Kulturë

“Lindur për të jetuar” si betejë personale e artistes

Te filmat biografikë, autorët rëndom zhyten në studime të thukëta mbi jetën e një individi, duke zbërthyer ngjarjet dhe të dhënat që përcaktojnë thelbin e tyre si personazhe reale. Këto vepra kinematografike shpesh bëhen një shkëmbim intim midis shikuesit dhe krijuesit të këtyre narrativave. Për artistet si Arlinda Morina – Liki, përpjekja për të shfaqur sinqerisht kompleksitetin e udhëtimit jetësor të një individi tejkalon synimet e një prodhimi të arrirë artistik. Del si mision personal. Ata shërbejnë si dritare në shpirtin e atyre që kanë kaluar nëpër furtunat e jetës, ofrojnë një këndvështrim të pastër dhe të pafiltruar nëpërmjet së cilës audienca mund të ndeshet me fitoret, humbjet, vuajtjet dhe tempin e pandërprerë që i shoqëron sfidat jetësore të cilat mbartin mesazhe inspiruese.

Nëpërmjet personazhit Elektra, në këtë film do të navigohet terreni sfidues i ekzistencës humane nga perspektiva e jetës së vetë skenaristes Arlinda Morina – Liki.

Filmi i shkruar nga Morina synon të jetë një eksplorim prekës dhe provokues i një jete ku pritshmëritë shoqërore ndeshen me ndjenjat dhe dëshirat e vërteta të një njeriu. Lufta e Elektras me identitetin e vet zhvillohet në një shoqëri që shpesh imponon norma që asaj nuk i shkojnë për shtat.

“Ky film është jeta ime prej perspektivës së një artisteje avantgarde. Aty trajtohet ballafaqimi me problemet politike shoqërore rreth saj, si sëmundja, lufta për mbijetesë, orientimi seksual dhe ndeshja me strukturat normative”, ka thënë Morina, duke e njoftuar audiencën me boshtin tematik të filmit.

Projekti i cili gjendet ende në fazën fillestare, karakterizohet nga një ekip i ngushtë punues i cili synon që të rritet pas sigurimit të mbështetjes financiare të nevojshme për të takuar synimet ambicioze të Morinës.

“Producent dhe regjisor i këtij filmi do të jetë miku dhe kolegu im Kastriot Abdyli, i cili më ka përkrahur që në fillim me idenë për këtë film. Ne synojmë që bashkërisht këtë film ta dërgojmë në festivale madhështore siç është ‘Oscars’, e besa të dalim dhe fitues nga kjo sfidë”, ka shtuar Morina.

Filmi “Lindur për të jetuar”, deri tani ka arritur të marrë mbështetje prej 450 mijë eurove për realizim nga Agjencia e Filmit e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ndërkaq ekipi po punon dhe me aplikimet për fonde në Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi, Slloveni dhe Itali. Për pjesën e D.O.P-së të filmit, ekipi janë në bisedime që këtë pjesë të filmit ta kryejë kinematografi i njohur irlandez Seamus McGarvey.

Profili i Arlinda Morinës e njohur edhe si Liki, ndërtohet nga shumë dimensione. Ajo është regjisore teatri e filmi dhe fotografe. Studioi për aktrim dhe regji filmi në Universitetin e Prishtinës. Është regjisore e 14 filmave të shkurtër, duke përfshirë filmat “Pandora” dhe “Rrobaqepsja”. Në vitin 2013, ajo ishte fituese e katër çmimeve në “Nine Eleven Film Festival” me filmin “Rrobaqepsja” për filmin më të mirë, kinematografinë më të mirë, skenarin më të mirë dhe montazhin më të mirë. Në vitin 2014, mori çmimin “Kinemaja e së Ardhmes” në Festivalin e “Filmit Hyjnesha në Fron në Kosovë”. Aktualisht, është duke xhiruar dhe filmin e saj debutues me metrazh të gjatë, i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Qendra Kinematografike e Maqedonisë, i cili quhet “Debora”.

Krahas karrierës së saj si regjisore e filmit, veprimtaria e saj zgjerohet dhe në regji teatri. Deri tash ka bërë regjinë e dhjetëra shfaqjeve teatrore. Ato përfshijnë vepra eksperimentale dhe që trajtojnë tema sociale si: “A je çikë a djalë?!” shfaqur në teatrin “Oda” në Festivalin “FemArt” më 2020 në Prishtinë, “Fefu dhe shoqet e saj”, "Molla s'ka qenë aksident", "Nasty Beauty" e “Grua” në Teatrin Kombëtar të Kosovës, një shfaqje me dy gra që trajton temën e patriarkatit dhe sfidon mënyrat se si një sistem shoqëror priret të shtyp jetën e përditshme të grave.

Me “Lindur për të jetuar" ilustron forcën që duhet për të përshkuar vetveten autentike. Historia e Elektras është universale dhe përmes këtij fakti synohet që audienca të rezonojë me përmbajtjen e filmit.

Thelbi i fabulës ndodhet në guximin e protagonistes për të sfiduar normat shoqërore, për të pranuar ndjenjat e saj të vërteta ndaj vetes dhe në fund për të shfaqur të vërtetën e saj me ata që e rrethojnë. Përmes këtij prodhimi filmik, krahas frymëzimit gjithashtu pritet nxitja e bisedave të rëndësishme për identitetin, pranimin dhe rrugët e ndryshme që mund të ndiqen në kërkim të lumturisë.