“Një ndër sfidat më të mëdha të një artisti është pikërisht me e gjetë balancën mes rutinës dhe spontanitetit”, është përkufizimi që jep kantautori Arbër Salihu i njohur si La Fazani. Në rrugëtimin e tij si artist, ai ka një episod edhe në Vietnam. Kur u kthye prej atje rivendosi raportin me skenën. Salihu është i njohur për skenën vendore, por rrëfimi i tij personal është ana tjetër. Në muzikë, sipas tij, duhet të ketë edhe diçka personale, autentike. E në këtë pikë La Fazani ka kohë që është dëshmuar
Jeta, shkollimi, studimet, ikja në Holandë, performancat e shumta në Vietnam e deri te këshillat për muzikantët e rinj, kanë qenë temat e trajtuara në punëtorinë e udhëhequr prej kantautorit Arbër Salihu. Para një publiku me pak veta por në një ambient të ngrohte të njërës prej sallave të Qendrës për Praktika Narrative, publiku ka pasur mundësi të dëgjojë rrëfimin e artistit të njohur si La Fazani.
Nëpër festivale e koncerte të ndryshme të cilat zhvillohen gjatë vitit në Prishtinë janë të rralla ato ku mungon emri i tij. Si artist shquhet veçmas për energjinë që përçon te publiku, si dhe për tekstet satirike me të cilat i ndërton këngët e tij. Artisti multidimensional, siç e ka pohuar edhe në rrëfimin e tij, merret me pothuajse çdo detaj që kërkon muzika e tij. Tekstet e këngëve zakonisht i shkruan vetë dhe në përgjithësi këngët e tij shquhen nga natyra eksperimentale. Në mesin e këngëve të tij është edhe e njohura “Hajde me shuplakë”, një këngë satirike ku përqeshen politika dhe veset negative të shoqërisë, por që në anën tjetër shoqërohet nga tinguj tejet ritmik, rock n’roll e tek-tuk dëgjohen edhe ritme të folklorit shqip.
Ndonëse e kishte regjistruar shkollën e mesme të muzikës, Arbër Salihu nuk e kishte përfunduar atë. Kishte ndjekur mësimet në kolegjin “Mehmet Akif”. Studimeve të muzikës nuk ia kishte mësyrë as në fakultet. Kishte zgjedhur profesionin, siç e ka thënë ai “më shqiptar”, duke shkuar në Holandë për të studiuar ekonomi.
“Domethënë i kam kryer studimet e ekonomisë dhe mandej kur jam kthyer në Prishtinë kam vendosur që muzika është jeta ime dhe vitin 2012 e konsideroj si vit prej kur kam filluar që profesionalisht të merrem me muzikë. Fillimisht kam bërë muzikë me Gencin (Salihun, kantautori i njohur, vëllai i tij v.j.) Ka qenë grupi i parë e ka pasur emrin ‘Grupi gazmor’. E kemi pasur vetëm një performancë me atë grup në Stamboll. Ka qenë një festival i organizuar në 2013 më duket. Kemi qenë unë, Genci, Nesim Maxhuni, Tomorr Kuçi, Enes Bajramliqi. Mandej ky grup u shndërrua në ‘Cute Babulja’, që ka qenë si një ribashkim i Gencit me Enesin, por kemi qenë edhe unë, Tomorri e Fatjoni pjesë e tij”, ka thënë ai teksa ka përshkruar vitet e para pas përfundimit të studimeve.
Për shumë, Arbër Salihu njihet edhe si vëllai i Genc Salihu, një këngëtar i njohur i pop-rockut e jazz muzikës. Në rrëfimin e tij, La Fazani ka folur edhe për problemet që i kishte krijuar ky fakt. Duke qenë vëllai i një muzikanti të njohur, shpesh nuk ishte marrë seriozisht as nga familja e as nga muzika. Megjithatë, ka sugjeruar që njeriu duhet t’i marrë këto injorime dhe t’i kthejë në diçka pozitive. Duke qenë kështu, ai i ishte përveshur punës për t’i “bindur” të tjerët se edhe ai di të bëjë muzikë të mirë. Në rolin e këngëtarit të rritur në Prishtinë, La Fazani ka folur edhe për vështirësitë apo frikët me të cilat përballen këngëtarët e këtij vendi të vogël.
“Në Prishtinë është ndoshta njëfarë ngurrimi, që nuk ke qef të shkosh diku – unë për veti gjithmonë e kam këtë frikë – nuk kam qejf vetëm të shkoj e të performoj ‘hajt se po shkojmë në një vend palidhje’, me ndonjë kafe që ndoshta nuk do të vijnë shumë njerëz ose ka me qenë atmosfera e lodhtë. Është njëfarë droje mos po të shohin njerëzit duke e bërë atë gjë. Gjithë iu kam frikësuar kësaj gjëje. Gjithmonë kam dashur t’i bëj vetëm eventet që e di se kanë me dalë top. Kurrë s’kam dashur të bëj diçka që është poshtë saj. Ndoshta sepse jemi njëfarë shoqërie më e vogël me: ‘çka po thotë ky, çka po thotë ai’. Gjithkujt i hyn në mish”, ka thënë ai.
