Janari do ta gjejë filmin e shkurtër “Prishtinë 2002” edhe në Londër. Kjo është adresa e radhës që i është konfirmuar këtij filmi të Trëndelinë Halilit, pas festivalit prestigjioz francez, “Festival du court métrage de Clermont-Ferrand”. Edhe në Festivalin e Filmit të Shkurtër në Londër është në garë ndërkombëtare
Pas zyrtarizmimit të premierës botërore në festivalin prestigjioz të filmave të metrazhit të shkurtër në Clermont-Ferrand të Francës, “Prishtinë 2002” e ka të konfirmuar edhe stacionin e radhës. Filmi i shkurtër nën regji të Trëndelinë Halilit do të shfaqet në Londër. Po në janar, sikurse në Francë, do të jetë premierë britanike dhe do të shfaqet në edicionin e 20-të të Festivalit të Filmit të Shkurtër. Filmi do të shfaqet në kuadër të programit ndërkombëtar “Coming-of-age”, dedikuar rrëfimeve të cilat trajtojnë rritjen e parakohshme të fëmijëve. “London Short Film Festival” mbahet prej 20 deri më 29 janar të vitit të ardhshëm. I themeluar në vitin 2002, Festivali i Filmit të Shkurtër në Londër është një festival i pavarur i filmit të shkurtër kualifikues ‘BAFTA’ dhe ‘BIFA’. Çdo janar Festivali pret filma të shkurtër, ngjarje të drejtpërdrejta, pyetje dhe përgjigje dhe kurim multidisiplinar për dhjetë ditë. Çdo edicion prezantohen nga 250 deri 500 filma britanikë dhe ndërkombëtarë së bashku me ngjarje të tjera si seminare, panele e diskutime me kineastë. Siç thuhet në prezantimin e Festivalit, ai “ekziston për të vënë në pah një mori kineastësh, artistësh vizualë dhe krijuesish, nëpër kryqëzime dhe me një përkushtim ndaj zërave periferikë.
“Ne krenohemi me një etikë 20-vjeçare për t'u dhënë hapësirë dhe shikueshmëri filmave jokonvencionalë dhe tërësisht të pavarur, dhe programimi ynë kërkon të vendosë bashkëkohoren në dialog me historinë e saj dhe botën në përgjithësi”, thuhet në përshkrim. Më tej, Festivali konsiderohet si platformë ku kineastët mund të përcaktojnë karrierën e tyre, dhe të festojnë thesaret e talentet e tyre.
Në rreth 20 minuta, filmi “Prishtinë 2002” shpalos miqësinë e dy adoleshenteve ku tendencat e tyre për ta ndryshuar vetveten i çojnë në përballje me të papriturat. Rolin kryesor, atë të Letit, e luan Hana Limani, ndërsa karakterin e Donës e paraqet Rrezarta Haziraj. Xhirimet e filmit ishin zhvilluar gjatë verës së vitit të kaluar të cilat, sipas regjisores Halili, ishin karakterizuar me vështirësi të vazhdueshme për shkak të situatës me pandeminë.
Që nga zyrtarizimi për premierë në Francë, Trëndelinë Halili, regjisore e “Prishtina 2002”, kishte bërë të ditur se filmi synon festivale të tjera në radhë, ndërsa në Kosovë premierën mund ta ketë verën e ardhshme.
“Njëra nga personazhet kryesore është më në linjë të fëmijërisë, ndërsa tjetra ka marrë hapa më të mëdhenj të adoleshencës dhe mundohet t’i imponojë gjërat te tjetra si shoqe të ngushta. Të dyja janë shumë të afërta me njëra-tjetrën, mirëpo ndryshimi mes tyre i bën dy personazhet të hyjnë në një lojë, në një të papritur”, kishte treguar Halili ditë më parë në një përgjigje për KOHËN.
Në edicionin e sivjetmë të festivalit me traditë 45-vjeçare, “Festival du court métrage de Clermont-Ferrand”, i cili mbahet prej 27 janarit deri më 4 shkurt, “Prishtinë 2002” u zgjodh prej një gare me rreth 7 mijë filma. Mes 76 filmave në garë, “Prishtinë 2002” synon çmimin për filmin më të mirë ndërkombëtar – një nga tri kategoritë garuese mes asaj kombëtare dhe filmave të krijuesve të rinj. Filmi jepet premierë më 31 janar dhe prezente do të jetë edhe regjisorja. Në kuadër të festivalit, “Prishtinë 2002” do të shfaqet tetë herë. Festivali i filmit të metrazhit të shkurtër që mbahet në Clermont-Ferrand në Francë është një nga festivalet më të mëdha ndërkombëtare në botë dhe i dyti në Francë pas Festivalit të Cannes”, sa i përket audiencës. Ai angazhohet për të ofruar një gamë të gjerë veprash filmike me filma të zhanrit fiksion, fantashkencë, horror, dokumentarë e të tjerë. Edicioni i sivjetmë ka gjithsej 159 filma në garë.
“Prishtinë 2002” është prodhuar nga shtëpia filmike “Kandërr”, me mbështetje të Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe Komunës së Prishtinës. Producenti Ermal Gërdovci është shprehur se suksesi i menjëhershëm i filmit është pritur, pavarësisht se nuk ka pasur kompani distribuimi.