Kulturë

Lista e harruar me 23 monumente për 5 vjet, pret propozimet

“Bashkëpunimi ndërinstitucional në fushën e trashëgimisë kulturore” ka qenë titulli i konferencës me të cilën është kthyer në vëmendje Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore i funksionalizuar prej korrikut të sivjetmë. Prej tij varet mbrojtja e përhershme e trashëgimisë kulturore e në konferencë, ndër të tjera, është dhënë zotimi se këtë javë do të bëhen propozimet që mund t’i shtohen Listës, e cila prej vitit 2016 mbeti me 23 monumente

Prej korrikut kur është rifunksionalizuar, Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore ende nuk ka pranuar asnjë dosje të monumenteve si propozim për Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojte të përhershme. Janë bërë pesë vjet qëkur shteti mbron përhershëm vetëm 23 asete. Prej atëherë nuk ka pasur lëvizje në këtë drejtim. Propozimet pritet të bëhen këtë javë. Përfaqësues të institucioneve e organizatave joqeveritare të hënën janë pajtuar se mbrojtja e dhe promovimi i trashëgimisë kulturore përbëjnë interes vital për shtetin.

Në konferencën “Bashkëpunimi ndërinstitucional në fushën e trashëgimisë kulturore”, të organizuar nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore, përfaqësuesit e autoriteteve të shtetit kanë shpallur punët e bëra dhe objektivat që synohen të arrihen. Kurse profesionistët kanë folur për politika e shembuj se si duhet mbrojtur e menaxhuar astet e trashëgimisë kulturore. Por janë harruar disa sfida elementare, si mungesa e kapaciteteve e deri te menaxhimi institucional që është histori më vete sa i përket centralizimit.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se gjatë muajve prejse mban këtë pozitë – prej fundit të marsit – kanë nisur disa programe të përbashkëta që do të ndikojnë në përmirësimin e situatës në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Ka përmendur atë për sistemin e integruar të menaxhimit të trashëgimisë kulturore në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe me fondacionin kosovar “Trashëgimi Kulturore pa Kufij”, “CHwB Kosova”. Ministri Çeku ka thënë se nëpërmjet këtij programi do të sigurohet përfshirja e të gjitha të dhënave të kategorive të trashëgimisë kulturore në një platformë të përbashkët dhe të integruar qysh nga momenti i dokumentimit të parë në terren.

“Pas një angazhimi mjaft intensiv të institucioneve të trashëgimisë kulturore dhe në koordinim të ngushtë me Këshillin e Kosovës për Trashëgimi Kulturore gjatë kësaj jave do të dorëzojmë grupin e parë të propozimeve për mbrojte të përhershme të aseteve të trashëgimisë sonë të pasur kulturore”, ka thënë Çeku.

Prej tetorit të vitit 2016, kur 23 asete të trashëgimisë kulturore janë pjesë e Listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojte të përhershme, shteti nuk ka arritur që asnjë monumenti tjetër t’ia japë këtë status. Nuk ka arritur që as t’u përmbahet përcaktimeve ligjore që dalin pasi një aset ka marrë këtë status ligjor, siç janë planet e menaxhimit. Një prej shembujve është parku arkeologjik “Ulpiana”.

Deri në korrik të këtij viti – kur Kuvendi zgjodhi shtatë anëtarët e KKTK-së – Ministria e Kulturës nuk kishte as kujt t’i propozojë monumente për mbrojte të përhershme. Për tre vjet ky këshill ishte jofunksional. Prej themelimit, më 2009, funksionoi vetëm nga viti 2015 deri më 2018, në pjesën tjetër nuk ishte plotësuar kurrë me të gjithë anëtarët.

Zëvendësuesi i udhëheqësit ekzekutiv të KKTK-së, Kreshnik Bajraktari, të hënën ka thënë se me gjithë faktin që trashëgimia kulturore e Kosovës është mjaftë e begatë dhe shteti ka çka t’u tregojë vetes dhe botës, fatkeqësisht gjendja nuk është aq e mirë.

“Andaj si institucion e kemi parë të arsyeshme dhe presim që sot t’i adresojmë çështjet, sfidat, vështirësitë, por njëkohësisht edhe mundësitë duke bërë së bashku aktorët institucionalë në këtë organizim për të marrë rekomandimet në mënyrë që t’i shfrytëzojmë potencialet tona në këtë drejtim”, ka thënë zyrtari i agjencisë së pavarur që ka organizuar konferencën.

E kryetarja e KKTK-së, Zanita Halimi, ka folur për rëndësinë e trashëgimisë kulturore. Ka bërë edhe një lloj elaborimi teorik.

“Trashëgimia kulturore na mundëson dialogun mes natyrës dhe njeriut, trupit dhe shpirtit, kohës dhe hapësirës, mitit dhe krijimit. Trashëgimia kulturore është e rëndësishme për zhvillim ekonomik, për atraksion turistik. Është faktor identiteti. Prandaj, ne duhet të vazhdojmë ta mbrojmë atë”, ka thënë ajo.

E kryetari i Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, Ardian Gola, ka thënë se mbrojtja e trashëgimisë kulturore si vlerë e përbashkët që kontribuon në forcimin e ndjenjës së përkatësisë dhe identitetit duhet të trajtohet si proces kompleks që fillon me mbrojtje ligjore. “Pasi që trashëgimia është interes vital për vendin kërkohet normalisht edhe bashkëpunimi i gjithanshëm institucional”, ka thënë ai. Sa i përket interesit vital, i tillë është edhe Ligji për trashëgimi kulturore i miratuar më 2006. Ministria e Kulturës numëron mbi një dekadë që synon plotësimin e tij, po asnjëherë nuk ia ka dalë. Madje as sivjet. Qeveria aktuale e kishte në pakon legjislative, por nuk e ka dërguar atë në Qeveri. Është tërhequr.

Sa i përket Projektligjit për trashëgimi kulturore, i cili kërkon dy të tretat e dyfishta në Kuvend, ministri Çeku në ditën e 7-të të këtij muaji kishte bërë të ditur se për sivjet nuk ka dritë jeshile.

“Ligji për trashëgimi kulturore përveç aspektit problematik politik, të cilin e dini ju të gjithë, është një proces ku janë gjetur disa drafte por edhe përmbajtësisht kanë nevojë për goxha punë aty. Vazhdojmë në nivelin e koncept-dokumentit dhe besojmë që edhe përmbajtësisht kur të plotësohen kushtet, por edhe kur politikisht të procedojmë me Projektligjin për trashëgimi kulturore”, kishte thënë ai para Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport.

Në konferencën e organizuar nga KKTK-ja, në një hotel në qendër të Prishtinës, janë mbajtur tri panele diskutimi. Në të parin, të titulluar “Mbrojtja e trashëgimisë kulturore”, në emër të Ministrisë së Kulturës ka folur Nora Arapi-Krasniqi, këshilltare e ministrit Hajrulla Çeku, Luna Nushi nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor e Avni Manaj nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.

Në panelin e dytë të titulluar “Trashëgimia shpirtërore/Praktikat dhe politikat” ka diskutuar antropologu Arsim Canolli, Lumnije Kadriu nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, drejtori i QRTK-së së Gjilanit, Artan Hoxha, e Valon Xhabali nga organizata “Ec Ma Ndryshe”. Kurse arkitektja Florina Jerliu, drejtori ekzekutiv i “CHwB Koosva”, Sali Shoshi, Bekim Çeko nga UBT dhe Lulzim Hoti, që udhëheq “7 Arte”, kanë diskutuar në temën “Zhvillimi i qëndrueshëm dhe promovimi i trashëgimisë kulturore”.