Kulturë

Kujtim Gjonaj – kronikani që dokumentoi botën shqiptare

Pandemia e koronavirusit i ka shkëputur komunitetit artistik edhe një tjetër emër të njohur: regjisori dhe skenaristi i njohur Kujtim Gjonaj mbrëmjen e së dielës ka humbur betejën me virusin vdekjeprurës. Lajmin e ka bërë të ditur djali i tij, Genti Gjonaj, në një njoftim të afishuar në llogarinë e tij në “Facebook”.

“Kaloi me dinjitet shumë peripeci shëndetësore, shumë vështirësi jetësore, dha shumë në jetë, me dijen e vet, humanizmin, vlerat e pamatura, por sot në 18:30, datë 28 shkurt, u nga kjo jetë”, ka shkruar Gjonaj.

Skenarist, regjisor filmash dokumentarë dhe vizatimorë, producent dhe botues, Kujtim Gjonaj lindi më 13 nëntor të vitit 1946 në Tiranë. Ishte fitues çmimesh kombëtare e ndërkombëtare.

Të hënën, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, e ka cilësuar Gjonajn si një nga krenaritë artistike të Tepelenës dhe gjithë Shqipërisë.

“Skenarist, regjisor, producent, botues, Mjeshtri i Madh, enciklopedisti Kujtim Gjonaj ishte ndër kronikanët dhe dokumentuesit më profesionistë të jetës dhe të botës shqiptare. Për rreth gjysmë shekulli ai krijoi, dokumentoi, drejtoi, prodhoi dhe botoi vepra dokumentare dhe artistike që kanë hyrë në thesarin kulturor dhe janë bërë pjesë e kujtesës kolektive, artistike dhe historike të shqiptarëve”, ka shkruar Ruçi.

Sipas kreut të Kuvendit të Shqipërisë, Gjonaj, me krijimtarinë e tij origjinale ngriti në art dhe u përcolli shqiptarëve dhe të huajve “detajet dhe episodet e jetës, historisë dhe figurave të saj, kulturës, aspiratave, përjetimeve dhe ëndrrave të shqiptarëve”.

Miku i tij skenarist, Kolec Traboini, në një dedikim në llogarinë e tij në “Facebook” ka kujtuar sesi me të ndjerin kishte biseduar në telefon “për kurajë e shpresë”.

“Nuk do ta kemi më midis nesh kineastin Kujtim Gjonaj”, ka shkruar Traboini teksa ka ngushëlluar familjen Gjonaj.
“Kujtimi ishte më shumë sesa një mik, ishte koleg e vëlla, ndaj sot edhe ne kolegët e miqtë e shumtë e të pikëlluar të Kujtim Gjonajt jemi për t’u ngushëlluar. I paharruar”.

Edhe Shoqata e Botuesve Shqiptarë ka përkujtuar Gjonajn si një nga botuesit më të rëndësishëm të librit në tregun shqiptar.

“Si themelues i Shtëpisë Botuese ‘Bota Shqiptare’ ai ka sjellë një kontribut me vlerë në pasurimin e bibliotekës shqiptare me autorë të shquar. Kujtimin do e kujtojmë për të gjitha punët e mira që ka bërë, por edhe si një mik e koleg shumë të dashur, bashkëpunues e përherë buzagaz e me fjalë të ngrohta”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të Shoqatës së Botuesve Shqiptarë.

Shkrimtarja dhe gazetarja Bardha Mançe ka vlerësuar se Gjonaj ishte dhe do të mbetet figurë e shquar e kinematografisë shqiptare, njeri i ditur e fisnik, si dhe shok i mrekullueshëm.
“Çfarë të thuash më parë për Kujtimin. Dhimbje të pangushëllueshme na dhe, Kujtim, me largimin tënd dhe boshllëkun e madh që krijove”, ka shkruar Mançe.

Me origjinë të largët nga Mezhgorani i Tepelenës, Kujtim Gjonaj i mbaroi studimet e larta më 1968 në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë në Universitetin e Tiranës. Nga ai vit filloi punën si redaktor i skenarëve të filmave dokumentarë në kinostudion “Shqipëria e Re”. Më 1974 kaloi si regjisor në sektorin e filmave dokumentarë të kësaj industrie, duke shkruar me këtë rast skenarin e shumë filmave.

Më 1982 u vlerësua me Çmimin e dytë në Konkursin Kombëtar Letraro-Artistik për Skenarin në filmin “Kryengritjet e Mëdha”. U vlerësua edhe me kupën e Festivalit të 8-të të Filmit Dokumentar dhe Vizatimor Shqiptar për filmin “Kështjella e Këngëve”. Edhe në Palermo, Gjonaj mori çmimin e parë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër me “Shembja e Idhujve”.

Ishte edhe drejtor i “AlbaFilmit”, e më vonë do të krijonte një shtëpi prodhuese filmike të njohur si “Bota Shqiptare”. Kjo shtëpi prodhuese kaloi edhe si shtëpi botuese që botuan biografi për Ali Pashë Tepelenën, Fiak Konicën, Jeronim de Radën, Naim Frashërin, Nënë Terezën, e të tjerë. Varrimi i Gjonajt u bë të hënën pasdite në varrezat e kryeqytetit në Sharrë.