Kulturë

“Lindur së prapthi” përmbys jetën nën diktaturën komuniste

Aty thuren përditshmëria, jeta dhe rebelimi nën diktaturë. Por yrneku i lidhjes së tyre nuk është i zakontë, ashtu siç nuk është as shkrimtarja. Rita Petro, në romanin e saj të parë, rrëfehet e në diktaturë gjen normalitetin. “E lindur së prapthi” përmbys jo vetëm imazhin e asaj kohe. “Lindur së prapthi” thyen klishe e realitetin e fiksionin i ndan me perde të hollë

Jeta fëmijërore, rinia, diktatura e Enver Hoxhës, jeta në atë kohë, rebelimi kundrejt saj, rënia e diktaturës, janë disa nga vjegëzat të thurura nga Rita Petro e që bashkohen në “Lindur së prapthi”. Aty, ajo gjen një lloj normaliteti. Një qasje po se po e pazakonshme, njashtu siç është edhe vetë autorja.

Romani, i promovuar të martën mbrëma në Prishtinë, është debutim i Petros në prozë. Për lexuesin ajo shquhet për poezitë përplot erotizëm, në të cilat shpërfaqet shpirti i saj luftarak e plot rebelim. Por poetja nga Shqipëria, një ndër më të njohurat e më të arrirat e letërsisë së sotme shqipe, ka vendosur që narrativat e saj t’i zgjerojë tutje, duke nisur shtegtimin edhe në prozë. Krijimtaria e saj ka ndërruar formë, por te “Lindur...” ruan anën luftarake, rebele e erotike, njashtu sikurse një lloj avangarde.

Sipas studiuesve të veprës së saj, Petro duke kapërcyer edhe rrezikun që kanë shkrimtarët kur ndërrojnë formë, ajo ka arritur të mbetet po kaq e lartë e po kaq e mirë edhe në prozë.

E “Lindur së prapthi” është Petro në prozën e saj më të re. Të tilla janë edhe shkronjat në kopërtinën e librit. Ecja në anën e kundërt është ajo që e karakterizon jetën e saj. Refuzon t’i pranojë normat shoqërore duke u kënaqur ashtu siç do ajo, pa përfillur askënd dhe asgjë. Krejt këtë e ka ndërfutur edhe në vepër teksa lexuesin e shëtit nëpër të kaluarën e vet. E gjithë jeta nën diktaturë përshkruhet në formë jo të drejtpërdrejtë duke krijuar paralele. I tillë në fakt është edhe i gjithë rrëfimi. Petro duket sikur në njërën dorë ka marrë realitetin, në tjetrën fiksionin, i ka përzier aq sa i ndan një perde e hollë. Për gjithë këtë, para publikut në takimin në librarinë “Dukagjini”, ka folur edhe vetë Petro. Ka treguar edhe për faktin se pse ajo preferon artin përpara librave biografikë e autobiografikë. Sipas saj, jeta e secilit është një lloj romani, por është arti ai që njerëzit i shtynë ta lexojnë ‘romanin’ e tjetërkujt.

“Janë gjëra që unë doja t’i tipizoja, sepse është tjetër të shkruash një libër biografik. Kur ti shkruan një libër autobiografik, nuk është në stilin tim, unë gjithmonë mendoj këtë gjë: jeta e gjithsecilit është roman e pse dikujt do t’i dukej jeta ime kaq interesante. Kur e lexon si art e si roman është interesant, sepse dallimi nga një biografi apo autobiografi është se shërben për fakte, është tekst informativ, por dallimi më i madh është sepse arti po të jetë art i vërtetë, të bën të gërmosh brenda vetes dhe të thuash se unë s’po lexoj jetën e Ritës, sepse s’më duhet fare, se e kam jetën time. Pikërisht kjo është ajo që unë kam dashur dhe shpresoj t’ia kem arritur”, është shprehur ajo.

Teksa ka folur për sharjet që kishte marrë për librin e saj me poezi “Vrima”, Petro ka thënë se në të vërtetë vepra e saj “është vërtet një himn i dashurisë fizike, shpirtërore dhe i lirisë”.

“Sepse gjithmonë është gruaja, femra ajo që fton mashkullin në librin tim”, ka thënë ajo. Kur ka folur për personazhet e saj femra dhe mënyrën e krijimit të tyre, Petro është shprehur se një gjë e tillë i kishte munguar letërsisë shqipe.

