Kulturë

Kultura përballë vrasjes dhe mjetit politik

Nëse kultura ia del ta kapërcejë politikën, ose të përcjellë mesazhe paqeje e thirrje për aktivizëm në të mirë të saj, shembulli më i freskët janë tri ditët e festivalit “Mirëdita, Dobar dan!”. E, se kultura është mbi të gjitha aktivizëm, ka qenë njëri prej emëruesve të përbashkët të ngjarjeve të së shtunës. Vrasja e kulturës, e kultura si mjet politik kanë qenë kryetemat

Nëse është vrarë kultura, ka raste të mjaftueshme dhe historia, veçmas ajo e Ballkanit, e ka dëshmuar e vazhdon ta bëjë një gjë të tillë. Nëse kultura është mjet politik, përgjigja është po ashtu pohuese. E, nëse kultura ia del ta kapërcejë politikën, ose të përcjellë mesazhe paqeje e thirrje për aktivizëm në të mirë të saj, shembulli më i freskët janë tri ditët e festivalit “Mirëdita, Dobar dan!”, që ka përmbyllur të shtunën mbrëma edicionin e tetë, i pari që vjen i plotë në Prishtinë, duke lënë prapa edicionet e zhurmshme e në mjegullën e kundërshtimeve nacionaliste në Beograd. Të suksesshëm e kanë cilësuar organizatorët edhe këtë edicion, duke u zotuar se nuk do të ndalen. E, se kultura është mbi të gjitha aktivizëm, ka qenë njëri prej emëruesve të përbashkët të ngjarjeve të ditës së fundit të “Mirëdita...” . Vrasja e kulturës, e kultura si mjet politik kanë qenë kryetemat.

Objektet kulturore si vende krimi

Salla e Galerisë së Fakultetit të Arteve mesditën e së shtunës ka qenë e stërmbushur me persona të të gjitha moshave, gazetarë serbë e shqiptarë, në ngjarjen që rihapi temën rreth konflikteve kulturore dhe ato shoqërore, me qendër në hapësirat kulturore, të cilat janë shndërruar në llogore gjatë luftërave të ish-Jugosllavisë.

Nëse vrasja e kulturës vazhdon, ka qenë pyetja kryesore e ndërlidhur rreth librit të fotografit të ndjerë Hrvoje Polan, së bashku me shkrimtarin Viktor Ivançiq dhe gazetarin Nemanja Stjepanoviq me titull “Killing Culture” (“Vrasja e kulturës”). Është një libër fotografish që paraqet horrorin në shtëpitë e hapësirat tjera kulturore.

Aktivistja Vjera Ruliq ka thënë se ekziston një propagandë mediatike ku faktet mohohen. Gjatë kohës së luftërave, këto shtëpi kulturore janë shndërruar në vende krimesh çnjerëzore si vrasja, përdhunimi dhe torturimi. Një gjë e tillë, sipas Ruliqit, ka tmerruar autorin kur ka parë muret e mbuluara me gjak brenda këtyre shtëpive kulturore. Duke parë këtë, veçse është ditur se çfarë mund të ketë ndodhur.

Ruliq ka thënë se në këtë formë kultura është shkelur dhe shkatërruar, pasi këto objekte të rëndësishme kulturore u kthyen në llogore për torturimin e njerëzve. Dhe, për objekte të tilla duhet të flitet. Ato janë shenjat që kujtojnë se historia s’mohohet ashtu sikurse krimet.

Vrasja e kulturës konsiderohet si një akt i tmerrshëm politik duke shkatërruar në të njëjtën kohë edhe historinë dhe atë që karakterizon çdo popull. Libri “Killing Culture” dokumenton 20 ndërtesa në Kroaci dhe Bosnje, të cilat u përdorën si shtëpi torturuese gjatë luftërave të viteve ‘90. U titullua “Killing Culture” në një mënyrë simbolike nga Viktor Ivançiq, gazetar me shumë përvojë që ka menduar se ky titull është më se i përshtatshëm, marrë parasysh se çfarë ndodhi brenda mureve të tyre.

E imazhet e objekteve, vijnë edhe më fuqishëm me ekspozitën me të njëjtin titull sikurse libri. Aty bëhen tok fotografitë e Hrvoje Polanit, si një thirrje që objektet të ruhen bashkë me kapitullin e tmerrshëm për to. Salla ishte e mbushur e nuk munguan as fytyrat publike si ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, dhe deputetja Eliza Hoxha.

