Ishte vetëm 69 vjeç, por gjallëria e afërsia e tij me njerëzit kishte mbetur e njëjtë. Takime të paradokohshme, biseda të freskëta e planifikime për të kremtuar 70-vjetorin e tij e kanë bërë edhe më tronditës lajmin për vdekjen e Ismet Bogujevcit. Me cilësimin e “Doajenit të Shotës”, ansamblit me të cilin mbeti i lidhur si mishi me thoin gjatë gjithë jetës, “Bali” është evokuar si shëmbëlltyra e këngëtarit të fismë, njeriut të përkorë e kolegut shembullor. Me një repertor të pasur këngësh shqipe, Bogujevci është vlerësuar edhe për diçka tjetër: për ruajtjen e muzikës shqipe në mënyrë të pakompromis përballë komercializmit
“Shota” nuk ishte vetëm e kaluara e tij, mjedisi ku në një ditë të qashtër të vitit 1972 vendosi t’i kushtonte pasionin e dhuntinë e tij. Ishte e thënë që kjo dashuri të ishte e para dhe e fundit, sepse ajo nyjëtoi një karrierë tërë që u begatua me koncerte e prurje ngjyrashumë të folklorit shqip. Valltarë e valltare të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve me një “marshim” e kanë nderuar këngëtarin që përherë i frymëzoi.
Prej nisjes nga sheshi “Zahir Pajaziti” e deri te Teatri Kombëtar, vetura mortore me arkivolin e Ismet Bogujevcit ka përshkuar sheshin kryesor të kryeqytetit në përcjelljen e valltarëve me tirqit e galmë dhe valltareve shamibardha. Në ceremoninë e homazheve të organizuara në mënyrë shtetërore nga Ministria e Kulturës, miq, kolegë e dashamirë të artit folklorik të premten paradite i kanë dhënë lamtumirën e fundit artistit që e nderoi këngën shqipe.
Bogujevci – i cili vdiq paraditen e së enjtes – është vlerësuar si interpreti i dhuntishëm i këngës autentike shqipe, që e ruajti të kulluar e të pandikuar nga komercializimi kollufitës. Një mori çmimesh, përfshirë edhe “Mikrofoni i artë”, ishin mirënjohja formale për zëëmblin që interpretoi tok me Nexhmije Pagarushën këngën “Kur ta fala një tufë gërshetë”, por edhe të tjera që vazhdojnë të këndohen edhe sot e kësaj dite si “Martesa jonë”, “O moj bukuroshe”, “Ke selvitë e namazgjasë”, “Bajram Curr o Bajram Curr”, e të tjera.
“Një entuziast i folklorit shqip”
Të paktë ishin ata që i kanë përmbajtur lotët kur kanë bërë homazhe duke u përkulur para arkivolit të Ismet Bogujevcit, të vendosur në hollin e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Nderimi është shprehur edhe me vënie lulesh të bardha te panoja me fotografinë në portret të artistit të njohur. Edhe faqet e librit të kujtimeve janë nxirë me dhjetëra dedikime e fjalë të ndjera të njerëzve.
I pranishëm në homazhe ishte edhe ministri Hajrulla Çeku tok me përfaqësues të lartë të Ministrisë së Kulturës. Në adresimin e bërë për mediat e pranishme, ai e ka cilësuar vdekjen e Bogujevcit si një humbje të madhe e të pakompensueshme për komunitetin artistik.
“Bogujevci ishte një nga doajenët e muzikës popullore e një nga më entuziastët e folklorit shqiptar në përgjithësi”, ka thënë Çeku.
Duke sjellë ndërmend një takim që e kishin bërë dy javë më herët, e ku kishin folur për çështje të ansamblit “Shota”, ai ka thënë se gjënë e fundit që do ta mendonte ishte largimi i tij kaq i shpejtë.
“Bogujevci ishte i veçantë për shumë arsye, por kryesorja ishte modestia”, ka theksuar ministri Çeku.
E pushtuar nga emocione të forta, Saranda Bogujevci, e mbesa e këngëtarit, ka thënë se “Beja Ismet” ishte një person që linte gjurmë te secili.
“Ishte punëtor, i dashur dhe jam me fat që u rrita me një artist që kishte kaq shumë kontribute për artin”, ka thënë deputetja Bogujevci. “Përveç vendit që pati në familjen tonë, ai i dha edhe artit e kulturës mbarëkombëtare”.
{gallery}
Prej nisjes nga sheshi “Zahir Pajaziti” e deri te Teatri Kombëtar, vetura mortore me arkivolin e Ismet Bogujevcit ka përshkuar sheshin kryesor të kryeqytetit në përcjelljen e valltarëve me tirqit e galmë dhe valltareve shamibardha. Në ceremoninë e homazheve të organizuara në mënyrë shtetërore nga Ministria e Kulturës, miq, kolegë e dashamirë të artit folklorik të premten paradite i kanë dhënë lamtumirën e fundit artistit që e nderoi këngën shqipe
“Kënga e tij do të rrojë”
I pranishëm në homazhe ishte edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, si dhe deputetë të partisë së tij. Në paraqitjen e shkurtër për media, ai ka thënë se si fëmijë e prisnin me mosdurim të gëzueshëm programin e Vitit të Ri dhe këngët e Ismet Bogujevcit.
