“Kurrë s’kam menduar se do të marr kaq shumë dashuri” “Edhe kur të vdes do të vdes e lumtur që i takoj këtij populli. Gjithmonë jam krenare. Kënga shqipe më ka popullarizuar mua, jo unë atë, se është shumë e bukur vetvetiu”, kishte thënë Pagarusha në intervistën për “Kohën Ditore”, botuar më 7 maj të vitit 2013, në 80-vjetorin e lindjes së saj.
Në katin e dytë të një ndërtese modeste të lagjes “Ulpiana”, banesa numër 4, me shkronja ngjyrë ari mban të gdhendur emrin e pronares. Por, emri i saj nuk është familjar vetëm për banorët e lagjes. Ai i tejkalon kufijtë e botës shqiptare. E zonja e shtëpisë, kur hap derën, buzëqesh me mirësi. Rrudhat që ka në fytyrë janë dëshmi të gabuara për vitet që ka.
Zonja ka lënë pas vetes plot tetë dekada. Nëpër to përplasen sfida, triumfe, ndëshkime, dashuri e zhgënjim. E asnjë nuk ia kanë zbehur dashurinë që ka për jetën. E njëjta kishte qenë udhërrëfyese e saj, nga koha kur po sfidonte mentalitetin fanatik, deri te dita kur emri i saj do të mishërohej përjetësisht me epitetin “Bilbil i Kosovës”.
E lindur më 1933, në fshatin Pagarushë të Malishevës, ajo është zëri që depërtoi thellë nëpër zemrat e atyre që e donin këngën shqipe. Por, secili sukses e ka çmimin e vet. Rrugëtimi i saj jetësor është sa i bukur, aq edhe i vështirë. Në ditëlindjen e saj të 80të, në një intervistë për “Kohën Ditore”, Pagarusha kthehet mbrapa në kohë për t’i ndarë me lexuesit kujtimet më të thella, me të cilat kujtesa nuk e ka tradhtuar ende. “Baresha”, dhurata më e bukur nga Rexhoja
Mysafirët e saj janë të shpeshtë. Ajo i pret me shumë mirësi. Në një dhomë jo më të madhe se pesëmbëdhjetë metra katrorë – në të cilën bie në sy rafti me dhjetëra CD muzikore – kalon pjesën më të madhe të kohës. Derisa zbraz në filxhan kafenë turke, që në çfarëdo rrethane insiston ta bëjë vetë, psherëtin thellë, para se ta nisë rrëfimin. Njerëzit që e admirojnë janë të parët që i bien ndërmend në prag të ditëlindjes.
(Shkrimin e plotë mund ta lexoni sot në gazetën “Koha Ditore”)