Regjistrimi falas në bibliotekën e qytetit “Hivzi Sulejmani” ka qenë njëra prej mënyrave për ta shënuar në Prishtinë Ditën Ndërkombëtare të Librit për Fëmijë. Ani pse bazuar në anketa, shifrat për rënie të leximit janë alarmante, një ditë si kjo është festë. Kësaj ngjarjeje i është bashkuar edhe Karvani i shkrimtarëve për fëmijë, “Agim Deva”, e përtej shifrave, shkrimtarët për fëmijë janë optimistë jo vetëm për një gjeneratë të re lexuesish. “Letërsia për fëmijë vazhdon. Vazhdon botimi i autorëve dhe me krijimtarinë e krijuesve të rinj. Nëpër shkollat që vizitojmë kemi takuar dhe takojmë talente të reja që presim t’i vijnë letërsisë sonë”, ka thënë shkrimtari Xhevat Syla
Numri i fëmijëve të regjistruar në bibliotekën e qytetit “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë gjatë të mërkurës deri në orën 15:00 ka qenë mbi 370 veta. Institucioni ka hapur dyert për regjistrim falas në Ditën Ndërkombëtare të Librit për Fëmijë. Afërsisht kaq emra, bibliotekës i kanë mbërritur nga shkolla “Xhemajl Mustafa” në Prishtinë ku çdo kujdestar ka dërguar emrat e klasës së vet. E manifestimi i kësaj feste të librit për fëmijë, ka qenë midis aktiviteteve të bibliotekës.
Prej vitit 1967, ditëlindja e shkrimtarit danez Hans Christian Andersen është caktuar të jetë Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë nën sponsorizimin e Këshillit Ndërkombëtar të Librit për të Rinj. Në bibliotekën “Hivzi Sulejmani” të mërkurën s’kanë pasur një shifër për numrin e përgjithshëm të lexuesve të regjistruar, por kanë thënë se mund të shkojë në mbi 8 mijë. Kurse në aktivitetin për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Librit për Fëmijë, pjesëmarrësit kanë qenë në numër jo të vogël.
Në sallën e bibliotekës është lexuar mesazhi i kësaj dite që sivjet mban titullin “Gjuha e figurave” dhe ka autorësinë e artistes holandeze, Rian Visser. Është një tekst artistik, ku ngacmon për ndërlidhjen e figurave dhe fjalës. Tema e sivjetshme e Ditës qe “Liria e të imagjinuarit”.
Në manifestimin e “Hivzi Sulejmanit” është promovuar libri “Kapërce detet në krahët e imagjinatës” me tregime dhe ese të shkruara nga nxënësit pjesëmarrës në konkursin letrar, organizuar vitin e kaluar nga ky institucion.
Shkrimtari i letërsisë për fëmijë, Xhevat Syla, njëherësh udhëheqës i Karvanit të shkrimtarëve për fëmijë, “Agim Deva”, ka thënë se në këtë përmbledhje ka pasur prurje shumë të mira e sidomos në prozë. Ka treguar se hapat e parë zakonisht janë poezi por është gjë e mirë që talentet e reja po shkruajnë prozë.
“Kemi një strukturë të mirë të tregimit. Tregimi, ka fillimin, mbarimin e më të rëndësishmen, mesazhin. Ka edhe recensione për vepra të lexuara. Ka tema të ndryshme por dominante është libri, shkolla e mësimi”, ka thënë Syla. Ka treguar të jetë i gëzuar që ky libër ka dalë me një përgatitje të mirë dhe se do të jetë një pasuri e veçantë për bibliotekat e shkollave. Ka pasur një mesazh për krijuesit e rinj.
“Ushqimi më i mirë për talentet është leximi. Andaj mos të harrojnë të shkruajnë por edhe të lexojnë”, ka thënë ai.
Nxënësi Florian Thaçi ka lexuar tregimin e tij “Magjia e zambakut” bashkë me nxënësen Amra Ramiqi, e cila ka lexuar një prej poezive të saj. Poezi për fëmijë për të pranishmit kanë lexuar edhe anëtarët e Karvanit të shkrimtarëve për fëmijë, Xhevat Syla, Ibrahim Kadriu, Xhemë Karadaku, Skender Zogaj dhe Jonuz Fetahaj. Leximet janë bërë në përcjellje me piano nga nxënësja Vesa Veselaj.
I pyetur për gjendjen e letërsisë për fëmijë në këtë periudhë, shkrimtari Xhevat Syla ka thënë se Kosova ka një letërsi të zhvilluar për fëmijë. Ka treguar se ajo daton nga viti 1953 kur botohen librat e parë për fëmijë në gjuhën shqipe. Ka përmendur “Lugjet e verdha” më 1959 si romanin e parë shqip të botuar për letërsinë për fëmijë me autor Rexhep Hoxhën.
