Me 88 vjet jetë e qindra të tjera të shtjelluara nëpërmjet veprave të tij, Ismail Kadare ka lënë prapa trashëgimi prej kolosi. Në varrezat e Tufinës, shkrimtari më i njohur e më i përkthyer i shqiptarëve në botë, është nderuar nga familja e afërt e nga miqtë. Përderisa homazhet paraprake janë histori më vete. Emancipuesi i popullit shqiptar e i më shumë se 40 popujve të tjerë në raport me shqiptarët, është nderuar si njeri i pazëvendësueshëm. Sepse ishte Ismail Kadare
Palosja e flamurit kombëtar – që mbuloi arkëmortin e Ismail Kadaresë – nga punonjësit e Gardës së Republikës dhe dhënia e simbolit kombëtar familjarëve është momenti kur arkivoli i dorëzohet dikujt tjetër. Dy varrmihës të Bashkisë së Tiranës kanë vazhduar punën e tyre. Nuk kanë ngjarë fare me varrmihësit e “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur”, edhe pse dyshja të mërkurën ka varrosur një gjeneral.
Këtë “gradë” Kadare e bart ndërkombëtarisht, e ndër shqiptarë është pozitë e atij niveli që s’e ka prekur kush.
Me 88 vjet jetë e qindra të tjera të shtjelluara nëpërmjet veprave të tij, Ismail Kadare ka lënë prapa trashëgimi prej kolosi. Në varrezat e Tufinës, shkrimtari më i njohur e më i përkthyer i shqiptarëve në botë, është nderuar nga familja e afërt e nga miqtë. Përderisa homazhet paraprake janë histori më vete.
Emancipuesi i popullit shqiptar e i më shumë se 40 popujve të tjerë në raport me shqiptarët, është nderuar si njeri i pazëvendësueshëm.
Përcjellja me fjalën e tij
Fotografitë gjigante nëpërmjet një monitori në ballë të Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë, qysh në mëngjesin e së mërkurës qenë imazhe që flasin. Portrete të ndryshme të Ismail Kadaresë bënin me dije se aty po zhvillohej një ceremoni e veçantë. Qytetarë, miq, familjarë, përfaqësues institucionesh, prej orës 09:00 ia kanë mësyrë ndërtesës në qendër të qytetit. Tapeti i kuq bashkë me barrikadat e mbuluara me pëlhura të zeza qenë rrugica e gjithsecilit. Është simbolika kuqezi. Shenja identifikuese e shqiptarëve që Ismail Kadare e promovoi fort. Pa patetizma, në një sistem monist që priste koka e vëzhgonte edhe banjat e intelektualëve, shkrimtari, që vdiq të hënën paradite, ia doli që historinë e popullit të tij ta çojë në të katër anët e botës. E bota shqiptare e ka nderuar atë në mënyrën e vet. Radha e njerëzve që janë futur në sallën qendrore të TKOB-it për të bërë homazhe ishte e gjatë.
Normale, aso që shmangen derisa hyjnë dhe ndajnë dhimbjen me familjarët e nderojnë të ndjerin, dhe ata që duan të tregojnë se janë aty dhe shfrytëzojnë tapetin si një lloj sfilate.
Pjesë të romaneve të tij, e vargje poezish janë dëgjuar edhe jashtë ndërtesës, përderisa janë përcjellë nga muzikë që zakonisht përdoret për raste të tilla. Shkrimtari i lindur në Gjirokastër e që pjesën më të madhe të jetës jetoi afër ndërtesës së Teatrit të Operës dhe Baletit, është kujtuar me epitete të larta. Aso prej më të lartave që njerëzve mund t’u shkojnë ndërmend në raste të tilla.

“Një fenomen letrar, një shkrimtar i pavdekshëm...”
“Ismaili është një shkrimtar i jashtëzakonshëm, është një shkollë letrare, një fenomen letrar. Është një shkrimtar i pavdekshëm”, ka thënë shkrimtari Fatos Kongoli pasi ka dalë nga homazhet. Ka treguar se e ka adhuruar gjithmonë si autor dhe në vitet e fundit kanë qëndruar shpesh bashkë.
“Bisedat me të kanë qenë më të bukurat. Ismaili ishte i çliruar nga gjithçka dhe fliste në mënyrën më të lirshme, flisnim për subjektet më interesante”, ka kujtuar Kongoli. Kadareja kishte nisur të fliste goxha lirshëm nëpërmjet letërsisë qysh herët. Qysh në kohën kur qendra e qytetit nuk njihte makina, e fjala kushtonte me jetë. Do të gjente mënyra për t’iu shmangur realizmit socialist edhe kur në sallën ku ka qëndruar arkëmorti i tij, gulmonte diktati i Partisë Komuniste të Shqipërisë. Nuk donte të quhej disident edhe pse shpesh ia kanë dhënë këtë epitet. Përderisa për kolegun e tij, Fatos Kongoli, Kadare është fenomen letrar, Alda Bardhyli, drejtoreshë e Qendrës Kombëtare të Librit e leximit, ka thënë se ai ka shpërfaqur një Shqipëri të jashtëzakonshme dhe fantastike që të gjithë e gëzojnë falë penës dhe mendjes së tij.
