Kulturë

Liria e lëvizjes në rajon – peng i politikës

Temë e diskutimit të shtunën në ditën e fundit të “Mirëdita, dobar dan!” ka qenë “Liria e lëvizjes në rajon: tani është koha”. Kaherë është konsideruar se kultura është një hap para politikës në rajon, por jo rrallë është kufizuar po prej politikës si puna e lirisë së lëvizjes

Për liri të lëvizjes koha ka qenë kaherë, por një gjë e tillë duket e largët kur bëhet fjalë midis vendeve të rajonit. “Liria e lëvizjes në rajon: tani është koha”, ka qenë temë diskutimi të shtunën në ditën e fundit të edicionit të dhjetë të festivalit “Mirëdita, dobar dan!” Në këto dhjetë edicione – shumica të mbajtura në Beograd – edhe lëvizja e artistëve të Kosovës në Serbi është histori më vete, por kjo nuk ka qenë temë diskutimi.

Katër panelistët në debatin e mbajtur në “Barabar”, në katin e katërt në hotelin “Grand”, janë pajtuar se shtetet e rajonit me theks të veçantë, Serbia, Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina janë larg zbatimit të marrëveshjeve që mundësojnë lëvizjen e lirë.

Qeveritë e vendeve të rajonit dhe interesat e tyre karshi mbajtjes së pushtetit, janë parë si faktori kryesor që ndikon që qytetarët e vendeve si Kosova, Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina të mos gëzojnë të drejtën e lirisë së lëvizjes. Pa hapa para duket të jenë raportet midis shtetit të Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës. E kjo për shkak të pengesave që kësaj të fundit ia vë Republika Srpska.

Fakti se ky shtet nuk e njeh Kosovën bën që ai të mos i pranojë as dokumentet e saj dhe kështu, procesi i lëvizjes të vështirësohet. Për raportet midis këtyre dy shteteve dhe problemeve me të cilat përballën qytetarët e Kosovës që duhet të shkojnë në Bosnjë e Hercegovinë, ka folur gazetari Imer Mushkolaj. Ka theksuar se ndonëse shumica e vendeve të rajonit mund të udhëtojnë lirshëm në BE, nuk mund ta bëjnë këtë me vendet përreth.

“Lëvizja e lirë është dashur të ndodhë shumë më herët. Është ironike, por njëkohësisht edhe e dhimbshme se si vendet e rajonit, shumica e vendeve të rajonit edhe Kosova prej janarit të vitit të ardhshëm, mund të udhëtojnë lirshëm, por kanë pengesa të udhëtojnë lirshëm në rajon. Në një rajon ku të gjithë e njohim njëri-tjetrin. Në një rajon ku jetojnë etni të ndryshme, ku familje të tëra për shkak të pengesave në lëvizje mbeten pa e takuar njëra- tjetrën me vite. Kështu ndodh në Kosovë me familjarë të komunitetit boshnjak që e kanë të pamundur të lëvizin drejt Bosnjë-Hercegovinës pa e marrë një vizë dhe atë me një arsye të fortë dhe në raste të jashtëzakonshme”, ka thënë ai.

Përveç pengesave në lirinë e lëvizjes së njerëzve, Mushkolaj ka rikujtuar se Bosnja, ndonëse vetë eksporton një numër të madh mallrash në Kosovë, nuk e lejon importimin e mallrave “Made in Kosovo”.

“Ne e dimë që vendimmarrja është e politikës, pavarësisht kontributit që ne mund ta japim në këtë aspekt dhe të gjithë po ashtu e dimë se nuk ka lëvizur asgjë në kuptimin praktik të fjalës. Është e rëndësishme të thuhet po ashtu se ndryshe nga mallrat që lëvizin, njerëzit lëvizin shumë më rrallë. Prapë e kam fjalën e Bosnje-Hercegovinës. Nëse e shohim bilancin tregtar në fakt Bosnja bie shumë më shumë mallra në Kosovë dhe Kosova nuk mund të importojë në Bosnjë, për shkak se Bosnja nuk e njeh certifikatën veterinare të prodhuesve të Kosovës në të cilën është e obliguar të shënohet se malli që eksportohet është ‘Made in Kosova’”, ka thënë Mushkolaj.

Aktivisti serb, Gjorgje Bojoviq, ka thënë se ekziston ende një hendek midis gatishmërisë që qeverive në rajon për të bashkëpunuar dhe asaj çka ndodh në jetën e përditshme. Mungesa e vullnetit politik sipas tij, është ajo që e rrit edhe më shumë këtë hendek, ndërsa marrëveshjet e nënshkruara vazhdojnë të pengohen nga ndonjë vend i rajonit. Nisur nga përvoja e tij, Bojoviqi ka thënë se nuk ka liri të lëvizjes në rajon. Gjërat sipas tij, nuk kanë ndryshuar aspak ndër vite dhe një politikë e tillë vazhdohet me qëllim të mbajtjes së pushtetit.