“Ndërkaq librat e parë i kemi të Mark Krasniqit, të Rexhep Hoxhës, Mehmedali Hoxhës e Lutfi Rusit. Janë emrat e brezit të parë të letërsisë për fëmijë. Në një atmosferë iluminizmi lindi brezi i dytë i shkrimtareve për fëmijë me shumë emra e shumë libra. Ky brez i cili e ka bartur barrën e zhvillimit të letërsisë shqipe për fëmijë Rifat Kukaj, Vehbi Kikaj, Rrahman Dedaj, Qamil Batalli, Fevzi Bojku e shumë shkrimtarë të tjerë të këtij brezi deri te Agim Deva, Ymer Elshani e të tjerë”, ka thënë Syla.
Si përparësi e ka parë faktin se në vitet ’70 në Kosovë janë botuar edhe veprat e autorëve nga Shqipëria ku ka përmendur disa emra, ndër ta Adelina Mamaqin, Odhise Grillon e të tjerë. Syla ka thënë se letërsia për fëmijë gjithnjë është marrë si një ndër shqiptarë.
“Sivjet jemi në fillim të çerekshekullit të dytë të Karvanit të Shkrimtarëve për Fëmijë. Letërsia për fëmijë vazhdon. Vazhdon botimi i autorëve dhe me krijimtarinë e krijuesve të rinj. Nëpër shkollat që vizitojmë kemi takuar dhe takojmë talente të reja që presim t’i vijnë letërsisë sonë. Ne lëvizim me një mision të veçantë që të nxisim leximin dhe krijimtarinë”, ka thënë Syla.
Drejtoresha e bibliotekës “Hivzi Sulejani”, poetja Naime Beqiraj ka thënë se interesimi gjatë ditës për t’u regjistruar në këtë institucion ka qenë shumë i lartë.
“Ka pasur një interesim të madh dhe ky është lajm i mirë”, ka thënë ajo.
Biblioteka e qytetit të Prishtinës është themeluar pas Luftës së Dytë Botërore dhe është institucion kulturor, edukues e informues që grumbullon, pasuron, përpunon, mirëmban dhe ruan koleksionet e veta nga fushat e ndryshme të krijimtarisë dhe të veprimtarisë intelektuale me qëllim që t’i bëjë të njohura dhe t’ua vërë në dispozicion shfrytëzuesve për t’i lexuar, hulumtuar e studiuar dhe për t’ i lënë trashëgim gjeneratave të ardhshme.
Hapësirat e ndërtesës së re të bibliotekës në lagjen “Dardania” shfrytëzohen edhe nga shumë studentë. Sallat e leximit janë vazhdimisht plot. Por shifrat prej anketave, dalin alarmante. Njëri prej raporteve, ai i qershorit të vitit 2019 “Lexueshmëria në shkollat fillore publike të Prishtinës”, i realizuar nga organizata joqeveritare ETEA, kishte nxjerrë se, shumica e filloristëve s’i kujtojnë tre librat e fundit të lexuar.
Nga 878 nxënës të anketuar, vetëm 46.2 për qind kishin arritur të kujtojnë tre librat e fundit të lexuar. Një përqindje prej 23.9 për qind kishte arritur të kujtojë vetëm dy sosh, përderisa 12.1 për qind e nxënësve nuk kishin arritur të kujtojnë asnjë libër të vetëm. Hulumtimi mbi lexueshmërinë kishte përfshirë gjithsej 20 shkolla fillore nga 44 sa janë gjithsej. Raporti “Lexueshmëria në shkollat fillore publike të Prishtinës” ishte realizuar pas atij “Lexueshmëria në shkollat e mesme të ulëta publike të Prishtinës”, që u publikua në maj të atij viti. Edhe aty kishte dalë se as gjysma e nxënësve s’i kujtojnë tri lektyrat e fundit që i kanë lexuar.
“Rënia e nivelit të leximit fillon të bjerë nga kalimi prej klasave të katërta në klasat e pesta me 57.5 për qind të nxënësve që kanë qenë në gjendje të kujtojnë tre librat e fundit. Analizat gjinore mbi nivelin e lexueshmërisë tregojnë që vajzat lexojnë më shumë libra sesa djemtë me një mesatare prej 2.14 libra përkundër 1.96 të librave të lexuar me vetëdëshirë nga djemtë”, thuhej në përmbledhjen e gjetjeve kryesore.