Nxjerrja nga margjinat e aktivizmit me kulturë

“Mirëdita, Dobar dan!”, po të shtunën ka hapur kapitullin tjetër mbi kulturën. Debatin “Kultura si mjet politik” udhëhequr nga gazetarja Aulonë Kadriu, ka bërë bashkë në një panel antropologen Nita Luci, avokatin për të drejtat e njeriut, Milan Antonijeviq, Maja Stojanoviq e Iniciativës Qytetare, një nga themelueset e “Mirëdita, Dobar dan!”, si dhe dramaturgun Jeton Neziraj.

Para se t’i rreken temës së debatit, është rikthyer pyetja nëse kultura mund të vritet.

“Një pyetje që ndoshta edhe s’ka përgjigje, sepse unë si antropologe mendoj se është e pamundur të shkatërrohet kultura sepse vetë njeriu është qenie kulturore. Por, mendoj se kur e paraqesim si shkatërrim të kulturës, shpeshherë dëgjojmë për faktin se si po degradohet kultura. Kjo e sjell në vete njëfarë nënkuptimi të asaj se çfarë është vlerë. Të gjitha hapësirat tona gjeografike, kulturore, politike kanë pasur një diskutim të vazhdueshëm të vlerës dhe antivlerës dhe unë asnjëherë nuk kam hyrë në atë diskutim, sepse mendoj se nga fillimi paraqitet gabimisht. Ideja e antivlerës nënkupton që kjo e kundërshton një pozicion, i cili normalisht mund të jetë edhe politik dhe ideologjik dhe e sjell pyetjen se a është një pozicion jashtë ideologjisë dhe përgjigjja për mua është ‘jo’” ka thënë Luci.

Antonijeviq ka thënë se ka pasur tentativa të vrasjes së kulturës që nga vitet ‘80 dhe ‘90, ku në mënyrë sistematike janë shkatërruar hapësirat kulturore. Ai ka bërë thirrje duke thënë se kulturën duhet parë si diçka që na lejon bashkëpunimin për lidhje më të forta. Shumë segmente të Kosovës dhe të Serbisë, sipas tij, asnjëherë nuk e kanë ndërprerë bashkëpunimin.

“Duhet të fokusohemi tek ajo se çka e shkatërron shoqërinë dhe çka e shëron atë”, ka thënë ai. “Mediave dhe personave të cilët nuk na përkrahin dhe akoma janë kundër bashkëpunimeve të tilla, si kjo Kosovë – Serbi, nuk duhet t’u qasemi sikur një armiku, por t’i shohim vetëm si persona, të cilët nuk i kuptojnë gjërat. Të ndërtojmë urat me gjuhën e kulturës dhe të bëjmë edhe një hap të vogël përpara”, ka thënë ai.

Kultura është shumë e fortë dhe rezistuese dhe këtë gjë e dëshmoi edhe prania e mediave dhe salla e mbushur gjatë debatit. Synimet për ndryshime politike janë shumë të rëndësishme dhe një gjë e tillë mund të bëhet përmes kulturës.

Image
“Kultura si mjet politik”, ka qenë tema e debatit të së shtunës...

“Ajo çfarë kemi bërë edhe më herët ka të bëjë me synimet për ndryshime politike dhe të shoqërisë nëpërmjet kulturës, dhe që nëpërmjet saj të përcjellim një porosi. Ajo çfarë duhet ta shtrojmë parësisht është ta definojmë së çfarë është kultura. Për mua kultura është ajo që nga ana kritike do të kundrojë gjërat e të japë qasjen e vet për një ngjarje të caktuar. Pra, nëse flasim për kësisoj kulture, atëherë e shohim se sa peshë ka ajo për një shoqëri”, ka thënë Maja Stojanoviq, teksa i është kthyer librit “Vrasja e kulturës”, që për të paraqet shembullin e një kulture të përthekuar në atë mënyrë.

“Nemanja në libër ka këtë qasje të kulturës, e cila për dekada tashmë është lënë në margjina. Dhe, ajo për të cilën ne duhet të flasim është se si ta bëjmë mainstream kulturën e angazhuar, atë që ka qasje kritike. Duhet të punojmë që këtë ta bëjmë realitet”, ka thënë ajo .

