Kur një vit më parë dyert e teatrove, kinemave dhe hapësirave të tjera kulturore u mbyllën, “raca” e artbërësve e artdashësve u gjend në një marrëdhënie të re komunikimi. Të pazakontë, por interesante! Festivale si “DokuFest”, “Anibar”, “Hapu”, “DamFest”, “ReMusica” e të tjera e ruajtën vazhdimësinë e traditës. Muzetë e parqet arkeologjike, fillimisht në Shqipëri, por edhe në Kosovë, u bënë të përshkueshme e të vizitueshme online. KOHA nuk shkëputi asnjëherë komunikimin me lëndën artistike duke u bërë kështu platforma që tejçonte shpresën kundrejt zymtisë, optimizmin kundrejt frikës dhe shijen e së bukurës së artit përballë lajmeve frymëzënëse. Në dialogun me veten e nën shoqërimin e pasioneve jetësore, shkrimtarë, regjisorë, dramaturgë e muzikantë shkëputën vepra që në dritën e sotme, edhe tani kur pandemia vazhdon, jehojnë edhe më fort me mesazhe e kuptime
Ishin bërë tash e sa muaj nga dita kur “pacienti zero” ishte diagnostikuar me virusin vdekjeprurës. Ai që infektologë, virusologë e epidemologë e përkufizuan si sindromë akute respiratore – SARS-CoV-2 – nuk ishte më një lajm që asocionte vetëm Wuhanin e largët.
Evropës po i trokiste te dera virusi COVID: frika nga e panjohura merrte formë nga ilustrimi që e kishte bërë Alissa Eckert nga Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në ShBA. Ajo paraqiste një blanë në formë të rrumbullakët me gjemba në të gjitha anët.
Udhëzuesit mjekësorë, që kësaj here u ndajmbathën me fuqinë shtrënguese të qeverive, sollën izolim të plotë e të pjesshëm. Për javë të tëra, peizazhet urbane ngjanin si shkretëtira distopike me një qetësi që kumbonte si një skenar trillan totalitarizme.
Fiks para një viti, më 13 mars, Kosova shënoi rastin e parë të infektuar me koronavirus. Ky e të tjerë në vazhdim do të ishin kambanat e alarmit që e çoi vendin në izolim
Komunikimi i ri i artit
Fiks para një viti, në ditën e trembëdhjetë të marsit, Kosova shënoi rastin e parë të infektuar me koronavirus. Ky rast e të tjerë në vazhdim do të ishin kambanat e alarmit që e çoi vendin në izolim.
Me masat që ndërmori Qeveria e asokohshme e Kosovës, të gjitha institucioneve kulturore iu vu dryni për një kohë të pacaktuar.
Atë që po e bënin artistë italianë në ballkone apartamentesh – fuqi arti si antidot për fatalizëm! – do ta vijonin në mënyrat e tyre edhe ekuivalentët e tyre në botën shqiptare.
Kur dyert e teatrove, kinemave dhe hapësirave të tjera kulturore u mbyllën, “raca” e artbërësve e artdashësve u gjend në një marrëdhënie të re komunikimi. Të pazakontë, por interesante.
Si në raste të tjera kur artistët kapërcejnë kufij pa viza, pasaporta e leje të tjera, praninë e tyre tash nisën ta bëjnë nëpërmjet hapësirës virtuale. Kur u bënë të pamundura koncertet, shfaqjet e ngjarjet e tjera që pikëtakojnë artistë e publik, rrjetet sociale u bën skena e re.
“Shpresa kundër zymtisë”
Më shumë sesa kaq, KOHA nuk shkëputi asnjëherë komunikimin me lëndën artistike duke u bërë kështu platforma që tejçonte shpresën kundrejt zymtisë, optimizmin kundrejt frikës dhe shijen e së bukurës së artit përballë lajmeve frymëzënëse. Në dialogun me veten e nën shoqërimin e pasioneve jetësore, shkrimtarë, regjisorë, dramaturgë e muzikantë shkëputën vepra që në dritën e sotme, edhe tani kur pandemia vazhdon, jehojnë edhe më fort me mesazhe e kuptime.
