Kulturë

Kryeveprat e Caravaggios hapin botën e “Mjeshtrit të dritës”

Ekspozita “Caravaggio 2025” në Galerinë Kombëtare të Artit Antik në “Palazzo Barberini”, në qytetin e Romës, gjurmon karrierën meteorike të artistit

Ekspozita “Caravaggio 2025” në Galerinë Kombëtare të Artit Antik në “Palazzo Barberini”, në qytetin e Romës, gjurmon karrierën meteorike të artistit

Disa nga veprat më të rëndësishme të piktorit barok, Caravaggio, u kthyen në Romë pas shumë dekadash – në disa raste shekujsh – për një ekspozitë të madhe. Me titull “Carvaggio 2025”, ekspozita sjell 24 kryevepra në hapësirën e Palazzo Barberini në Romë. Ofron një perspektivë të re për revolucionin artistik dhe kulturor të sjellë nga piktori i quajtur “Mjeshtri i dritës”, teksa e udhëzon publikun për të zbuluar krejt veprën artistike të Caravaggios

Ndërtesa ikonike “Palazzo Barberini” në Romë ka hapur dyert për vizitorët me ekspozitën “Caravaggio 2025”. Vepra të mjeshtrit të barokut, të cilat në disa raste nuk janë parë në Itali që prej shekullit XVII, mund të admirohen tani nga publiku i gjerë, për herë të parë.

“Është një ekspozitë e jashtëzakonshme, plot kryevepra, që na jep mundësinë të shohim vepra që mund të kenë qenë afër njëra-tjetrës në fillim të shekullit XVII dhe më pas morën rrugë shumë të ndryshme”, thotë Francesca Cappelletti, kuratore dhe drejtoreshë e galerisë “Borghese” në Romë.

Në mesin e 24 pikturave të përfshira në ekspozitën e hapur të enjten është edhe “St. Catherine of Alexandria” (Shën Katerina e Aleksandrisë) e huazuar nga muzeu kombëtar “Thyssen-Bornemisza” i  Madridit.

Vepra kthehet në dhomat ku kishte qëndruar deri në vitin 1934, kur u shit pas një vendimi të qeverisë Mussolini, e cila lejoi që një pjesë e madhe e koleksionit të Barberinit të shpërndahej.

Veprat “The Cardsharps” nga muzeu i artit “Kimbell” në Fort Worth të Teksasit, “The Concert” nga muzeu metropolitan i artit në New York, dhe vepra nga Galeria Kombëtare e Irlandës, Instituti i Artit në Detroit, Muzeu Uffizi në Firence, galeria kombëtare bashkëkohore “Pinacoteca di Brera” në Milano dhe koleksione private, janë të gjitha në ekspozitë.

Vepra “St. Catherine of Alexandria” e piktorit Caravaggio, e huazuar nga muzeu kombëtar “Thyssen-Bornemisza” në Madrid

Një tërheqje e madhe për shumë vizitorë do të jetë mundësia për të admiruar nga afër, për herë të parë, dy piktura: “Ecce Homo” dhe “Portrait of Maffeo Barberini” (Portreti i Maffeo Barberinit). E para besohet se është pikturuar në Napoli në mes të viteve 1606 dhe 1609 dhe po ekspozohet për herë të parë në Italinë e kohës moderne, ku kthehet pas katër shekujsh. Një nga të fundit që i atribuohen piktorit italian Caravaggio, përshkruan Krishtin që mban një kurorë me gjemba, i cili i shfaqet turmës nga Pontius Pilati, dhe iu atribuua një piktori spanjoll jo shumë të njohur kur u shfaq në një katalog ankandi në Madrid, me një vlerë fillestare prej 1.500 eurosh. Ndërkohë që imazhi i tij u shpërnda dhe arriti në komunitetin shkencor ndërkombëtar, disa studiues e identifikuan dorën e Caravaggios në të.

Ndërkohë “Portrait of Maffeo Barberini” u zbulua kohët e fundit për publikun, pasi gjurmët e kësaj pikture kishin humbur për gjysmë shekulli. Maffeo Barberini ishte një mbështetës dhe adhurues i Caravaggios, si dhe pronari i parë i pallatit që tani është nikoqir ekspozitës retrospektive.

