Fotografitë në ekspozitën “Looking Beyond” (Duke shikuar përtej) mund ta vënë publikun në një situatë imagjinare, sikur po e sheh planetin nga lart. Por realisht imazhet janë të qasshme në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. Atë që rrallë mund të shihet me sy, satelitët e zunë në fotografi, përderisa udhëtimi i tyre zbriti në Kosovë, kur po numërohet dita e parë e pranverës
Duket si një art abstrakt që në thelb ka ngjyrat e tokës. Vijat, ngjyrat, kompozicioni dhe ndërlidhja mes tyre fillimisht duken sikur një artist ka kaluar shumë kohë derisa u ka dhënë fund tablove si mozaik. E publikut i mbetet të hamendësojë për konceptin. Në fakt, ekspozita nuk është e tillë. Përkundër abstraktes që përçon, është një art bashkëkohor që ka në qendër një temë që prek jetën dhe njerëzimin. Është vetë Toka e fotografuar nga largësia nga satelitët.
Fotografitë në ekspozitën “Looking Beyond” (Duke shikuar përtej) mund ta vënë publikun në një situatë imagjinare, sikur po e sheh planetin nga lart. Por realisht imazhet janë të qasshme në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.
Atë që rrallë mund të shihet me sy, satelitët e zunë në fotografi, përderisa udhëtimi i tyre zbriti në Kosovë, kur po numërohet dita e parë e pranverës. Lidhja që peizazhi pranveror ka me këto fotografi është i ngushtë. Dhe, ajo bëhet atëherë kur në funksion vihen aftësitë astronomike e gjeografike. Astronomia e gjeografia janë bashkuar në fotografi në ditën kur Klubi Astronomik i Kosovës feston ditëlindjen, mbush 9 vjet.
Ekspozita që shtrihet në urën lidhëse midis Observatorit dhe pjesës tjetër të Pallatit të Rinisë numërohen rreth 70 fotografi. Ujëra, tokë, akullnaja, vende të ndërtuara, fusha shumëngjyrëshe, gropa, dete, oqeane e shumëçka tjetër që është pjesë e relievit dhe e gjeografisë është e përfshirë në fotot e ekspozuara. Të gjitha këto pamje e plotësojnë mozaikun e botës së ndarë në letër. Bashkohen kontinentet pa qenë afër.
E titulluar “Looking Beyond”, ekspozita që shëtit planetin Tokë është një realizim midis Ambasadës italiane në Kosovë dhe Observatorit Astronomik të Kosovës me kontributin e Agjencisë Italiane të Hapësirës sa u përket fotografive. Kurator i kësaj ekspozite është Filippo Maggia, një nga ekspertët italianë për fotografinë bashkëkohore.
“Ka qenë shumë e kërkuar. Vazhdon të udhëtojë më tutje. Mund të them se është prezantuar në të gjitha kontinentet. Nga Amerika Veriore dhe ajo Jugore, Afrika, Australia, përafërsisht në të gjitha vendet”, ka thënë Maggia. Ka treguar se kishte vendosur që këto t’i sillte edhe në shtetin më të ri të Evropës nga kureshtja për të parë vendin dhe gjithçka që bëhet në të.
Realizimi dhe bashkimi i 70 fotografive pa pasur një autor prapa nuk qe fort e lehtë për artistin nga Italia. Plotësimi i një mozaiku të tillë, madje edhe udhëtimi me të qe një sfidë e realizuar me sukses.
“Kjo ekspozitë ka qenë një mostër mjaft e komplikuar nga pikëpamja e projektimit të saj, sepse nuk ka një autor prapa. Në realitet këto pamje i kanë realizuar pajisjet. Në këtë formë nuk e kam pasur një bashkëpunues për realizim. Objektivi im ka qenë të përfshij sa më shumë pamje satelitore që eksplorojnë”, ka thënë kuratori i ekspozitës.
Kuratori ka gjëra që do të donte t’i përfshinte, por që ishte e pamundur. Me shpresën e një teknologjie në ardhje që do ta mundësonte atë, Maggia përmendi lëvizjet e migrimet.
