Kur vitet e kishin bërë të vetën, e dinte se ndoshta në skenë nuk ka mundësi më të dalë. Ndërsa te filmi e kishte ende një dëshirë se mund të bënte një tjetër rol. Ky kishte qenë edhe një lloj pengu i artistes së madhe shqiptare, Margarita Xhepa. Të shumtë kanë qenë kolegët, miqtë e adhuruesit të cilët të premten ia kanë dhënë lamtumirën e fundit, aktores emri i së cilës është gravuar përjetësisht në historinë e filmit e teatrit shqiptar
Pengu i saj i fundit qe edhe një tjetër rol në film. Por ka kohë që ajo ka lënë personazhe të përjetshme në kinematografinë e në teatrin shqiptar. Portreti i saj i kornizuar, në ballë të sallës së Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë, pranë arkëmortit të mbuluar me lule, ka qenë veç si një reminishencë qindra karakteresh të luajtur prej saj. Të shumtë kanë qenë adhuruesit të cilët kanë ardhur aty për ta nderuar e për t’i bërë homazhe. Margarita Xhepës të premten i është dhënë lamtumira e fundit, një ditë pas vdekjes në moshën 91-vjeçare. Është i pashmangshëm emri i saj në historinë e artit shqiptar.
I biri i saj, aktori Ndriçim Xhepa, ka vlerësuar mënyrën se si është nderuar e ëma e tij, nga personalitete të shumta e nga qytetarë të thjeshtë. Sepse ajo ishte idhulli i të gjithëve.
“Kjo është kënaqësia që marrin familjarët dhe shpirti i saj atje lart”, ka thënë për mediat, Ndriçim Xhepa.
Ai ka shtuar se Margarita Xhepa e mbylli jetën në mënyrë normale, pavarësisht problemeve shëndetësore të dy muajve të fundit.
“Lodhjet e viteve bëjnë të vetën. Kishte një natyrë të çuditshme. Në disa biseda ajo thoshte se ndoshta në skenë nuk ka mundësi më të dalë, ndërsa te filmi e kishte ende një dëshirë se mund të bënte një tjetër rol”, ka thënë Xhepa.
Roli i fundit i Margarita Xhepa ishte në filmin “Bolero në vilën e pleqve”, nën regji të Spartak Peçanit, i cili ka shkruar edhe skenarit tok me Lendija Jaupaj. Bëhet fjalë për një dramë psikologjike që reflekton përplasjen midis dy botëve, botën e brezit të vjetër që e duan njëri-tjetrin deri në frymën e fundit dhe atë të fëmijë të tyre që sfidojnë moralet dhe rregullat shoqërore. Dy të moshuar – të luajtur nga Robert Ndrenika dhe Margarita Xhepa – i kalojnë vitet e pleqërisë në vetminë e një vile. Shkëmbejnë letra dashurie me njëri-tjetrin, nga kati i dytë në kat të parë, në pamundësinë fizike për t’u takuar. E, ky është veç njëri prej personazheve që ka përjetësuar aktorja e madhe.
Aktori i njohur, Timo Flloko, ka luajtur disa role me Margarita Xhepën dhe ka thënë se ndan kujtime të rralla.
“Kam një kujtim të rrallë me të, një skenë të Hamletit me nënën. E kam të filmuar dhe e kam si kujtim të rrallë”, ka thënë ai.
Aktorja Tinka Kurti ka folur shkurtimisht për media duke u shprehur se Xhepa ishte shoqe e mikeshë, e se ndjen dhimbje të madhe. “E kisha vajzë, shoqe, e kisha mikeshë. Nuk kemi se çfarë bëjmë, unë jam më e madhe se ajo. Duhet të hesht, kam dhimbje të madhe shumë”, ka thënë Tinka Kurti për mediat.
Regjisori i njohur Mevlan Shanaj, i njohur për bashkëpunimin e tij me Margarita Xhepën, ka shprehur mirënjohje dhe nderim të thellë për figurën e saj.
“Margarita ishte një njeri që ka marrë vetëm dashuri nga të gjithë. Nuk ka njohur ndonjë fjalë të keqe, vetëm dashuri dhe respekt. Ajo ishte një aktore e jashtëzakonshme, një njeri i madh. Margarita ishte unikale, emri i saj është një sinonim i bukurisë dhe hijes, si një margaritar”, ka thënë regjisori Shanaj.
Aktorja Luiza Xhuvani ka thënë se ajo pati fatin ta jetojë jetën bukur edhe në aspektin njerëzor, edhe në aspektin profesional.
