E organizuar nga Instituti për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë edhe të mërkurën konferenca ndërkombëtare “Shkalla, Trashëgimia, Dokumentimi dhe Gjykimi i Krimeve të Kryera në Kosovë” ka ofruar shpjegime e qasje të ndryshme në raport me përballjen me të kaluarën nga studiues vendorë e ndërkombëtarë. Është konstatuar se kujtesa e luftës po zbehet dhe hapat duhet të jenë më të shpejtë për ta arkivuar atë
Mbledhja e dëshmive të luftës, mbetet sfidë e madhe në Kosovë, jo vetëm në sistemimin e tyre për efekt juridik, por edhe për ta dëshmuar historinë që ka ngjarë në vend para një çerekshekulli. Se Kosova vazhdimisht e ka pasur sfidë këtë pjesë janë pajtuar gati krejt penalistët e ditës së dytë dhe të fundit të punimeve të konferencës ndërkombëtare “Shkalla, Trashëgimia, Dokumentimi dhe Gjykimi i Krimeve të Kryera në Kosovë”.
E organizuar nga Instituti për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë edhe të mërkurën konferenca ka ofruar shpjegime e qasje të ndryshme në raport me përballjen me të kaluarën nga studiues vendorë e ndërkombëtarë. Është konstatuar se kujtesa e luftës po zbehet dhe hapat duhet të jenë më të shpejtë për ta arkivuar atë.
Sociologia nga Universiteti i New Yorkut, Anna Di Lellio, ka folur për dokumentimin e krimeve të luftës kundër njerëzimit. Ajo është marrë edhe me dhunën seksuale. Ka thënë se mosha e të dhunuarve seksualisht gjatë luftës së fundit në Kosovë shtrihet prej fëmijëve deri te të moshuarit. Saktësisht prej 9 deri te ata 70 vjeç.
“Ky krim ndodhi kudo, në çdo moshë, dhe kushdo që ishte në Kosovë. Ishte me të vërtetë një sulm ndaj integritetit, sigurisë së njerëzve për shkak të atyre që ishin, sepse ishin shqiptarë. Po flasim për përdhunim, po flasim për prerje, djegie, dhunë të vërtetë”, ka thënë Di Lellio.
Pikërisht për këtë sfidë ka folur edhe drejtoresha ekzekutive e Qendrës Rehabilituese të Kosovës për Viktimat e Torturës, Feride Rushiti. Ajo ka thënë se krimet e padukshme janë arma më e pisët dhe më e lirë. Bazuar në rrëfimet që ka dëgjuar, ka thënë se ka pasur raste kur një person është dhunuar nga një grup ushtarësh a policësh serbë në prani të familjarëve. Sipas saj, dhuna seksuale në luftë nuk është sfidë veç e Kosovës.
“Dhembja e dhunimit ka qenë e heshtur. Dhunuesi e ka dashur këtë. Ka dashur që viktima të jetë e heshtur”, ka thënë ajo. Sipas saj, krimi në këtë aspekt ka shkuar deri në masën sa gjatë dhunimeve masive janë incizuar klithmat.
“Pastaj incizimet i kanë lëshuar në komuna të tjera duke i përdorur si mjet për spastrim etnik. Ka qenë kërcenim se ‘nëse nuk ikni do të ju gjejë kjo gjë’”, ka thënë Rushiti. Ka shpalosur të dhëna se 1300 raste të të mbijetuarve të dhunës seksuale janë dokumentuar.
“Në 76 për qind të rasteve dhunimi është bërë në prani të familjarëve”, ka thënë ajo. Sipas Rushitit stereotipizimi ka lënë pasoja shumë të mëdha në raport me shpalosjen e rrëfimeve. Ka thënë se meshkujt e kanë edhe më problem që të rrëfejnë dhunën seksuale shkaku i kodeve zakonore që burrat i llogarit si të zotë e të pamposhtur.
“Kur flasim për sfidat edhe vështirësitë, mendoj që janë të shumta. Kjo e dëshmon më së miri që 15 vjet me radhë ky grup i ndjeshëm shoqëror nuk ka qenë pjesë as e infrastrukturës ligjore, as e diskurseve politike e as shoqërore. Është dashur që të punohet shumë e me ngulim që të krijohet hapësira shoqërore ku të mbijetuarat e dhunës seksuale të luftës të njihen publikisht e më vonë edhe ligjërisht”, ka thënë Rushiti. Ka përmendur se deri më tash vetëm një person është i dënuar për dhunë seksuale gjatë luftës.
Por sfidë nuk mbetet vetëm dokumentimi i dhunës seksuale.
Të mërkurën në konferencë ka marrë pjesë nëpërmjet një lidhjeje nga distanca edhe nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci. Si e mbijetuar e masakrës në familjen e saj ajo ishte plagosur me 16 plumba nga njësiti i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, “Skorpionët”.
E mbijetuara e këtij krimi ka thënë se në aspektin e drejtësisë Kosova është ende larg adresimit të krimeve të kryera gjatë luftës.
“Pse të mos ketë një gjykatë vetëm për krimet e luftës”, ka thënë ajo. Sipas Bogujevcit, nuk bëhet fjalë për vonesë vetëm në Kosovë.
“Kur flasim në aspektin e drejtësisë, mendoj që jemi shumë larg për t’i adresuar krimet e luftës që janë kryer në Kosovë por këtë nuk e kisha ndërlidhur specifikisht vetëm përgjegjësinë që duhet të adresohet përbrenda institucioneve të Kosovës. Është e rëndësishme të potencohet përgjegjësia që ka Serbia në këtë drejtim”, ka thënë Bogujevci.
