30 maj, 2021 - Epitetin “Ikona e muzikës qytetare e popullore”, Luan Hajra e vulosi me paraqitjet e tij kudo që këndonte. Vetëm në qytetin e Shkodrës, publiku e kishte kthyer për shtatë herë në skenë.
Më shumë se gjysmë-shekulli me këngën vijnë në episodin e parë të emisionit “PRO X” në Kohavision. Ai shtjellon historinë e tij muzikore që ngul këmbë që nga pjesëmarrja në orkestrën ‘Yjet e Zjarrta’ në Mitrovicë e në orkestrën e ‘Qëndresa’, e cila udhëhiqej prej Fahri Beqirit. Rrëfimi muzikor i tij ndalet tek ftesa për t’u bërë pjesë e orkestrës së Radio Prishtinës, ku e impresionoi jurinë me zërin e tij.
Këngëtari nga Mitrovica pa një shkollim muzikor, arriti ta vulosë famën me këngën “Arabella”. Versioni shqip i këngës “Rroka Mandolinën” nga Luan Hajra u këndua në tërë ish- Jugosllavinë. Ai tregon se këtë këngë e ka sjellë me ritëm më të shpejtuar dhe kështu ajo u dëgjua shumë në kafene e dasmat që organizoheshin në atë kohë.
“Kënga ‘Rroka Mandolinën’ u bë hit dhe u këndua në tërë Jugosllavinë, mirëpo, atëherë shqip që ka pasur domethënie shumë të madhe për mua dhe për ata që kanë ditur në atë kohë ta vlerësojnë këngën. Kam pasur shumë mosmarrëveshje me njerëzit që më kritikonin se si gishtat me kajmak, më duhej t’ua shpjegoja për kajmakun e gishtave”, ka treguar Hajra.
Ndonëse shëndeti e ka shkëputur nga skena tash e sa vjet, zëri nuk e ka tradhtuar. Hajra një rrëfim në veten e parë tregon për këngët që i ka punuar gjatë pandemisë.
*Kjo storie u publikua më 30 maj të vitit 2021. Këngëtari i shquar Luan Hajra vdiq sot në moshën 73-vjeçare