Edhe sot kur i kërkohet të luajë diçka, loja e Sapunxhiut natyrshëm zhytet në tingujt e kitaristit spanjoll Sabicas. Tingujt e tij e kishin përcjellë qysh si fëmijë. Sapunxhiu shumë herët si parashkollor kishte mundësinë t’i dëgjonte kitaristët si Sabicas, Montoya, Ricardo e të tjerë. Si fëmijë shkonte shpesh në aktivitetet e shoqërisë kulturore-artistike “Përparimi” në Pejë. Tash Sapunxhiu (69) është prej mësimdhënësve që nxori instrumentistë me nam botëror
Luan Sapunxhiu gjithë jetën e tij ka qenë i rrethuar me tinguj muzikorë. I lindur në Pejë më 1953, kitarën veç e kishte në shtëpi shkaku i të atit. Ishte natyrshëm i ndikuar nga babai, Jahja Sapunxhiu, i cili ishte i pasionuar pas muzikës, sidomos asaj flamengo. Ky pasion u përcoll edhe te Luani.
Edhe sot kur i kërkohet të luajë diçka, loja e Sapunxhiut natyrshëm zhytet në tingujt e kitaristit spanjoll Sabicas. Tingujt e tij e kishin përcjellë qysh si fëmijë. Sapunxhiu shumë herët si parashkollor kishte mundësinë t’i dëgjonte kitaristët si Sabicas, Montoya, Ricardo e të tjerë. Si fëmijë shkonte shpesh në aktivitetet e shoqërisë kulturore-artistike “Përparimi” në Pejë. Muzika ishte diçka e pashmangshme për të.
“Dëshira për muzikë nuk ka qenë aq problem që të lindë, sepse edhe baba, edhe xhaxhai kanë qenë anëtarë të shoqërisë kulturore-artistike ‘Përparimi’. Ishim ndër familjet e rralla që kishin radio”, ka rrëfyer ai në emisionin “Pro X” të KTV-së. Privilegjin e të pasurit kitarën në shtëpi, Sapunxhiu e shfrytëzonte për ta ndarë edhe me të tjerët. Në aktivitete artistike që realizonin në shkollë e lagje, Sapunxhiu ishte përherë aty me kitarë. Vitet ‘60 i konsideron si vite të përhapjes së muzikës “rock”. “Ne atëherë thoshim po dëgjojmë muzikë me kitarë elektrike. Paska qenë muzika ‘rock’”, tregon tutje ai.
Shoqërimi me këngëtarin Efraim Kastrati e bëri që Sapunxhiu të dëgjonte e të mësonte më shumë për grupet botërore që bënin “rock” në atë kohë. Kitaristi ndonëse i përkushtuar në muzikën “flamengo”, nuk mund t’i shpëtonte ndikimit që kishte ky zhanër muzikor asokohe. Së bashku me Efraim Kastratin e Bedri Pejanin e përjetuan skenën për herë të parë në gjimnaz, kur Sapunxhiu ishte vetëm 15-vjeçar. “Merdianët” titullohej grupi nga trioja pejane që synonte të prekte skenat botërore.
Bashkë i kanë dhënë shumë mbrëmje muzikore qytetit të Pejës. Në skenë ishte më i ndrojtur, fokusohej veç te instrumenti. As gjysmëshekulli pas nuk ka ndërruar. Sapunxhiu – mjeshtër i kitarës, i përpiktë në lojën e tij- ka treguar se nuk shquhej për aftësi performuese, kjo edhe e ka mbajtur lojën e tij më të ndrydhur brenda dhe jashtë Kosovës.
“E di që i kam ra bukur kitarës, por nuk kam qenë ndonjë performues kushedi se çka. Kam qenë i ngurtë, nuk kam lëvizur shumë. Edhe sot jam i tillë, thjesht vetëm i bi kitarës, nuk di që të pozoj”, rrëfen me të qeshura Sapunxhiu. Ka nostalgji për kohën e shkuar, kur miqtë mësonin nga njëri-tjetri. Më shumë kishte qenë improvizues në lojë. Në kitarë donte t’i kishte duart e lira dhe t’i dorëzohej spontanitetit, andaj dhe nuk e tërhiqnin studimet akademike në muzikë. Sapunxhiu në muzikë refuzon rregullat strikte. “Unë si muzikant që e kam për qejf improvizimin, nuk i kam për qejf kufizimet aspak, kam dëshirë të luaj si unë dua”, ka treguar muzikanti nga Peja.
