Shfaqja “Kufiri” me tekst të Ana Ristoska Trpenoska, nën regji të Sovran Nrecajt, shifrat e atyre që thyejnë kufij legalisht e ilegalisht i ka krejt periferike. I jep rëndësi jetës. Bashkon në skenë një fëmijë viktimë, të atin që ka ikur dikur për jetë më të mirë, një polic që s’ka pikë njerëzillëku, por veç rol administrativ dhe bën ndonjë pazar aty-këtu, njëfarë kabareje të fëlliqur ballkanike dhe një gazetare që vrapon pas klikimeve
Një fëmijë i shtrirë në skenë derisa publiku zë vendet, pa lënë asnjë karrige bosh, është tregues i saktë për rrëfimin që pritet. Kur pamja fillestare e një shfaqjeje me titullin “Kufiri” është e tillë, publiku bëhet gati për tragjedi. Historitë e rrëfimet e kufijve janë të vjetra. Aktualisht në botë flitet për shifra të njerëzve që kalojnë kufijtë legalisht e ilegalisht e për shifra të tjera njerëzish që ndalohen nga autoritetet. Retorika kundër emigranteve është në rritje si në Evropë edhe më tej.
Por shfaqja “Kufiri” me tekst të Ana Ristoska Trpenoska, nën regji të Sovran Nrecajt, shifrat i ka krejt periferike. I jep rëndësi jetës.
Kosova e Ballkani në përgjithësi migrimin e kanë temë të përhershme. Tash edhe shumë vende në botë përballen me këtë fenomen. Shfaqja e Nrecajt bashkon në skenë një fëmijë viktimë, të atin që ka ikur dikur për jetë më të mirë, një polic që s’ka pikë njerëzillëku por veç rol administrativ dhe bën ndonjë pazar aty-këtu, njëfarë kabareje të fëlliqur ballkanike edhe një gazetare që vrapon pas klikimeve.
Në shfaqjen e tij të parë Nrecaj, regjisor filmi, prek stil të njohur vendor në teatër, kryesisht te gjeneratat e reja. Skenat janë secila njëfarë fletërrufeje pasi, siç thuhet edhe në shfaqje, “s’ka më role të mëdha”. Është asi teatri i drejtpërdrejtë që denoncon. Njëfarë teatri dokumentaresk. Polici (Shpëtim Selmani) bën vijë kufitare me shkop të metalit dhe caktohet prerja midis shtetit e atyre që shikojnë të futen legalisht ose ilegalisht. Aty pëson një fëmijë derisa bashkë me të ëmën do të nisej për t’u bashkuar me kryefamiljarin në një shtet të Evropës. Arsyet ekonomike dhe tentimi për një jetë më të mirë kthehen në tragjedi. Loja në shfaqjen që shkon mbi një orë nganjëherë pëson në ritëm, por në përgjithësi mban kureshtjen e publikut. Me një skenografi të thjeshtë, aktorët arrijnë të rrëfejnë e të përçojnë mesazhe. Është njëfarë toke e askujt që i bashkon emigrantet, transportuesit e tyre, institucionet shtetërore e mbi të gjitha nxjerr në pah se jeta e njeriut s’ka pikë vlere. Pa i sforcuar karakteret, krejt natyrshëm fatet njerëzore vijnë para publikut edhe me satirë. Humori është pjesë e tragjedisë. Me një kamerë në dorë – gjë që shfaqjes i jep njëfarë efekti multimedial – gazetarja (Kosovare Krasniqi) vrapon për të kapur ndonjë rast që mund t’i sjellë shikueshmëri. Me kapësen e flokëve gjithnjë gati dhe një buzëkuq me vete, ajo është aty përhershëm. Jo për të treguar ndonjë gjë përmbajtjesore, por për t’i rritur klikimet me video virale.

Shfaqja zhvesh mosekzistencën e humanizmit midis njerëzve pavarësisht pozicioneve që kanë ata. Vuajtjet e të atit (Blend Sadiku), që priste bashkimin me familjen në një shtet evropian, janë të mëdha. Aty tragjikja nxirret në pah fort, përderisa detaje të shumta i bëjnë shumështresore mesazhet e shfaqjes, e dhënë premierë të hënën mbrëma në teatrin “Oda”.
Regjisori Sovran Nrecaj ka thënë se kjo temë vjen edhe në bazë të përvojave personale të të jetuarit në një vend tjetër jashtë vendlindjes.
