Kulturë

Leze Qena dhe misioni me aktrim

Një karrierë që nisi kur aktorët numëroheshin me gishta dore, prizrenasja Leze Qena e ktheu aktrimin në një mision ku e tejkaloi vetveten si kandil emancipues për të thyer paragjykime kulturore. Artistja simpatike që bëri bujë si “Antigonë” dhe “Ana Frank” në performime teatrore gjysmëshekulli më parë, do të përçonte pakëputur pozitivitet prej të shenjte në çdo familje shqiptare

Ndër baladat, romancat e rrëfenjat arbëreshe dashuria e atyre që nuk jetojnë përjetësohet me qiparisin që mbin në varret e tyre. Por një i tillë bie në sy edhe në shpatet e varrezave në lagjen “Arbëria” në Prishtinë. Është thuajse “epitafi” i gjelbër i asaj që e shkoi tërë jetën në dashuri e hare: Leze Qena.

Të enjten e kësaj jave Argjenda Qena nuk ishte e vetmja që përnderonte nënën e saj aktore që u nda nga jeta një vit më parë.

Më të ishin edhe gjashtë “familjarë” të tjerë, aktorë e skenaristë, që për një dekadë punuan për së afërmi me “gjyshen” e tyre.

Aktorja e lindur në Prizren – që la pas një trashëgimi buzëqeshjesh e mirësie – u përkujtua edhe sivjet si emër i veçantë i skenës, filmit dhe publikut ia dhuroi më të mirën e shpirtit të saj.

“Mos u bëni fanatikë – duajeni njëri-tjetrin”

Shëndeti që kishte marrë tatëpjetën me vitet që po rrokulliseshin mbi shtatin e imët do të sillte aktin e fundit të një jete 85-vjeçare: në mëngjesin e ftohtë të njëzet e pesë marsit të vitit të kaluar pushoi së rrahuri zemra e aktores që e filloi karrierën me rolin e Antigonës. Dhe siç shkruante një nga numrat e revistës “Përparimi”, 52 vjet më parë, trupimëta prizrenase “plotësoi mungesën e pranisë së Antigonës në skenë”.

Por edhe jashtë skenës në teatro, Lezja do të plotësonte mungesat në familjet shqiptare duke sjellë herë një gjyshe e herë një zonjë me mirësi prej të shenjte.

E dashur për të gjithë e me humor të mirë, madje edhe në ditët kur sëmundja po ia merrte anën, ajo nuk harronte t’i porosiste të rinjtë t’u shmangeshin paragjykimeve e fanatizmit fetar – shi për këtë e përsëriste maksimën e Pashko Vasës, “mos shikoni kisha e xhamia, feja e shqiptarit është shqiptaria”.

“Ju lutem mos u bëni fanatikë, por duajeni njëri-tjetrin. Pajtohen njerëzit e kombësive të ndryshme e lëre më shqiptari me shqiptarin”.

“Një natë dimri afër pranverës”

Në vitet pleqërishte kur rikapitulimi i jetës bëhet si një përrallë e bukur pa mëri, aktorja e dashur kthehej pas në kohë për të ndërmendur ditët kur qe njohur me fatin e saj të jetës, aktorin Xhevat Qena. Nëna e saj, Katerina, jo lehtë e kishte pëlqyer lidhjen e vajzës së saj me një djalosh të fesë muhamedane.

E lindur më 1 mars të vitit 1935, në Prizren, bijë e Zefit dhe Katarinës, Elizabeta Spaqi mbaroi shkollimin fillor dhe atë të mesëm në vendlindje, për të vazhduar më pas edhe në Prishtinë.

“Njëherë moti në një natë dimri afër pranverës, mu atëherë kur shkunden plakat, në një shtëpi të vogël romantike ka lind një fëmi. Të gjithë u gëzuan për të, por më së shumti nëna. Linda më 1 mars 1935 në qytetin më të bukur në botë, në Prizren”, kishte thënë ajo pesë vjet më parë në emisionin “PRO X” në Kohavision.

Si e dyta në familjen më shumë fëmijë, Qena kishte thënë se ajo kishte qenë gjithherë e përkëdhelura e prindërve të saj.

“Vërtet kushtet nuk kanë qenë sikur sot, por për mua ato ishin shumë të kënaqshme. Kam qenë fëmijë i llastuar prej babait, i cili ma plotësonte çdo dëshirë”, evokonte fëmijërinë e saj në Prizren.

Pos përvojës së gjatë në skenën teatrore në vend, aktorja Qena do të bënte emër edhe në miniseri televizive e komedi. “Po e zëm, po e zëm” (1970), “Ditari i Lec Pazhecit” (1975), “I ikuri” (1980), “Qesh e ngjesh” (1982), dhe “Shkolla e fshatit” (1987), ishin disa prej performancave të njohura të Qenës me të cilat bëri për vete simpatinë e publikut.

“Doja të isha balerinë”

Me bisedën që dellëzohej në gjithfarë episodesh jetësore në të ri të saj, Qena thoshte se nuk e kishte menduar asnjëherë rrugën e aktores.

“Nuk është që nuk e kam dashur, por nuk kam guxuar për shkak se mendoja se për aktore nevojitej të ishe e gjatë, e bukur, alla-Sophia Loren. E pata fshirë krejtësisht nga mendja. Dëshira ime ishte të bëhesha balerinë, por kushtet ishin të atilla që nuk mu plotësua ajo dëshirë”, kishte thënë ajo para disa vjetësh.

Me inercionin e konservatorizmit që nuk shqitej lehtë nga mjedisi kulturor i kohës, përsëri nëna e saj nuk e kishte pranuar kollaj vendimin e së bijës për t’u bërë aktore. Por Zefi, i ati i saj, e kishte përkrahur në zgjedhjen e saj.

Roli i parë ishte në shfaqjen komedi “Fjala është për banesën”.

Në këtë shfaqje ishte edhe Xhevat Qena, dhe karakteri që performoi ishte dashnorja e Xhevatit.

“M’i futi të dy këmbët në një këpucë dhe më pas dihet. Mirëpo tre ose katër muaj para shfaqjes Xhevati kishte qenë në Prizren në një turne, dhe tek ‘Foto Nesha’ e kishte parë fotografinë time dhe ishte dashuruar në fotografi. I kishte thënë kolegut të tij: Kjo ka me qenë gruaja ime. Dhe ashtu u bë”, kishte rrëfyer Qena për njohjen me bashkëshortin e saj, Xhevat Qena, aktori i njohur i cili vdiq më 2003.

Në fillim ajo më shumë do të luante role fëmijësh, të djemve në veçanti.

“Ndoshta në atë mënyrë e kam përfituar publikun, sepse fëmijët gjithmonë janë simpatikë edhe rolet kanë qenë simpatike. Më duket kam mbetur gjithmonë fëmijë, se edhe tash sillen me mua sikur të isha e tillë”, kishte thënë Qena.

“Loja e saj është origjinale”

Në “mishin” e historisë autentike të një fëmije, ajo do të performonte rolin e saj më të shënueshëm në karrierën teatrore. Më 1957, prizrenasja 22-vjeçare do të interpretonte Ana Frankun në shfaqjen “Ditari i Ana Frankut”, me regji të Slobodan Popiqit.

E dramatizuar nga autorët amerikanë, Frensis Gudring dhe Albert Heket, shfaqja sillte historinë e vajzës hebraike që mbajti ditar në ditët e errëta të okupimit nazist në qytetin Amsterdam.

“Lezja kishte një të përbashkët me Ana Frankun. Lufta e Dytë Botërore për të nuk ishte as histori, as përrallë. Si fëmijë e kishte përjetuar edhe vetë”, do të shkruante dramaturgu Arian Krasniqi në tekstin “Leze Qena – si Borëbardha dhe si Ana Franku”, botuar në Shtojcën për Kulturë të “Kohës Ditore” më 28 mars të vitit të kaluar.

Ky rol do t’i sillte asaj Shpërblimin e Majit – më të madhin çmim të asokohshëm në nivel vendi.

Vlerësimet e kritikut Vehap Shita mbi rolin e Qenës theksonin aftësitë e saj origjinale në interpretim. Janë të tilla që do ta përcillnin nga roli në rol në skena e televizion.

“Rrallë mund të gjendet një artiste ashtu e përshtatshme që me dukjen e vet fizike do t’i përshtatej aq bukur Anës trembëdhjetëvjeçare e me fuqinë e talentin e saj do të ishte në gjendje ta interpretonte Anën si figurë të pjekur që rezonon në mënyrë aq të habitshme për moshën e saj. Zgjedhja e Leze Qenës për këtë rol në teatrin tonë ka qenë shumë e qëlluar. Loja e saj e gjallë origjinale, pa improvizime e artificialitete, përjetimi i rolit dhe mishërimi me të, bënë që ta kemi edhe më të afërt, ta përjetojmë për disa momente Anën, si figurë, Anën si krijesë, të gjallë, bënë që të na duket se për një moment nuk jemi në sallën e teatrit, se i kemi kaluar kufijtë që na ndajnë nga skena dhe jemi hedhur edhe ne diku në tavanin e magazinës holandeze, për të na u mbushur sytë me lot atëherë kur Ana gëzohet me Mushin e Petrit, kur i kujtohet se e ka lënë maçorrin e vet në kuzhinë, me shumë ushqim përpara dhe me një letër fqinjëve që të kujdesen për të, kur i thërret të gjithë banorët e frikësuar të tavanit të saj që të këndojnë për Anukën, për gëzimin që ende janë gjallë, për gëzimin që ndoshta ende do të jetojnë”.

