e ndezur flakë, pasiviteti i Evropës dhe sulmet e SHBA-së

Megjithatë, nuk ishin evropianët, por Shtetet e Bashkuara të Amerikës ato që ua prenë hovin agresorëve në Jugosllavinë e ndezur flakë – me sulmet ajrore mbi trupat e rregullta dhe ato paramilitare të komanduara nga Beogradi në Bosnjë. Nga ana tjetër, nuk ishte rastësi që kritikët më të ashpër të pasivitetit të Evropës në lidhje me masakrat, si ato të Srebrenicës në korrik 1995 me rreth 8000 viktima, vinin nga Evropa Qendrore, pasi këta i përkisnin gjeneratës dëshmitare të dëbimeve të mes-shekullit dhe morën përsipër vullnetarisht misione të vështira të Bashkësisë Ndërkombëtare në Jugosllavi – kështu për shembull ishin politikanët Hans Koschnick dhe Christian Schwarz-Schilling nga Gjermania, Martti Ahtisaari nga Finlanda ose Tadeusz Mazowiecki nga Polonia. Po ashtu Mazowiecki, i cili në atë kohë ishte edhe në funksionin e raportuesit special të Komisionit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut për Jugosllavi, formuloi qysh më 1992 konkluzionin tronditës për opinionin publik evropian se “spastrimi etnik në Bosnjë nuk kishte qenë pasojë e kësaj lufte, por […] qëllim i saj”.

Paragrafi I për Të Drejtën e Refugjatëve dhe Personave të Zhvendosur në aneksin 7 të Marrëveshjes së arritur në Wright-Patterson Air Force Base, në Dayton/Ohio, nën presion masiv të Washingtonit, përmban tri dispozita, të cilat shënuan ndërrimin e kursit në të drejtën humane të popujve: Së pari, “të gjithë refugjatët dhe personat e zhvendosur kanë të drejtën e kthimit të lirë në vendbanimet e tyre fillestare.” Përveç kësaj, atyre iu lejua e drejta e kthimit ose kompensimit të pronës dhe njëkohësisht u nënvizua rëndësia politike e këtij neni: “Kthimi i shpejtë i refugjatëve dhe personave të zhvendosur është një qëllim i rëndësishëm i zgjidhjes së konfliktit në lidhje me Bosnjë-Hercegovinën.”

Së dyti, palët nënshkruese, të përfaqësuara nga presidentët e Serbisë, Kroacisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, morën detyrim që të krijojnë kushtet për kthimin e refugjatëve dhe të dëbuarve: “Palët duhet të garantojnë që refugjatët dhe personat e dislokuar të marrin pa probleme lejen për kthim, pa rrezikun e keqtrajtimit, kërcënimit, përndjekjes dhe diskriminimit, kryesisht për shkak të prejardhjes së tyre etnike, bindjeve fetare ose pikëpamjeve politike.”

Dhe së treti, palët nënshkruese obligoheshin t’i parandalojnë të gjitha përpjekjet për pengimin e kthimit të refugjatëve në territorin e tyre.

“Secili njeri ka të drejtë të jetojë në paqe, siguri dhe dinjitet në vendbanimin e tij...”

Të dy studiuesit amerikanë të nacionalizmit, Howard Adelman dhe Elazar Barkan, në librin e tyre “Rites of Return“ (Ritet e Kthimit), kanë vënë në pikëpyetje efikasitetin e tri dispozitave të Daytonit, duke i vlerësuar madje si kundër-produktive, pasi ushqejnë shpresa të kota te të dëbuarit dhe kështu do ta përkeqësonin fatin e tyre. Dhe historiani Norman Naimark ka ngritur në historinë e tij spastrimet etnike në Evropën e shekullit 20, kështu që çështja e dëbimeve në Bosnjë nuk përfundon me Daytonin.