Sa i përket asaj që po bën Kosovë në dokumentimin e krimeve të bëra gjatë luftës së fundit, në konferencë kanë folur edhe drejtori i Institutit, Atdhe Hetemi, e Rona Karahoda, profesore asistente dhe hulumtuese në Universitetin Charles në Pragë. Dyshja ka shpjeguar organizimin që ka kjo agjenci, rregulloret që ka miratuar, planet e punës e qasjen multidiciplinare që e përdor për dokumentimin e krimeve të bëra gjatë luftës.
Me dokumentim të krimeve të luftës janë marrë edhe dyshja e profesorëve të antropologjisë, Arsim Canolli e Tahir Latifi. Bashkë me kolegun e tyre Shemsi Krasniqi kanë mentoruar projektin “Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të mbijetuarve të Masakrës së Krushës së Madhe”.
Në këtë fshat të Suharekës më 25, 26 dhe 27 mars të vitit 1999 forcat serbe kishin vrarë 220 civilë. Prej tyre, mbi 100 të djegur në dy krematoriume. Midis tyre janë 7 fëmijë dhe pesë gra. Një shtatzënë. Kur këtij numri i shtohen edhe 21 dëshmorë, Krusha e Madhe llogarit 241 veta të vrarë në luftën e fundit. Dëmet materiale prekin milionat.
Nëpërmjet studentëve të angazhuar në projektin “Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të mbijetuarve të Masakrës së Krushës së Madhe”, janë mbledhur 200 rrëfime të të mbijetuarve e dëshmitarëve të masakrës. Janë video-rrëfime të cilat janë transkriptuar e përkthyer në anglisht e serbisht. Profesori Canolli ka thënë se kujtesa për luftën duhet arkivuar dhe se rreziku që ajo të mos dokumentohet nuk është i vogël pasi tashmë ka shkuar çerekshekulli nga lufta. Por sipas tij, vonë nuk është kurrë pasi duhet punuar me njerëzit që kanë mbamendje për luftën dhe janë në gjendje që ende ta rrëfejnë atë.
“Vetëm gjatë punës që kemi bërë në Krushë të Madhe në atë fshat kanë vdekur rreth 20 veta që ishin të mbijetuar e dëshmitarë të masakrës”, ka thënë ai. Kurse kolegu i tij Latifi ka shpalosur të dhëna të krimeve serbe në këtë fshat e njëkohësisht ka përmendur sfidat e mbledhjes së rrëfimeve.
Konferenca dyditore ishte hapur simbolikisht në ditën e 17 shkurtit kur edhe u shënua 17-vjetori i Pavarësisë së Kosovës. Në ditën e parë të punimeve, temë diskutimi kanë qenë edhe dëshmitë për shkatërrim në fushën e kulturës e të trashëgimisë kulturore. Shkatërrimi i 1784 monumenteve e 175 bibliotekave, grabitja e 3724 artefakteve, asgjësim i 1.7 milion librave shqip të asgjësuar sikurse edhe 12 mijë kilogramë gazetave shqiptare të koleksionuara në biblioteka, kanë qenë disa prej shifrave të përmendura.
Në hapjen solemne të konferencës, kryeministri Albin Kurti kishte thënë se shteti qëndron i palëkundur në realizimin e zbardhjes së krimeve të luftës.
“Krimet nuk mund të mbeten në heshtje dhe as të mbulohen me harresë, andaj ne po vazhdojmë të flasim derisa çdo krim të dokumentohet e të ndëshkohet, derisa çdo viktimë të ketë drejtësi. Shteti i Kosovës mbetet i palëkundur në zbardhjen e të vërtetës, në ruajtjen e kujtesës kolektive dhe për të garantuar që drejtësia do të vihet në vend”, kishte thënë Kurti.
Kurse drejtori i IKKL-së, Atdhe Hetemi, kishte thënë se nëpërmjet kësaj konference synojnë të kontribuojnë në ndërtimin e paqes në Ballkanin Perëndimor.
“Kjo konferencë nuk fokusohet vetëm në të kaluarën, por edhe në ndërtimin e së ardhmes për të siguruar paqe të qëndrueshme në Ballkan. Duhet të krijojmë një bazë të fortë të të vërtetës historike të dokumentuar me metodologji profesionale dhe të pranuar ndërkombëtarisht”, kishte thënë Hetemi.
Instituti dhe Universiteti i Prishtinës kanë marrëveshje për bashkëpunim në dokumentimin e studimin e krimeve të bëra gjatë luftës. Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, në hapje të konferencës kishte thënë se ky institucion akademik do të kontribuojë në sensibilizimin e brezave të rinj për historinë.
“Me marrëveshjen e bashkëpunimit të nënshkruar mes Universitetit të Prishtinës dhe IKKL-së kemi hapur një horizont shtesë për të hulumtuar dhe realizuar kërkime të mirëfillta shkencore dhe për të dokumentuar pasojat e luftës që përveç të tjerash duhet të kontribuojnë në sensibilizimin e brezave të rinj për pjesën historike”, kishte thënë Hajrullahu.
Konferenca ka bashkuar dhjetëra studiues e hulumtues të krimeve nga vendi e ndërkombëtarë. Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë është themeluar më 1 gusht të vitit 2023 si agjenci në kuadër të Zyrës së Kryeministrit. Misioni i IKKL-së është dokumentimi dhe hulumtimi i krimeve të kryera gjatë luftës nga aspekti historik, ushtarak, ekonomik, juridik, ekologjik, kulturor, psikologjik, mjekoligjor dhe sociologjik, përfshirë aspektet e tjera me rëndësi për dokumentimin dhe hulumtimin e këtyre krimeve.