“Ismet Bogujevci është kënga e rritur në fëmijërinë time. Se çka është martesa, si të vegjël, e mësuam nga prindërit, por edhe nga kënga ‘Martesa jonë’”, ka thënë Kurti teksa ka veçuar edhe këngën tjetër për Kaçanikun që e kishte interpretuar i ndjeri. “Ishte tejet i dashur dhe i mirë. Ai do të na mungojë, porse kënga e tij do të rrojë edhe me ata që do të vijnë pas nesh”.
“Njeriu që i fali gjithçka artit e kulturës”
Edhe kryetari i Komunës së Besianës, Shpejtim Bulliqi – që mori pjesë në homazhe – e ka cilësuar si humbje për artistët ndarjen nga jeta të Bogujevcit. Sipas tij, ai ishte njëri prej kontribuuesve më të mëdhenj për muzikën shqipe.
“Ishte një prej artistëve të paktë që artin muzikor e shijoi, frymëzoi me të, por mori pak prej tij”, ka thënë Bulliqi.
Teksa ka përkujtuar planin që kishin bërë për mbajtjen e një organizimi të veçantë, ai ka shprehur vendosmërinë e institucioneve lokale për jetësimin e atij projekt.
“E megjithatë Bogujevci do të vazhdojë të na mungojë”, ka shtuar Bulliqi.
Homazhet kanë vijuar deri në orën 14:00 pasdite, ndërkohë që mori pjesë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Një telegram ngushëllimi që e ka përcjellë edhe Kuvendi i Kosovës, Konjufca ka vlerësuar se madhështia artistike bëri që Bogujevci të ishte këngëtar i dashur për shumë breza.
“Në vitet e '80-ta, kohëra të stuhishme të kthesave të mëdha në Kosovë, me artin dhe këngët e tij patriotike, Ismeti ishte frymëzim për popullin tonë liridashës, e sidomos për rininë studentore. Ai nuk do të jetë më i pranishëm fizikisht, por do të mbetet i paharruar në mesin tonë me shpirtin e tij të madh fisnik e artistik dhe me trashëgiminë e pashterur artistike që ka lënë pas”, thuhet në telegramin e Konjufcës. “Ismet Bogujevci do të jetë përherë në kujtimet tona me veprën e tij të pamohueshme e të pashlyeshme artistike, si një rrugë e sigurt e vlerave e shtruar me kujdes e pasion të fortë për brezat e ardhshëm”.
Pa fshehur emocionet, këngëtari Riza Bytyçi e ka quajtur Bogujevcin si mik të jetës e të këngës për më shumë se 50 vjet. Në momente të vështira e të këndshme, ka thënë ai, kishin qenë bashkë në koncerte, festivale, turne e ahengje.
“Ismeti ka qenë një këngëtar i shkëlqyeshëm dhe zëri e interpretimet e tij do të mbeten gjatë në kujtesën e artdashësve”, ka thënë Bytyçi.
Edhe këngëtari Nysret Muqiqi është shprehur se vdekja e Bogujevcit është një humbje e madhe për kulturën shqiptare si një njeri që i fali gjithçka artit dhe kulturës. “Nuk deshi asgjë të merrte prej tyre, përveç respektin”, ka thënë Muqiqi.
Bogujevci u varros në varrezat në lagjen “Arbëria” në Prishtinë.
Rrugëtimi i shembullt
I lindur më 9 prill të vitit 1952, Ismet Bogujevci qysh i ri do të merrte rrugën e artit. Aktiviteti i tij artistik ka nisur rrugëtimin me shoqërinë kulturo-artistike “Josip Rela” në Podujevë.
Sipas një biografie të shkurtër të përgatitur nga ansambli kombëtar i këngëve dhe valleve “Shota” dhe Ministria e Kulturës, ishte viti 1972 kur ai hyri në skenë furishëm si këngëtar, por dhe si aktor, meqë shoqëria “Josip Rela” kishte shtrirje në dy fusha – muzikë dhe aktivitete teatrore.
Te “Halili dhe Hajria” ishte në rolin e Qatipit. Me këtë dramë të njohur, në të cilën Bogujevci u shfaq për herë të parë në skenën e Teatrit të Podujevës. Bogujevci ka vazhduar ndër vite aktivitetin e tij artistik në shoqërinë “Ramiz Sadiku” në Prishtinë dhe në aktivitetet që kjo shoqëri mbante në rajon.
Në vitet ’90 ai ishte angazhuar si bashkëpunëtor i ansamblit “Shota”, përderisa nga viti 2000 punoi si solist në këtë institucion. Prej vitit 2012 deri më 2013 ishte ushtrues detyre i drejtorit të Ansamblit, periudhë gjatë së cilës Ansambli ka fituar disa çmime ndërkombëtare në festivale prestigjioze nëpër botë, përfshirë në Turqi, Itali dhe Bullgari.
Bogujevci edhe pas pensionimit të tij në pranverën e vitit 2017 ishte pjesë e koncerteve të “Shotës”. Përderisa në skenë, pos këndimit, ishte edhe model se si interpretohet, pas koncerteve ishte prej njerëzve më të dashur jo veç për kolegët, por për krejt komunitetin artistik.
