Tenori Ramë Lahaj, në vigjilje të Festivalit Ndërkombëtar të Operës ka thënë se ideja e këtij festivali është promovimi i çdo gjëje që lidhet me kulturën, jo vetëm opera.
Në konferencën e mbajtur bashkë me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, Lahaj ka thënë se ndihet me fat që edhe edicioni i tretë i këtij festivali është mbështetur prej institucioneve të Kosovës.
“Ajo që mua më gëzon shumë është që kjo lloj energjie, ky lloj obligimi im dhe pasion i imi për të prurë njerëzit e skenës ndërkombëtare në Kosovë, ndihet edhe prej kolegëve që vijnë këtu. Kjo ka qenë shumë e rëndësishme sepse aktiviteti jonë nuk është vetë për të bërë një show më shumë, fillojmë një rrugëtim të ri që është muzika operistike, po besoj që kemi qenë me fat për mbështetjen që kemi gjetur prej të gjitha institucioneve për të më ndihmuar për ta çuar këtë ëndërr të madhe përpara. Kemi ndihmuar disa studentë të këndimit që të shkojnë në masterklasa të ndryshme e po ashtu edhe në audicione. Ideja e festivalit është për të promovuar çdo gjë që ka të bëjë me kulturën, nuk do të thotë të jetë vetëm opera. Kam parë shumë vepra të bukura në Kosovë, por mundësia për t’u ekspozuar nuk është aq e madhe”, ka thënë ai.
Në adresimin për shtyp të mbajtur para fillimit të “Ramë Lahaj Opera Festival”, kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se tenori Lahaj me anë të këtij festivali e transformon Prishtinën në një vend të artit e të kulturës, ku bëhen bashkë edhe maestro të mëdhenj botërorë.
“Festivali Ramë Lahaj bie një numër të madh të talentëve të ndryshme botërore, kështu që kemi fat që e kemi mikun tonë të jashtëzakonshëm, Ramë Lahaj, që jo vetëm se na bën nder nëpër të gjitha vendet e botës, por e bie atë nder edhe këtu në kryeqytet, duke e transformuar atë në një vend të artit, të kulturës, ku edhe bëhen bashkë edhe maestro të mëdhenj botërorë. Është edhe aspekti tjetër me rëndësi shumë të madhe, një numër i madh i workshop-eve që është i organizuar gjatë gjithë këtyre ditëve, u mundëson të rinjve tanë të kenë ndërlidhshmëri me talentët e mëdhenj botëror. Kështu krijohet një platformë që në të ardhmen e afërt të kemi edhe një numër të madh të Ramë Lahajve të tjerë që na përfaqësojnë fuqishëm nëpër vendet tjera botërore”, ka thënë ai.

Sonte në sheshin “Skëndërbeu” në Prishtinë, solistët në përcjellje të Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës do të interpretojnë pjesë nga repertori operistik italian dhe jo vetëm.
Baritoni italian Massimo Cavalletti, ka thënë se përvoja e tij muzikore rreth botës, tashmë edhe në Prishtinë, lidhet me moton e Festivalit. “Eksperienca ime në muzikë mbërrin në çdo vend të botës në të njëjtën formë, me të njëjtat ndjenja dhe mendoj se është vërtetë simbol i lirisë për të gjithë. Sot do ju bëjmë të dëgjoni disa nga pjesët më të rëndësishme të repertorit italian dhe evropian. Jam i lumtur se do ta bëjmë këtë bashkë me Pier Giorgion i cili ka përgatitur Orkestrën në mënyrë të mrekullueshme, sepse mbrëmë u gjetëm në një formë perfekte pa bërë as edhe një provë të vetme”, ka thënë Cavalletti.
Për herë të parë për publikun në Prishtinë do të paraqitet edhe tenori italian Alessandro Safina. “Sot do të këndoj në këtë koncert të bukur, uroj që publiku ta pëlqejë. Është hera e parë që jam këtu, shpresoj të mos jetë e fundit”, është shprehur ai në konferencën e së dielës paradite. Në rolin e solistes do të paraqitet edhe sopranoja ukrainase Yulia Suleimanova.