“Kadare iku i qetë pasi ai mendonte se e kishte kryer atë që ishte shumë e rëndësishme për një shkrimtar, botimin dhe rishikimin e gjithë veprës së plotë. Kjo e bënte atë të qetë, besoj ka ikur pa brenga”, ka thënë ajo.
Për ikjen e tij ka folur edhe botuesi Bujar Hudhri. Ka treguar momentet e fundit të jetës së shkrimtarit që pësoi arrest kardiak, përderisa ka sqaruar se mjekët kanë bërë shumë.
“Gjatë bisedave që kam pasur nuk ka treguar se a ishte duke shkruar diçka. Thoshte ‘po’ por të nesërmen e përgënjeshtronte atë. Por mendoj se duhet të ketë lënë diçka. U takon bashkëshortes dhe vajzave që ta bëjnë të ditur këtë pasi ato kanë të drejtat”, ka thënë Hudhri.
“Është ndër më meritorët për lirinë tonë”
Të pranishmit në homazhe kanë rrezatuar krenari. Kjo është parë qartazi. Dhe atë e kanë shpërfaqur në disa dimensione. Ismail Kadare që përfundoi studimet për gjuhë e letërsi shqipe në Tiranë e më pas në institutin “Maksim Gorky” në Moskë në vitet ’70 do të përkthehej në frëngjisht e më pas në gjuhë të tjera. Pas “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur” shpërtheu ndërkombëtarisht, bota më pas njohu edhe një varg veprash të tij. Zakonet shqiptare, historia e pushtimit të këtyre anëve, origjina e këtij populli të vogël e deri te identiteti evropian i popullit që i takoi, iu shpalosen botës nëpërmjet veprave të tij. Qe i zoti si askush tjetër që nëpërmjet letërsisë të bëhej faktor në raport me popullin e tij. Dhe, “shkrepi” sa herë i duhej Shqipërisë a Kosovës.
“Është ndër më meritorët për lirinë tonë. E them me ndërgjegje të pastër intelektuale dhe krijuese. E them këtë duke njohur kontributin e tij. Nëse duam të përdorim një shprehje mund të themi se ishte kumbara i intervenimit të NATO-s në Kosovë”, ka thënë shkrimtari e studiuesi Ndue Ukaj, pas homazheve që ka bërë bashkë me akademik Kujtim Shalën e ish-drejtorin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Fazli Gajraku. E ka përshkruar Kadarenë si një ndër figurat më të rëndësishme të artit të përbotshëm e më të madhin ndër shqiptarë.
“Ndikimi i tij në jetën kulturore e shoqërore është i pakrahasueshëm”, ka thënë ai.
Shkrimtari Liridon Mulaj ka thënë se fati i mirë i shkrimtarëve të mëdhenj është që mbesin gjithnjë në biblioteka e librari.
“Ne patëm fatin që historinë shqiptare ta mësonim nëpërmjet nivelit të lartë estetik të Kadaresë. Kushdo që do ta bëjë një detyrë universitare është e pamundshme të mos kalohet nga vepra e Kadaresë”, ka thënë ai.

“Ai erdhi, shkroi dhe iku. Ne i kemi vetëm një detyrim...”
Arkivoli i mbuluar me flamuj e lule në ballë ka qëndruar midis sallës së Teatrit të Operës dhe Baletit prej 09:00 deri në 12:30. Kësisoj është vendosur nga Qeveria e Shqipërisë që ka themeluar një Komision të Posaçëm që udhëhiqej nga vetë kryeministri Edi Rama. Pak para se të mbahet fjala e vetme, ajo e kryeministrit, në sallë kanë hyrë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, më pas kryeministri Albin Kurti bashkë me një pjesë të kabinetit qeveritar, për t’i lënë radhën një grupi deputetësh, e anëtarësh të partisë që e udhëheq Kurti.
Në shkallë janë bërë bashkë presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ajo e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Një siluetë e Nënë Terezës prapa arkivolit, menjëherë ka ndezur debat. Ata të religjionit të saj e kanë përshkruar si simbolikë të madhe, ndërmjetësim midis Kadaresë dhe amshimit, përderisa një pjesë tjetër e kanë parë si homazh me konotacion fetar. Por që të dyja palët janë ngutur.