Pas kthimit në Prishtinë, La Fazani kishte ikur në kontinentit aziatik dhe për një vit kishte qëndruar në Vietnam. Përveç punës për të fituar para, Salihu do të realizonte edhe një numër shumë të madh performancash të cilat më vonë e kishin ndihmuar ta largonte frikën lidhur me vendin apo skenën ku është duke performuar.
“Në Vietnam nuk më ka interesuar. Kam shkuar gjithkah dhe kam performuar tepër shumë. Kjo gjë ndoshta ma ka dhënë shtytjen finale që të marr një vetëbesim që tash, sa herë që dal në skenë, nuk ma ndien ku jam. Jam në gjendje që nuk më intereson sa njerëz i kam përpara. Nuk më intereson se çfarë set up-i është. Jam i gatshëm. Vetëm ma jep një mikrofon dhe jam i gatshëm të këndoj. Një vit në Vietnam kam performuar më shumë se në krejt jetën time”, ka treguar Salihu.
Pas qëndrimit në Vietnam dhe performancave të shumta, La Fazani ishte kthyer në Prishtinë. Sipas tij, artistë si ai, që nuk kanë fitime të mëdha, e kanë më të lehtë nëse qëndrojnë në vendlindje.
“Ky ka qenë edhe momenti kur kam thënë që: ‘Okej kjo do të jetë hera e fundit që do të bëj një punë që nuk ka të bëjë me muzikë’. Përfundimisht, jam kthyer në Prishtinë për së dyti herë dhe tash kjo e bie këtu çështjen që, në Prishtinë, për dikë si unë, për dikë që dëshiron të krijojë art që nuk është lehtë të shitet, nuk është lehtë me fitu prej tij, nuk ka më lehtë të bësh këtë gjë sikur në vendin ku ke lindur dhe jetuar, sepse jeton me të shtëpisë, jeton me prindër”, ka thënë La Fazani teksa ka shpjeguar se në Prishtinë ai nuk ka nevojë të punojë për të fituar para, sepse këtu jeton në banesën e familjes, ushqehet aty dhe në këtë mënyrë e ka shumë më të lehtë që kohën t’ia kushtojë muzikës.
Duke u nisur nga përvoja e tij prej artisti e krijuesi, La Fazani ka përmendur edhe nevojën e madhe për të krijuar një balancë midis rutinës dhe spontanitetit. Sipas tij, arti ka forcën e të mësuarit në gjetjen e balancës.
“Një ndër sfidat më të mëdha të një artisti është pikërisht me e gjetë balancën mes rutinës dhe spontanitetit. Rutina është një gjë shumë e nënvlerësuar. Pa rutinë dhe etikë të punës. Arti është ai që mund ta dëshmojë këtë gjë. Sepse nuk ki shanca të bëhesh artist muzikant pa e pasur të paktën një fazë të mirë të jetës që ti je i dedikuar. Thjesht, ti mundesh me qenë shumë i talentuar por pa etikë të punës nuk ka shans me ia dalë”, ka shpjeguar ai.
Për ta shpjeguar këtë, ka marrë një shembull edhe nga përditshmëria e tij teksa ka bërë të ditur se është duke punuar një album të ri.
“Jam duke e punuar një album të ri si La Fazani. Tepër punë po më merr, por di se çfarë duhet të bëj. Të zgjohem çdo ditë ta incizoj këtë apo atë. Janë gjëra që ndoshta nuk të inspirojnë, nuk janë kreative dhe sidomos kur nuk je pjesë e ndonjë industrie që të mbështet. Të bjen të merresh më tepër shumë gjëra. Gjëra teknike që të shkojnë ndoshta nga 2-3 orë vetëm në llap-top për ta gjetur në softwer se si të dalë zëri më mirë”, ka bërë të ditur ai.
Për krijuesit e rinj ai ka pasur disa këshilla. Sipas tij, një artist para së gjithash duhet të dëgjoje sa ma shumë muzikë, të arrijë t’i shohë gjërat nga larg, të dijë të luajë në një instrument. Ka këshilluar që pavarësisht nëse një artist është i mirë në disa gjëra të ndryshme qoftë si tekstshkrues, kitarist a vokalist, duhet të insistojë që të paktën në njërën prej tyre të jetë në krye. Ndër të tjera, sipas tij, ajo që e mban gjallë një këngë a një artist është personalja në kuptimin që në artin e tij të arrijë të fus diçka nga uni i tij.
“Një artist duhet sa më shumë të sjellë eksperiencë personale, autentike në krijimet e tij, që vepra të mund të qëndrojë. Të vetmet vepra që i mbijetojnë kohës, trendeve, atyre që janë duke ndodhur në një moment të caktuar, janë ato që kanë dalë prej përvojave sa më personale të artistit”, ka vlerësuar Salihu. E se është autentik në muzikë, Salihu e ka dëshmuar tashmë.
Ngjarja me rrëfimin e tij është zhvilluar në kuadër të platformës “AHA” të organizatës “Përnime”.