Kulturë

“Leonardo da Vinci” njeh vlerat artistike të piktores nga Kosova

“Ky çmim i jep njohje punës dhe përkushtimit që kam vënë në fushën e artit. Andaj patjetër që është shumë i rëndësishëm. Ditët si kjo më bëjnë krenare për veten që nuk dorëzohem kurrë dhe besoj gjithmonë se edhe nga një vend i vogël mund të fluturosh nëpër botë me artin tënd”, ka thënë Argenita Fetahu, e cila ka marrë në Milano çmimin ndërkombëtar, “Leonardo da Vinci”

“Air” titullohet vepra e cila artistes Argenita Fetahu ia siguroi çmimin ndërkombëtar “Leonardo da Vinci”. Ndonëse ndahet për disa artistë, ai shpërblen vetëm një prej secilit shtet. Shpërblimi me një çmim të tillë, sipas Fetahut, nuk është i rëndësishëm vetëm për të si artiste, por ai do të shërbejë si frymëzim edhe për shumë të artistë të tjerë të Kosovës. Për Fetahun, e cila merret me disa mediume të artit, përfshirë pikturën, vizatimin, skicat, gdhendjen e të tjera, një çmim i tillë veçse konfirmon punën e palodhshme të vetë artistes.

Mbi një fushë ngjyrë kremi qëndron i varur një fustan ngjyrë të kuqe të errët. Pjesa më e madhe e fustanit ka një ngjyrë aq të mbyllur, saqë duket sikur e zezë. Pjesa e sipërme përbëhet nga dy palë shirita të hollë, të cilët qëndrojnë të varur nga një varëse klasike rrobash. Por, çuditërisht kjo varëse nuk arrin ta mbajë tërë fustanin. Duket sikur ajo ndihmon vetëm pjesën e epërme të fustanit që të mos bjerë në tokë. Pas asaj që supozohet të jetë pjesa e mesit, beli i një trupi, piktura nis e merr pamjen e një fustani të veshur. Gjendja bëhet edhe më e qartë poshtë fustanit, aty kur syri arrin të shohë dy këmbë njeriu. Por në këtë pikturë, gjithçka është kthyer përmbys. Duket sikur asgjë nuk qëndron në vendin e vet. Këmbët qëndrojnë drejt dhe lart. Nëse piktura do të shikohej mbrapsht, trupi do t’i ngjante dikujt që përkulet goxha shumë, por që në vend të kokës, ka një varëse rrobash.

Kjo është “Air”, vaj në pëlhurë, 180 me 90 centimetra, e cila Argenita Fetahun e dërgoi në Milano, ku javën e kaluar mori “Leonardo da Vincin”. Shpërblimi me një çmim të tillë, në një ceremoni e cila u mbajt në Muzeun Kombëtar të Shkencave dhe Teknologjisë “Leonardo da Vinci” në Milano, ka qenë një aprovim i punës së palodhshme të artistes.

“Ky çmim i jep njohje punës dhe përkushtimit që kam vënë në fushën e artit. Andaj patjetër që është shumë i rëndësishëm. Ditët si kjo më bëjnë krenare për veten që nuk dorëzohem kurrë dhe besoj gjithmonë se edhe nga një vend i vogël mund të fluturosh nëpër botë me artin tënd”, është shprehur ajo.

Fetahu, e cila ka të përfunduar studimet master në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, ka folur edhe për rëndësinë që ky çmim ka edhe për artistët e tjerë të Kosovës.

“Si një artiste nga një vend i vogël si Kosova, e di se sa sfida mund të hasin ata që ndjekin pasionin e tyre në fushën e artit. Çmimet ndërkombëtare janë një tjetër dimension i vlerësimit të artit. Shpërblimi me këtë çmim nuk është vetëm një arritje personale, por është gjithashtu një mundësi për të përfaqësuar Kosovën dhe për të frymëzuar artistët e tjerë nga vende të vogla që të ndjekin pasionin e tyre. Ditë si kjo më bëjnë të ndihem e vlerësuar dhe krenare dhe më shtyjnë të punoj edhe më shumë”, ka thënë Fetahu.