Para dilemave të tjera në shkollim, muzika ishte ajo që gjithmonë fitonte. Për tre vjet kishte shkuar për të studiuar në Zagreb në Fakultetin e Teknologjisë. Zagrebi e afroi edhe më shumë me muzikën. Qëndrimi atje ia mundësoi Sapunxhiut që të ndjekë për së afërmi mbrëmjet e muzikës klasike dhe asaj “rock”.
“Ajo që ka rezultuar keq për shkollën, ndoshta mirë për mua ka qenë, se gjithmonë e krahasoja shkencën më muzikë dhe gjithmonë fitonte muzika”, rrëfen ai. Në kryeqytetin e Kroacisë iu kishte dhënë mundësia të bëhej pjesë e një grupi që u bë i famshëm atje, por Sapunxhiut i mungonte guximi, por edhe e donte kthimin në Kosovë. Për këtë as sot nuk i bie pishman. “Si shumë shqiptarë kam qenë i lidhur me familjen, me Kosovën dhe me shokë, as sot nuk e marr që kam gabuar”, ka shpjeguar ai.
Karrierën si mësues i kitarës e nisi në fillim të viteve ‘80 me insistimin e drejtorit të atëhershëm Xhevdet Bakraçi. I inkurajuar nga kitaristi i njohur Ehat Musa e pranoi ftesën, kështu që nga viti 1985 punoi pandërprerë në shkollën e muzikës “Halit Kasapolli” në Pejë. Në vitin 1994 ftohet që të jetë bartës i klasës së kitarës në Prizren. Ky angazhim rezultoi shumë suksesshëm, meqë nxënësit e Sapunxhiut nga ajo kohë sot janë emra të njohur midis kitaristëve dhe profesorëve të kitarës, si Petrit Çeku, Elvis e Gjulian Bytyqi, Drilon Çoçaj e të tjerë.
“Sot jam bërë ‘sebep’ e ka mjaft kitaristë. Se di a i kam mësuar të gjithë, por shumëkush ka filluar me mua”, rrëfeu ai. Për të luajtur me instrumentin me gjashtë tela, sipas Sapunxhiut, duhet shumë përkushtim. Asnjëherë nuk duhet dorëzuar nga ushtrimet me instrumentin. Por, për t’u bërë një muzikant i mirë para interpretimit duhet dëgjuar edhe shumë muzikë. Sipas tij, një muzikant i mirë nuk duhet të ketë kufizime në zhanret e muzikës.
“Edhe një talent me mundësitë maksimale të talentit duhet shumë të ushtrojë. Askush nuk mundet pa dëgju shumë muzikë të krijojë shije. Nuk duhet kufizuar në një lloj të muzikës. Gjatë gjithë jetës kam dëgjuar gjithçka që më ka ardhur në vesh, e kam dëgjuar edhe muzikën klasike, atë popullore dhe atë tallava”, ka thënë Sapunxhiu në emisionin “Pro X”.
Në rrugëtimin e tij e kishte tërhequr më së shumti muzika flamengo. Por ka treguar se nuk e ka refuzuar asnjë lloj muzike, as atë tallava.
“Jam i sigurt se në të gjitha llojet e muzikës ka shumë të talentuar. Edhe në tallava, kur e bën dikush bukur mua më pëlqen”, rrëfeu ai.
Jeta e tij muzikore në rini ka qenë më shumë e lidhur me muzikën “rock”. Kujton se aktivitete kitaristike kishte pak. Por, sipas tij, koncertet e Ehat Musës në Zagreb, Beograd, Sarajevë, Dubrovnik dhe paraqitjet e tij të shpeshta në Kosovë kanë ndikuar në popullarizimin e kitarës klasike dhe në Kosovë. Kur Sapunxhiu iu rrek lojës me kitarën kujton se kishte pak të tillë, por përvoja me kitarën ka qenë më e veçantë. Studimi i kitarës, sipas tij, edhe sot është sfidë sa i përket punësimit, por perspektivën me këtë instrument e sheh më shumë jashtë kufijve sesa brenda.
“Në kohën time ka pasur më pak kitaristë, por ana romantike ka qenë më e lezetshme. Jemi munduar që të bëjmë diçka që nuk kemi pasur. Unë brengosem për kitaristët e rinj se nuk e di a mund të arrijnë ata objektivat që ia kanë vënë vetes. Është e vështirë të punësohesh, dhe për të arritur diçka duhet të dalin jashtë”, ka thënë Sapunxhiu në fund të intervistës.
Sapunxhiu jeton në Pejë, ku është i hapur që profesionalizmin e tij me kitarën ta ndajë edhe me gjeneratat e reja. Në shtëpinë e tij ishte gjithmonë kitara, e dyert e saj janë të hapura për tinguj të rinj dhe talentë që e duan jetën me këtë instrument.