Këto dy vepra, të ekspozuara përkrah të tjerave që ndoshta janë realizuar në të njëjtën periudhë kohore, do të mundësojnë një krahasim të panjohur më parë, që u ndihmon studiuesve të debatojnë për çështje të tilla si koha e realizimit të tyre.

“Ecce Homo”, piktura e cila doli në ankand, në Madrid, në vitin 2021

“Kjo është gjithashtu një ekspozitë për studiuesit, për t’u dhënë mundësinë të testojnë hipotezat e ndryshme që janë formuluar, veçanërisht për këto piktura që nuk i kishim parë deri para disa vjetësh ose disa muajsh”, shpjegon Cappelletti.

Në rastin e “Portretit të Maffeo Barberini” prania e kësaj vepre në ekspozitë mund të jetë një lloj testi për të ardhmen për vendosjen e saj të përhershme në një muze. Piktura i përket një koleksioni privat, por shteti italian po negocion për blerjen e saj.

“Shpresojmë që të gjitha këto piktura që ndodhen në koleksione private të mund të ekspozohen për publikun e gjerë dhe për studiuesit, kështu që do të ishte një ëndërr dhe po punojmë për ta arritur këtë. Por fakti se tani e kemi mundësinë të admirojmë 24 kryevepra nga Caravaggio, është një ngjarje e jashtëzakonshme”, deklaron Thomas Clement Salomon, kurator dhe drejtor i Galerisë Kombëtare të Artit të Antik.

Ekspozita është gjithashtu një rast i veçantë për një krahasim tjetër mes veprave, “Saint Catherine of Alexandria” (Shën Katerina e Aleksandrisë), “Martha and Mary Magdalene” (Marta dhe Maria Magdalena) si dhe “Judith and Holofernes”. Për këto tri piktura Caravaggio me siguri e ka shfrytëzuar të njëjtën modele, që besohet të jetë Fillide Melandroni.

Melandroni ishte një mike e Caravaggios dhe një kurtizane, pronari i së cilës besohet të ketë qenë Ranuccio Tomassoni, burri që Caravaggio e vrau më 28 maj 1606. Ishte një vrasje që e detyroi atë të ikte nga Roma për të shpëtuar nga dënimi me vdekje.

“A portrait of Maffeo Barberini”, vepër e Caravaggios e bërë publike vitin e kaluar – pjesë e koleksionit privat

Ekspozita, e cila ofron një perspektivë të re për revolucionin artistik dhe kulturor të sjellë nga piktori i quajtur “Mjeshtri i dritës”, e udhëzon publikun për të zbuluar të gjithë veprën artistike të Caravaggios. Ajo fillon nga mbërritja e tij në Romë rreth vitit 1595, ku fillimisht u detyrua të bënte piktura për pak para dhe ku pikturoi kryevepra si, “Young Sick Bacchus”, dhe vazhdon deri në vitin 1610 me “The Martyrdom of St. Ursula”, vepra e tij e fundit, para vdekjes së parakohshme.

“Ka ende shumë për të zbuluar rreth Caravaggios. Ne ende nuk i kemi gjetur të gjitha pikturat e njohura për të cilat burimet historike na flasin dhe ka gjithashtu boshllëqe në historinë e tij, në historinë dokumentare dhe në mundësinë e rindërtimit të biografisë së tij. Për ne, Caravaggio është një piktor që filloi karrierën në Romë, por ai sigurisht që erdhi në këtë qytet si një artist që kishte praktikuar pikturën për një kohë të gjatë në Lombardi, dhe ne ende nuk kemi asnjë vepër të tijën nga ajo periudhë. Ka ende shumë për të studiuar dhe shumë për të punuar”, tha bashkëkuratorja e ekspozitës, Cappelletti.

Artisti Michelangelo Merisi da Caravaggio vdiq në korrik të vitit 1610, në moshën 38-vjeçare, ndërsa po kthehej në Romë pasi u fal nga papa për krimin e bërë.

Ekspozita “Caravaggio 2025” do të qëndrojë e hapur për vizitorët në Galerinë Kombëtare të Artit Antik në Romë, deri më 6 korrik.