“Fatkeqësisht do të thosha se nuk ekziston lëvizje e lirë. Është fakt që ne e vërejmë gjatë punës sonë. Presim që dikush që punon në mekanizëm regjional të shohë një përmirësim në procesin e komunikimit të nivelit politik por nuk është duke ndodhur. Të paktën unë e shoh se nuk është duke ndodhur ndonjë ndryshim konkret, të paktën në punë time të përditshme. Kam frikë se ende jemi në një situatë të konfliktit të ngrirë për shkak të agjendës vendore politike. Konkretisht në rastin e Serbisë përdoret për shumë për agjendën vendore politike, për zgjedhjet, për të fituar pushtetin dhe për të mbetur në pushtet”, ka thënë ai.

Ndonëse ai niset fillimisht duke pasur parasysh vetë vendin prej nga vjen, Serbinë, një gjë e tillë sipas tij, ndodh edhe në vendet e tjera të rajonit.

“Gjithmonë në Ballkan është një temë e nxehtë dhe mënyra se si t’i fitojmë votat të cilat nuk janë të sigurta dhe kanë diku një peshë. Situata momentale besoj se u konvenon politikanëve të tanishëm dhe askush nuk ka maksimalisht interes që ta ndryshojë. Unë flas në bazë të përvojës që e përjetoj në Serbi. Kjo çështje i konvenon Qeverisë dhe ata mbijetojnë në qeveri dhe e di se përafërsisht situata është e njëjtë edhe në regjion”, ka thënë ai.

Optimist lidhur me lirinë e lëvizjes nuk është as Rasim Ibrahimagiq nga Bosnjë e Hercegovina. Teksa ka folur për “rrugët e katastrofike” dhe kohën që humbet duke udhëtuar nga një vend i rajonit në tjetrin, Ibrahimagiq është ndalur edhe te Procesi i Berlinit. Sipas tij, një proces i tillë i cili do të duhej të garantonte lirinë e lëvizjes, nuk do të zbatohet nga shteti i tij megjithatë, ai është optimist sa i përket lehtësimit administrativ në marrjen e vizave.

“Ajo që është nënshkruar në Procesin e Berlinit nuk do të zbatohet në Bosnjë- Hercegovinë. Sa i përket kalimit të kufijve në mes të Bosnjës dhe Kosovës vetëm me letërnjoftim, atmosfera politike nuk është e tillë dhe nuk më jep optimizëm. Në nivel administrativ mund të përmirësohen gjërat pa pasur dhimbje ose t’ia prishte agjendën politike ose një politikë e cila e pengon. Politika fatkeqësisht i merr votat e veta. Duhet të rregullohen disa gjëra në nivel që puna e vizave të jetë vetëm formalitet”, ka thënë ai, teksa ka përmendur se marrja e vizave për në BE apo në Amerikë është më e lehtë dhe më e lirë sesa me vendet e rajonit.

Aktivisti Rron Gjinovci ka nisur fjalimin e tij, duke përmendur “Open Ballkanin” e Vuçiqit dhe të Ramës, duke thënë se një lëvizje çfarë ata synojnë nuk ka të bëjë absolutisht me lirinë e lëvizjes së njerëzve, por siç u shpreh ai, lirinë e lëvizjes së “mallrave”. Nisur nga shkrimet e disa prej gazetave më të njohura botërore si “The New York Times” e të tjera – të cilat kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq i lidhin me rrjetin e drogës – Gjinovci ka shprehur dyshime e tij nëse do të donte liri të lëvizjes me këto vende. Në anën tjetër, sipas tij, liria e lëvizjes i përshtatet më shumë shtresës së pasur të shoqërisë dhe duke pasur parasysh problemet e shumta të këtij rajoni, është shumë herët të flitet për lirinë e lëvizjes.

“Të pasurit janë ata që u konvenon më shumë liria e lëvizjes dhe janë atë që mundohen që në diskursin publik ta shfaqin si gjënë më të rëndësishme që ekziston. Këtë mundohen ta paraqesin si diçka evropiane dhe që ndodh në Evropë por po harrojmë që në Evropë atmosfera politike mes shteteve që e kanë lëvizjen e lirë është atmosferë që ne nuk e kemi përjetuar kurrë në rajonin tonë. Më duket pak paradoksale të kërkojmë dhe avokojmë, e harxhojmë shumë energji duke folur për lëvizjen e lirë ose ‘lëvizjen e të pasurve për të shëtitur’ kur në rajon kemi probleme thelbësore. Ka shtete që s’e njohin njëra-tjetrën, shtete që janë armiqësore me njëri-tjetrin; që pretendojnë se pjesë të territorit ose komplet shteti i takon shtetit tjetër”, ka thënë ai.

“Liria e lëvizjes në rajon: tani është koha”, ka qenë njëri prej diskutimeve që ka sjellë sivjet “Mirëdita, dobar dan!”, i cili për një dekadë synon njohjen midis qytetarëve të Kosovës e të Serbisë nëpërmjet ngjarjeve kulturore. Kaherë, është konsideruar se kultura është një hap para politikës në rajon, e cila jo rrallë është kufizuar po prej politikës si puna e lirisë së lëvizjes.