Mjeshtri i skenave botërore, dirigjenti italian Pier Giorgio Morandi, që do ta drejtojë koncertin “Ramë Lahaj & Friends”, ka vlerësuar koordinimin me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës. “Kam pasur një bashkëpunim të madh nga ana e tyre. Kemi punuar shumë, ndoshta në mënyrë intensive, por mbi të gjitha me dëshirë shumë të madhe . Uroj që sonte vërtetë të japim rezultatin e këtij koncerti kaq të bukur që do ta ndajmë me juve”, ka thënë Morandi.
Menaxheri i Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj, ka thënë se për këtë institucion ka qenë nder e privilegj t’i bashkohen kësaj ngjarje të rëndësishme.
“Fakti që Filharmonia e Kosovës ka një orkestër që tash e tri vjet ekspozohet gjithë sezonin ndaj një muzikë tjetër, për muzikantët e Filharmonisë ka qenë jashtëzakonisht e rëndësishme të kenë fatin të punojnë me mjeshtër të rëndësishëm të muzikës lirike dhe artit operistik. Veçanërisht sivjet ka qenë privilegj të presim në mesin tonë mjeshtrin Morandi”, ka thënë Selimaj.
Nga organizatorët e Festivalit është bërë e ditur se veçse janë rezervuar afër tre mijë bileta. Përgatitjet veçse kanë përfunduar dhe ndajnë disa orë prej koncertit që pritet të sjellë frymën e veçantë operistike.
Në programin e Festivalit përfshihet një mbrëmje e veçantë, sikurse vjet, në nderim të këngëtares ikonike Nexhmije Pagarusha më 31 korrik, kur edhe mbyllet edicioni i tretë i “RLIOF”.
Këtë të fundit e ka veçuar koordinatorja e programit, Ulpiana Aliaj. “Sigurisht se të flasësh për të është një ikonë kaq e rëndësishme e muzikës, e humanitetit e mbi të gjitha e asaj që përfaqëson Festivali, duke pasur një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me tenorin Lahaj. Kështu që në këto mbrëmje do të keni mundësinë të shijoni një repertor të saj të zgjedhur, të rafinuar dhe njëkohësisht një formë të përpunuar me shumë kujdes’, ka thënë ajo.
Në kuadër të këtij edicioni, sikurse edhe vjet, do të mbahet një masterklasë me mjeshtrin e vokalit, italianin Francisco Araiza. Të dielën në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare ai ka thënë se e ardhmja e skenës operistike në vend është premtuese. “Dje pata rastin të kontaktoj me këta këngëtarë të rinj të mrekullueshëm. Ndoshta kontakti ynë i parë ishte pak i mërzitshëm për disa prej jush,. Ndoshta për shkak të sasisë së informacioneve sepse është absolutisht e rëndësishme dhe mund t’i shihnit rezultatet përmes kolegëve tuaj. Por këtë punë do ta bëj me shumë motiv dhe shumë gëzim”, ka thënë ai.
Sivjet “RLIOF” e nisi edicionin me ekspozitën “Rrnofsh sa malet!” me peizazhet e natyrës të punuara prej artistëve vendorë. Kuratorja e ekspozitës, Övül Ö. Durmusoglu është shprehur se nëpërmjet artit mund të rritet ndërgjegjësimi për t’u kujdesur për natyrën. “Kemi sjellë pamje të ndryshme nga peizazhet kosovare, qëndrime të ndryshme dhe t’ia kujojmë vetes se nëpërmjet artit mund të rrisim ndërgjegjësimin dhe të kujdesemi për bukurinë që na rrethon. Arti shpërfaq fuqinë kur na sjellë shpresën, bukurinë dhe resiliencën e së ardhmes”, ka thënë ajo në konferencë.
“Ramë Lahaj International Opera Festival” përgjatë pesë netëve të edicionit të tretë, nën temën “Opera për Liri”, sjell muzikantë vendorë e të huaj. Edhe sivjet mbahen mbrëmjet “Ensemble Evening” më 25 korrik dhe “Opera Night” më datë 27 të cilat do të mbërthejnë kryeqytetin me ngjyra operistike. Më 29 korrik me “New Generation”, skena e “RLIOF” u dedikohet artistëve të rinj.