Kulturë

Kultura – armë në krizë, aktivizim i shtresës së heshtur në paqe

Me panelet “Rreth fuqisë së edukimit dhe ndërmjetësimit në kohë krize” dhe “Mbi bienalet si mjete për zhvillim të edukimit, kulturës dhe shoqërisë” është përmbyllur edicioni i 9-të i Asamblesë së Përgjithshme të Asociacionit Ndërkombëtar të Bienaleve (IBA) në Prishtinë, me kulturën si armë luftuese në krizë dhe aktivizim i shtresës së heshtur në paqe. Transformimi i rolit të artistëve në Ukrainë ka qenë njëri prej shembujve që fuqizon rolin e artit

Është adresë për diskursin global për bienalet, artistët e kulturën në rrafsh ndërkombëtar. Prej vitit 2012 shtrihet në plot vende të botës dhe bëhet platformë diskutimesh, të cilat nxisin diversitetin, konstatojnë gjendjen faktike dhe afrojnë botën e artit. Edicioni i 9-të i Asamblesë së Përgjithshme të Asociacionit Ndërkombëtar të Bienaleve (IBA) erdhi edhe në Prishtinë për dy ditë me radhë.

Ishte “Manifesta 14” ajo që i bëri nikoqirllëk, duke mundësuar shtrirjen e temave, si modelet e edukimit dhe ndërtimit kolektiv të mësimit, fuqinë e kulturës në kriza e rolin e bienaleve në këto kohë.

Dita e dytë u përmbyll me diskutimet “Rreth fuqisë së edukimit dhe ndërmjetësimit në kohë krize” dhe “Mbi bienalet si mjete për zhvillim të edukimit, kulturës dhe shoqërisë”, të cilat dhanë alarmin që kultura është armë në kohë lufte, ndërkaq aktivizon shtresën e heshtur në pasluftë.

Artistët si dokumentues e vizionarë

Numri i pikturave të cilat shfaqen në ekranin e Kino Armatës është i madh. Ndërrojnë emrat e artistëve e mënyrat e të shprehurit, mirëpo motivet janë të njëjta: dokumentimi i krimit rus ndaj Ukrainës. Dallohet se përfaqësuesit kulturorë atje, veçmas artistët, janë tejet të njohur me dokumentim të gjurmëve të luftës. Meqenëse e tashmja s’mund të ndërrohet për shkak të luftës disamujore, ata marrin në duar timonin për të ardhmen, e që është paslufta. Imazhet janë prezantuar në kuadër të panelit “Rreth fuqisë së edukimit dhe ndërmjetësimit në kohë krize” .

“E kam parë fotografinë e apartamentit tim të dëmtuar. S’mund të jetoj më aty, librat dhe gjithçka janë shkatërruar”, ishte momenti i kthesës për Kateryna Iakovlenko, hulumtuese e kulturës vizuale dhe shkrimtare. Zhdukja e gjithë pasurisë së saj intelektuale e detyroi atë që nga heshtja për luftën ta nisë dokumentimin për krimin që po ndodh.

“Thash se tash duhet të flas, jo pse janë kaq brutalë, e të këqij, s’është çështja tek urrejtja, por te drejtësia”, ka thënë ajo.

Pjesë e rezistencës shtetërore është edhe uebfaqja e formuar nga vetë presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, “United 24”, nëpërmjet së cilës bëhet thirrje publike për mbledhjen e donacioneve për shtetin në flakët e luftës. Ndërkaq një version i mosheshtjes artistike, të cilin e prezantoi Iakovlenko si mënyrë të aktivizimit në kohë krize, është edhe platforma për iniciativa kulturore “Izolyatsia”. Nga funksioni kulturor, tashmë ajo ka marrë rolin humanitar, duke bërë adresimin dhe shpërndarjen e nevojave për mbijetesë të ukrainasve nëpër zona të ndryshme të vendit.

“Ne duhet ta mendojmë historinë e artit në termin e humbjes së tij”, ka thënë shkrimtarja ukrainase. “Ne s’duam ta ndryshojmë Rusinë, por rregullat. Duam t’i japim zë komunitetit që s’ka pasur zë dhe ka qenë në role minore”.

Ndryshim tërësor të objektivave në kohë krize ka pasur edhe Muzeu i Artit Bashkëkohor, MOCA NGO, po në Ukrainë. Nga koncentrimi në fushat institucionale, hulumtimet e edukimi dhe interaksioni me autorët, tashmë janë kthyer drejt komunitetit, praktikave të artit dhe transformimeve shtetërore nëpërmjet artit. Themeluesja Yuliia Hnat ka thënë se janë bindur që njerëzit janë akteri kryesor i fushëveprimit në periudhën e luftës.

“Kemi krijuar fondacionin emergjent të artit nëntë ditë pas invazionit. Motivi ynë ishte që të jemi sa më të shpejtë, t’ia dalim mbanë përballë sfidave”, ka thënë ajo.

