Nismës së sopranos së shquar Besa Llugiqi i janë përgjigjur pozitivisht Opera e Kosovës tok me Ministrinë e Kulturës në realizimin e “Lo speziale” të Joseph Haydnit. I janë bashkuar edhe bashkëpunëtorë të saj, si producenti Dardan Selimaj, që ka marrë përsipër regjinë, sikurse edhe dirigjenti Chris McCracken. Pos realizimit të një projekti në nivel, që në fillim, synimet e Llugiqit janë që studentëve të Universitetit të Prishtinës t’u jepet mundësia ta ndiejnë skenën operistike. Me këtë hapen dyert edhe për pasurimin me kuadro të reja të Operës së Kosovës. Premiera pritet të vijë në korrikun e sivjetmë
Studentët e Degës së Arteve Muzikore në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës kanë nisur përgatitjet për operën “Lo speziale”. Pas “La Traviatas”, e cila në dhjetorin e vitit të kaluar qe debutimi i Operës së Kosovës së themeluar në verën e vitit 2021, vepra e Joseph Haydnit, si bashkëprodhim do të jetë opera e tretë në skenën vendore. Muajin e kaluar u inskenua “Flautin Magjik” i Mozartit.
Sopranoja Besa Llugiqi, e cila në “La Traviata” barti barrën kryesore si Violetta Valéry, ka qenë inciatorja kryesore që studentet e Fakultetit ku ajo ligjëron të kenë mundësi të provojnë performimin edhe para një publiku të gjerë. Studentët do të kenë mundësi që të tregojnë aftësitë e tyre në një performancë të vërtetë të operës. Me qëllim që ata të përjetojnë ndjesinë e të performuarit në një skenë operistike, së bashku me ta do të jetë edhe Orkestra e Operës së Kosovës dhe dirigjenti. I tërë ky projekt ka ardhur si bashkëpunim midis institucionit të Operës, Universitetit të Prishtinës dhe Ministrisë së Kulturës.
“Kjo ka qenë fillimisht ideja ime që mandej i është bashkangjitur edhe producenti, dhe jo vetëm, në këtë projekt, Dardan Selimaj. Së bashku me Rreze Kryeziun dhe anëtaret e tjerë, përveç bashkëpunimit me kolegët e Universiteti të Prishtinës, ata kanë qenë shtylla kryesore për ta mbështetur si projekt. Me të vërtetë ideja ka për qëllim që Opera të zhvillohet edhe me kuadër të ri dhe që ata ta krijojnë përvojën e tyre”, ka thënë Llugiqi.
Se sa bashkëpunues është institucioni i Operas e dëshmon edhe gatishmëria për ta përkrahur Llugiqin në këtë iniciativë. Sipas sopranos së njohur, mbështetja e këtyre institucioneve është ndihmesë e madhe për këta studentë.
“Institucioni i Operës së Kosovës është jashtëzakonisht bashkëpunues. Kur unë e tregova se kam nisur ta përgatis një titull si ‘Lo speziale’ nga Joseph Haydn, që është prej titujve që zakonisht u jepen studentëve, atyre u pëlqeu ideja dhe menjëherë e kanë mbështetur projektin. Ka qenë një bisedë spontane po që më vonë erdhi me një supermbështetje nga ta, me orkestrën dhe dirigjentin. Kjo nënkupton shumë, sepse me të vërtetë ata kanë shumë nevojë që ta kenë një institucion mbrapa dhe këtë po e bën shumë mirë Ministria e Kulturës”, ka thënë Llugiqi, e cila para një jave, së bashku me Korin Kombëtar të Filarmonisë dhe Orkestrën Filarmonike të Sofjes, pati një paraqitje kulmore në “Requiemin” të Mozartit, në sallën prestigjioze “Bullgaria” në Sofje.
Bashkëpunimin me Operën e Kosovës e ka konfirmuar edhe zëvendësuesi i drejtorit të Operës së Kosovës, Meriton Ferizi. Ka bërë të ditur se me ftesë të tyre dirigjent do të jetë Chris McCracken, i cili te “La Traviata” në “1 Tetori” qe njëri prej asistentëve dirigjentë, në operën dirigjuar prej Nayden Todorov, nën regji të Ognian Draganoff.
“Opera e Kosovës si institucion i ri aktivitetin e parë të saj vitin e kaluar e pati filluar me ‘EduOpera’ (programi edukativ për nxënës) nëpër të gjitha shkollat e muzikës, pikërisht me studentët e Fakultetit të Muzikës (Dega e Solokëndimit), pastaj inskenimin e operës ‘La Traviata’ e ka realizuar me shumicën e korit, orkestrës dhe solistëve nga studentët e muzikës. Edhe ky bashkëpunim i radhës me shfaqjen “Lo speziale” nga Haydn do të jetë me Fakultetin dhe studentët e solokëndimit, nën drejtimin e profesoreshës së tyre Besa Llugiqi, nën regji të Dardan Selimajt dhe nën dirigjimin e Chris McCracken”, ka thënë Ferizi, teksa ka bërë të ditur se provat e studentëve me Korin nuk kanë nisur ende.
