Kulturë

Logot e Pavarësisë dhe Epopesë së UÇK-së, shpresë e krenari

Me agjendën për shënimin e pesëmbëdhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës dhe njëzetepesëvjetorit të Epopesë së UÇK-së janë prezantuar të enjten edhe logot e këtyre dy jubileve, të punuara nga artisti Albian Gagica. Karakteristikë e përbashkët e logove është prania e ngjyrave kuqezi, ndonëse ajo e pavarësisë së Kosovës ka edhe disa ngjyra më tepër. E para lidhet me ngjyrat shpresëndjellëse dhe optimiste për të tashmen dhe për të ardhmen e Kosovës. Ajo e UÇK-së ka frymë krenarie, me tri portretet e heronjve në qendër

Logoja e pesëmbëdhjetëvjetorit të Pavarësisë dhe ajo e njëzetepesëvjetorit të Epopesë së UÇK-së janë prezantuar të mërkurën në konferencë për media bashkë me agjendën shtetërore kushtuar këtyre dy datave. Të dy logot, prezantuar prej ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, janë punuar nga artisti Albian Gagica. Dy përvjetorët jubilarë do të shënohen me një sërë aktivitetesh qendrore e lokale të cilat do të nisin prej 9 shkurtit e do të përfundojnë më 12 mars.

Karakteristikë e përbashkët e logove është prania e ngjyrave kuqezi, ndonëse ajo e pavarësisë së Kosovës ka edhe disa ngjyra më tepër, domethënien e të cilave e ka shpalosur ministri Çeku.

“Logoja e parë i dedikohet pesëmbëdhjetëvjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës e që ka motive nga ngjyrat e flamurit të Republikës së Kosovës gjithashtu nga ngjyrat kombëtare dhe pjesa tjetër sipas përshkrimit të autorit lidhet me ngjyrat shpresëndjellëse dhe optimiste për të tashmen dhe për të ardhmen e Kosovës sonë”, ka thënë ministri Çeku.

Ndryshe nga logoja e pavarësisë, e cila është paksa më abstrakte, ajo e Epopesë ka më shumë karakter simbolik. Përveç ngjyrave kuqezi dhe shqiponjës dykrenore, aty janë edhe portretet e tri prej figurave më të shquara të UÇK-së, Shaban, Hamëz dhe Adem Jashari.

“Logoja tjetër i kushtohet njëzetepesëvjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK-së, ka motive dhe simbole kombëtare dhe natyrisht me në qendër tri figurat kryesore të kësaj beteje të Epopesë së UÇK-së. Gjithnjë në frymën edhe të një lloj vazhdimësie të reprezentimit të logos së Epopesë nga vitet e kaluara”, ka thënë Çeku.

Artisti Albian Gagica është shprehur i gëzuar dhe i nderuar që ka pasur mundësi të jetë autor i këtyre dy logove.

“Nder e privilegj me punu këtë logo për ata që kontribuuan në çlirimin e vendit e na e dhanë lirinë që ne e fëmijët tonë sot e gëzojmë”, ka shkruar ai shkurt në porfilin e tij në Facebook.

Ministri Çeku ka shpalosur edhe agjendën zyrtare të Qeverisë së Republikës së Kosovës kushtuar këtyre dy festave, teksa ka bërë të ditur se do të ketë një agjendë të përbashkët prej tridhjetë ditësh.

“Po flasim për një program tridhjetëditor, ku çdo ditë do të ketë aktivitet për shënimit e këtyre dy datave të rëndësishme dhe jubilare të Republikës së Kosovës dhe në këto tridhjetë ditë aktivitete do të ketë homazhe, nderime, parakalim të Forcave të Sigurisë të Kosovës, turne e kampionate në sport, aktivitete muzikore, shfaqje filmi, teatri, baleti, ekspozita, promovime librash, garash shkollore e sesione shkencore. Gjithashtu do të ketë shumë pritje zyrtare shtetërore të cila organizohen edhe në Republikën e Kosovës dhe në të gjitha përfaqësitë diplomatike të Kosovës nëpër botë”, ka bërë të ditur Çeku.

Sipas tij, pritjet zyrtare janë të shpërndara nëpër gjithë kalendarin njëmujor të këtij manifestimi dhe përveç në Kosovë, do të zhvillohen edhe nëpër dyzet e tri ambasada, konsullata dhe zyra ndërlidhëse të Republikës së Kosovës. Këto pritje gjithashtu do të shoqërohen edhe nga një ngjarje muzikore ku do të performojnë artistë të ndryshëm të Kosovës.

Programi njëmujor është i përmbledhur në një faqe prezantuese të publikuar në ueb-faqen e Ministrisë së Kulturës ku listohen vetëm aktivitetet që do të organizohen gjatë një muaji, ndërsa për çdo ditë Këshilli Organizativ do t’i publikojë edhe detajet e aktiviteteve ditore.

Image