Kulturë

Lodrat punëdore që thurin dashuri

Populli thotë se kur një derë mbyllet, një tjetër hapet. Kjo duket t’i ketë ngjarë Rajmonda Selmanajt. Vajza nga Klina mbeti pa punë kur kompania në të cilën punonte u mbyll. Ishte gushti i vitit 2008.

Duke qenë se i mbetej kohë e lirë, nisi t’i kthehej një dijeje të moçme që e kishte marrë nga nëna. Të punojë me kërrabëza. Veçmas për mbesën e saj, që e quajnë Dalinë.

Ndërkohë do të mësonte edhe punën me thurje. Krejt spontanisht do të niste punimin e lodrave për fëmijë. Porositë për to shpejt do të bëheshin nga Zvicra e Gjermania. Më pas edhe në Kosovë.

Rreth 200 punime të saj tashmë janë të ekspozuara në profilin në Instagram me emrin “Monda handmade”.

“Lodra organike të punuara me dashuri për më të dashurit tuaj”, është përshkrimi i shkurtër para ekspozitës me fotografi të bukura që kanë në fokus lodrat unike të punuara nga Selmanaj.

Rikthimi i zanatit të trashëguar

Në një bisedë për “Kohën Ditore”, Selmanaj tregon për rrugëtimin e saj drejt prodhimit të veçantë të lodrave për fëmijë.

Një pjesë të këtij zanati e ka të trashëguar, por pjesën tjetër e ka mësuar vetë. Por thotë se ideja që të merret me krijimin e lodrave për fëmijë ka qenë spontane.

“Punën e dorës e kam të trashëguar nga nëna ime. Kam punuar çdo herë gjëra të ndryshme me kërrabëza si xhempera, shalla, pelerina, mbulesa për fëmijë, e të tjera, mirëpo asnjëherë nuk kam punuar me thurje. Këtë e kam mësuar vetë”, thotë Selmanaj.

Gjithçka nisi në gushtin e vitit 2018, kujton ajo, periudhë kjo kur, siç thotë, u largua nga puna me rastin e mbylljes së kompanisë ku punonte.