Është e vërtetë se në vitet 1996-1999, gjatë implementimit të Marrëveshjes së Paqes së Daytonit, u dëbuan rreth 60.000 njerëz të tjerë, se kthimi në vend i të ikurve po zvarritet, se zakonisht kthehen vetëm të moshuarit dhe se të kthyerit vihen nën presion, me raste edhe dorëzohen, madje dëbohen për herë të dytë. Por, gjithashtu është e vërtetë se deri sot janë kthyer mbi një milion njerëz në Bosnjë-Hercegovinë, kjo është thuajse një e katërta e të gjithë refugjatëve, nga këta gati gjysma në vendbanimet e tyre të mëparshme, dhe se Bashkësia Ndërkombëtare në Bosnjë-Hercegovinë, pjesërisht edhe autoritetet e atjeshme, i japin gjithnjë përparësi të lartë kthimit të refugjatëve, çka normalisht do të çonte në ngritjen e këtyre shifrave.

Në lidhje me Daytonin, komisioneri i lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Jose Ayala Lasso, në shkurt të vitit 1997, thirri në Gjenevë një seminar të ekspertëve për çështje të dëbimit dhe të drejtën ndërkombëtare, i cili rezultoi me një raport mbi “të drejtat e njeriut dhe transferimin e popullsisë.” Aty, raportuesi special për të Drejtat e Njeriut, eksperti i së Drejtës Ndërkombëtare, Awn el-Khasawneh, paraqiti propozimin e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së të Deklaratës mbi Transferimin e Popullsisë dhe ngulitjes së përhershme të të ardhurve”, në të cilën në një gjuhë të qartë është thënë:

Neni 4:

1. Secili njeri ka të drejtë të jetojë në paqe, siguri dhe dinjitet në vendbanimin e tij, në shtëpinë e tij dhe vendin e tij.

2. Askush nuk guxon të detyrohet të largohet nga vendbanimi i tij. (...)

Neni 6:

Masat praktike dhe politike që synojnë ose arrijnë ndryshimin e përbërjes demografike të rajoneve në të cilat jeton ose një pakicë tjetër kombëtare, etnike, gjuhësore apo një popullsi vendase, qoftë përmes deportimit, dislokimit dhe/ose krijimit të vendbanimeve të përhershme me kolonë ose nga një kombinim i të gjithave, janë të paligjshme.

Neni 7:

Transferet e popullsisë ose shkëmbimi i popullsisë nuk mund të legalizohen përmes marrëveshjeve ndërkombëtare, në qoftë se ato shkelin normat e të drejtave të njeriut ose normat e detyrueshme të së drejtës ndërkombëtare.

Neni 8:

Secili njeri ka të drejtë të kthehet vullnetarisht dhe në siguri dhe dinjitet në vendin e tij të origjinës si dhe brenda vendit të tij të origjinës ose edhe të zgjedhë. Ushtrimi i së drejtës së kthimit përfshin të drejtën e viktimave për dëmshpërblim të përshtatshëm, duke përfshirë kthimin e pronave të cilat u janë privuar në lidhje me/ose si rezultat i transfereve të popullatës, kompensim për çdo lloj prone që nuk mund të rikthehet dhe çdo reparacion i parashikuar me të drejtën ndërkombëtare, nuk është i mjaftueshëm.

Neni 9:

Praktikat e përmendura mësipërmi të transferimit popullsisë përbëjnë shkelje të së Drejtës Ndërkombëtare, të cilat argumentohen me përgjegjësi shtetërore dhe përgjegjësi penale individuale.

Në të vërtetë, ky propozim nga Komisioni i të Drejtave të Njeriut të OKB-së si dhe Këshilli Ekonomik e Social i Kombeve të Bashkuara u miratua më 1998, por deri më tani nuk e ka marrë Asambleja e Përgjithshme. Shumë vende gjithandej në botë duket se i dekurajon ideja e kthimit të personave të zhvendosur dhe kthimit, respektivisht kompensimit i përligjur, jo vetëm në gjeneratën e parë, por edhe në atë dytë apo të tretë.