“Është simboli i bukurisë, i dashurisë dhe i mirësisë njerëzore. Krijoi imazhin perfekt të gruas në të gjitha dimensionet: si nënë, si grua, si motër, si kolege. Unë jam me fat që kam rrugëtuar bashkë me të edhe profesionalisht”, ka thënë Xhuvani pas homazheve.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ka shprehur ngushëllime për ikjen e artistes së madhe, duke theksuar rëndësinë e veprës së saj të paharruar për kulturën dhe artin shqiptar.
“Margarita Xhepa la një pasuri të jashtëzakonshme që do të mbetet në kujtesën e popullit shqiptar dhe e trashëguar përmes pasardhësve të saj, të cilët janë gjithashtu krenaria e kombit dhe artit tonë”, ka thënë ai.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani teksa u ka shprehur ngushëllime familjarëve, kolegëve e dashamirësve të aktores së ndjerë ka thënë se aktorja ishte ashtu siç e kishte emrin: një margaritare e skenës dhe ekranit shqiptar.
“Një artiste që i dhuroi dinjitet dhe thellësi artit tonë, duke lënë pas një trashëgimi artistike të rrallë, e cila do të mbetet burim frymëzimi për breza të tërë artistësh”, ka thënë ministri Hasani.
Në homazhe mori pjesë edhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, e cila tha se “Margarita Xhepa që do të mbetet një yll që do të ndriçojë gjithmonë në panteonin e artit shqiptar”.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ka thënë se “homazhet për yllin Margarita i janë dukur më shumë si një skenë filmi ku ajo është duke luajtur një rol, sesa një realitet ku Margarita nuk do të jetë më në këtë mes.
“Filmi mbaron dhe Margaritën do ta shoh sërish në skenën apo ekranin tjetër, ose në takimin kulturor të radhës ku ajo s’mungonte asnjëherë, krah Tinkës e artistëve të tjerë”, ka thënë Kumbaro. Kjo sipas saj ka qenë ndjesia që ka përjetuar.
“Sot është realiteti i vërtetë i jetës dhe veprës së një artisteje si Ajo. Lum ky vend e kjo skenë që të kishte, të ka dhe do të të ketë përgjithmonë. Lum ne që të njohëm e të prekëm nga afër në të gjallë”, ka thënë Kumbaro.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, pas homazheve në hollin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, ku shkroi edhe një mesazh në librin e ngushëllimeve, në një prononcim për mediat, ka shprehur “ngushëllimet më të thella, por edhe mirënjohjen e pakufishme për kontributin e jashtëzakonshëm të Margarita Xhepës në shtatë dekada, sa askush tjetër në skenën dhe filmin shqiptar”.
“Margarita Xhepa nuk është më, por do të mbetet përjetë e gjallë në memorien e atyre që ndoqën me aq admirim interpretimet e saj. Do të mbetet e gjallë në memorien e artit dhe kulturës shqiptare”, ka thënë ai.
Emri i aktores Margarita Xhepa, është përjetësuar në rreth 100 role në teatër e rreth 30 të tjera në film, që e bën atë prej personazheve më ikonike të historisë së kinematografisë e të teatrit shqiptar.
Si e re iu bashkua një grupi amatorësh në Shtëpinë e Kulturës në Lushnjë për të inskenuar një dramë me dy akte. Ishte Kaqusha, një ruse, në dramën që për titull kishte emrin e personazhit të saj. Seksioni i Kulturës në Lushnjë i kishte rekomanduar që të ndiqte Liceun Artistik. Prej aty do të bëhej pjesë e atij që asokohe ishte Teatri Popullor, tash Teatri Kombëtar në Tiranë. Por me t’u themeluar Estrada e Shtetit më 1952, për pesë vjet do ta mbanin në formacionin e ri. E pas shumë kërkesave, më 1957 do t’i kthehej Teatrit, kur edhe mori rolin e Ofelisë, për t’ia hapur dyert për rolet kryesore në teatër e kinema. Gjatë karrierës së saj interpretoi në shfaqje si “Hamleti”, “Mbreti Lir”, “Romeo e Xhulieta”, “Rikardi III”, “Dhelpra dhe rrushtë”, “Xhaxha Vanja”, “Luiza Miler”, “Vizita e inspektorit”, “Vdekja e një komisioneri”, “Revizori”, ”Qeni i kopshtarit”, “Morali i zonjës Dulska”, “Elektra e Sofokliut” e shumë të tjera. Në film u bë personazh i shumë produksioneve të kinostudios “Shqipëria e re”, si tek “Vitet e para”, “Gjurmët”, “Dimri i fundit”, “Tokë e përgjakur”, “Një djalë edhe një vajzë”, “Apasionata”, “Gjeneral Gramafoni”, “Rrethi i kujtesës”, “Vitet e pritjes”, “Dora e ngrohtë”, “Gurët e shtëpisë sime”, “Pranvera s’erdhi vetëm”, “E diela e fundit” e “I dashur armik”.