Kulturë

Lesley Lokko bëhet kuratorja e parë me ngjyrë që drejton Bienalen e Arkitekturës në Venecia

Bienalja e Arkitekturës në Venecia ka zgjedhur Lesley Lokkon për të kuruar edicionin e radhës. Kjo ka bërë që për herë të parë një person me origjinë afrikane të drejtojë bienalen më të njohur të arkitekturës në botë. Kjo bën që ajo të jetë edhe arkitektja e parë me ngjyrë që e organizon atë, si dhe një nga gratë e pakta që kanë marrë përsipër rolin e kuratores. Bienalja nën udhëheqjen e Lokkos do të hapet më 20 maj të vitit 2023.

Ashtu si simotra e saj, Bienalja kushtuar artit, Bienalja e Arkitekturës në Venecia është kuruar kryesisht nga arkitektë të bardhë me bazë në Evropë. Lëvizja mund të jetë një shenjë e një gatishmërie të vonuar e që duhej të ishte bërë prej kohësh për të shpërfaqur laramani në gradat e larta të Bienales.

E lindur në qytetin Dundee të Skocisë dhe e rritur në Ganë, Lokko njihet për ndikimin e saj në botën e akademisë, në të cilën ka mbrojtur idenë se arkitektura është e pandashme nga raca. Në vitin 2000 ajo shkroi “Letrat e bardha, shenjat e zeza: Raca, hapësira dhe arkitektura”, dhe që atëherë ka shkruar disa libra. Ajo gjithashtu ka hapur dy shkolla për arkitekturë në Afrikë: një program pasuniversitar në Universitetin e Johanesburgut dhe Institutin e së ardhmes afrikane në Akra, ku ajo edhe vepron aktualisht. Ajo gjithashtu themeloi “FOLIO” apo rrëfimi i arkitekturës bashkëkohore afrikane.

Lokko bëri bujë vitin e kaluar kur dha dorëheqjen nga shkolla e arkitekturës “Bernard dhe Anne Spitzer” në New York, ku kishte marrë pozitën si drejtoreshë në vitin 2019.

Për “Architectural Record”, ajo kishte thënë se dorëheqja e saj erdhi pas mungesës së mbështetjes. “Mungesa e respektit dhe ndjeshmërisë për njerëzit me ngjyrë, veçanërisht për gratë me ngjyrë, më bëri të pasigurt, megjithëse nuk është aspak unike për Spitzer”, kishte thënë ajo. “Mendoj se në fund mund të them se dorëheqja ime ishte një akt i thellë i vetëruajtjes”.

Në një deklaratë të publikuar në lidhje me emërimin e saj në Bienalen e Arkitekturës në Venecia, Lokko ka lënë të kuptohet se edicioni i saj do të trajtojë në njëfarë mënyre ndryshimet thelbësore që kanë ndikuar në botë gjatë dy vjetëve të fundit.

“Pas dy vjetëve më të vështira dhe më përçarëse në kujtesën e tanishme të njerëzve, arkitektët kanë një mundësi unike për t'i treguar botës atë që bëjmë më mirë: të parashtrojnë ide ambicioze dhe kreative që na ndihmojnë të imagjinojmë një të ardhme më të barabartë dhe të përbashkët”, ka thënë ajo. Gjersa ka shtuar se falënderon presidentin Robert Cicutto dhe të gjithë ekipin e Bienales për këtë zgjedhje, sipas saj, të guximshme.

Në Bienalen e Arkitekturës në Venecia, Kosova debutoi më 2012. Asokohe shteti ishte prezantuar me “Punuesi i filigranit”, të kuratorit Përparim Rama dhe për komisioner ishte caktuar arkitekti Bekim Ramku. “Punuesi i filigranit” mëtonte të hidhte dritë mbi trashëgiminë kulturore të Kosovës. Më 2014, Gëzim Paçarizi kishte përfaqësuar Kosovën me “Visibility (imposed modernism)” (Dukshmëria - Modernizmi i imponuar). Kulla e punuar nga 720 stola përcillte historinë arkitekturore të Prizrenit. Vënia në dukje e ndryshimeve që ka pësuar ky vend gjatë një shekulli ka qenë ajo që ishte prezantuar në konceptin kuratorial. Dy vjet më vonë, sherri i Ministrisë së Kulturës që nuk ishte kujdesur për procedurat, Kosova s’u përfaqësua, për t’u rikthyer më 2018 me Eliza Hoxhën, me veprën “Qyteti është gjithandej”, që zhvendosi atje shtëpinë kosovare të viteve ’90. Në edicionin e 2020-s, që u mbajt sivjet, Maksut Vezgishi me “C0ntainp0rary” zbërthente pyetjen se si mund të jetojmë së bashku. Pavijoni i Kosovës ngrihet në Arsenale, i cili bashkë me Giardinin janë vendet kryesore ku shtrihen veprat e shteteve pjesëmarrëse.

Sa i përket përfaqësimit të Kosovës në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecie, gjithçka kishte filluar më 2013. Asokohe Petrit Halilaj kishte paraqitur instalacionin “Jam i untë me të pasë ngat. Po du me i gjetë fjalët që më ngopin, por në fund s’mbetet tjetër pos nji qark i mbyllun. Ironia asht që ti nuk je këtu, asni gja nuk asht këtu”. Më 2015, përfaqësuese e Kosovës ishte artistja Flaka Haliti me veprën “Speculating in the blue” (Spekulim në të kaltër). Më 2017 ishte Sislej Xhafa me veprën “Lost and Found”, një thirrje e fuqishme për fatin e të zhdukurve gjatë luftës. Me histori lufte, Kosova ishte përfaqësuar edhe më 2019 nga Alban Muja me “Family Album” (Albumi familjar). Këtë vit Jakup Ferri temës së përcaktuar nga Bienalja do t’i përgjigjet me “Monumentalitetin e përditshmërisë”, që mund të shihet si propozim për të ardhmen dhe si shpresë.