Kulturë

Kushtëzohet projekti për qendër multifunksionale në ish-“Gërmi”

Ish-Germia

“Në pjesën e pasme të lokacionit të hapësirës së perimetrit të monumentit (ish-“Gërmisë v.j.) është planifikuar të ngrihet ndërtesa e re ‘Salla koncertale’ në volum me formë dhe materializim me stil bashkëkohor. Vendosja e këtij volumi ndërtimor nuk shoqërohet me vlerësim krahasues në relacion me monumentin nën mbrojte, në veçanti për moscenim të monumentit nën mbrojte”, shkruhet në arsyetimin e Vendimit të lëshuar nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Njëjtë është vlerësuar edhe për pjesën ballore si aneks i ri me materiale bashkëkohore

“Miratohet me kushte, konservimi dhe zhvillimi i monumentit si dhe i hapësirës përreth monumentit ‘Shtëpia e Mallrave-Gërmia’, për projektin skematik për ‘Qendrën Multikulturore – Gërmia’ në Prishtinë, në funksion të ruajtjes së qëndrueshme të asetit të trashëgimisë kulturore arkitekturale”, shkruhet në pikën e parë të Vendimit të lëshuar nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. E një vendim si ky vjen në kohën kur ishte dhënë si afat nisja e punimeve. Punimet për ta bërë, tash qendrën multifunksionale në ish-“Gërmi” janë ende larg njësoj sikurse edhe projekti zbatues

Se punimet do të nisnin në prill – siç kishte deklaruar kryetari i Prishtinës, Përparim Rama – tashmë është konfirmuar se ka qenë veç një deklaratë. Por me ritmin aktual, zor se do të nisin edhe gjatë kësaj vere. 

Projekti për shndërrimin e kompleksit të ish-shtëpisë së mallrave “Gërmia” në qendër multifunksionale nuk ka marrë ende as aprovim si plan ideor. Instituti i Kosovës për Mbrojtën e Monumenteve ka bërë një “miratim” të projektit ideor sa për të thënë se është aprovuar. Por në realitet janë edhe jo pak kushte që duhet plotësuar për të marrë aprovimin përfundimtar. Më pas duhet edhe miratim i projektit të detajuar ose zbatues. Pas kësaj, shpallja e thirrjes për kompani punëkryese. 

“Miratohen me kushte konservimi dhe zhvillimi i monumentit si dhe i hapësirës përreth monumentit ‘Shtëpia e Mallrave-Gërmia’, për projektin skematik për ‘Qendrën Multikulturore – Gërmia’ në Prishtinë, në funksion të ruajtjes së qëndrueshme të asetit të trashëgimisë kulturore arkitekturale”, shkruhet në pikën e parë të Vendimit të lëshuar nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Në pikën pasuese obligohen Komuna e Prishtinës dhe ekipi hartues që të bëjnë përshtatjet bashkë me plotësimet dhe ndryshimet e projektit ideor duke u bazuar në politikën e konservimit dhe zhvillimit në perimetrin e hapësirës së monumentit. Sipas vendimit, Komuna dhe ekipi projektues – në këtë rast Konsorciumi “O.U.D -Architects Sh.P.K; Kengo Kuma and Associates” – obligohen ta dorëzojnë në IKMM projektin e plotësuar “për leje të ndërhyrjeve”. Aprovim i projektit në këtë rast kërkohet, pasi ndërtesa e “Gërmisë” është monument. 

Marsi e këtij viti e më pas prilli qenë afatet e përmendura nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, për nisjen e punimeve për sallën koncertale të kryeqytetit. Në mars të vitit të kaluar, kryetari Përparim Rama gjatë takimit me arkitektin japonez, Kengo Kuma, dhe partnerin e tij nga Kosova, Bekim Ramku, kishte përmendur marsin e sivjetmë si afat të nisjes së punimeve. 

“Mendojmë ta tenderojmë ndërtimin në fund të vitit (2023 v.j.) që në mars të vitit 2024 të nisim ndërtimin”, kishte thënë ai. Më pas në shtator të vitit të kaluar, gjatë seancës së Kuvendit Komunal, ku ishte miratuar buxheti për këtë vit, ai kishte përmendur prillin. 

“Jemi në diskutime të njëpasnjëshme me komunitetin evropian që nëpërmjet fondeve IPA kjo të financohet dhe të fillojmë ndërtimin në prill të vitit të ardhshëm”, kishte thënë Rama. E në shkurt të këtij viti kishte bërë një postim në rrjete sociale. 

