Kulturë

“Leximet në skenë” me synim për promovimin e dramës shqipe

Tekste dramaturgjike të krijuesve nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia e Veriut janë përzgjedhur për t’u lexuar nga aktorë të Teatrit Kombëtar në Tiranë. Në edicionin e sivjetmë të këtij aktiviteti, që do të transmetohet online, juria do të përzgjedhë dramat më të mira që do të jenë pjesë e repertorit të institucionit më të madh teatror në Shqipëri. “Kjo na bën të besojmë dhe shpresojmë se ka arsye të vazhdueshme që ta shkruajmë dhe kultivojmë dramën shqipe”, ka thënë për KOHËN dramaturgu Arian Krasniqi

Për dramaturgët skena është ajo që i jep arsye ekzistencës së krijimit të tyre. Me synimin për t’i dhënë shtysë komunitetit të dramaturgëve shqiptarë, Teatri Kombëtar në Republikën e Shqipërisë i është rikthyer nismës për lexime artistike të teksteve dramaturgjike.

Institucioni më i madh teatror në Shqipëri ka njoftuar për mbajtjen e edicionit të sivjetmë të aktivitetit “Netët e leximit të dramës shqipe”. Në njoftimin e afishuar me këtë rast është thënë se edicioni “Netët e leximit të dramës shqipe IV” do të zhvillohet online dhe do të shtrihet gjatë gjithë vitit.
“Veprat më të mira të këtij edicioni do të jenë pjesë e kalendarit artistik për vitin 2022, me shpresën që skenat e Teatrit të rihapen”, thuhet në njoftimin e TK-së.

Dramaturgë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë në mesin e krijuesve që janë veçuar për t’u përfshirë në këtë edicion, derisa në muajt në vazhdim do të njoftohen veprat e tjera të përzgjedhura.

Në mesin e tetë veprave të zgjedhura dramaturgjike janë tekstet: “Djali me fytyrë zogu” nga Arian Krasniqi, “Muslimani” nga Enver Petrovci, “Departamenti i ëndrrave” nga Jeton Neziraj, “Pallati i ëndrrave” nga Altin Basha, “Pahitik në ëndërr” nga Xhabir Ahmeti, “Prefekti” (Rikonceptim) nga Besim Levonja, “Mea Culpa” nga Diana Çuli, si dhe “Duke pritur Gobon” i Armand Borës.

Dramaturgu nga Kosova, Arian Krasniqi, ka vlerësuar se nisma për edicionin “Netët e leximit…” është një nxitje për shkrimin, promovimin dhe avancimin e dramës shqipe.

“Nga këto tekste të përzgjedhura për lexim, më të mirat prej tyre do të përzgjidhen për inskenim të plotë në vitin e ardhshëm”, ka thënë Krasniqi i cili është edhe profesor në Degën e Arteve Dramatike në Fakultetin e Arteve të Bukura. “Kjo na bën të besojmë dhe shpresojmë se ka arsye të vazhdueshme që ta shkruajmë dhe kultivojmë dramën shqipe”.

Edhe regjisori e aktori Enver Petrovci ka thënë se nisma e Teatrit Kombëtar për lexime artistike është për t’u admiruar dhe përben shtytje për dramaturgët shqiptarë se puna e tyre po përcillet.

Duke folur për dramën e tij “Muslimani”, ai ka thënë se gjendja me pandeminë ka bërë që të shtyhet realizimi i saj.

“Ajo është përzgjedhur, sepse trajton aktualitet e problematikë të hapësirës mbarëshqiptare dhe botërore”, ka thënë Petrovci teksa ka bërë me dije se ajo do të inskenohet edhe në Teatrin kamertal të Sarajevës si dhe Teatrin Popullor në Nish.

“E vërteta është se dëshira ime e madhe është që drama ta përjetojë premierën botërore në gjuhën shqipe, sepse kam bindjen e plotë se kjo dramë do të vendoset në shumë skena botërore”, ka shtuar ai.

Për edicionin e sivjetmë të “Netëve të leximit të dramës shqipe”, Petrovci – që është profesor në Degën e Arteve Dramatike në Fakultetin e Arteve të Bukura – ka thënë se është detyrë e çdo teatri kombëtar t’i popullarizojë dramat vendore.

“Kjo është edhe arsyeja pse quhen kombëtare, pa marrë parasysh se në çfarë niveli janë ato drama. Bota më me dëshirë e pranon një shfaqje qoftë edhe mesatare, por origjinale, sesa një dramë të huaj në teatrot shqiptare”, ka thënë ai.

Ndryshe, aktiviteti “Netët e leximit të dramës shqipe” kishte nisur për herë të parë në vitin 2014 me synimin për promovimin e dramaturgjisë shqipe. Pas një shkëputjeje disavjeçare, vitin e kaluar ky edicion ishte rikthyer online në eksterierin e “ArTurbina” me leximin skenik të veprës “Hijet e natës” të shkrimtarit Vedat Kokona.

Në thirrjen e hapur gjatë vjeshtës, Teatri Kombëtar iu kishte bërë thirrje dramaturgëve dhe regjisorëve shqiptarë që t’i dorëzonin veprat e tyre pranë Sekretarisë së këtij institucioni. Sipas njoftimit të asokohshëm, TK, pas fazës së parë, bën përzgjedhjen paraprake të veprave më të përshtatshme për t’iu nënshtruar leximit publik. Në fazën pasuese, veprat e përzgjedhura i nënshtrohen sistemit të leximit publik të veprës artistike nga aktorë të TK-së.

“Në fund të edicionit, Teatri Kombëtar do të bëjë publike edhe tekstet e dramës shqipe që do të jenë pjesë e repertorit të kalendarit artistik 2021-2022, i cili do t'iu dedikohet plotësisht veprave shqiptare”, ishte thënë në njoftimin e asokohshëm.