Kështu, vepra letrare, muzikore e kinematografike të Roberto Arltit, Karl Orffit, Dante Alighierit, Roberto Benignit e Wolfgang Amadeus Mozartit u bënë mesazhe për një të ardhme të re të njerëzimit.
Kur dyert e teatrove, kinemave dhe hapësirave të tjera kulturore u mbyllën, “raca” e artbërësve e artdashësve u gjend në një marrëdhënie të re komunikimi. Të pazakontë, por interesante
Kitaristi që ngriti mburojën e artit
Atëherë kur psikoza e frikës ishte bërë tejet e prekshme, kitaristi virtuoz Petrit Çeku do të bëhej i pari që artin e bëri mburojë shpirtërore. Nga banesa e tij, madje i veshur me kostume njësoj si të ishte në skenë, kitaristi përçoi edhe mesazhe shpresëdhënëse.
“Le të mos harrojmë se ani pse jemi të ngujuar, ne jemi së bashku në këtë”, kishte thënë ai.
Edhe grupi “String String” i vuri vetes qëllim ta largonte publikun nga ethja e frikës. Vëllezërit Fanaj e mbajtën kontaktin me publikun në formatin që më pas do të bëhej i zakonshëm për shumë muzikantë e artistë.
Në këto javë drithëruese, Qendra Kinematografike doli me ofertën me dhjetë filma online nëpërmjet platformës digjitale “Gjirafa”. Regjisori i ri, Leart Rama, zgjodhi të dokumentonte kryeqytetin e heshtur nëpërmjet projektit të tij “Ditari i koronës”. Për disa ditë me radhë, ai solli nga një episod që tregonte kryeqytetin e heshtur gjatë ditëve të para të izolimit.
Vepra letrare, muzikore e kinematografike u bënë mesazhe për një të ardhme të re të njerëzimit
Arti hapi dyert
Një udhëtim virtual gjatë marsit mund ta bënte kushdo në muzetë e galeritë e Shqipërisë. Nëpërmjet teknikës 3Dimensionale, secili mund të vizitonte Muzeun Kombëtar “Shtëpia me gjethe”, Muzeun Historik Kombëtar, Galerinë Kombëtare të Artit në Tiranë, e madje edhe Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, në Krujë e Berat...
Kur dyert e galerive veç ishin mbyllur, ekspozita “Heshtja e rëndë” e Burim Gashit dhe “Përtej” e Argenita Fetahut erdhën nëpërmjet teknologjisë në 360 shkallë. Vizitat virtuale u bënë një kompensim kreativ gjatë asaj kohe. Galeria Kombëtare e Kosovës iu përgjigj kësaj situate edhe me projektin “Artist në karantinë”, duke shpalosur disa punime të artistëve e Galeria e Ministrisë së Kulturës erdhi më afër publikut me “Retrospektivë”, duke sjellë punime të ekspozuara më parë në këtë galeri.
27 marsi – Dita Botërore e Teatrit, në tërë botën vitin e kaluar i gjeti aktorët larg skenës, e publikun larg ulëseve të teatrit, por Teatri i Gjilanit qe i pari që nisi transmetimin online të shfaqjeve me komedinë “Shfaqja që shkon keq”.
Pesë ditë më vonë në të njëjtën mënyrë nisi edhe Teatri Kombëtar i Kosovës me “I ligu për mend”, nën regji të Altin Bashës. Shfaqja “Zgjimi i pranverës”, që ishte planifikuar të jepej premierë gjatë marsit pezulloi të gjitha provat. E premiera erdhi vetëm më 12 qershor me publik të kufizuar.
