Tregimi i shkruar më 2012-n dhe i botuar një vit më vonë në librin me tregime “Shumë rrugë dhe një rënie”, deri tani, është përkthyer në më shumë se 12 gjuhë të huaja. Tashmë ai gjendet edhe në portalin regjional “XXZ Magazin”, me seli në Serbi që përmes shkrimeve, synon të ndërtojë ura mes vendeve të ish-Jugosllavisë
Tregimi “Kthimi i babait” i Adil Ollurit tashmë është i qasshëm edhe për lexuesit në gjuhën serbe. Është përkthyer dhe publikuar në portalin regjional “XXZ Magazin”, me seli në Beograd.
“Kthimi i babait” është publikuar në platformën online për kulturë, mendim dhe shoqëri të hapur. Kjo platformë synon të trajtojë çështje regjionale në fushën e kulturës dhe mendimit shoqëror. Drejtohet nga krijuesit dhe publicistët e rëndësishëm, si Petar Lukoviq, Tomislav Markoviq, Milosh Zhivanoviq etj. “XXZ Magazin” ka për qëllim promovimin dhe afirmimin e letërsisë dhe formave të tjera të artit, si fotografisë, kulturës, filmit dhe muzikës.
“Ne kurrë nuk do t'i harrojmë luftërat e përgjakshme të viteve 1990: ne jemi këtu për të kujtuar gjithnjë se çfarë ka ndodhur dhe si ka ndodhur, për shkak të gjeneratave të reja, lobotomia e të cilave po bëhet një problem kolektiv”, është shkruar në ueb-faqen e “XXZ-së”.
Sipas së njëjtës “XXZ Magazin”, ka për qëllim që të bëjë bashkë shkrimtarë e artistë nga regjioni dhe të nxisë dialog si nevojë thelbësore për komunikim midis kulturave të ndryshme. “Të paktën ne mund të themi se kemi thyer disa kufij dhe se më anë të teksteve tona, jemi duke u përpjekur që të ndërtojmë ura të forta dhe të bukura me fqinjët tanë të dashur”, është shkruar aty.
“Unë dhe nëna të kërkuam me vite. Nuk lamë njeri pa pyetur, nuk lamë gjurmë pa ndjekur. Donim ta dinim se në ç’vend të kishin zhdukur. Edhe pse kaluam një dhjetëvjeçar lirie, së cilës ti iu bëre fli, ne ende kishim shpresë se një ditë do të ktheheshe i gjallë, se një ditë krejt papritmas do t’i bije ziles së banesës, ose pa bërë zhurmë do të hyje brenda në orët e vona, mu ashtu siç kishe dalë nga ajo, për të mos u kthyer më kurrë”, përfundon tregimi “Kthimi i babait” i Adil Ollurit, i shkruar në vitin 2012, dhe i botuar në vitin 2013 në kuadër të librit me tregime “Shumë rrugë dhe një rënie”.
Libri është vlerësuar lart nga kritika. “Tregimet trajtojnë tematikat nga më të ndryshmet: kalohet nga ato që kanë një konotacion fantastik tek ato që rrëfejnë për luftën, dhunën që një popull i tërë e ka përjetuar. Dëshpërimi, dhimbja, plagët ende të hapura të një populli të tërë janë të pranishme në secilin prej tregimeve”, pati thënë shkrimtari Italian Marco Incardona në një fragment nga shkrimi i tij, i publikuar në portalin për letërsi “Il Tempo di Dionisio”.
Shkrimtari dhe studiuesi i letërsisë, Adil Olluri, ka thënë se një rëndësi të madhe ka përkthimi dhe botimi i letërsisë së mirëfilltë shqipe jashtë vendit.
“Botimi i tregimit tim në këtë portal është një lajm i mirë për prozën time artistike, sepse me këtë hap (përkthimin dhe botimin), krijimtaria ime ka mundësi të takohet me lexuesin e huaj, konkretisht atë serb dhe atë të vendeve të ndryshme të ish-Jugosllavisë, ku mund të lexohet dhe kuptohet”, ka thënë Olluri për KOHËN.
Ai shpreson që botimi i tregimit të tij në një portal të tillë të jetë nxitës edhe për përkthime dhe botime të tjera nga letërsia e Kosovës.
“Përkthimi dhe botimi i letërsisë së mirëfilltë shqipe jashtë vendit ka një rëndësi shumë të madhe, sepse me këtë ajo mund të arrijë te një gamë më e gjerë e lexuesve, komentuesve dhe vlerësuesve, të cilët do të mund ta shohin me një sy tjetër prej tonit, ngaqë secila kulturë ka pikëvështrime të ndryshme rreth krijimtarisë artistike e letrare”, ka theksuar ai.
Në vitin 2015, Adil Olluri kishte botuar romanin e tij të parë “Bartësi i shpirtrave të përzënë”, titullin e të cilit e kishte marrë nga njëri prej tregimeve të librit “Shumë rrugë dhe një rënie”.
“Bartësi i shpirtrave të përzënë” trajton një fragment tragjik të luftës, shpërnguljen me dhunë, duke e vendosur një “hero frikacak” në qendër të romanit. Romani i promovuar në Institutin Albanologjik të Prishtinës ishte cilësuar si rrëfim i ftohtë për ngjarjet që zhvillohen më 1999.