Kulturë

Kulla e Ahmet Delisë jehon me rrëfimin e luftës për çështje kombëtare

Dita e Flamurit në Kullën e Ahmet Delisë në Prekaz të Epërm, ka hapur kapitull të ri. Aty është hapur ekspozita e përhershme me artefakte dhe shkrime kronologjike të kohës së tij. Shpaloset rrëfimi i qëndresës dhe përpjekjes për pavarësi. Deri tash, Kulla – e rindërtuar mbi themelet e asaj të vitit 1860 – ka qenë statike. Me ekspozitë, gjëllin rrëfimi për luftëtarin i lirisë, tribunin popullor dhe prijësin e Drenicës

Në rajonin e Drenicës qëndron një dëshmitar i heshtur i historisë shqiptare – kullë që dikur i përkiste heroit Ahmet Delia. E vendosur rrëzë një rruge të Prekazit të Epërm jo vetëm që shërbeu si bastion i mbrojtjes, por gjithashtu luajti një rol të rëndësishëm në formësimin e fatit të rajonit në periudha vendimtare. E rindërtuar mbi themelet e kullës së moçme, kulla e Ahmet Delisë u shfaq si një pikë qendrore për vendime të mëdha që ndikuan në rrjedhën historike të rajonit të Drenicës. Muret e saj jehojnë me zërat e personaliteteve të shquara të përkushtuara thellë për çështjen kombëtare. Ndër ta edhe Hasan Prishtina.

Ahmet Delia la gjurmë të pashlyeshme në këtë fortifikatë që mbrohet si monument i trashëgimisë kulturore, duke e shndërruar atë në një simbol të qëndresës dhe sakrificës. Ky emër i skalitur në faqet e historisë shqiptare mori fundin e tij heroik në vitin 1913. Ai mbrojti me trimëri atdheun e tij në një kohë trazirash të mëdha, duke u bërë një fanar guximi dhe patriotizmi të palëkundur.

Image
Në ditën kur Shqipëria festoi 111-vjetorin e pavarësisë së saj, kulla e Ahmet Delisë zbuloi një homazh prekës për këtë hero kombëtar – ekspozitën e kuruar me saktësi nga arkeologët dhe antropologët Lekë Shala, Anduena Halilaj dhe Kaltrina Igrishta me ndihmën e profesorit Blerim Latifi

Luftëtari i lirisë, tribun popullor dhe prijës i Drenicës, Ahmet Delia u lind më 1850 në Prekaz. I rritur mes bashkësisë fisnore te Kuçit në një kulturë me norma kanunore, ai po gjente vendin e tij në mjedisin e ashpër dhe dinamik të ngjarjeve të shekullit XIX. Gjatë jetës, Delia ishte i angazhuar në disa fushata ushtarake dhe kuvende popullore. Beteja e tij e fundit në dhjetorin e vitit 1912, ku, ai i armatosur vetëm me sëpatë mbron vendin, vulos figurën e tij në traditën epike dhe të qëndresës në Kosovë.

Në ditën kur Shqipëria feston 111-vjetorin e pavarësisë së saj, kulla e Ahmet Delisë zbuloi një homazh prekës për këtë hero kombëtar – ekspozitën e kuruar me saktësi nga arkeologët dhe antropologët Lekë Shala, Anduena Halilaj dhe Kaltrina Igrishta me ndihmën e profesorit Blerim Latifi.

Image
Beteja e fundit e Ahmet Delisë në dhjetorin e vitit 1912, ku, ai i armatosur vetëm me sëpatë mbron vendin, vulos figurën e tij në traditën epike dhe të qëndresës në Kosovë

“Sot është bërë hapja e ekspozitës së përhershme në kullën e Ahmet Delisë. Kjo pjesë e kullës ka qenë e zbrazët dhe histori për Ahmet Delinë ka në libra dhe ka historianë lokalë që shkruajnë, por ne kemi pasur dëshirë që të sjellim diçka më vizuale për publikun e gjerë dhe të zgjerojmë historinë e Ahmet Delisë si prijës dhe për ngjarjet dhe vendimet e tjera që janë marrë këtu në Drenicë dhe kështu kemi vendosur ta realizojmë këtë ekspozitë”, ka thënë Shala.