Kryeministri Edi Rama ka sqaruar se bëhet fjalë për një skenografi të një shfaqjeje që do jepet aty. Ka treguar se i është thënë se nuk mund të lëvizet, dhe ai ka thënë se “nuk ka më mirë” se të ngelet aty. I ka komentuar propozimet e fjalët se duhet të varroset në këtë apo atë pjesë të kryeqytetit. Hapësira afër qendrës së qytetit te bustet e vëllezërve Frashëri, fusha e gjelbër prapa Kryeministrisë e varrezat e dëshmorëve të Luftës Nacional – Çlirimtare bashkë me varrezat e dëshmorëve në Kosovë, ishin midis propozimesh.
“Nuk e di dot çfarë do të thoshte. Po e di njësoj si ai arkmort ku është shtrirë trupi i tij, se po t’ia kisha treguar dot vigjiljen time të këtij ceremoniali dje në darkë, atje në Durrës te shtëpia buzë detit, ku u mbyll për të ndjekur perëndimin e diellit të vet si një spektator i zbritur nga jeta e gjatë në zenith, do të argëtohej shumë – e siç thoshte Gabriel Garcia Marquezi, do t’i vinte plasja që nuk do të merrte dot pjesë në funeralin e vet”, ka thënë Rama.
Ka treguar se e veja e shkrimtarit Helena Kadare donte veç fjalën e tij në funeral.
“Kështu ky nder kaq i posaçëm, përveçse një barrë e rëndë përgjegjësie, mu pranë arkmortit të njeriut që e ngjiti gjuhën shqipe në majën më të paarritur nga asnjë lëvrues i saj, ndërsa letërsinë shqipe në panteonin e mbarë botës së letrave, m’u bë edhe një siklet i ububushëm, po aq i rrallë sa dalja në një provim përpara fytyrës tallëse të Ismailit me tubimet, nderimet dhe fjalimet”, ka thënë ai.
Ka thënë se midis krejt diskutimeve është ndjerë “personazh i kurthit të fundit letrar të Ismail Kadaresë, një vorbull e hatashme ëndrrash në zhgjëndërr, me mua vetë si nëpunësin e pallatit të zhgjëndërrt të atyre ëndrrave”.
“Ndonjë tjetër bëri thirrje për ‘mauzoleum’, duke na siguruar të tërëve se ndryshe nga mauzoleumi i atij gjirokastritit tjetër, që përfundoi në një gërmadhë të përmjerrë nga urrejtja e dikur adhuruesve të tij, ky i dikur djaloshit të ‘Kronikës në gur’, do t’i rezistonte të tëra kohërave si një tempull budist, ku nga brezat e nënshtruar në adhurim për autorin e ‘Breznisë së Hankonatëve’, mijëra Ismailë të vegjël do të ngriheshin nga humbja e madhe e vetëm njërit që patëm hëpërhë në 500 e kusur vite”, ka thënë ai. I është drejtuar shkrimtarit duke i thënë se nuk ia tregon dot sa do të donte t’i tregonte ç’i panë sytë e ç’i tha mendja duke u marrë me funeralin e tij.
“Por së paku më duhet të të falënderoj që me këtë novelë të pashkruar, e cila është pa diskutim ajo shenja që shkrove se do ta bëje para se të ikje, më dhe edhe përgjigjen që s’ta mora dot në gjallë, kur thoshe nuk shkruaj më dhe nëse të pyesja po pse jo, ma ktheje, ‘i kam thënë të tëra’”, ka thënë ai.
Sipas kryeministrit Rama, Ismail Kadareja jetoi si dëshmitar i një fjale për të cilën mori të tëra lëvdatat e nderimet e mundshme të botës dhe të tërë smirën dhe sharjet e mundshme të vendit që e lindi.
“Ai erdhi, shkroi dhe iku. Ne i kemi vetëm një detyrim. T’ia respektojmë ikjen, duke i dhënë në kohën dhe vendin e duhur një banesë të fundit, ku të mos ndjehet i kërcënuar as nga dashuria e pakërkuar, që e kishte tmerr, as nga fqinjësia asnjëherë e dëshiruar, që e kishte lemeri dhe as jo e jo nga tubimet, nderimet e fjalimet sidomos, që i kishte llahtari”, ka thënë kryeministri Rama. Ka bërë të ditur se vendvarrimi i përkohshëm në varrezat e Tufinës, me kërkesë të familjarëve mbahet me ceremoni private. Por nuk ka qenë krejt e tillë.

