Platforma e Beogradit ishte më se e qartë: e vërteta e njëanshme se vetëm kroatët, boshnjakët dhe kosovarët janë viktima duhet njëherë e përgjithmonë të përfundojë. Analogjia ndërmjet krimit dhe viktimës, ku nuk janë vetëm serbët agresorë, por edhe viktima, ku nuk janë vetëm serbët sulmues, por edhe të sulmuar, ku nuk janë vetëm serbët djaj, por edhe engjëj, duhet të modifikohet. Andaj, me fjalë të tjera, të gjitha palët ndërluftuese pak a shumë duhet të jenë të njëjtë. Me fjalë të tjera, duhet të shkohet drejt relativizmit të fajit dhe baraspeshës së tij, të paktën për hir të pajtimit dhe të ardhmes. Tekefundit, në një luftë vriten njerëz ndërmjet palëve luftuese dhe lufta nuk është aksion humanitar, por vazhdim i politikës me mjete të tjera të dhunës. Andaj, nuk duhet të gjykohet vetëm një palë luftuese. Kjo platformë u përqafua gjithandej e sidomos në Evropë pas vitit 2001. Ndërsa, me ndryshimet gjeostrategjike viteve të fundit dhe fuqizimit të aleatëve serbë, narracioni i sipërpërmendur u shndërrua në aksion, në strategji dhe në udhërrëfim institucional e shtetëror.
Ndryshimi galaktik brenda dy dekadave: nga [a]gresorë vrasës në [a]vantazh politik: “Made in Serbia”
Për dy vjetët e luftës së Kosovës, ICTY ka dënuar për krime lufte 6 serbë e 2 shqiptarë të Kosovës. Sipas të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare në Prishtinë, gjatë dy dekadave të pasluftës, nga gjyqësori i UNMIK-ut, EULEX-it dhe institucioneve kosovare, për krime lufte janë akuzuar 116 persona, 40 prej tyre janë dënuar (34 janë shqiptarë, pesë serbë dhe një rom), 41 janë liruar, derisa 28 persona janë arratisur pas ngritjes së aktakuzës (prej tyre 24 serbë). Ndërsa në Serbi janë gjykuar vetëm 17 persona, prej tyre dy janë shqiptarë.
Paragrafi i sipërm është pasqyra e hetimeve për krime lufte dhe krimeve të tjera. Për një periudhë lufte dyvjeçare, në një interval kohor përgjatë 20 vjetësh, më 26 të dënuar serbë dhe 38 shqiptarë nga pesë lloj gjykatash, është bilanci më i zymtë i mundshëm për një luftë çlirimtare. Çdo koment mbi këto statistika është i barabartë me mbi një milion shqiptarë të zhvendosur me dhunë nga vendbanimet e tyre, 13.518 të vrarë, mbi 20.000 femra shqiptare të dhunuara, 1.133 fëmijë të vrarë dhe 1.647 persona ende të pagjetur.
Megjithatë, historia nuk mbaron këtu. Hartimi i një raporti nga gazetari investigativ amerikan, Michael Montgomery, të cilin raport ia dorëzoi UNMIK-ut dhe më vonë ICTY, për dyshimet mbi zhdukjen e afër 300 serbëve dhe trafikimin e organeve të tyre në “Shtëpinë e verdhë” të fshatit Rrip në Burrel – pas hulumtimeve disavjeçare dhe mungesës së fakteve – përfundoi në sirtarë dosjesh. Por publikimi i librit “Gjuetia: Unë dhe kriminelët e luftës” (2008) të ish-prokurores së ICTY, Carla del Ponte, mbi supozimin se mund të ketë pasur trafikim të organeve të të burgosurve serbë nga ana e pjesëtarëve të UÇK-së, vetëm disa muaj pas lindjes së shtetit më të ri në Evropë, Republikës së Kosovës, shkaktoi tërmet politik e diplomatik.