I tërë ky bashkëpunim, sipas Ferizit, është bërë “për t’ua dhënë mundesinë sa më shumë studentëve dhe kuadrit vendor, të cilët do të jenë bartës të këtij institucioni në të ardhmen”.
Besa Llugiqi është edhe ligjëruese e lëndës këndim kamertal në kuadër të Degës së Muzikës në Fakultetin e Arteve në UP. Përveç perfomancës dhe përvojës që studentët do të mund të marrin gjatë inskenimit të kësaj vepre, shfaqja në të njëjtën kohë do të jetë edhe provimi i tyre final për këtë lëndë.
“Studentët e kanë një lëndë, e kanë një detyrim, meqenëse studiojnë në Universitetin e Prishtinës, në lëndën që unë e ligjëroj, këndim kamertal. Ata kanë për detyrë që t’i ndjekin ligjëratat, por në të njëjtën kohë edhe të përgatiten për provim. Kështu që, për ta interpretimi i këtij roli do të jetë një provim. Janë trembëdhjetë, sepse aq janë gjithsej në tre vjetët që e ndjekin këtë lëndë. Është lëndë obligative dhe sigurisht që ideja ishte e imja që ata të kenë hapësirë dhe t’u jepet mundësia që ata të përgatisin një rol të tillë”, ka bërë të ditur Llugiqi.
Provat me studentë tashmë kanë filluar. Në rolin e udhëheqëses së kësaj lënde Llugiqi bart gjithashtu edhe barrën kryesore të përgatitjes së tyre.
“Provat kanë filluar shumë më herët, sepse e kanë për detyrë të përgatitet për lëndën, sepse në fund çdo njëri notohet për interpretim. Për ta është edhe një provim, përveçse një spektakël. Secili jemi duke u munduar ta bëjmë detyrën tonë. Unë e kam barrën për t’i përgatitur muzikalisht, në interpretim, në vështirësi teknike, interpretative, psiqikisht, domethënë të gjitha përgatitjet muzikore. Fillimisht përgatitjet bëhen me mua meqenëse e kanë si lëndë te unë”, ka thënë ajo.
Iniciativa të tilla kishte pasur edhe më herët, por që asnjëherë nuk kishin arritur të realizoheshin. Kur performoi “La Traviatan” në Prishtinë, Llugiqi arriti të kuptonte nevojën e madhe që studentët e saj kanë për t’u paraqitur para publikut.
“Është hera e parë që studentëve të Universitetit të Prishtinës u jepet një mundësi bashkëpunimi bashkë me Operën e Kosovës. Ka pasur iniciativa edhe më herët, por që asnjëherë nuk janë realizuar. Domethënë për herë të parë realizohet në një nivel të tillë institucional. Në audicionet e operës së ‘La traviatas’ e kam parë sa kanë nevojë ata që të fitojnë më shumë vetëbesim për t’u ngjitur në skenë, për të kuptuar rëndësinë e tyre, për të kuptuar sa e domosdoshme është një skenë e tillë për ta”, ka shpjeguar ajo në rolin e njohëses dhe studiueses së operës.
Një bashkëpunim i tillë, sipas saj, nuk duhet të ndalet as në vitet në vazhdim. Në këtë mënyrë Universiteti i Prishtinës do të arrijë të nxjerrë kuadro të reja, tejet të nevojshme për një institucion në rritje, siç është Opera e Kosovës.
“Është e vështirë ta gjesh këtë mundësi, sepse me të vërtetë rrallë ndodh që ta kenë mundësinë që, përveçse të përgatiten me profesionistë edhe të shfaqen në skenë me një orkestër të denjë, me një skenë të denjë, me regjisorë, kostume e të tjera. Është një mundësi shumë e mirë që po e ofron Opera dhe Ministria e Kulturës së bashku me Universitetin e Prishtinës, një bashkëpunim që besoj se duhet të krijojë traditë, sepse është e domosdoshme që ata të rriten, që ne të rrisim kuadro të reja, që ne të krijojmë përvojë që të zhvillohen artistikisht dhe që ta ngjallim institucionin tonë”, ka thënë Llugiqi.
Ndonëse Opera e Kosovës nuk ka ende një objekt të vetin, sipas Llugiqit, një objekt i tillë edhe po të krijohet do të jetë i panevojshëm në qoftë se ne nuk zhvillohen kuadro të reja.
“Është e domosdoshme, sepse ne jemi duke përgatitur një institucion, por atij nuk i mjafton vetëm objekti pa pasur kuadro të cilat rriten në atë objekt. Kështu që për studentët është domosdoshmëri hapësira dhe për këtë duhet të krijohet një traditë”, ka thëne ajo.
Shfaqja “Lo Speziale” pritet të jepet më 6, 7 dhe 8 korrik.