Jeton Neziraj, dramaturg dhe udhëheqës i qendrës “Multimedia” ka thënë se zbërthimi i asaj nëse kultura është mjet politik është pyetje mjaft e interesante, por edhe shumë e vështirë.

“Dy aspekte që ndërlidhen me pyetjen, janë instrumentalizimi i kulturës dhe përdorimi i kulturës për qëllime ideologjike, propagandistike që kanë qenë terme simptomatike këto 20 vjetët e fundit në aspektin e reduktimit të rolit të kulturës dhe është krijuar një lloj frike nga kultura”, ka theksuar Neziraj. Ai ka thënë se në momentin kur kultura ndahet në preferenca dhe përshtatje, se çka portretizon mirë një popull dhe çfarë e degradon atë, është momenti kur gjithçka kthehet në politikë dhe humb thelbin e rëndësisë së saj.

Pyetjet nuk munguan nga publiku, e një e tillë qe ajo për 1244 artefaktet e Kosovës që u rrëmbyen nga regjimi serb më 1998 e 1999 dhe prej atëherë s’u kthyen më. Iu drejtua Milan Antonijeviqit si avokat.

Ai ka thënë se duke marrë parasysh se çfarë po ndodh në gjithë botën, ku shumë objekte kulturore po u kthehen shteteve përkatëse, një gjë e tillë mund të ndodhë edhe mes Kosovës dhe Serbisë. Ndërsa, Nita Luci vazhdoi duke thënë se nuk mendon se një gjë e tillë do të ndodhë duke marre parasysh relacionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Por, “Mirëdita, Dobar dan!” insiston në të tjera raporte, larg prej tensioneve e ambientit toksik politik, siç u përmend që në hapje të edicionit të sivjetmë.

Në ceremoninë përmbyllëse, edhe publiku, edhe pjesëmarrësit qenë më të relaksuar. Kushtrim Koliqi, udhëheqës i “Integras” që organizon festivalin, ka falënderuar krejt ata që e bënë të mundur edhe këtë edicion, veçmas vullnetarët. Çmimi i është dhënë Nora Ahmetajt, hulumtuese në drejtësi tranzicionale, për kontributin e saj në dokumentimin e krimeve të luftës dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut, në fuqizimin e grupeve të margjinalizuara dhe thellimin e bashkëpunimit midis vendeve që kanë kaluar luftëra dhe konflikte.

Ngjarjet e tri ditëve të festivalit i ka përcjellë edhe gazetari nga Beogradi, Pero Jovoviq, të cilit i ka dalë punë me nacionalistët serbë. Mbi 1500 mesazhe ka marrë ai – ndër to edhe kërcënime me vrasje – pasi raportimet në rrjete sociale i ka shoqëruar edhe me flamurin e Kosovës.

Image
Ceremonia përmbyllëse e edicionit të tetë të “Mirëdita, Dobar dan!”, të shtunën mbrëma në “Kino Armata” në Prishtinë.

“Përndjekja dhe kërcënimi i gazetarëve, që promovojnë paqen, është një problem shumë i madh dhe i papranueshëm, i cili po vë në rrezik integritetin e medias dhe fjalës së lirë. Një kujdes i veçantë duhet t’u jepet këtyre gazetarëve, të cilët kanë për qëllim provimin e të drejtave të njeriut. Një nga qëllimet kryesore të festivalit ‘Mirëdita Dobar dan!’ është mu kjo: promovimi i vlerave të tilla dhe mbështetja e këtyre individëve. ‘Festivali Mirëdita, Dobar dan!’ solidarizohet me gazetarin Pero Jovoviq, i cili po vazhdon të marrë kërcënime dhe akuza për shkak të raportimit të tij”, ka shkruar “Mirëdita, Dobar dan!”.

pak ishte kërcënuar edhe Ognjen Glavoniq për filmin e tij “Ngarkesa”, që zanafillën e ka te rasti i trupave të civilëve shqiptarë të varrosur në Batajnicë afër Beogradit. Kur ceremonia përfundoi, në “Kino Armata” u ndez projektori për filmin që i thërret ndërgjegjes.