Spastrimi etnik dhe rikthimi i refugjatëve në Kosovë

Rëndësia e Marrëveshjes së Daytonit fillimisht u nënvlerësua, madje nuk u vu re fare nga opinioni evropian. Te lufta e fundit post-jugosllave, pra konflikti ushtarak asimetrik i nisur në Kosovë në pranverën e 1998-s midis ushtrisë dhe policisë së Jugosllavisë së mbetur si dhe para-ushtarakëve serbë nga njëra anë dhe ushtrisë ilegale të shqiptarëve të Kosovës (UÇK) nga ana tjetër, zbuloi efektet gjithëpërfshirëse juridike, politike dhe në mënyrë të theksuar ato ushtarake të Daytonit. Migrimi i detyruar si mjet i politikave shtetërore – ky është mendimi i sotëm unanim i bashkësisë ndërkombëtare dhe i opinionit botëror – nuk duhej toleruar më tej, përkundrazi duhej ndaluar menjëherë dhe në rast nevoje edhe me anë të ndërhyrjes ndërkombëtare, si dhe para së gjithash të korrigjohej. Në përputhje me këtë parim, në Statutin e Romës të Gjykatës së re Penale Ndërkombëtare (ICC) në Hagë, korrik 1998, dëbimet u klasifikuan si “Krim Lufte” dhe “Krime kundër Njerëzimit” (Paragrafi. 7,1d, 8,2a/vii, 8,2b/viii).

ImageRefugjatë në Pagarushë, 1999 (Foto: Alban Bujari)

Aksioni serb në Kosovë synoi qysh prej fillimit spastrimin etnik të ish-provincës autonome të banuar me shumicë shqiptare prej nëntëdhjetë për qind. Në verën e vonë të vitit 1998 u arratisën gati 200.000 refugjatë dhe të dëbuar, të ashtuquajtur “njerëz të maleve“ u fshehën në malet e rajonit, ndërsa 100.000 të tjerë u arratisën në Shqipëri dhe me gjithë ujditë diplomatike numri i tyre u rrit më tej në fillim të 1999-s. Refuzimi i Beogradit për të nënshkruar përkrah palës kosovare Marrëveshjen e ndërmjetësuar Ndërkombëtare të Rambouillet e ktheu rrjedhën e ngjarjeve. Për rrjedhojë, më 23 mars 1999, NATO filloi kundër Jugosllavisë së mbetur operacionin e përshkallëzuar të luftës ajrore, që e kishte paralajmëruar qysh në fillim të vitit. Diktatori serb Milosheviq reagoi me një aksion ushtarak të pashembullt kundër popullsisë shqiptare, gjatë të cilit u vranë deri në 5000 shqiptarë të Kosovës dhe u dëbua shumica e rreth 1,5 milion banorëve, prej tyre rreth 900.000 kapërcyen kufijtë e vendeve fqinje në Maqedoni dhe Shqipëri.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për Kulturë

Stefan Troebst, historian dhe sllavist, është profesor i studimeve kulturore në East, Evropën Lindore e atë Qendrore në Universitetin e Leipzigut dhe zëvendësdrejtor i Qendrës së Shkencave Humane dhe Kulturës së Evropës Lindore e Qendrore (GWZO). Nga vitet 1996-1998 ishte drejtor themelues i Qendrës Evropiane gjermano-daneze për Çështje Minoritare (ECMI) në Flensburg, në vitet 1992-1995 ishte anëtar i misioneve afatgjata të OSBE-së në Maqedoni dhe Moldavi. Disa prej veprave të tij janë: “Das makedonische Jahrhundert”, München 2007; “Zwischen Nostalgie und Amnesie: Die Erinnerung an den Kommunismus in Südosteuropa” (Hg. mit U. Brunnbauer), Köln / Weimar / Wien 2007, “Kulturstudien Ostmitteleuropas”, Frankfurt/M. 2006; “Zwangsmigrationen in Nordosteuropa im 20. Jahrhundert”. (Hg. mit H.- J. Bömelburg), Lüneburg 2006, “Demnächst erscheint Lexikon der Vertreibungen. Deportation, Zwangsaussiedlung und ethnische Säuberung im Europa des 20. Jahrhunderts” (Hg. mit D. Brandes, K. Kaiserová, K. Ruchniewicz u. H. Sundhaussen), Wien / Köln 2009. Fusnotat janë hequr nga redaksia.

Nga gjermanishtja: Sylë Ukshini