“E kam ndier këtë përkatësinë e dy vendeve të ndryshme ku është vështirë të përcaktosh se cila është shtëpia dhe në cilën kohë. Duke jetuar në dy vende të ndryshme të Ballkanit dhe mandej duke lëvizur edhe në vende të tjera, e kam vërejtur se një prej preokupimeve të të rinjve dhe të të rriturve të tjerë pos atyre të Ballkanit është që të dalin jashtë vendit të tyre”, ka thënë ai.
Kjo temë e kishte ngacmuar në vazhdimësi. Si regjisor filmi e kishte trajtuar edhe në ekran.
“Në bazament jam regjisor i filmit. Për mua e rëndësishme është ajo që duam të themi e mandej mediumet janë veç mjete për të ardhur tek audienca. E kam ndier të nevojshme ta sjell në këtë stilin pak a shumë dokumentaresk prej ku kam filluar”, ka thënë ai.
Ka treguar se veç ndjesia që ka marrë në premierë e ka tejkaluar atë të filmit. Sipas tij, shfaqja është më e prekshme, më e afërt e një ballafaqim pak më kolektiv sesa kinemaja në kohën kur në vendet si Kosova funksionojnë thuajse vetëm kinematë komerciale.
“Jam në fillimet e krijimtarisë, tentoj të gjej dhe të rrëfej storie që janë jashtë ‘spotlight”, jashtë dritës e ekraneve. Tentoj të sjell storie të atyre që nuk janë të dëgjuar. Në këtë rast nevoja ka qenë që këta njerëz t’i nxjerr nga statistikat dhe ta dëgjojmë storien e tyre. Në të njëjtën kohë duke i ballafaquar këto storie personale me politikat jo fort të drejta që kanë ardhur kryesisht nga Perëndimi”, ka thënë Nrecaj. Sipas tij, këto politika i kanë shtyrë që të bëjnë veprime ilegale shumicën e atyre që kanë migruar nga vendet e treta.
Në shfaqjen ku janë personazhe edhe Verona Koxha e Leart Nrecaj me kufirin luhet edhe në kuptime të tjera. Ka personazhe që jetojnë në atë që është edhe politikisht Evropë. Flasin për socializimin e tyre, njëfarë përkatësie të dyfishtë dhe vija ndarëse e kufirit ironikisht tregon se brenda një metri kalohet nga jocivilizimi në civilizim ose anasjelltas.
Shpëtim Selmani pos aktor është edhe shkrimtar. Është edhe laureat i Çmimit Evropian për Letërsi. Ndoshta është më evropiani në komunitetin artistik dhe në njëfarë forme kjo e fut në luftë të vazhdueshme me botën e nganjëherë edhe aso lufte të brendshme.
Pas shfaqjes ai ka thënë se migrimi është temë e përhershme dhe gjithnjë po ndërron gjeografi.
“Sot s’po migrojnë veç kosovarët, por dhe qytetarë të vendeve të tjera dhe konfliktet po prodhojnë emigracion. Është një temë universale dhe duket sikur migrimi s’po ka fund. Ata që e sundojnë këtë botë nuk po e konsiderojnë atë si një vend të përbashkët. Po të ishte, këtu s’do të kishte emigrim. Do të kishte shëtitje”, ka thënë Selmani. Sipas tij, kufijtë prodhojnë tragjedi.
“Unë jam kundër kufijve e kundër konstrukteve të tilla që i izolojnë njerëzit e ua vështirësojnë jetën. Jam utopist. E di që është ëndërr, por e ëndërroj një botë pa kufij”, ka thënë ai.
Regjisori Besim Ugzmajli shfaqjen e ka përshkruar si një shtrirje edhe mediale. Ka thënë se ishte një mënyrë e bukur për të rrëfyer përmbajtësisht, hollë e bukur dëshirën e njeriut për atë që është esenciale, një jetë më të mirë. Sipas tij, kjo vjen shumë bukur nëpërmjet një kimie midis aktorëve, një punë të hollë dhe të detajuar të regjisorit e shtrirë bukur estetikisht e artistikisht.
“Mendoj se reagimi i publikut ishte një lexim i bukur nëpërmjet detajeve dhe shtrirjes me finesë të përmbajtjes në këtë shfaqje. Pjesë të shfaqjes janë edhe trendët në rritje për të kapur lajmin me qëllim që të rrisë klikime duke mos u marrë me tragjedinë njerëzore”, ka thënë Ugzmajli.
“Kufiri”, midis të tjerash, është edhe hapësirë mbijetese. Rrëfimet aty janë të shumta. E skenës teatrore i është shtuar edhe një mjeshtër i ri inskenimesh të historive që sot trazojnë shoqërinë shqiptare e atë globale.