Rregullimi kronologjik i ekspozitës ofron një udhëtim nëpër kohë. Vizitorët ecin nëpër korridoret e historisë, duke ndjekur gjurmët e Ahmet Delisë dhe bashkëkohësve të tij. Çdo cep i dhomës shpalos një kapitull, duke zbuluar sfidat dhe vendimet e marra brenda këtyre mureve. Jehona e bisedave dhe e diskutimeve strategjike duket se zgjat, duke krijuar një përvojë që i kapërcen kufijtë e kohës. Organizatorët i zbuluan dhe i ruajtën me shumë kujdes këto artefakte, ndërsa u thelluan në kontekstin socio-kulturor që i dha formë epokës së Ahmet Delisë. Përpjekja e përbashkët e tyre ka rezultuar në një muze që jo vetëm edukon, por edhe nderon heroizmin dhe sakrificat e thurura në strukturën e pavarësisë shqiptare.

“Nuk ka qenë shumë e lehtë ta studiojmë këtë periudhë për shkak se zakonisht informacionet që i kemi janë qoftë në arkivat e periudhës osmane, qoftë edhe të shtetit jugosllav në atë kohë, kështu që ka edhe barriera të tjera si gjuhësore, por shumicën e informacioneve i kemi marrë nga studiues të ndryshëm dhe nga gazetat e huaja që kanë shkruar për Ahmet Delinë në atë kohë”, ka thënë Shala.

Nipi i Ahmet Delisë, Adem Ahmeti, ka shprehur gëzim dhe mirënjohje të thellë teksa janë dëshmitarë të trashëgimisë së qëndrueshme të paraardhësit të tyre. Fakti që kujtimi për Ahmet Delinë qëndron i pashuar, sjell krenari për familjen. Nëpërmjet ruajtjes së përpiktë të artefakteve nga muzeu dhe historia kronologjike e Ahmet Delisë, familja gjen siguri se kontributet dhe sakrificat e tij për atdheun vazhdojnë të nderohen dhe kujtohen nga brezat e ardhshëm.

“Më të lumtur nuk e di kur kemi qenë dhe jemi të lutur që është hapur ky muze dhe që festohet kjo ditë në këtë kullë. Kjo kullë ka histori shumë, është kullë e para më shumë se 100 vjetëve. Në këtë kullë shumë personalitete kanë marrë pjesë në vendime të rëndësishme për çështjen kombëtare. Kanë marrë vendime për fatin e popullit shqiptar”, ka thënë Ahmeti.

Image
Çdo cep i dhomës shpalos një kapitull, duke zbuluar sfidat dhe vendimet e marra brenda këtyre mureve

Hapja e kullës për vizitorët, së bashku me ekspozitën që shfaq artefaktet e Ahmet Delisë, shënon kthesë në dokumentimin e historisë. Kulla u ndërtua për herë të parë më 1860. Më 1872, Shemsi Pasha ia vuri flakën. U rindërtua më 1890 për t’u rrënuar më 1979 si pasojë e tërmetit. Në vitin 2005, rindërtohet në të njëjtin vend me të njëjtën planimetri. Kulla me përdhesë dhe një kaq ka pasur destinim enkas për miq dhe mysafirë. Përdhesa ka qenë e destinuar për lënien e kuajve të mysafirëve, ndërsa kati i sipërm përbëhej nga oda me oxhak dhe abdes-hania.

Kulla vazhdon të mirëpresë ata që dëshirojnë të eksplorojnë kapitujt e ngjarjeve. Tani, me përfshirjen e ekspozitës, vizitorët kanë mundësinë të thellohen edhe më në histori. Kjo shtesë e transformon kullën nga një objekt arkitekturor në një testament të gjallë të sakrificës dhe qëndrueshmërisë.

“Kulla do të jetë e hapur për të gjithë vizitorët kushdo që është i interesuar për të ardhur ta vizitojë këtu, është edhe një ciceron që e mirëmban kullën e hapur për çdo vizitor që vjen. Ka qenë e hapur çdoherë, por tash i është shtuar edhe një ekspozitë e përhershme”, ka thënë Anduena Igrishta.

Iniciativa për hapjen e ekspozitës së përhershme në kullën e Ahmet Delisë ka nisur si individuale derisa për t’u realizuar ka gjetur mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

VIDEO: