Kulturë

Kultura në kontraste

Se më 2022 Kosova do të shfaqte një operë të kompletuar si “La Traviata”, zor se do të mund ta mendonte kush. Madje as ai që ka shkruar operën e parë në Kosovë. Por edhe që shteti, pasi investoi miliona euro në monumente, t’i braktisë krejtësisht ato, zor se do ta kishte hapur si temë.

Kontrasteve ekstreme nuk u ka ikur asnjë fushë kulturore gjatë vitit të 23-të të këtij shekulli. Në njërën anë një shfaqje teatrore nga Kosova bëri bujë në vendet e rajonit e ato evropiane duke shpërfaqur hipokrizinë evropiane në raport me një nobelist që mohon gjenocidin. E në tjetrën, shteti në një ditë qershori mori vendim që ndërtesës së Teatrit Kombëtar të Kosovës t’i vihet dryni. Dhe këtë me një arsyetim të paarsyeshëm. Skenës së pavarur kulturore si kurrë më parë iu vonuan subvencionet deri pas mesit të vitit, por kur u ndanë, organizatat e individët u mbështetën me shuma që tejkalojnë edhe sa kanë marrë për pesë vjetët e fundit. Shteti që nuk ka muze të artit bashkëkohor e që për më shumë se dy vjet e ka lënë Galerinë Kombëtare pa drejtor, qe nikoqir i bienales nomade “Manifesta 14”, më të madhes së këtij lloji në botë. Por kontrasteve deklarativisht u ka ikur veç i pari i kulturës, ministri Hajrulla Çeku. Për gati dy vjet sa mban këtë pozitë, për secilën pyetje për institucionet e kulturës ka pasur një përgjigje bazë: “Reformën në legjislacion”.

Suksese e data historike

Në rrafshin institucional pa dyshim se viti 2022 do të mbahet mend si ai i operës “La Traviata”. Në vitin 2004 në Prishtinë ishte inskenuar “Carmen”, por produksioni i “La Traviata” është tjetër muhabet sa i përket nivelit. Stafi profesional vendor e ai ndërkombëtar kanë bërë një realizim të pazakontë për kushtet vendore. E Besa Llugiqi, që deri me tash kishte luajtur Vielettan vetëm në skenat evropiane, iu kthye vendlindjes së saj po me atë rol. Gjë e pazakontë për sopranot e vendeve të zhvilluara që karrierën operistike e nisin fillimisht në vendin e tyre. E krejt kjo u organizua nga një institucion që është themeluar në gushtin e vitit 2021 dhe nuk ka gjë tjetër pos një grushti punëtorësh administrativë. Bile, s’ka as ndërtesë. Gjatë vitit projekti i nisur para më shumë se një dekade, teatri i operës, u bë me lokacion të ri, pas 13 vjet dështimesh e 1 milion euro humbje. Tash synohet që të ndërtohet prapa Pallatit të Rinisë dhe Sportit. Për këtë edhe është hapur një konkurs për projekt ideor.

Muzika klasike ka treguar qysh moti për potencialin që ka. Festivalet tradicionale kanë vazhduar rrugëtimin e tyre. E formacionet si kori “Siparantum”, udhëhequr prej Memli Kelmendit, kanë bërë bujë: mori dy çmime të para në kategoritë “F” dhe “G” në edicionin e 70-të të “Europian Music Festival for Young People” në Belgjikë. Nuk u ndal me kaq. Doli i pari në festivalin “Lisbon Sings” në Lisbonë. Pos këtyre, interpretuan edhe në Filharmoninë e Berlinit. Në një tjetër qytet gjerman, në Hamburg, sopranoja Elbenita Kajtazi debutoi si Manon, në operën e kompozitorit francez Jules Massenet, që për titull ka emrin e personazhit të portretizuar nga Kajtazi.

Emra jo të vegjël të botës së operës qenë në Kosovë gjatë verës, kur edhe u mbajt edicioni i dytë i “Ramë Lahaj International Opera Festival” që Prishtinës i dha madhështinë e skenave botërore me koncert operistik.