“Gjithmonë na mungon ai personazhi i vërtetë, personazhi i këtyre zonjave që kemi këtu të cilat nuk e gjejnë veten aty. Në letërsinë tonë ka gjithmonë prostituta, sidomos pas viteve ‘90. Para viteve ‘90 ishin ato gratë heroina, të fortat, të guximshme dhe mungon ajo gruaja e cila i ka rezistuar asaj epoke dhe që sot i ke – domethënë unë flas edhe për të moshës sime dhe për pak më përpara – avangardë të një mendimi të emancipuar. Atëherë ku është ky personazh? Tani ai ka ardhur spontanisht tek unë, sepse unë i përkas këtij lloj brezi grash, por që nuk e kam gjetur në letërsi”, ka thënë ajo.

Ka folur edhe për personazhet e tjera reale, duke shtuar se në momentin e krijimit i kishte lënë të gjithë me emrat e tyre realë, sepse një gjë e tillë e bënte më të lehtë të shpaloste më me sinqeritet të kaluarën e saj. Ndërrimin e shumë prej tyre e kishte bërë më pas, por kishte të tillë që i kishte lënë edhe me emra realë, siç ishte rasti i Ilirit.

Shkrimtari Ag Apolloni, profesor i letërsisë shqipe në Universitetin e Prishtinës, ka thënë se Petro ka arritur të krijojë një vepër tejet provokuese për lexuesin.

“Është një teknikë e montazhit që lexuesin e vë para një sfide, ku ai nuk e di më se çka ka bërë Rita dhe çka protagonistja. Prandaj kur e lexon duket mjaft provokuese, nxitës i imagjinatës dhe është një libër që merr një metanarrativë të madhe, rrëfim të madh siç është komunizmi, por e trajton nga margjinat, jo drejtpërdrejt”, ka thënë Apolloni.

Tregimin për periudhën e komunizmit Petro ka vendosur ta tregojë ndryshe, përmes jetës së përditshme. Këtë e ka bërë duke rrëfyer për faza të ndryshme të jetës, teksa në roman shpesh mund të gjenden momente argëtimi e gëzimi, krejt të kundërta me frymën që mbretëronte në atë kohë. Megjithatë, e tërë kjo, sipas studiuesit Apolloni, është një përmbysje e realitetit të kohës. Mospërfilljen ndaj diktaturës ai e sheh edhe në detaje të tjera të vogla, siç është stili i veshjes dhe i flokëve.

“Është një përmbysje ironike, të një metanarrative shumë të njohur, tragjike por duke mos e theksuar këtë pjesën tragjike, por duke u marrë me normalitetin, aq sa mund të kishte normalitet në komunizëm, në një regjim të hekurt. Rita njëkohësisht na jep një pasqyrë të plotë të komunizmit, se çka ishte komunizmi për fëmijët, për të rinjtë, për të rejat, për shoqërinë shqiptare, si mund të sfidohej diçka nga margjinat duke mos u përfillur i gjithë kanoni etik i atij regjimi, duke sjellë një model të veshjes ose flokëve, pra edhe ky ishte si një lloj reagimi”, ka thënë ai.

Poetja nga Kosova, njëherësh profesoresha e letërsisë shqipe në Universitetin e Prishtinës, Dije Demiri-Frangu, ka theksuar koloritin dhe detajet e shumta që Petro ka arritur t’i lidhë në këtë vepër. Ka thënë se më së shumti e ka impresionuar mënyra se si Petro, përkundër kësaj, kishte arritur ta ruante njëtrajtshmërinë.

“Thjesht ky roman të mbytë me detaje. Ta teston memorien. E ke të vështirë t’i mbash në mend, por secila jepet lehtë e më lehtë natyrshëm e më natyrshëm, kështu që nuk bën diferencime. Ti praktikisht nuk bën diferencime, sepse vetë personazhet tuaja nuk janë të diferencuara, ato janë të gjitha, janë pleq të pashkollë, të shkolluar, shkrimtarë, udhëheqës, nxënës”, ka thënë Demiri-Frangu. Sipas saj, Petro merret me njerëzit e rëndomtë, sepse jetën e përbëjnë të tillët.

“Për atë arsye vepra del shumë e sinqertë, shumë e hapur, shumë e lexueshme, shumë e rrjedhshme dhe kjo më ka preokupuar: se si ka mundur njeriu ta gjejë një lloj mesi të tillë, një temp që duket i njëtrajtshëm”, ka thënë ajo.

Rita Petro ka diplomuar për Letërsi e Gjuhë Shqipe në Universitetin e Tiranës, ndërsa është specializuar për filozofi e kulturë greke në Universitetin Filozofik të Athinës”. Është autore e librave me poezi, përfshirë: “Vargje te përfolura”, “Shija e instinktit”, “Këtu poshtë këndohet live”, “Në intimitet...nga Rita”. Petro është edhe autore e shumë teksteve shkollore, si dhe drejtoreshë e shtëpisë botuese “Albas” në Tiranë.