Kulturë

“Libri triumfon”, tema bosht e mbi 40 ngjarjeve në Panairin e Librit

Është ngjarja më e madhe e librit në Kosovë. Panairit i Librit, i cili këtë vit shënon edicionin e 23-të, është vendtakim i një numri të madh shkrimtarësh, përkthyesish, botuesish, studiuesish e libradashësish. Edicioni i sivjetmë do të hapet të martën e 6 qershorit. Lajmin e ka bërë të ditur Edon Zeneli, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, që merret me organizimin e këtij panairi

Panairi i 23-të i librit “Prishtina 2023” do të hapë dyert më 6 qershor. Për gjashtë ditë radhazi do të strehojë mbi njëqind shtëpi botuese. Ngjarjes do t’i prijnë aktivitete të shumta, përfshirë edhe mbi 40 promovime librash e autorësh. Edicioni i këtij viti do të zhvillohet nën temën “Libri triumfon”, e cila në thelb lidhet me numrin e madh të prurjeve në gjuhën shqipe.

Është ngjarja më e madhe e librit në Kosovë. Panairit i Librit, i cili këtë vit shënon edicionin e 23-të, është vendtakim i një numri të madh shkrimtarësh, përkthyesish, botuesish, studiuesish e libradashësish. Edicioni i sivjetmë do të hapet të martën e 6 qershorit. Lajmin e ka bërë të ditur Edon Zeneli, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, që merret me organizimin e këtij panairi.

“Panairi i 23-të i librit ‘Prishtina 2023’ fillon, siç është tashmë zakon, të martën e parë të qershorit, pra më 6 qershor dhe mbaron të dielën, më 11 qershor. Panairi çel dyert në orën 12:00 të së martës, me hapjen zyrtare, ku marrin pjesë personalitete nga fushat e jetës publike nga Kosova e Shqipëria”, ka thënë ai për KOHËN.

Sikurse edhe herët e tjera, Panairi do të mbahet në hapësirat e Pallatit të Rinisë. Ndonëse, sipas Zenelit, një vend i tillë nuk është edhe aq i përshtatshëm, lexuesit dhe blerësit nuk kanë munguar asnjëherë.

“Hapësira nuk është në gjendjen më të mirë të mundshme, por fatkeqësisht nuk kemi ambient më të përshtatshëm se ky. Megjithatë, lexuesit nuk mungojnë, librat dhe botuesit nuk mungojnë, dhe kjo ka rëndësi për ne”, ka thënë ai.

Edicioni i sivjetmë i Panairit të Librit do të zhvillohet nën temën “Libri triumfon”. Zeneli ka renditur një sërë arsyesh që lidhen me këtë temë. Ndër të tjera ka përmendur “mbështetjen e dinjitetshme” që kanë marrë nga institucionet e vendit kësaj here.

“Tema e këtij viti është: ‘Libri triumfon!’. Kjo si rrjedhojë e një sërë arsyesh: E para, më e rëndësishmja, kurrë më shumë s'ka pasur prurje në gjuhën shqipe, kemi një hapësirë gjithnjë e më vibrante e të larmishme të fushës së librit. E dyta, mbështetja institucionale këtë vit, për herë të parë, është e dinjitetshme. Kjo, për të treguar që durimi dhe puna e njerëzve të librit kanë triumfuar. Ka hasur në veshë të hapur, në politikë proaktive shtetërore, në mbështetje të librit. Dhe ky është vetëm fillimi. E treta, rrjetet sociale dhe teknologjia janë parë me dyshim si një gjë që ndikon në rënie të leximit. E kundërta ka ndodhur; kanë shërbyer në funksion të rritjes së interesimit dhe leximit. E me radhë...”, ka bërë të ditur ai.

Ka bërë të ditur se këtë vit pritet të mbahen aktivitete të shumta, përfshirë “mbi 40 promovime librash e autorësh dhe një sërë përvjetorësh”. Ka thënë se detajet do të bëhen të ditura me kohë. Sikurse edhe vitin e kaluar, “Pallati i Rinisë” pritet që përsëri të bëhet strehë e mbi njëqind shtëpive botuese.

“Janë të paktën 100 botues pjesëmarrës të shpërndarë në rreth 80 ekspozues në panair. Kërkesa është gjithnjë e në rritje, që është gjithashtu në vetvete tregues i një organizimi shumë të suksesshëm”, ka konfirmuar Zeneli.

Në vitin 2020 ky panair nuk u organizua për shkak të masave të vendosura si pasojë e virusit Covid-19, të cilat pamundësonin grumbullimin e njerëzve në hapësira të brendshme e po ashtu edhe të jashtme. Për të njëjtën arsye, nuk u mbajt as një vit më vonë, më 2021-tën.

Vitin e kaluar Panairi iu rikthye publikut pas dy vjetësh mungese. Ndonëse pati numër të madh vizitorësh, shumica e shtëpive botuese u pajtuan se kriza ekonomike kishte prekur edhe këtë sektor e kjo bazuar në numrin e vogël të shitjeve.

Panairi i Librit në Kosovë për herë të parë u mbajt në nëntor të vitit 1999, ndërsa që nga atëherë ai mbahet në muajt maj ose qershor. Në gati një javë, sa zgjat ky panair, mbledh rreth vetes shkrimtarë, studiues, kritikë, studentë e njerëz të cilët leximin e kanë gjë të preferuar. Ajo çka në përgjithësi e bën të veçantë këtë ngjarje, përveç çmimeve më të volitshme, është edhe prania e shkrimtarëve nga të gjitha trevat shqiptare e më tej, si dhe organizimi i eventeve të ndryshme kulturore.