Sipas saj, misioni i tyre veçse është shtuar: artistët dhe profesionistët kulturorë janë element i domosdoshëm për të përçuara vizionin dhe vlerat e Ukrainës për të ardhmen.

“Ne po ndihemi të pasigurt për jetët tona, por ndihemi të sigurt në aspektin e vizionit tonë. Po e shohim problemin në mënyrë globale, i dimë miqtë dhe armiqtë tanë”, ka thënë Hnat.

Reem Rizk si koordinatore e programit të Asociacionit libanez për “plastic arts”, “Ashkal Alwan”, ka treguar virtualisht për themelimin dhe vështirësitë e funksionimit ndër vite. Me qendër në Bejrut, ky Asociacion tenton që të aktivizojë jetën kulturore, t’u ofrojnë mbështetje artistëve dhe t’u japin më shumë mundësi për angazhim pjesëtarëve të komunitetit.

“Nga 1999, ne jemi përballur me tri kriza: e para ekonomike dhe financiare, kriza politike që u paraqit me protesta për korrupsion dhe në mars të vitit 2020 me pandeminë”, ka thënë Rizk.

Ka treguar se programi i “Ashkal Alwan” koncentrohet te forumi multidisiplinar, i cili merret me praktikën kulturore, “Home Works”; studimet në fushat artistike, i njohur si program “Home Workspace”; platformën e transmetimeve audiovizuale “aashra” dhe pjesën e botimeve letrare.

“Ka qenë si pasaportë për lëvizje, që të rinjtë t’i vazhdojnë studimet e tyre dhe ta nisin rrugëtimin jashtë vendit”, ka thënë Rizk për programin “home workspace”.

Ndërkaq kuratorja dhe artistja nga Palestina, Lara Khaldi, e cila s’mund të ishte prezente fizikisht, por u lidh nga Amsterdami, nëpërmjet muzeut si institucion kulturor, ka treguar për transformimin historik të një shteti që kalon në luftë.

“Ndërtimi dhe rindërtimi konstant përfshijnë objektin e muzeut, por edhe nënkupton përballjen e rindërtimin e një narrative për memorien kolektive”, ka thënë ajo. “Muzeu në rezistencë nuk është një material që e arkivon një emancipim që kalon në luftë, është më tepër shpërbërje kolektive”.

Ajo ka thënë se figurativisht po e merr për model një muze, por që në fakt me të njëjtën mund të përballet edhe një bienale apo një institucion tjetër kulturor.

“Muzeu që është jashtë kohës kontrollohet nga një forcë hegjemonike. Nëse muzeu është post-revolucion dhe post-kolonializëm, koha përtej muzeut palestinez është kolonializëm”, ka thënë ajo.

Image
Paneli “Rreth bienaleve si mjete për zhvillimin arsimor, kulturor dhe social” e ka zbërthyer këtë temë nëpërmjet tri rasteve në dy vende të ndryshme

Aktivitetet si platforma zhvillimi

Edhe në një vend ku shenjat e luftës ende gjëllijnë, edhe aty ku politika ka rrënuar gjithçka, pamja është e njëjtë: rrëmujë totale. Ata që e pësojnë më së shumti janë pikërisht të rinjtë, aq më shumë kur e përbëjnë gjysmën e popullatës. Energjia e shpenzuar dëm dhe moskatalizimi i tyre është një humbje. Pikërisht paneli i dytë “Rreth bienaleve si mjete për zhvillimin arsimor, kulturor dhe social” e shpërfaqi këtë nëpërmjet tri rasteve në dy vende të ndryshme.

Vitet e pasluftës së Kosovës kanë qenë të vështira për të gjithë banorët. Mirëpo kriza e mbijetesës është thelluar edhe më shumë për komunitetet të cilat shumicën e rasteve kanë mbetur të përjashtuara edhe për shkak të narrativave të luftës.

“Nuk ishte puna veç te filmi, por ta sfidojmë perceptimin për romët”, e ka rrumbullakuar Sami Mustafa gjithë rrugëtimin disavjeçar për avokimin ndaj komunitetit të tij përmes kinematografisë, e të cilin e bëri edhe me festivalin themeluar e organizuar prej tij “The Rolling Film Festival”.

“Ka ndodhur lufta, kanë ardhur gjithë ato organizata ndërkombëtare që ta përmirësojnë gjendjen e komunitetit. Ka qenë workshopi i parë, unë me disa shokë e kemi ndjekur. Kemi bërë një film të vogël për luftën që ende ishte një realitet i vështirë (për t’u pranuar). Vendosëm që të mos flasim për luftën, thjesht të shfaqim çka ka ndodhur në regjion”, ka treguar ai se si e kishte nisur rrugëtimin e tij.

Për regjisorin, ky ishte veç fillimi i rrugëtimit të aktivizmit personal dhe komunitetit të cilin e përfaqëson. Që atëherë kinematografinë e kishte parë si mundësi për t’i afruar njerëzit me njëri-tjetri dhe rrënim paragjykimesh. Si nevojë të domosdoshme e kishte cilësuar këtë para pesëmbëdhjetë vjetëve. E regjisori i filmave “Over the Sea”, “Trapped by Law”, “Fogy Purge” e “Learn to Discover”, këtë e jetësoi nëpërmjet shtrirjes së njohurive në punëtoritë që i organizoi.