“Ekziston një element që nuk e kam përfshirë, por e përfshin një fushë mjaft të gjerë të pamjeve satelitore. Ajo është inteligjenca ushtarake që s’ka qenë e mundur të përfshihej. Për shembull, të gjitha lëvizjet ushtarake për shkak të natyrës së tyre, si lëvizjet, migrimet e vendeve që kanë konflikte ato nuk ka qenë e mundur të përfshiheshin në ekspozitë”, ka thënë ai.
Fotografitë që sjellin botën në rreth 6 muaj, kohë kjo që u desh për realizimin e tyre, erdhën për disa ditë në Kosovë me një qëllim. Kërkesa për arritjen e tyre deri në Observatorin e kryeqytetit nisi nga dëshira që njohuritë dhe kultura rreth kësaj teme të zgjeroheshin.
“Këtu kemi dashur që jo vetëm anën shkencore dhe imazhin t’i sjellim te qytetarët, por edhe anën kulturore dhe artistike të planetit Tokë. Por në të njëjtën kohë me e rrit vetëdijesimin edhe për çështjet klimatike te qytetarët dhe me i apasionu me këto imazhe që i ka bërë sateliti i planetit Tokë. Por në të njëjtën kohë kemi dashur që edhe Kosova të hyjë në vendet që i promovojnë artin dhe kulturën bashkëkohore”, ka thënë Suhel Ahmeti nga Klubi i Astronomëve të Kosovës.
Ai ka treguar se kjo nuk do të jetë e fundit, madje ka bërë edhe një hap më tej duke kërkuar që edhe peizazhi i Kosovës t’i bashkohet këtij elaborimi të botës.
“Ne e kemi pasur një kërkesë për ‘Italian Space Agency’ që fotot e radhës të jenë edhe nga rajoni gjeografik i Kosovës, dhe jo vetëm nga bota. Na kanë premtuar që kanë për t’i bërë edhe disa imazhe satelitore pranë rajonit të Kosovës dhe Ballkanit. Ne ndihemi mjaft të veçantë për këtë bashkëpunim me Ambasadën italiane, meqenëse ndër 80 vende që ka qenë ekspozita është edhe Kosova”, ka thënë Ahmeti.
Ai ka treguar se pjesë e këtyre imazheve ka edhe të tilla që shumë njohës të kësaj fushe i bëjnë të mendojnë për ngjashmërinë e Tokës dhe Marsit.
“Njëra ndër fotot që ka qenë në Brazil tregon rrjedhat ujore që mund të shihen në tokë nga hapësirat. Kjo tregon që imazhe të tilla shkencëtarët kur e fotografojnë planetin Mars kanë mundur të arrijnë që në bazë të rrjedhave që ka lënë uji në të kaluarën edhe Marsi ka qenë para miliona vjetësh planet i banueshëm sikurse Toka”, ka thënë Ahmeti nisur nga lidhshmëria e tij me dijet mbi astronominë.
I pranishëm në këtë ekspozitë pos zyrtarëve nga Ambasada italiane qe edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, i cili e vlerësoi lart ardhjen e kësaj ekspozite në Kosovë, konkretisht në Prishtinë.
“Për ne si kryeqytet është me rëndësi shumë të madhe ta zgjerojmë hapësirën e edukimit për rininë dhe fëmijët. Për këtë arsye edhe mburrem me atë se kjo është duke ndodhur këtu në Observatorin e kryeqytetit. Kam pasur rastin me pa prej një hapësire të vogël një horizont fantastik. Këtu e kemi një ekspozitë shumë interesante prej qiellit në Tokë, që t’i mësojmë fëmijët, të rinjtë, por edhe profesionistët që sot shkenca dhe teknologjia shfrytëzohen për gjëra shumë të rëndësishme”, ka thënë Rama.
Ekspozita “Looking Beyond” do të jetë e hapur për vizitorë deri më 14 prill në Pallatin e Rinisë dhe Sportit.