Për një periudhë lufte dyvjeçare, në një interval kohor përgjatë 20 vjetësh, më 26 të dënuar serbë dhe 38 shqiptarë nga pesë lloj gjykatash, është bilanci më i zymtë i mundshëm për një luftë çlirimtare. Çdo koment mbi këto statistika është i barabartë me mbi një milion shqiptarë të zhvendosur me dhunë nga vendbanimet e tyre, 13.518 të vrarë, mbi 20.000 femra shqiptare të dhunuara, 1.133 fëmijë të vrarë dhe 1.647 persona ende të pagjetur
Supozimet e Del Pontes për trajtim çnjerëzor dhe tregtinë ilegale me organet e njerëzve u bënë për Beogradin si një “dhuratë nga dora e Zotit”, pas lutjeve të vazhdueshme e “fakteve të ofruara” nga ana e Prokurorisë serbe për Krime Lufte. Libri i Del Pontes, “zonjës herë të urryer e herë të respektuar”, u bë “fletërrufe” për Beogradin, ku çdo serb i vrarë në Kosovë automatikisht llogaritej “viktimë e trafikimit të organeve”. Për më tepër, një pjesë e faqeve të librit të Del Pontes do të “përpunohen vëllazërisht” nga senatori rus, Konstantin Kosachev (në prill të 2008), dhe më vonë (në janar 2011) do të “lulëzohen gjuhësisht” nga ai zviceran, Dick Marty, për t’u shndërruar në rezolutë të Këshillit të Evropës. E mendjendrituri Arbën Xhaferi, po në janar të 2011, do ta përshkruante: “Dik Marti dhe agjenturat që punojnë për të e shfrytëzuan këtë element, këtë fazë të papjekurisë kulturore, qytetëruese dhe alarmuan botën me informata të pabesueshme e shokante”. E për të ardhmen me të drejtë konstaton Xhaferi se, “sërish do të shfaqet nevoja që faktori ndërkombëtar ta nxjerrë nga balta kauzën kosovare”.

Faktori i përhershëm ndërkombëtar dhe varësia konstante
Relacioni politik ndërmjet faktorit ndërkombëtar dhe një vendi është për shumëkënd si “tërhiq e mos e këput”, e për disa “marrje-dhënie”. Por, për çështjen e Kosovës ka qenë i një raporti tjetër: vlerash. Duke mos qenë Perëndimi sponsorizues për shqiptarët e Kosovës, por orientim (kolektiv), si i tillë u vu në mbrojtje të tyre dhe madje jo pak herë.
Supozimet e Del Pontes për trajtim çnjerëzor dhe tregtinë ilegale me organet e njerëzve u bënë për Beogradin si një “dhuratë nga dora e Zotit”, pas lutjeve të vazhdueshme e “fakteve të ofruara” nga ana e Prokurorisë serbe për Krime Lufte
Në vija të trasha: NATO-ja intervenoi në Kosovë në mbrojtje të vlerave universale të të drejtave të njeriu dhe ndaljen e spastrimit etnik, ndihmoi në shpalljen e Pavarësisë së Kosovës si vlerë demokratike që mori për bazë vullnetin e shumicës së qytetarëve të Kosovës, ndihmoi argumentimin e legalitetit të pavarësisë së Kosovës në GJND, si vlerë juridike e normave ndërkombëtare dhe ndihmoi Kosovën t’u bashkohet strukturave euroatlantike prapë si pjesë e sistemit të vlerave perëndimore.
Në vija të holla: fushat ku kosovarët kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë përgjegjës dhe kanë pasur mundësi të krijojnë një “sistem model”, nuk ka prodhuar rezultatet e pritshme. Angazhimi për një sistem të mirëfilltë arsimor, shëndetësor apo gjyqësor është kompatibil me shtyllat e funksionimit të një shoqërie bazuar në vlera perëndimore. Andaj fshehtësia në ndërtimin e shtetit si vlerë nuk qëndron në nxirjen e të bardhës, por në zbardhjen e të zezës. Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Policia e Kosovës janë dy nga tregimet më të suksesshme në Republikën e Kosovës. E kjo u bë e mundur vetëm nga bashkëpunimi i thellë ndërmjet institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare. Kjo nuk guxon të ketë këndvështrim nihilist ndaj eksperiencës sonë për ekspertizën ndërkombëtare, se përndryshe paraqet antivlerën më të madhe të mundshme.
Përfundimisht, antivlera më e madhe qëndron në besimin e verbër të shumëkujt se “ndërkombëtarët i kryejnë punët tona”
Në vija edhe më të holla: Është për keqardhje se që nga shpallja e Pavarësisë së Republikës së Kosovës e gjerë më sot çdo Qeveri të Kosovës e ka përcjellë një sindromë të zezë, ngaqë asnjëra nga to nuk e ka mbaruar mandatin e vet deri në fund, duke përfshirë edhe Qeverinë që shpalli Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.
Përfundimisht, antivlera më e madhe qëndron në besimin e verbër të shumëkujt se “ndërkombëtarët i kryejnë punët tona”. Por, kjo logjikë paraqet përdhosjen e atyre vlerave perëndimore dhe, rrjedhimisht, përfundon në baltë. Me fjalë të Arbën Xhaferit, duhet prapë ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar për ta nxjerrë nga balta kauzën kosovare. Pse? Sepse, duke mbizotëruar logjika e folklorit partiak e politik, mungoi logjika e dinjitetit institucional, ku subordinimi ndaj shtetit, ndaj të mirës së përbashkët, si dhe mosaftësia për t’i nxjerrë mësimet nga e kaluara nuk u kurorëzua në normë shoqërore dhe vetëdije institucionale e shtetërore.
COVID-i dhe shqiptarët
Memoria institucionale tek ne sikur i ngjan virusit COVID-19, që përhapet në masë dhe na “infekton” të gjithëve. I sulmon pikat më të dobëta në organizëm të njeriut. E një nga pikat më të dobëta tek ne historikisht ka qenë memoria institucionale dhe kolektive. Organizmi shqiptar ka qenë i shëndoshë për t’u përballuar viruseve të ndryshme historike, qoftë të karakterit armiqësor, fqinjësor, fetar apo rajonal. Mirë a keq, i ka rezistuar çdo virusi qëllimkeq duke ruajtur organizmin (trungun) shqiptar. Ky organizëm dëshmoi logjikë kryengritëse, çlirimtare dhe shtetformuese. Tani duhet të ketë imunitet të përhershëm e t’i sfidojë virusit permanent: logjikës shtetmbajtëse. Tekefundit vaksina kundër virusit edhe pritet të dalë në qarkullim, por vaksina nuk na e rregullon të kaluarën. Dhe, faji nuk është as i efektit anësor që mund të shkaktojë ajo, por i yni. Kështu që, dashuria dhe dinjiteti ndaj shtetit dhe institucioneve të tij nuk janë dhuratë nga Zoti, por janë mbi të gjitha kulturë, kulturë individuale, kulturë familjare, kulturë shoqërore, kulturë kombëtare e shtetërore. Hëpërhë, gjithsecili ka të drejtë të pyes se cilat nga këto na mungojnë?
Memoria institucionale tek ne sikur i ngjan virusit COVID-19, që përhapet në masë dhe na “infekton” të gjithëve. I sulmon pikat më të dobëta në organizëm të njeriut. E një nga pikat më të dobëta tek ne historikisht ka qenë memoria institucionale dhe kolektive
Eseja e sipërme është një kronikë mbi përpjekjet e Serbisë nën qeveri e qeverisje të ndryshme për të mbrojtur interesin serb me çdo mjet. Është një elaborim i punës të vetëm disa veprimeve të pareshtura serbe që përfshijnë autoritetet e institucionet shtetërore e shumë mekanizma të tjerë joshtetërorë që kanë punuar në mbrojtje të interesit serb. Për ta përmbyllur aty ku e fillova me ish-ambasadorin austriak, sipas të cilit serbët janë një shoqëri që nuk duhet nënvlerësuar dhe këtë kush tjetër më keq se [A]ustria e ka pësuar.
Autori është bashkëpunëtor shkencor në Institutin Austriak për Politikë Ndërkombëtare në Vjenë dhe Fellow i Fondacionit Austriak të Planit Marshall në Universitetin Johns Hopkins, në Shkollën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare në Washington