“Një thesar i çmuar”

Pas përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, Lezja shumë më pak dhe shumë më rrallë luajti në teatër. Që nga kjo kohë, ajo u shfaq kryesisht në ekranin e televizorit si pjesë e shumë projekteve televizive. Shikuesit për më shumë se një dekadë e njohën, e pëlqyen dhe e deshën si Gjyshja e serisë televizive “Familja moderne”.

Në ditëlindjen e vet të 75-të, më 2010, ajo do të ringjiste shkallët e teatrit me shfaqjen “Macja mbi çatinë e nxehtë”, nën regji të Florent Mehmetit.

Ministri i asokohshëm i Kulturës, Valton Beqiri, e kishte vlerësuar lart aktoren shumëvjeçare. “Angazhimi juaj në skenën e teatrit është një thesar i çmuar për historinë e teatrit në Kosovë”, kishte thënë Beqiri.

“Lezen e kam njohur qysh prej fëmijërisë jo nga afër, por nga veprat e saj në teatër dhe televizion”, kështu e kujtonte regjisorja Burbuqe Berisha, e cila kishte punuar si menaxhere e kësaj shfaqjeje.

“Tash çdo gjë është komercializuar”

Me humbjen e rolit të teatrit kishte shprehur zhgënjim edhe vetë Qena, në një intervistë për “Kohën Ditore”, në dhjetorin e 2014-s, kur bashkë me aktorin Adem Mikullovci do të ktheheshin në dërrasat e Teatrit Kombëtar të Kosovës me shfaqjen “Dashnori i nënës sime”, nën regji të Iliriana Arifit.

Shfaqja me tekst të Mikullovcit qe një synim për ta kthyer shkëlqimin e dikurshëm të teatrit.

“Më ka pëlqyer disiplina e asaj kohe. Dashuria për teatrin më duket ka qenë më e fortë. Ndoshta jo vetëm për teatër, por për çdo gjë. E tash më duket se gjithçka është komercializuar. Shohim vetëm ku ka para”, kishte thënë Qena.

“Ne nuk e kemi shikuar atë. Bile kur kam ardhur në provim thosha: ‘Nuk dua asgjë, vetëm le të më pranojnë. Më mjafton një copë bukë me një qoshe, asgjë tjetër”.

“Kënaqeshim ne, kënaqej edhe publiku”

Të njëjtën do ta përsëriste katër vjet më vonë edhe në emisionin “N’Gas’z” të gazetarit Lekë Rezniqi. Teksa vetura po përpinte e po përpinte kilometrat, Qena vijonte të evokonte çaste nga jeta e saj në skenë. Dhe gjithmonë duke e theksuar kontrastin mes të djeshmes dhe të sotmes.

“Publiku kur vinte në teatër vishej sikur të shkonte në operë. Nuk kishte vend tjetër ku të shkoje e të rregulloheshe. Asnjëherë nuk vinin femrat me kostume të njëjta. Pas çdo pauze të shfaqjes ato dilnin dhe shihnin njëra-tjetrën. Ishte si një revy mode. Kishte atmosferë të këndshme. Kënaqeshim ne, por kënaqej edhe publiku”, kishte thënë ajo.

“Tash asgjë nuk është interesante si atëherë. Çdo gjë është e zbuluar, meqë kur dihet sekreti i punës tënde nuk është më interesant. Asokohe vidhnim zanatin, libra që nuk guxonim t’i lexonim e vidhnim dashuri kur fshiheshim prej prindërve. Por ajo ishte dashuri më e fortë se sot”.

Kishte qenë shtatori i vitit 2012 kur filloi realizimi i rubrikës së veçantë “Kafe me Leze Qenën”. E ideuar nga producenti i KTV-së, Dardan Selimaj, programi i mëngjesit ishte menduar që çdo të shtunë Lezja të ishte nikoqire e të ftuarve në studio përkrah edhe prezantueseve të tjera të emisionit “Sot”, Mirjeta Morina, Violeta Binaj, Vlera Jusufi, Dafina Lata, Ardiana Shala, Medijana Rrahmani, e të tjera.

“Si një i ri në këtë profesion atëherë, e kisha marrë me shumë ngarkesë tërë procesin, pasi që edhe kisha të bashkëpunoja çdo të shtunë me një ikonë të artit në vendin tonë si Leze Qena”, kujtonte gazetari Rezniqi ditët kur projekti u vu në binarë.

“Por, Lezja si Lezja. Një zonjë e madhe, ku në praninë e saj askush nuk e ndiente veten të vogël. Të afronte që në çastin e parë, ta gjente pikën më të bukur të karakterit dhe tentonte ta vinte në pah, duke të bërë që në momentin kur e takon ta ndiesh veten sikur ajo të ka njohur tërë jetën”.