Filharmonia e Kosovës kishte një vit fantastik. “Carmina Burana” në ambient të hapur në qendër të Prishtinës e shndërroi sheshin qendror në sallë të hapur koncertesh. Institucioni bashkëpunoi edhe me Teatrin e Operës dhe Baletit të Shqipërisë, përderisa bashkë me Baletin Kombëtar të Kosovës rikthyen në Prishtinë pas katër dekadash “Halilin dhe Hajrinë”. Në këtë rast edhe u shënua 50-vjetori i themelimit të Baletit Kombëtar të Kosovës. Por sikurse Filharmonia, edhe Baleti ende nuk ka shtëpi të veten. Improvizojnë me hapësira. Komuna e Prishtinës ende ka në plan që ish-shtëpia e mallrave “Gërmia” të jetë qendër multikulturore me një sallë të koncerteve e një hapësirë ekspozuese.

Kur flitet për muzikën, lajm vendor e përtej rajonit ishte paralajmërimi i festivalit “Sunny Hill” se po zhvendoseshin në Tiranë pasi kishin dështuar negociatat për të marrë 17 hektarë vend ku do të organizohej ngjarja. Pas pak ditësh shteti e organizatorët u morën vesh që të mbahej sikurse më herët në parkun “Gërmia”, ku Dua Lipa mbajti koncert tamam sikurse në krejt turneun botëror me “Future Nostalgia”. Pos saj edhe emra të tjerë me nam u ngjitën në skenë për tri mbrëmje të tjera. Prishtina prapë u bë adresë e publikut vendor e të huaj që ndjekin festivalet e popit.

Ngjarje botërore në Kosovë

Kryeqyteti për 100 ditë u shndërrua edhe në adresë të artit bashkëkohor. Bienalja nomade “Manifesta” nga fundi i korrikut deri në fund të tetorit bëri bujë në ndërtesat e hapësirat ikonike që u pushtuan nga veprat e artistëve vendorë, të rajonit e nga mbarë bota. Parashikimet flisnin që do të priteshin rreth 100 mijë vizitorë. Disa të dhëna të shpalosura kanë shpërfaqur se hapësirat u vizituan nga mbi 700 mijë vizitorë. Por me të dhëna të sakta edhe sa i përket ndikimit ekonomik të ngjarjes për të cilën shteti pagoi mbi 4 milionë euro, nuk ka dalë askush.

Shteti pas një tentimi të dështuar, bleu mbi 80 vepra arti me 300 mijë euro e Kosova ngjyrosi përditshmërinë në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecia me “Monumentalitetin e përditshmërisë” së Jakup Ferrit.

Gjatë periudhës sa u mbajt “Manifesta”, Ministria e Kulturës themeloi një këshill iniciues për konceptimin, themelimin dhe funksionalizimin e muzeut të artit bashkëkohor si institucion kombëtar i kulturës.

Ikja e ikonave të artit

Përderisa vera solli në Prishtinë artistë të mëdhenj, gjatë vitit shqiptarët, por edhe mbarë bota humbën njerëz të rëndësishëm të artit dhe kulturës.

Alije Vokshi, pionierja e artit akademik, iku duke lënë trashëgimi pikturat që shënuan historinë në këto anë. Bahri Drançolli, artisti i kritikës që i gjente heronjtë kudo, Luan Starova, fisniku i letërsisë si kërkim i lirisë e Luan Hajra, ikona e muzikës qytetare e popullore vdiqën në pjesën e parë të vitit.

Abdulatif Arnauti, si zëri i letërsisë shqipe në arabisht, sinonim i shqiptarëve në Siri, Omer Kaleshi, peneli i thesarit kombëtar dhe i dramës njerëzore, e Xhevdet Bajraj, poeti rrëmbyes që me varg mbrohej nga jeta, qenë kumt i vitit. Gjatë vitit 2022 botën e artit e lanë edhe Vjosa Berisha, producentja frymëzuese e aktivistja e pandalshme, Esma Mulla, balerina frymëzuese e gjeneratës së parë, Kristaq Dhamo, regjisori i filmit të parë artistik shqiptar, dhe aktori i teatrit e filmit Pandi Siku. Filharmonia e Kosovës humbi Bledar Bujupin, instrumentist i zellshëm, kurse muzika shqiptare Hetem Qerimajn, mjeshtër i violinës.

Bota e artit shqiptar i dha lamtumirën e fundit kompozitorit Vinçenc Gjini, maestros së pikturës Sali Shijaku, poetit e gazetarit Adem Shkreli, primadonës së baletit shqiptar Ganimet Vendresha, pedagoges së muzikës Seniha Spahiu e Zhaneta Andreas, emblemë e arkeologjisë shqiptare. Mjeshtri besnik i fotografisë bashkëkohore shqiptare, Naim Shala, e pionierja e pianos dhe pedagogia Hadije Gjinali, po ashtu, qenë kumt i këtij viti. Albanologjia ka humbur gjigantin Peter Bartl, Leonard Newmarkun e Karl Kaserin.

Kurse bota mbeti pa gjigantin e letërsisë, Hans Magnus Enzenberger, shkrimtarin slloven e kronistin e kampeve naziste Boris Pahor, Peter Brookun, vizionarin që ndryshoi teatrin, James Caan, yllin e brezit të aktorëve të viteve ’70, e Jean-Luc Godardin, regjisorin që revolucionarizoi kinematografinë. Irene Papas që ishte hyjnesha me rrënjë shqiptare e mbretërisë së filmit, Hilary Mantel, mbretëresha e letërsisë angleze e këtij shekulli, Hans Magnus Enzenberger, gjiganti i letërsisë e mendimtari i thellë, dhe Monica Vitti mbretëresha e kinemasë italiane, janë midis yjeve botërore që ikën nga kjo botë.

Kinematografia pa temp, festivalet në traditë

Kinematografia për dallim prej vitit paraprak ishte më zbehtë sa u përket sukseseve ndërkombëtare. “Pa vend” i Samir Karahodës, midis festivaleve të tjera ishte në Trieste. Kulmin e arriti në fund të janarit, kur mori çmimin e jurisë për filma të shkurtër në festivalin më të madh të pavarur në SHBA, “Sundance Film Festival”. “Vera andrron detin” triumfoi në Suedi si film që shtyn kufijtë e strukturave patriarkale, e me dy çmime në Gjenevë u vlerësua si film që shpërfaq dramën e grave. Po ashtu, u shpall më i miri në “goEast” të Gjermanisë. “Zgjoi” mbylli kapitullin për “Oscar” duke mbetur në listën e ngushtë të filmave që prisnin të nominoheshin. Në Kosovë “DokuFesti” vazhdoi traditën duke sjellë botën e filmit dokumentar dhe të shkurtër në Prizren, përderisa u bë edhe partner i Festivalit të Cannes, duke promovuar kinematografinë vendore. E “Anibari” me gati 300 filma erdhi si ftesë për hapjen e botëve të ndryshme. Sa u përket emrave të veçantë të aktorëve, Alban Ukaj u rikthye në Festivalin e Cannes me “Tori and Lokita” të vëllezërve Dadenne. I largët qe “Oscari” për kandidatin e sivjetmë të Kosovës, “Në kërkim të Venerës”.

Teatri për vitin 2022 “pushtoi” Evropën. Shfaqja “a.y.l.a.n” e Teatrit të Gjilanit ka marrë çmimin kryesor në festivalin ndërkombëtar “Kontrapunkt” në Szczecin të Polonisë. “Balkan Bordello”, versioni ndërkombëtar i qendrës “Multimedia” u dha edhe në teatrin prestigjioz të New Yorkut, “La Mama”. Po “Multimedia” bëri që nëpërmjet “The Handke Project” nobelisti austriak të “deshifrojë” se si e mohon gjenocidin dhe e përkrah shkaktarin kryesor të luftërave në Ballkan, Slobodan Milosheviqin. “Prizrenfest” nisi rrugëtimin e edicionit të parë me një numër shfaqjesh nga Ballkani.

Në anën tjetër, Ministria e Kulturës në një ditë të nxehtë qershori vendosi që në emër të restaurimit, ndërtesa e Teatrit Kombëtar të Kosovës të mbyllej në emër të rrezikut që gjoja paraqet për aktorët e publikun. Para se stafi të zhvendosej, institucioni që nuk kishte prodhuar gjë për dy vjet, pa “dramën” e zgjedhjes së drejtorit të përgjithshëm. U zgjodh Kushtrim Sheremeti e më pas plasën akuzat e partisë në pushtet. Drama për udhëheqës artistik ende vazhdon.

Rikthimi i Panairit, kriza e librit

Pas dy vjetësh pauze shkaku i pandemisë, më 2022 u rikthye Panairi i Librit në Prishtinë. Si asnjëherë më parë pati shumë ankesa nga botuesit shkaku i inflacionit që ka bërë edhe rritjen e kostos së botimit të librave. Në botën e librit lajm tronditës qe edhe ai i gushtit, kur shkrimtari i njohur Salman Rushdie u sulmua me thikë gjatë një ceremonie publik në New York, e një shkrimtare franceze u bë titull gjithandej botës pasi u shpall laureate e çmimit “Nobel” për letërsi. Ishte Annie Ernaux e vlerësuar për gjuhën e pasur në tregimtari.

Për gjuhën janë mbledhur edhe albanologë në Kosovë e Shqipëri. 50-vjetori i Kongresit të Drejtshkrimit ka bërë bashkë edhe akademikët në të dyja kryeqytet. E dy akademitë e shkencave janë zotuar edhe për objektivitet shkencor në projektin 5-vjeçar të Enciklopedisë Shqiptare. KOHA vazhdoi traditën me shpërblimet “Rexhai Surroi” me laureatët Saranda Ramaj në gazetari e Liridon Mulaj në letërsi, përderisa solli librin unik të Enver Robellit, “Rrëfime të shkurtra për një ditë të gjatë”.

Trashëgimia e skandaleve

Objektiviteti si në krye të herës mungon në institucionet e trashëgimisë kulturore e edhe më shumë të ato të kulturës. Pasi nisën punimet e u ndërprerë disa herë, pastaj u kaplua nga flakët, shteti iu rikthye restaurimit të Shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë. Megjithëse pos emrit të ish-pronarit, këtë monument nuk e lidh asgjë me Devën, pas reagimit të Ministres së Kulturës së Serbisë dhe ambasadorit gjerman në Kosovë, Bashkimi Evropian bashkë me OSBE-në e pezulluan projektin.

Se Kalaja e Novobërdës u dëmtua fort gjatë restaurimit është fakt që e ka dëshmuar koha me shembjet e fasadës së gurtë. Por që gjatë punimeve që aty kishte bërë kompania nga Beogradi, “KOTO”, u kontrabanduan artefakte, këtë e shpërfaqi KOHA. Ndërkohë u bë një fushatë reprizë për kthimin e mbi 1200 artefakteve që Serbia i mban qysh prej kohës së luftës së fundit.

Ish-Burgu i Prishtinës u rihap si muze me një ekspozitë të përkohshme, e arkeologët ranë në gjurmë të asaj që pretendohet të ketë qenë kisha më e madhe në Ballkan në lokalitetin arkeologjik të Ulpianës. “Arkeologjia e Ballkanit” u titullua një konferencë ndërkombëtare për arkeologjinë ku u shpërfaqen disa rezultate të kërkimeve arkeologjike të Gadishullit. Por shteti i braktisi, i la pa rojë prej Kalasë së Prizrenit deri te “Ulpiana”, ku janë investuar miliona euro. Ndërhyrjet emergjente mbesin reagimi i institucioneve.

Xhubleta si pasuri botërore, epilogu me shtatoren

Në fund të vitit xhubleta shqiptare u mor nën mbrojte nga UNESCO-ja si pjesë e “Listës së mbrojtjes urgjente”. Derisa këtë të arritur e bëri Ministria e Kulturës e Shqipërisë, ajo e Kosovës edhe këtë vit është marrë me zëvendësimin e krejt ligjeve aktuale për art dhe kulturë, duke u thirrur në një reformë të thellë. E drejtori i Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve u shkarkua për shkelje.

Pas disa vjetësh përplasjeje institucionale, shtatorja e figurës më përbashkuese midis shqiptarëve të Kosovës, Anton Çetta, u vendos para Fakultetit të Filologjisë. Por me atë që është treguar më 2022, zor se mund të ketë unitet në MKRS për të çuar përpara projekte krejt të thjeshta, pasi kapitalet vazhdojnë të mbesin synime të mëdha.