"Një nga mënyrat për t’i bërë homazh është të lexojmë të gjithë, përsëri, veprat e tij”
Pas ceremonisë, Garda e Republikës ka bartur arkivolin midis pushtetarëve e qytetarëve. Duke i hedhur trëndafila të bardhë mbi flamurin kuqezi dhe me duartrokitje, kanë përcjellë njeriun pena e të cilit si asnjë tjetër u dha jehonë historive shqiptare, edhe atyre të ngjashme me krejt mjegullat për vendvarrimin e tij. Duartrokitjet qenë një shprehje dashurie, mburrje e krenarie. Do ta bënte secili popull. Në atë atmosferë, nga kureshtja një çift i ri francez ofrohet dhe pyet se çfarë po ngjan, e kur marrin vesh se për kë bëhet fjalë, nisin të duartrokasin dhe e llogarisin veten me fat që qëlluan aty në atë moment. Shkrimtari deri para pesë vjetësh jetoi në Francë, kur iku dhe kërkoi azil politik më 1990. Shqipëria e asaj kohe e “dënoi rëndë tradhtinë”. E 34 vjet më vonë ia njeh vlerën prej prijatari të demokracisë.
Në varrezat e Tufinës, nja pesë kilometra nga qendra e qytetit, kanë pritur pak njerëz. Ceremonia familjare qe ndër më simpatiket e varrimit të një simboli kombëtar. Të bijat Gresa e Besiana Kadare kanë përshëndetur të pranishmit, e njëkohësisht kanë ftuar ata për një drekë të përbashkët.
“Ishte krejt i veçantë si në gjithë gjërat e tjera. I bindej vetëm ligjeve të letërsisë. Kurrë nuk më ka mërzitur për neglizhencat e mia. E plot, e plot të tjera, por nuk kursente sarkazmat për autorët që unë lexoja. Nga ana tjetër entuziazmohej sa i gjeja ndonjë rresht të goditur. Këtë filozofi e kam adoptuar dhe vetë që nga fëmijëria”, ka thënë Gresa Kadare.
Kurse Besiana Kadare kanë thënë se janë shumë të prekura nga gjithë kjo dashuri, mesazhet e ngushëllimit e ceremoninë shumë prekëse.
“Nuk do të bëj ndonjë fjalim, e përfytyroj që thoshte një nga frazat e tij të preferuara ‘do na lësh rehat tani, nuk dua’. E përfytyroj është ngjitur, është si në një vorbull drite, e përfytyroj që është ngjitur si hyj në panteonin e gjenive të botës dhe na shikon. Një nga mënyrat për t’i bërë homazh është të lexojmë të gjithë, përsëri, veprat e tij. Faleminderit që keni ardhur sot”, ka thënë ajo para se t’i hapë rrugë varrosjes. Familjarët e miqtë kanë hedhur nga një grusht dhe mbi arkivolin e shkrimtarit. Në atë pjesë varrezash janë bërë bashkë Dritëro Agolli, Rexhep Çeliku, Liljana Cingi, Ganimet Vendresha e Ismail Kadare. E natyrshme që secili prej tyre zë vend të veçantë në artin shqiptar. Por Kadare shkoi përtej. Preku botën dhe atë e bëri me rrëfimet e vendit të tij.
Aktori ikonik Timo Flloko qe midis pak artistësh në varrim. Dhimbja e dashuria e pakufishme ka thënë ta kenë shoqëruar gjatë gjithë kohës.
“Njerëzit e këtij kalibri shtegtojnë dhe nuk janë vdekje. Ishte një atdhetar i madh. Ai ka mbrojtur me një fanatizëm të plotë çështjen e shqiptarëve të Kosovës, lirinë e Kosovës, shtetin e Kosovës. Kadareja ishte një frymëzues i jashtëzakonshëm i popullit të tij. Ai emancipoi gjuhën e mentalitetin e shqiptarit në kohë të vështira të diktaturës komuniste”, ka thënë Flloko. Sipas tij, Kadare ishte i zoti ta sfidonte diktaturën e tmerrshme dhe të shihte një perspektivë që i shërbente asaj.
“Mbetet një nga shembujt më të përveçëm dhe më gjenialë të shqiptareve kudo në botë. Është frymëzim për vetë shqiptarizmën”, ka thënë ai. Shqiptarizma bashkë me rrënjët e saj, nuk u rrëfyen kurrë më mirë sesa prej Kadaresë. Nxori në pah rrënjët e një populli që bota nuk i njihte. Ose e njihte për së prapthi. Bëri që rrëfimet të shtegtojnë dhe t’i tregojnë botës për autoktoninë e kulturën e një populli të vogël. Ato rrëfime i bëri të shkëlqejnë si askush tjetër dhe vezullimës i dha ngjyrë të përhershme. Sepse ishte Ismail Kadare.