“Të gjithë hapësirën brenda ish-shtëpisë së mallrave ‘Gërmia’ po e lirojmë dhe pastrojmë, për ta bërë gati për super-projektin, krijimin e muzeut dhe sallën e koncerteve”, kishte shkruar ai krahas pozave të publikuara nga ish-shtëpia e mallrave “Gërmia”. 

KOHA i ka adresuar pyetje kryetarit Rama sa i përket kohës së nisjes së punimeve dhe Vendimit të IKK-së, por nuk ka marrë përgjigje. 

IKMM-ja e kishte kthyer prapa këtë projekt për plotësime edhe në nëntor të vitit të kaluar. Por tash del se nuk janë përmbushur në tërësi. 

Sipas vendimit të dytë që mban datën e protokollit, 26 prill, ndërtesës “A” – asaj që ishte shtëpia e mallrave – sipas projektit gjatë shndërrimit në galeri i ruhet autenticiteti sipas dizajnin origjinal dhe si ndërhyrje “vlerësohet e pranueshme”. Sipas Vendimit, tri strukturat ekzistuese përcjellëse janë planifikuar të rrënohen dhe të rimodelohen dhe kjo ndërhyrje është bërë “pa ndonjë vlerësim të relacionit me vlerat atribuese të monumentit”. 

“Në pjesën e pasme të lokacionit të hapësirës së perimetrit të monumentit, është planifikuar të ngrihet ndërtesa e re ‘Salla koncertale’ në volum me formë dhe materializim me stil bashkëkohor. Vendosja e këtij volumi ndërtimor nuk shoqërohet me vlerësim krahasues në relacion me monumentin nën mbrojte, në veçanti për moscenim të monumentit nën mbrojte”, shkruhet në arsyetim. Njëjtë është vlerësuar edhe për pjesën ballore si aneks i ri me materiale bashkëkohore. 

KOHA qysh të enjten mbrëma i ka adresuar pyetje edhe arkitektit Bekim Ramku, bashkëprojektues me japonezin Kengo Kuma. Por ai nuk është përgjigjur. Paraprakisht në shkurt, ai kishte thënë se në projektin e dorëzuar për së dyti u janë përmbajtur rekomandimeve të marra. 

“Ne i kemi adresuar vërejtjet dhe pastaj para nja dy jave e kemi dërguar në Komunë dhe ata e kanë dërguar në QRTK, e më pas në IKMM. Tash ne presim që të na jepet pëlqimi”, kishte thënë ai. 

Ramku kishte treguar se prej momentit të aprovimit të projektit skematik sipas kontratës, ata si projektues kanë pesë muaj kohë për projektin kryesor. 

“Me këtë ritëm që po punojmë ne kah mesi i prillit ose fundi i prillit e dorëzojmë projektin e detajuar”, kishte thënë ai. 

Sipas Projektit të dorëzuar në IKMM tregon se krejt kompleksi do të ketë 17 mijë e 226 metra katrorë. Krahas ndërtesës aktuale që shndërrohet në galeri, prapa saj do të jetë ndërtimi i ri, salla koncertale me kapacitet prej 1.200 ulësesh. Një sallë më e vogël e quajtur auditorium do të ketë 400 ulëse. Do të ketë të paktën tri ambiente komerciale, kafehane e dyqane. Aty sqarohet se bazë për konceptimin e intervenimit është arkitektura vendore. 

Kontrata midis Komunës së Prishtinës me projektuesit peshon fiks 1.6 milionë euro. Prej tyre gjysmën e shumës, 825 mijë euro do t’i paguajë Komuna e gjysmën Ministria e Kulturës në bazë të Memorandumit të nënshkruar midis dy institucioneve në prill të vitit të kaluar. Por ai memorandum tashmë ka rënë poshtë. 

“Afati i realizimit të qëllimit të Memorandumit të Bashkëpunimit duhet të arrihet brenda vitit 2023”, shkruhet në këtë dokument. Komuna sivjet ka në buxhet 2 milionë euro për këtë projekt. 

Sa i përket sallës koncertale, goxha jehonë kishte bërë publikimi i projektit të ri në fund të gushtit, kur kryetari Përparim Rama kishte publikuar imazhe të projektit gjatë vizitës së tij në Japoni tek arkitekti Kengo Kuma. 

