Kulturë

Kujtim Aliaj – mjeshtri që zbuloi yje për skenën shqiptare dhe të huaj

Drejtues për tri dekada i Festivalit Kombëtar të Këngës për Fëmijë, Kujtim Aliaj u bë misionari i zbulimit të talenteve riosh për muzikë. Kjo ngjarje tradicionale, me të cilën u brandua Shkodra, nxori emra të mëdhenj në skenën shqiptare e atë të huaj. Madje, aty iu dha hapësirë edhe interpretëve dhe krijuesve të vegjël nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe e gjithë bota shqiptare. Dirigjent, pedagog e organizator i jetës kulturore në Shkodër, Kujtim Aliaj – i cili ndërroi jetë të premten në moshën 60-vjeçare – është vlerësuar si Mjeshtri i Madh që e ëmbëlsoi fëmijërinë e sa e sa brezave shqiptarë

Llastar i një familjeje sojlike shkodrane, Kujtim Aliaj, ky “mjeshtër i madh”, ishte dirigjent, pedagog e organizator i jetës artistike në Shkodër e në tërë Shqipërinë.

Me kontribute të shënueshme në muzikën shqiptare, e premtja është gdhirë me lajmin e trishtë të ndarjes nga jeta në moshën 60-vjeçare të dirigjentit shkodran që nuk e fitoi dot betejën me sëmundjen e rëndë.

Lajmin e ka bërë të ditur kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi. Duke e cilësuar si humbje të madhe, ajo e ka përshkruar rolin e Mjeshtrit të Madh si tepër të rëndësishëm në artin e kulturën shqiptare.

“Një humbje e jashtëzakonshme për artin e kulturën shqiptare, për Shkodrën e Shqipërinë. Nuk gjej fjalë për të përshkruar këtë ikje shumë të parakohshme të mësuesit tim, të mësuesit të të gjithë fëmijëve, të mjeshtrit të madh profesor Kujtim Alija”, ka shkruar kryebashkiakja Ademi në faqen e saj në “Facebook”.

Një mision sa vetë jeta

Lufta prej një viti me sëmundjen la shenja në fizikun e tij, ashtu siç u pa me Festivalin e Fëmijëve në Shkodër që u mbajt më 4 korrik, por nuk e ligështoi asfare në misionin e tij jetësor për të zbuluar talente të reja.

Me shtytje nga familja e tij intelektuale, Alija kishte mësyrë shkollën e muzikës “Prenk Jakova” në Shkodër, pas së cilës do të mbaronte edhe Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, nën drejtimin e dirigjentit, Rifat Teqja.

Me t’u diplomuar, i riu i talentuar do të fillonte punën në qytetin e Shkodrës ku organizoi e drejtoi koncerte e veprimtari të ndryshme artistike brenda e jashtë Shqipërisë. Në rrugëtimin e tij profesional, emri i tij u bë i pandashëm me Filarmoninë e Shkodrës, Orkestrën frymore si dhe formacionin e harqeve.

Një vulë të fortë e individualitetit të tij u ndje në Festivalin e parë shqiptar të këngës për fëmijë që u zhvillua në Shkodër, më 10-11 maj 1963.

Mu me këtë festival do të identifikohej edhe vetë kryeqyteti i veriut shqiptar, e prej tij u lartuan plot talente që shkëlqyen në skenën shqiptare e atë të huaj.

Mjeshtër në çdo aspekt, Aliaj do të kontribuonte që Festivali të fitonte një format mbarëkombëtar, duke iu hapur derën krijuesve e interpretuesve të vegjël edhe nga Kosova, Maqedonia e Mali i Zi.

“Një pjesë e fëmijërisë sonë”

Me t’u bërë i ditur lajmi për ndarjen nga jeta të dirigjentit të njohur, flamuri i botës së artit shqiptar është ulur në gjysmështizë nëpërmjet kushtimeve e përkujtimeve të ndjera.

Kryetari i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, e ka cilësuar të trishtë lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të artistit të mirënjohur shkodran, të cilin e ka cilësuar si “simbol të Festivaleve të Këngës për Fëmijë”.

“Personalitet i shquar i muzikës shqiptare, dirigjent virtuoz, edukator energjik dhe mësues i palodhur i shumë gjeneratave me vlerat e artit dhe kulturës kombëtare, zbulues i talenteve të rralla që do të shkëlqenin në skenat vendase dhe botërore, shembull i intelektualit dhe qytetar model të Shkodrës, humbja e tij lë pas shumë dhembje”, ka shkruar Meta në faqen presidenciale në “Facebook”.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, në një dedikim të ngjashëm, ka vlerësuar se me vdekjen e Aliajt “sot humbëm një pjesë të fëmijërisë sonë”.

“Festivali i Këngës për Fëmijë, në Shkodër, nuk do të jetë më i njëjti pa mjeshtrin Kujtim Aliaj, artistin e përkushtuar, të palodhur, mikun e gjithë këngëtarëve, që e nisën rrugëtimin nga ajo skenë, por dhe e çdo fëmije, që gozhdohej para ekranit për të ndjekur aktivitetin e vitit! Lamtumirë mjeshtër!”, ka shkruar ministrja Margariti.

Ngushëllime gjatë ditës ka shprehur edhe kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, i cili ka përmendur drejtimin për tri dekada të Festivalit Kombëtar të Këngës për Fëmijë.

“Gëzimi dhe emocionet e këngëve të fëmijëve dhe melodia e zërave të tyre na janë përcjellë dhe i kemi dëgjuar e përjetuar nëpërmjet talentit dhe virtuozitetit të mjeshtrit Kujtim Aliaj. Ky artist i madh u bë emblema e festivalit të fëmijëve dhe e këngëve fëminore”, ka shkruar Ruçi.

“Prej festivaleve të drejtuara prej tij u zbuluan dhjetëra talente të cilët kontribuuan në këngën, muzikën dhe artin shqiptar. Shkodra dhe Shqipëria do t’i jenë përjetësisht mirënjohës këtij artisti e mjeshtri të madh”.

Aliaj është dekoruar nga presidenti i Republikës me Urdhrin “Naim Frashëri” i Argjendtë dhe nga bashkia e Shkodrës me titullin “Mirënjohje e Qytetit” dhe pas 32 festivaleve, në qershor 2017, me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”. Aliaj drejtonte Qendrën Kulturore të Shkodrës.

Ndryshe, ceremonia mortore do të mbahet të shtunën, duke filluar nga ora 8:45 e mëngjesit në Qendrën Kulturore të Fëmijëve në Shkodër. Më pas, kortezhi do të përcillet nga Orkestra Frymore e Qytetit deri te monumenti i Luigj Gurakuqit. Homazhet do të zhvillohen nga ora 9:00 deri në 11:00 në teatrin “Migjeni”.