“Ka qenë edhe për t’i gjetur potencialet kush mund të bëhet regjisor, kush mund ta ‘ndryshojë’ lojën për kinematografi. Në fillim kemi përdorur teknika të ndryshme për t’i përkrahur ata. I kemi trajnuar si t’i përdorim telefonat mobilë për t’i mësuar të rinjtë të bëjnë film”, ka thënë Mustafa, i cili ishte pjesë e “Manifesta 14” me “Stories from Grandfather”.

“Ishte e rëndësishme të shfaqet filmi në Prishtinë, por edhe te komuniteti. Meqenëse s’kishte transport publik dhe as ata s’mund të vijnë, na është dashur ta organizojmë udhëtimin”.

Një dorë tjetër që shtrihet mbi rininë në kohën e turbulencave shtetërore është “Karachi Biennale”, e cila mbahet në Pakistan. Promovimi i kreativitetit, inovacionit dhe mendimit kritik janë tri shtyllat kryesore të tyre, të cilat i shtrijnë nëpër shkolla e hapësira publike.

Artistja pakistaneze, Atteqa Malik, ka rrëfyer për mënyrën se si e shtyjnë para aktivizmin e rinisë, në një vend ku politika pasohet me zhurmë, nuk ka stabilitet dhe droga është shumë e qasshme.

“Si i sillni njerëzit në bienalen tuaj? Shumë prej tyre s’e dinë as termin ‘bienale’, por të gjithë përdorin Tik-Tok. Këto janë strategjitë që janë shumë të suksesshme”, ka thënë ajo për teknikat e promovimit të punës së tyre.

Sfida kryesore me të cilën përballen është krijimi i besimit. Në momentin që kjo arrihet, përmbushja e qëllimeve lehtësohet dhe të rinjtë vetëdijesohen për muzikën, pikturën, përdorimin pozitiv të teknologjisë dhe temat e tjera për të cilat i trajnojnë.

“Kam marrë një mesazh nga një i ri që ka ndjekur një punëtori. Ka shkuar për të jetuar diku tjetër. Më tha: ‘A mund të vini këtu me punëtori?’ Për mua kjo është fantastike”, ka thënë ajo plot entuziazëm, duke kremtuar shtrirjen tash e tri edicione të Bienales.

Ndërkaq si nevojë e një galerie urbane, që e dërgon artin drejtpërdrejt te qytetarët dhe i aktivizon hapësirat publike të lëna në harresë. ka nisur “Autostrada Bienale” në Prizren, edicioni i fundit i së cilës u organizua edhe në Prishtinë e Pejë. Nga të gjitha realizimet e veprave dhe si nevojë e praktikës së shumë të rinjve në dizajn, arte, arkitekturë, kodim e teknologji lindi edhe hapësira e re e edukimit, prodhimit dhe ekspozimit, “Autostrada Hangar”.

“‘Këtu nuk është ndonjë galeri, s’do të ketë as publik’, na kanë thënë. Kjo na bëri ta realizojmë atë”, ka thënë për fillet e “Autostrada Biennale” bashkëthemeluesja Vatra Abrashi. “Duke përdorur vende të ndryshme si stacionin e autobusëve, kalanë, shtëpitë e vjetra, ne kemi shkuar te njerëzit. Qëllimi ynë është arti të shkojë tek ata”.

Hapësirë multidisiplinare me kompleksitetin e sektorëve brenda saj është “Autostrada Hangar”. E tash ajo është edhe cak i shumë studentëve të drejtimeve të ndryshme, të cilët praktikën e realizojnë pikërisht në këtë qendër. Ndërkaq Abrashi tregon se 90 për qind e tyre janë vajza.

“Ka funksione të ndryshme dhe mund të ndërrosh gjërat për dhjetë minuta dhe të adaptosh diçka të re. Gjithçka që bëhet është për nevojën e komunitetit. Kemi njerëz të profileve të ndryshme. Jemi kujdesur që të jemi një projekt gjithëpërfshirës që nga fillimi”, ka thënë Abrashi.

IBA është iniciativë e konceptuar gjatë Forumit Botëror Bienal, “Shifting Gravity”, të mbajtur në Gwangju të Koresë së Jugut më 2012. Mbi 60 përfaqësues u mblodhën dhe e krijuan nga diskutimet. Prej aty u mblodhën 450 pjesëmarrës nga 150 bienale, artistë, trienale e institucione artistike. Mbi 60 përfaqësues bienalë morën pjesë në “Takimin e Përfaqësuesve Bienalë” dhe si rezultat i diskutimeve u krijua IBA.

Dita e parë e diskutimeve në Prishtinë nisi me panelin “Rreth një alternative për modelet e edukimit dhe ndërtim kolektiv të mësimit” me panelistë Rina Gosalci, Linda Gusia, Marielsa Castro.