Komuna e Prishtinës e ka konkretizuar nismën për ndërrim të qasjes në raport me ndërtesën e ish-shtëpisë së mallrave “Gërmia”. Menaxhmenti aktual i Komunës kishte hequr dorë nga shndërrimi i monumentit në sallë koncertale. Projekti i dyshes për transformimin e ndërtesës që gjendet në qendër të Prishtinës ishte shpallur fitues para dy vjetësh. Por ai plan ideor tashmë do të mbetet veç pjesë e historisë.

Kur në maj të këtij vitit 2023 ishte nënshkruar kontrata, arkitekti Bekim Ramku kishte sqaruar se në fazën e parë do të bëjnë vlerësimin e statikës së ndërtesës, po ashtu edhe të vlerave të objektit. 

Se Komuna do të ketë qasje të re, kjo qe paralajmëruar qysh në mars të vitit 2023 kur kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kishte pritur në takim arkitektin japonez, Kengo Kuma. Në ditën e 12-të të marsit, Rama ia kishte bërë me dije Kumas se ndërtesën aktuale nuk do ta përdornin për sallë koncertesh.

“Ideja është që të ndryshojmë qasjen. Në vend që ta përdorim ndërtesën ekzistuese për sallë koncertesh, të shikojmë nëse mund t’ia shtojmë asaj sallën koncertale, në mënyrë që vetë atë ta përdorim si galeri të qytetit e sallë multifunksionale”, kishte thënë Rama. E Kuma me qetësi kishte konfirmuar se mund të veprohet kësisoj vetëm me “po”. Rama kishte pasur disa arsye për nismën e tij. Kishte thënë se me këtë nuk do të kenë nevojë për demolim të ndërtesës aktuale.

Historia e kësaj ndërtese të viteve ’70 është e vjetër. Ajo e shndërrimit në muze të artit bashkëkohor a në sallë koncertale ka hyrë në dekadën e dytë.

Juria në përbërje të Mohsen Mostafavi, Andrija Rusan dhe Han Tümertekin, profesorë të shquar të arkitekturës nga Harvardi, Zagrebi dhe Stambolli së bashku me dy përfaqësues të Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës, një nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, si dhe një tjetër nga Komuna e Prishtinës, kishin vendosur që në vendin e parë të renditej projekti i studios së Kumas në partneritet me arkitektin kosovar, Bekim Ramku, dhe me ekipin e inxhinierëve nga Stambolli dhe New Yorku, Ahmed Topbas dhe Akım Mühendislik. Ky projekt në prill të vitit 2021 kishte marrë 82.42 pikë, duke bërë që të shpërblehet me 50 mijë euro.“One Roof – Germia for Concert Hall” nxjerr dy salla koncertale brenda objektit, përderisa fasada e jashtme e monumentit ruhet. 

Juria kishte vendosur që në vendin e dytë me 74.84 pikë të jetë projekti i operatorëve “Shkëlqim Osmani B.I – Vizion project, MA Studio & Partners”, që kishte shifrën 1897. Shpërblimi financiar qe 30 mijë euro. I treti është renditur projekti me operatorët “Arbër Sadiki B.I, G+A Architects” me shifrën 6.969. Kishte marrë 70.12 pikë dhe shpërblimin financiar – 20 mijë euro. Pos Sadikit, bashkautor është edhe Gëzim Paçarizi.

Te projekti i dyshes Sadiki e Paçarizi parashihej ajo që kishte kërkuar kryetari Përparim Rama: ndërtesa aktuale të jetë galeri e të shtohet salla koncertale.

Projekti i përzgjedhur llogaritej të kushtonte rreth 10.6 milionë euro që të zbatohej. Me ndryshimet e kërkuara nuk ka ende ndonjë përllogaritje paraprake.

Qysh prej shtatorit të vitit 2018, Komuna e Prishtinës kishte përmendur ish-ndërtesën e “Gërmisë” si vend ku do të mund të ngrihej salla koncertale. Në tetor të atij viti, pas një debati të madh midis komunitetit të arkitektëve dhe atij të muzikës, Ministria e Kulturës e kishte përfshirë ndërtesën në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme. Në atë rast kishte ndryshuar situata.

Më pas, nëpërmjet vendimit për shpronësimin e ish-objektit të “Gërmisë”, Qeveria kishte vendosur që t’i ruhej pamja e jashtme monumentit dhe të shndërrohej në sallë koncertale.