Piktura e rizbuluar nga artisti Eugene Delacroix do të dalë në ankand në Paris, në fund të këtij muaji. Vepra e artit u zhduk për më shumë se një shekull, por u gjet në provincën Touraine në perëndim të Francës nga një udhëheqës ankandesh. Bëhet fjalë për “Study of Reclined Lions”, vlera e së cilës është parashikuar të jetë mes 200 dhe 300 mijë eurove
Fshehur në një kopsht të bukur parisien ndodhet një “copëz arti” që më parë ishte menduar se kishte humbur. Studiot e kompanisë “Cabinet Eric Turquin” po ruajnë një pikturë të veçantë të artistit francez Eugene Delacroix. Bëhet fjalë për veprën e titulluar “Study of Reclining Lions” (Studimi i luanëve të shtrirë) që kishte munguar për më shumë se 100 vjet.
Kur udhëheqësi i ankandeve, Malo de Lussac, u ftua që të bënte një inventar të provincës tradicionale Touraine, që gjendet në perëndim të Francës, diçka tërhoqi vëmendjen e tij.
“Isha plotësisht i magjepsur dhe i pyesja të tjerët, ‘Çfarë është kjo pikturë?’ Dhe, në fakt, kur fillova inventarin e pasurisë, pronarët thjesht më thanë: ‘Epo vazhdoni, merreni atë. Edhe ashtu do të duhej ta vlerësonit’. Në atë moment e mora pikturën nga muri. E shqyrtova me shumë kujdes. E pashë që teknika ishte vërtet aty dhe ishte një pikturë e shkëlqyer, shumë shumë e bukur, e realizuar jashtëzakonisht mirë, me një ngjyrë të verdhë dhe portokalli e me nuanca të ndryshme, pra ishte vërtet e jashtëzakonshme”, kujton ai.
Kur e ktheu kanavacën në anën tjetër, e kuptoi se kishte gjetur diçka vërtet të jashtëzakonshme – edhe pse në ato momente thuajse kishte frikë të besonte që kishte të drejtë.
“Zbulova një paletë në kanavacë si dhe një vulë nga dylli që përmbante inicialet E.D. Dhe ndërsa shikoja vulën, shitësit më thanë: ‘Është përfolur se kjo pikturë është e mjeshtrit Delacroix’ dhe në atë moment unë duhej të balancoja emocionet me kujdes. Pra është e vërtetë që kur mora pikturën në duar thashë me vete: ‘Kjo është një çmenduri, kam një vepër të Delacroix në duar’, dhe nga ana tjetër kisha një zë të vogël përbrenda që më thoshte: ‘Prit, bëj kujdes, bëj kujdes! Ende duhet të sigurohemi për këtë gjë”.
De Lussac ia dërgoi një fotografi të veprës që kishte gjetur ekspertit të pikturave të mjeshtërve të vjetër, Stephane Pinta nga kompania “Cabinet Eric Turquin”. Pinta, jashtëzakonisht i entuziazmuar por edhe i kujdesshëm, e udhëzoi atë që ta vizitonte menjëherë.
Ekspertit të artit iu deshën vetëm disa orë për të vërtetuar se piktura ishte vërtet e artistit francez, Delacroix.
“Epo gjithmonë është e vështirë të thuash menjëherë se është vepër e punuar nga Delacroix, por sigurisht mund të vëresh ndikimin e pikturës dhe të njohësh punën dhe stilin e artistit në të. Dhe kjo ndodhi në këtë rast. Pra, mjaftojnë vetëm disa sekonda për të vërtetuar se është puna e artistit të shquar. Por kjo lloj pikture ka patjetër një histori dhe ne duhet t’ia kushtojmë kohën e duhur për të bërë disa hulumtime rreth saj”, tha Pinta.

Dy letra që i adresohen origjinës së pikturës, përfshirë një nga historiani i njohur i artit, Lee Johnson, u gjetën gjatë inventarit. Studime të mëtejshme nga Pinta, në katalogun e Delacroix, konfirmuan se vepra “Study of Reclined Lions” ishte reale.
Pas vdekjes së artistit në vitin 1863, ajo kishte mbetur në duart e koleksionuesve privatë. Ndërkohë ky zbulim i rrallë nuk është i pari për drejtuesin e ankandeve, Malo de Lussac. Në katër vjetët e fundit, qëkur krijoi kompaninë e tij, ai ka rizbuluar dy piktura të realizuara nga Gustave le Gray, piktori zyrtar i Napoleonit III, katër vepra nga Jean-Baptiste-Auguste Vinchon, që u shitën për një milion euro dhe tri piktura nga Bruegheli.
De Lussac nuk pret të gjejë ndonjë pikturë tjetër nga Delacroix.
“Isha i mahnitur për faktin se kemi gjetur një pikturë në origjinale të Delacroix. Mendohej se të gjitha pikturat e artistit janë nëpër muze, jo në koleksione private. Prandaj, për mua është një befasi e jashtëzakonshme”, tha De Lussac.
Kryevepra e mjeshtrit Delacroix me titull, “Liberty Leading the People” (Liria duke udhëhequr popullin) ka zbukuruar pulla postare dhe kartëmonedha në Francë, si dhe ballinën e një albumi të rock-grupit britanik, “Coldplay”. Krahas Mona Lisës, imazhi i famshëm i një gruaje revolucionare që mban në duar një flamur dhe një bajonetë, krijuar nga Delacroix në vitin 1830, është një nga pikturat më të vizituara të Muzeut të Louvrit.
Eugene Delacroix mund të kalonte orë të tëra duke vëzhguar tigra dhe luanë teksa lëviznin nëpër kafazet e tyre në kopshtin zoologjik të Parisit, “Jardin des Plantes”. I mahnitur nga macet e mëdha, udhëheqësi i lëvizjes romantike të artit prodhoi shumë vepra që për subjekt kishin luanët. Studiuesit e kanë interpretuar këtë fascinim si një projektim të vetë artistit, i njohur për natyrën e tij të zjarrtë, pasionante dhe madje të pazbutur.
“Ishte shumë emocionuese sepse sot është shumë e rrallë të gjesh një pikturë që ka qenë e humbur për më shumë se 100 vjet. Dhe vepra është shumë e njohur, nga zanafilla e deri te koleksioni që ruhet sot. Pra, është shumë emocionuese të gjesh një pikturë të re nga Delacroix”, tha Pinta.
“Study of Reclined Lions” nga Eugene Delacroix do të prezantohet për herë të parë në ankand më 28 mars, në “Hotel Drouot” në Paris. Vlera e saj është parashikuar të jetë mes 200 dhe 300 mijë eurove.