Pandemia prishi harmoninë e aktiviteteve të planifikuara të Filarmonisë së Kosovës. Shumica e atyre që ishin menduar kaherë për shënimin e 20-vjetorit qe e pamundur të realizoheshin.
Edhe ky institucion solli koncerte online. Pauzë të gjatë patën edhe balerinët. Balerina Teuta Krasniqi solli një performancë të veçantë për shikuesit e Kohavisionit në kryeqytetin e zbrazët. Balerina, e cila në skenë e sfidon gravitetin, ishte në kontrast me ambientin. Izolimi i vendit ishte një test se arti s’mund të izolohej. Dhe, kjo u dëshmua gjatë gjithë vitit.

Festivalet – në vazhdimësi të traditës
Lista e shembujve është e gjatë. Ndonëse pa elanin e tyre dhe të kufizuara në formate digjitale, festivalet kryesore në vend e ruajtën megjithatë vazhdimësinë e tyre të traditës.
Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër, “DokuFest”, në edicionin e 19-të prej 2 deri më 10 gusht, pa gjallërinë e zakonshme në Prizren, por me mesazhin e fortë për të ardhmen që duhet pritur, me temën “Transmision”, dëshmoi vendosmërinë e artit për kapërcim sfidash. S’i ndezi ekranet e mëdha, por u zhvendos nga kinematë fizike në hapësirën virtuale.
Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Animuar “Anibar” në Pejë, më 18 gusht filloi edicionin e 11-të, të cilin ua dedikoi heronjve që sigurojnë vazhdimësinë e jetës. Rrjedhën e aktiviteteve të tyre e vazhduan edhe festivalet “ReMusica” me edicionin e 19-të me koncerte online, por të realizuara në salla të njohura evropiane ashtu sikurse edhe “PriVocalFest”, “PriFilmFest”, “FemArt”.
Festivali i artit në hapësira publike “Hapu” u bë “Hapudemi”. Bashkë me festivalin e letërsisë “Polip”, qysh në hapje, përcollën një mesazh: me aktivitete të përbashkëta për solidarizim.
“DamFesti” erdhi me një edicion tektonik, i cili u hap më 7 tetor me dokumentarin “Juliana”, i cili përcjell rrëfimin e mexosopranos serbe që bëri zgjidhjen më të jashtëzakonshme gjatë viteve ‘90 në Kosovë. Por jo vetëm kaq. Solli performanca unike me “Një koncert, një dëgjues”, që riformuluan konceptin e ngjarjeve kulturore tek erdhën si dëshmi se dështimi nuk është opsion në kohë të errëta. Sepse, në fakt, ky është misioni i artit.
“ReMusica” e “PriVocalFest” këtë vit interpretimet e muzikës klasike i sollën përmes koncerteve online. Në fushën e muzikës, “Peja Jazz” kapërceu sfidat duke nisur rrugëtimin pikërisht në vitin e pandemisë.
Pandemia e pamundësoi mbajtjen e përvitshme të panairit të librit në qershorin e kaluar dhe kjo ishte kohë e vështirë edhe për botuesit e libraritë, që megjithatë u munduan të qëndrojnë pranë lexuesve me oferta të reja. Në gusht të 2020-s, Botimet KOHA solli “Mini-Panairin e KOHËS” me tituj të rinj e ofertë tërheqëse në kohë pandemie, përderisa vazhdoi traditën me ndarjen e shpërblimeve vjetore “Rexhai Surroi” për gazetari e letërsi. Te promovimet, gjatë vitit 2020, është rrumbullakuar një punë e nisur më 2015.
Ndonëse ishin gati qysh prej pesë vjetësh në Degën e Folklorit në Institutin Albanologjik të Prishtinës, veprat e plota të profesor Anton Çettës janë botuar tek në nëntor, përderisa një histori zvarritjesh përbën edhe përpjekja për vendosjen e shtatores së pajtuesit të gjaqeve. Në vitin e parë të virusit me kurorë pati edhe kurorëzim me suksese. Veçmas filmat me premiera në festivale të njohura. “Exili” mori “Zemrën e Sarajevës” , “Zgjoi” tre trofe në “Sundance Film Festival”, “Në kërkim të Venerës” debutoi suksesshëm në “Rotterdam Film Festival”.
