Ditari portugez (4): Më 24 prill 1974 një grup oficerësh të rinj vendosën të rrëzojnë diktaturën e António de Oliveira Salazar. Populli i priti me entuziazëm, ndërsa gratë portugeze vendosën karafila në grykët e pushkëve të ushtarëve. Kështu nisi demokratizimi i Portugalisë, një vend që, përkundër shumë vështirësive, përparoi shpejt dhe u bë anëtar i Bashkimit Europian nga mesi i viteve 80-të.
Nganjëherë diktaturat fillojnë të rrëzohen me një këngë. Këngën “Grândola vila morena” sot e njeh me gjasë çdo portugeze dhe portugez. Pak pas mesnatës së datës 24 prill 1974 moderatori José Vasconcelos i një radioje portugeze lexoi strofën e parë të këngës “Grândola vila morena”. Pastaj jehoi kënga “Grândola vila morena”, e kënduar nga këngëtari antifashist José Alfonso. Kënga ishte ndaluar nga diktatura e António de Oliveira Salazar. Një ditë më parë një gazetë portugeze kishte shkruar se shou i José Vasconcelos duhet patjetër të dëgjohet. Kjo kishte zgjuar kureshtjen e dëgjuesve. Kënga ishte sinjal dhe kod për oficerët e rinj portugezë për të filluar rrëzimin e diktaturës së Salazarit.
Kur banorët e Lisbonës u zgjuan nga gjumi më 24 prill 1974, ata panë tanke dhe mjete të tjera ushtarake të drejtuara kundër ndërtesave më të rëndësishme qeveritare. Kështu u rrëzua diktatura portugeze. Gratë portugeze vendosën karafila në grykat e pushkëve të ushtarëve. Popullsia e priti me entuziazëm reagimin e oficerëve. Salazari nuk e pa këtë moment të rëndësishëm të historisë së Portugalisë pasi kishte vdekur vite më parë. Siç shkruan historiani britanik Martin Page në librin e tij mbresëlënës “The First Global Village - How Portugal Changed the World” (Fshati i parë global. Si e ndryshoi Portugalia botën), Salazari ishte rrëzuar më 1970 nga shezlongu në shtëpinë e tij të pushimeve. Me lëndime që dukeshin të lehta u shtri në spital, ku u konstatua se kishte gjakderdhje në tru. Vdiq pas operacionit. Pasardhës i tij si kryeministër u bë Marcelo Caetano, një adhurues i hershëm i fashizmit italian. Caetano kishte shërbyer në disa ministri dhe kishte organizuar represionin në kolonitë portugeze në Afrikë.
Luftërat e pasuksesshme koloniale të Portugalisë në Afrikë, kriza ekonomike dhe ajo e naftës në fillim të viteve 70-të ashpërsuan tensionet në vend. Kështu u krijuan parakushtet për puç. Në fillim të viteve 60-të Afrika u përfshi nga shumë kryengritje në kërkim të pavarësisë nga shtetet kolonialiste. Më 1960 u pavarësua Kongoja nga Belgjika. Më 1961 shpërtheu një kryengritje në koloninë portugeze të Angolës, po atë vit Portugalia i humbi zotërimet në Indi, më 1963 nisën luftimet në Guineja, më 1964 në Mozambik. Pas rrëzimit të diktaturës në Lisbonë, filloi procesi i dekolonizimit. Guineja u bë e pavarur në gusht të vitit 1974, Mozambiku në shtator 1974, Angola fitoi pavarësinë më 1975, po ashtu edhe São Tomé e Principe. Ishujt e Kap Verdes u shkëputën nga Guineja dhe pavarësia e tyre u pranua nga Portugalia. Timori Lindor, një koloni portugeze në Azi, u pushtua nga trupat e Indonezisë më 1975. Tek më 1999 Timori Lindor u bë i pavarur pas ndërhyrjes së trupave të OKB-së dhe pas një referendumi. Në fund të vitit 1999 enklava portugeze e Makaos iu kthye Kinës.

Rrëzimi i diktaturës më 1974 i hapi rrugë transformimeve demokratike në Portugali. Lëvizja ushtarake fillimisht kishte ambicie komuniste, por me kalimin e viteve skena politike u konsolidua drejt një demokracie pluraliste. Më 1976 u formua qeveria e parë e bazuar në kushtetutë në 50 vitet e fundit. Më 1986 Portugalia përjetoi një ngjarje historike: hyrjen në BE. Mes viteve 1989-2000 Portugalia nga fondet e BE-së përfitoi 30 miliardë euro, ndërsa mes viteve 2000-2006 edhe 19 miliardë euro.
Hyrja në BE ka ndikuar në zhvillimin e dukshëm të Portugalisë, megjithatë problemet vazhdojnë të jetë të mëdha: burokracia portugeze është legjendare në kuptimin negativ dhe brenda BE-së mund të krahasohet me atë të Kroacisë ku për çdo banalitet zyrtar duhet të vraposh nga zyra në zyrë me ditë të tëra. Papunësia mes të rinjve të Portugali është e lartë dhe viteve të fundit, edhe si pasojë e krizës financiare, qindra-mijëra të rinj kanë braktisur vendin – disa drejt Europës veriore (Gjermani, Francë), të tjerët drejt Afrikës (Angolë). Përkundër investimeve të mëdha, deficitet në sektorin arsimor vazhdojnë të jenë plagë për shoqërinë dhe shtetin portugez.
Megjithatë, historia e Portugalisë pas hyrjes në BE është histori suksesi. Lisbona përfitoi sidomos nga Ekspozita Botërore (Expo 98), e cila i solli kryeqytetit portugez mijëra turistë dhe i dha hov sektorit të ndërtimtarisë. Në periudhën mes viteve 2007-2013 partnerët europianë e përkrahën Portugalinë me 22 miliardë të tjera euro. Për shkak të rënies së natalitetit që nga fillimi i viteve 90-të qeveria u përpoq të sjellë sa më shumë emigrantë. Aktualisht në Portugali jetojnë mbi gjysmë milioni të huaj, prej tyre rreth 100 mijë ilegalisht. Mbi 100 mijë portugezë punojnë në Angolë, në koloninë e dikurshme. Rreth 7000 firma portugeze kanë veprojnë në Angolë.
(FUND)