Kulturë

Librarët në shesh deri në pesë ditë pa asnjë shitje

Në një vend ku sipas anketave del se më shumë se gjysma e qytetarëve nuk kanë kurrfarë raporti me librin, tetë librarët e sheshit të Prishtinës e ndiejnë direkt efektin, krahas botuesve. Dy prej tyre thonë se janari ua dëshmon që janë në krizën më të thellë tash për tash e 25 vjet të veprimtarisë së tyre. Numërojnë shkaqet teksa përmendin edhe liberalizimin e vizave. Ka deri në pesë ditë pa shitur asnjë libër, dhe kjo për ta është njësi matëse e krizës

Deri në pesë ditë pa asnjë shitje, është bërë gati e zakonshme kohëve të fundit për librarët në sheshin e Prishtinës. Për ta kjo përkthehet në krizë. Fillimivitin e konsiderojnë si me të dobëtin në gati çerekshekull prej se janë aty. Tetë librashitës kanë telashet e njëjta, dhe për këtë përmendin disa arsye. Të rinjtë, sipas dy prej tyre, kanë prirë si blerës të tyre, ani pse shifra anketash nxjerrin të tjera të dhëna.

Florim Beqiri, librashitës në sheshin “Zahir Pajaziti”, ka thënë se nuk ka pasur ndryshim kaq drastik tash e 25 vjet të veprimtarisë së tij. Përmend edhe liberalizimin e vizave.

“Pasi që jemi në një kohë ndryshimesh, tash e fundit, me liberalizimin e vizave, po hetohet jashtëzakonisht shumë largimi i të rinjve, e të rinjtë kanë qenë ata kryesorët që kanë bërë blerjen e librave”, ka thënë Beqiri.

Mirsad Krasniqi, i vendosur disa shtande më larg nga ai i Beqirit, vlerëson se prej kur ka filluar muaji janar ka deri në pesë ditë që ata mbesin pa shitur asgjë. Liberalizimin e vizave edhe ai e identifikon si shkak. Ai madje e cilëson si ndër muajt më të dobët kaherë.

Por interesimin për librin në përgjithësi ai nuk e sheh si problematikën kryesore, pasi që të rinjtë kryesojnë në kërkesat për librin.

“Po shpeshherë po themi gjenerata më e moshuar po lexon më shumë. Nuk qëndron ajo. Ka prej të rinjve që po lexojnë dhe mua më gëzon ky fakt, po lexohet literatura e mirëfilltë”, ka thënë Krasniqi, duke theksuar se ky fakt atë e bën optimist.

Anketat e lexueshmërisë përherë nxjerrin se numri i lexuesve po bie vazhdimisht.

Në prillin e vitit të kaluar organizata “ETEA” bashkë me shtëpinë botuese “Dukagjini” nxorën raportin “Niveli i të lexuarit në Kosovë: Sfidat në të kultivuarit e kulturës së leximit”. Të dhënat treguan se 16.6 për qind e qytetarëve thonë se nuk lexojnë asnjë libër në vit, derisa 38.3 për qind thonë se lexojnë vetëm 1 deri në 3 libra për vit. Sipas hulumtimit, 31.29 për qind e qytetarëve nuk ishin në gjendje të kujtojnë asnjë prej tre librave të fundit të lexuar. 11.3 për qind mund ta përmendin vetëm një titull libri, kurse 11.37 për qind dinë t’i përmendin dy tituj. Në përgjithësi, 52.24 për qind nuk arrijnë t’i listojnë tre tituj librash në total. “Kjo e fundit lë të kuptohet se më shumë se gjysma e popullsisë së Republikës së Kosovës nuk ndërvepron pothuajse fare me librin”, shkruhej në Raport. Sipas Raportit, për nivelin e ulët të leximit dhe mungesës së kulturës së leximit, qytetarët e Kosovës, në shumicë, kanë arsyetimin e njëjtë: “67.5 për qind e qytetarëve thonë se nuk kanë kohë të lirë për të lexuar dhe insistojnë se do të kishin lexuar më shumë nëse do të kishin më shumë kohë të lirë”. Prej tyre, 20.7 për qind ishin përgjigjur se do të lexonin një libër në kohë të lirë, derisa 45.8 për qind preferojnë të shohin program argëtues, e 33.5 për qind që zgjedhin të bëjnë aktivitet sportiv. Në hulumtim qenë përfshirë gjithsej 1486 respondentë.

Tetë librarët në sheh kanë pasur mundësinë të shohin zhvillimin e vendit dhe ta deshifrojnë afinitetin që kanë kryeqytetasit me librin. Për dy prej tyre e kaluara ka ngelur ende në mendje, atëherë kur shitjet e librave në kioskat e tyre preknin shifrat rekorde.

“Ka qenë periudha fill pas çlirimit vitet ‘99 deri në vitet 2007 e 2008 ka pasur jashtëzakonisht shumë interes për libra. Nuk e di si ta shpjegoj, ndoshta ka qenë njëfarë gjendjeje euforie pas luftës dhe me ardhjen e lirisë, sepse edhe nëpër fakultete ishte rritur shumë numri i studentëve atë kohë dhe kishte shumë kërkesa për libra”, ka thënë Florim Beqiri.

Sa i përket interesimit të blerësve në këto shtande, spektri zgjerohet varësisht nga kërkesat e blerësve. Sipas librashitësve, më së shumti kërkohen tituj të cilët nuk gjenden nëpër libraritë e tjera komerciale në qytet, rëndom vepra që nuk botohen më.

“Ka qenë një spektër i gjerë i interesimeve, ashtu siç janë edhe studimet, mbase më tepër kanë qenë kërkesat për literaturë të shkencave shoqërore e më pak të shkencave natyrore”, ka shtuar Beqiri.

Për Beqirin e Krasniqin libri duhet të trajtohet si diçka shumë serioze, si një interes kombëtar, andaj nëpërmjet mbështetjes si librashitës ata thonë se do të kontribuonin dhe në problematikën më të gjerë të trajtimit të librit në Kosovë. E këtë mbështetje ata e kërkojnë dhe me zgjidhje konkrete që do t’ua lehtësonte veprimtarinë.

“Ndoshta do të ishte mirë të na ofrohej një pagë minimale, krahas fitimeve tona, bilës kishim pasë një dinjitet, prej nesh që shesim disa kanë pensione, jemi vetëm katër shitës që s’kemi kurrfarë të ardhur tjetër, andaj nuk është numër i madh për një pagë për Komunën apo Ministrinë e Kulturës”, ka thënë Beqiri.

Për ta, e vetmja periudhë nga e cila i kanë drejtuar sytë janë koha kur vijnë diaspora në Kosovë.

“Zakonisht shitja e librit tek ne rritet me ardhjen e diasporës gjatë verës dhe gjatë dimrit në festat e Vitit të Ri, por sërish jo në përmasat siç ishin para 4-5 viteve”, ka thënë Krasniqi. Ai dhe kolegët e tij janë të liruar nga qiraja e shtatndeve. Ka kohë që janë shndërruar në imazh të kryeqytetit. Përtej sfidave me të cilat përballen, është pasioni ai që s’i lejon të tërhiqen prej shitjes së librit.