Ndonëse pa elanin e tyre dhe të kufizuara në formate digjitale, festivalet kryesore në vend e ruajtën megjithatë vazhdimësinë e tyre të traditës
“Ndëshkimi” krijues
Historia njeh kryevepra që lindën bash në kohë përballjesh me të keqën. Nëse ato ishin një lloj katarsisi, është çështje debati. Në heshtjen që pllakosi qytetet shqiptare si pas një gjëme apokaliptike, u duk sikur “flisnin” zëshëm mendime, përsiatje, arratisje e krijime.
“Një lloj ‘ndëshkimi’ krijues për ata që deshën të krijonin ishte pikërisht koha e lëngatave, murtajave, inkuizicionit, sistemeve autoritare e të tjera. Filmin më të njohur turk e ka bërë Yılmaz Güney nga burgu”, kishte thënë regjisori Isa Qosja në një intervistë për KOHËN
E mbyllur në atelie, piktorja Zake Prelvukaj po përvijonte frymëzimet e saj ashtu siç mundëson veç arti që i shërbehet së ardhmes.
“Ne shohim që në këtë planet ka diçka më të fuqishme se njeriu”, kishte thënë piktorja që i ishte përveshur krijimit të një cikli të ri pikturash.
Kohën në karantinë, studiuesja e letërsisë dhe përkthyesja Anila Xhekaliu e kalonte duke lexuar “Murtajën” e Albert Camusit.
“Po e jetoj si lexuese e një libri”, kishte thënë ajo teksa gjente ngjashmëri me personazhet e qytetit të Oranit, me po të njëjtat frika e mëdyshje e me po të njëjtën endje mes ekzistencializmit e absurdit.
Kurse shkrimtari Gëzim Aliu po mendonte diçka tjetër. Ai ishte shpresëplotë që njerëzit do ta mundnin virusin, por pikëpyetja, sipas tij, ngelej nëse do të arrihej të mposhtej egoizmi që solli këtë gjendje.
“Shkatërrimi i natyrës që po vazhdon madje edhe në këto çaste e ka sjellë këtë gjendje”, kishte thënë Aliu.
Historia njeh kryevepra që lindën bash në kohë përballjesh me të keqën. Nëse ato ishin një lloj katarsisi, është çështje debati. Në heshtjen që pllakosi qytetet shqiptare si pas një gjëme apokaliptike, u duk sikur “flisnin” zëshëm mendime, përsiatje, arratisje e krijime
Kompozitori dhe dirigjenti nga Peja, Memli Kelmendi, kohën e karantinës po e kalonte pranë familjes. Por ai nuk i ishte dorëzuar rezignatës, ndaj kishte nisur t’i vinte në vijë projektet e nisura më parë.
“Jeta e një kompozitori në fakt është një ‘karantinë’ e përditshme, detyrë e obligueshme për të qenë pjesë e një suksesi. Kështu ndodh në të gjitha artet”, thoshte kompozitori pejan.
Ndërkaq dramaturgu Jeton Neziraj alarmonte se, derisa izolimi mund të ishte mundësi e mirë për disa krijues, për të tjerët që punojnë kolektivisht do të ishte si “vetëvrasje”.
Pyetjes nëse krijimet e kohës së pandemisë do të mbanin “shenjat” e murtajës, një frymë ankthi brenda tyre apo prirje për njëfarë transcedence, Neziraj i ishte përgjigjur: “Kjo mbetet të shihet. Ai ‘ankthi’ i fillimit ngadalë është zvetnuar dhe tani abnormalja ka nisur të bëhet normale. Shenjë që njeriu adaptohet lehtë. Dhe mbijeton”.