Image
Vepra “Air”, vaj në pëlhurë, 180 me 90 centimetra, me të cilën Argenita Fetahu ka marrë çmimin “Leonardo da Vinci”

Dy kuratorët italianë, Salvatore dhe Francesco Saverio Russo, kanë qenë ata që kanë bërë përzgjedhjen e disa prej artistëve më të mirë ndërkombëtarë dhe bashkëkohorë. Ata kishin përzgjedhur vetëm një artist nga një shtet i caktuar. Në këtë rast nga Kosova kishin përzgjedhur Argenita Fetahu me veprën “Air”. Lajmin artistja Fetahu e kishte pranuar nëpërmjet e-mailit.

“Jemi shumë të lumtur që ju shpërblejmë me çmimin ndërkombëtar ‘Leonardo da Vinci’. Çmimi është për artistët meritorë për vlerat artistike. Do të shpërbleheni më 5 prill 2023 në Muzeun Kombëtar të Shkencës dhe Teknologjisë ‘Leonardo da Vinci’ - Milano, në prani të koleksionistëve, gazetarëve, politikanëve dhe artdashësve”, shkruhej në e-mailin që kishte pranuar artistja. Ajo kishte vendosur që të shkonte vetë në Milano dhe të pranonte këtë çmim, që, sipas saj, është dëshmi e vlerësimit të punës së saj.

“Më kishte ardhur një e-mail, ku thuhej se jam përzgjedhur për një projekt prestigjioz dhe kanë vlerësuar punën time për këtë ngjarje madhështore. Kohët e fundit, përpos muraleve, nuk jam duke e anashkaluar edhe pjesëmarrjen e ekspozitave në vende të ndryshme të botës”, ka thënë Fetahu.

Në përshkrimin që i bëhet këtij çmimi, thuhet se ai është njëri prej çmimeve më prestigjioze të artit që jepen në Milano. Poshtë lajmin për shpërblimin me këtë çmim, dy kuratorët kishin nisur edhe një historik të shkurtër të Muzeut Kombëtar të Shkencës dhe Teknologjisë ‘Leonardo da Vinci’, i cili është gjithashtu edhe organizatori i këtij çmimi, i cili këtë vit mbajti edicionin e pestë.

“I hapur në vitin 1953, me një sipërfaqe prej 50 mijë metrash katrorë, ai është muzeu më i madh tekniko-shkencor në Itali dhe një nga më të mëdhenjtë në Evropë. Ka koleksionin më të madh në botë të modeleve të makinave, të nxjerra nga vizatimet e Leonardo da Vincit. Vizitohet nga mbi 500 mijë njerëz në vit. Koleksionet numërojnë 16 mijë eksponate dhe përfshijnë dëshmi përfaqësuese të historisë së shkencës, teknologjisë dhe industrisë italiane nga shekulli i 19-të deri në ditët e sotme. Në 14 punëtoritë e saj zhvillohen aktivitete që ndjekin metodën edukative të bazuar në edukimin informal. Muzeu bashkëpunon me muzetë kryesore evropiane dhe botërore të shkencës dhe që nga viti 2003 është anëtar i ECSITE (European Collaborative for Science, Industry and Technology Exhibits)”, thuhet në përshkrim.

Argenita Fetahu, e lindur në Gjakovë, pas përfundimit të studimeve bachelor në Degën e Pikturës në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, ka vazhduar studimet master në klasën e profesoreshë Zake Prelvukajt. Ajo merret me vizatim, ilustrim, skicë, materiale, pikturë në sfond skenik, murale, portrete për filma dhe prodhime televizive, art xhami, gdhendje, ilustrim dhe pikturë në materiale të tilla, si guri, qelqi, pëlhura, druri dhe linoleum.