Mbi 300 libra nga biblioteka personale e akademikes së ndjerë, Edi Shukriu, të hënën i janë dhuruar Bibliotekës së Qytetit të Prizrenit. Synimi i kësaj nisme, sipas të afërmve të akademikes Shukriu, është që këto vepra të jenë të qasshme për lexuesit, në mënyrë që të mbahet gjallë kujtimi për veprimtarinë e shumanshme të saj, sikurse edhe përcjellja e kësaj trashëgimie te gjeneratat e reja
Një pjesë e librave profesionalë, por edhe autorialë nga biblioteka personale e akademikes së ndjerë Edi Shukriu do të vihen në dispozicion të lexuesve në Prizren. Këta të fundit, këtë thesar të çmuar, të përbërë nga vepra të larmishme në gjuhë të ndryshme do të mund ta eksplorojnë në hapësirat e Bibliotekës së Qytetit.
Kjo nismë, që për synim ka mbajtjen gjallë të trashëgimisë së punës kërkimore e shkencore të akademikes së ndjerë, është jetësuar të hënën nga fondacioni “Edi Shukriu” në bashkëpunim me OJQ-në “EYCD”, me ç’rast mbi 300 libra i janë dhuruar Bibliotekës së Qytetit.
Valtida Shukriu, mbesa e akademikes së ndjerë, ka theksuar se bashkëqytetarët e saj do të kenë mundësinë që t’i kenë më afër librat nga biblioteka personale e Edi Shukriut, për të pasur kësisoj qasje në veprat profesionale të fushave në të cilat ka qenë e angazhuar studiuesja shqiptare. Sipas saj, synimi është që këta libra mos të mbahen të mbyllur, por të jenë të qasshëm për lexuesit.
“Sot qyteti i Prizrenit edhe qytetarët e Prizrenit do ta kenë mundësinë që librat e Edit me i pasë afër, në gjuhët të cilat përfaqësojnë diversitet, në gjuhët shqipe, franceze, angleze, gjermane, serbokroate dhe është një pasuri mjaft e madhe për qytetin e Prizrenit. Në anën tjetër, biblioteka personale e akademikes Edi Shukriu ka qenë tepër gjigante, kam punuar rreth 4 muaj për sistemim, dhe diku mbi 500 libra do t’i dhurohen institutit historik "Ali Hadri" në Prishtinë”, ka thënë Shukriu.
Sipas saj, qëllimi kryesor i kësaj nisme është kujtimi i veprimtarisë së shumanshme të akademikes së ndjerë dhe përcjellja e kësaj trashëgimie edhe te gjeneratat e reja.
Valtida Shukriu, “Fondacioni Edi Shukriu”
ka lënë shumë punë, ka bërë shumë punë, mbi të gjitha ka lënë edhe shumë për t’u bërë. Ka shumë, në arkivin e saj personal, dokumentime, regjistrime, dëshmi për çështjet që kanë qenë mision i jetës së Edit. Ashtu siç e dimë, vepra e saj shkencore, veprimet e saj drejt të drejtave të njeriut, mbrojtjes së çështjes kombëtare të shtetit të Kosovës dhe mundi i saj që është bërë në vazhdimësi për barazi gjinore dhe për të drejtat e grave, do të thotë kanë qenë një pjesë e bibliotekës dhe arkivit të saj. Kjo do të jetë një vazhdimësi që ne si familje kemi për obligim ta vazhdojmë dhe ta përcjellim te gjeneratat e reja kontributin që Edi e ka dhënë për këtë vend”, ka thënë Shukriu.
Sahadete Sadikaj-Kukaj, drejtoreshë e Bibliotekës së Qytetit, ka vlerësuar se nga këta tituj mund të përfitojnë të gjithë lexuesit që e frekuentojnë këtë institucion kulturor.
“Çdo libër i ardhur në bibliotekën tonë është i mirëseardhur, por kur e kemi parasysh që këta libra janë nga biblioteka e akademikes Edi Shukriu, ne gjithsesi i mirëpresim edhe më tepër. Duke pasur parasysh se nga këta libra mund të përfitojnë të gjithë lexuesit pa marrë parasysh ata që janë të interesuar të dinë më tepër në këtë lëmë, ne me shumë dëshirë do t’i ofrojmë për lexuesit tanë duke shpresuar që edhe gjeneratat e reja të vazhdojnë rrugën dhe nismën e saj që ajo ka pasur në jetë”, ka thënë Sahadete Sadikaj-Kukaj.
Sipas saj, praktika të tilla të dhurimit të librave të personaliteteve ka pasur edhe në të shkuarën. Biblioteka planifikon që në të ardhmen të krijojë edhe këndet e posaçme me librat e dhuruar nga fondet e personaliteteve të shquara.
“Kemi shpresuar që në momentin kur do të kemi një hapësirë më adekuate të gjithë personat që e dhurojnë fondin e tyre në bibliotekën tonë të jetë një hapësirë e veçantë vetëm për fondin e tyre. Ndërsa për momentin në hapësirat ku jemi ky fond librar do t’u shërbejë të gjithë lexuesve, por jo i ndarë në një hapësirë të veçantë për shkak të hapësirës”, ka thënë ajo.
Akademikja Edi Shukriu ka ndërruar jetë në janar të këtij viti. Edi Shukriu u lind në Prizren më 22 tetor 1950. Sipas biografisë së saj, në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës shkollimin fillor e të mesëm i ka përfunduar në vendlindje, ndërsa studimet për arkeologji në Universitetin e Beogradit më 1972. Po në këtë universitet magjistroi për të doktoruar në Universitetin e Prishtinës më 1990. Qe profesoreshë universitare dhe akademikja e parë në Kosovë. Kontributi i saj në arsim e shkencë e po ashtu edhe në letërsi e si aktivite ka bërë që Shukriu të vlerësohet si intelektuale unike.